Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Operativët e Sigurimit plotësonin planin me dorën e majtë

| E premte, 07.10.2022, 06:01 PM |


Fiktivitet nuk ka pasur vetëm rrjeti sekret i Sigurimit të Shtetit (përfshi edhe rekrutimet fiktive), i cili me të dhëna të pavërtetuara mirë sot kërkohet të merret seriozisht. Punëtorët operativë të Sigurimit, duke qenë më së shumti dembelë, punën dhe takimet me agjenturën ua linin rezidentëve. Përgjithësisht, raportet nga takimet me agjenturën, duke mos i realizuar, i shkruanin dhe shpiknin vetë me makinë shkrimi, se gjoja ishin marrë gojarisht. Kur kjo mënyrë u kuptua, u dha urdhër që raportet e bashkëpunëtorëve të ishin me shkrim dore. Bela e madhe doli për shokët punëtorë operativë. Nga zoti gjetën një stil tjetër, shkrimin e raporteve me dorën e majtë, për të plotësuar planin. Në vitin 1984, partia vendosi të bënte shembuj dy punëtorë operativë, të cilët ua kaloi drejtësisë popullore, sigurisht me dyer të mbyllura. Punëtori operativ i zonës N kishte falsifikuar plot 100 raporte agjenturore të 14 bashkëpunëtorëve, të cilat implikonin plot 43 persona. Raportet false përshtateshin sipas situatës së kohës.