| E merkure, 05.10.2022, 06:00 PM |
Flet poeti dhe kritiku shkodran Xhahid Bushati: Lidhjen e Shkrimtarëve në Shodër e kanë drejtuar Prof. Vehbi Bala, dhe dramaturgu Fadil Kraja.
-Pse u censurua Frederik
Reshpja në monizëm
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Shkodra
ka nxjerrë shumë poetë dhe shkrimtarë, që kanë lënë gjurmë në letërsinë
shqiptare. Si djep i kulturës ky qytet ka pasur në çdo system krijues të
guximshëm, që nuk kanë bërë kompromise në dëm të letërsisë. Lidhja e
Shkrimtarëve në Shkodër në sistemin monist drejtohej nga Prof. Vehbi Bala, dhe
dramaturgu Fadil Kraja… Por sot në Shkodër ka shumë poetë dhe shkrimtarë dhe
problem e krijimtarisë ajnë të shumta. Ja si shprehet poeti Xhahid Bushati….
1.Shkodra
historikisht një qytet me shumë krijues cilësor. Nga ky qytet kanë dalë poetë
dhe shkrimtarë që kanë lënë gjurmë në historinë e letërsisë shqiptare. Mund të
na përmendni disa dhe mendimet tuaja për figurat më të shquara në vite?
Përgjigje:
Shkodra ishte dhe mbetet përherë qytet me brumë kulture. Po t’i hedhim një
vështrim retrospektiv, në rrjedhën e shekujve, dekadave e viteve, ky qytet ka nxjerrë
emra që i kanë ndritur fytyrën Shkodrës, Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. Në
këndvështrimin tim këto emra janë të shumtë, por duke pranuar edhe preferencat
e mia, që janë produkt i studimeve të mia shumëvjeçare, po përmend disa syresh:
Ernest Koliqin, Migjenin, Martin Camaj, më vonë Frederik Rreshpjen e Skënder
Drinin, më vonë Ridvan Dibrën… Tani, disa karakteristika: Koliqi njohës i
thellë i mentalitetit, psikikës e shpirtit të shqiptarit verior; Migjeni i
lavdishëm që zbërtheu jetën e qytetit dhe të fshatit përmes dramatikës e
tragjedisë; Camaj, shqiptari edhe pse pa lexues shqiptarë gërshetoi elementet e
traditës së vendlindjes me modernen veçanërisht në rrafshin stilistik,
Rreshpja, liriku më i shquar i poezisë sonë, ku realja dhe surealja janë në raporte
të harmonishme estetike; Drini, me prozën e tij veçanërisht romanore solli
kuadro të gjera jete dhe skalitje personazhesh, ku spikasin kultura elitare e
stili elegant; Dibra, një prozator i talentuar, ku fjalën dhe frazën shqipe i
ka të mirëmenduara stilistikisht dhe të shenjta. Shkodra mbetet një qytet me
trashëgimi të pasur kulturore, që kërkon njohje të mëtejshme. Ndoshta është i
vetmi qytet, ku vlerat e trashëgimisë së prodhimit letrar e artistik të
krijuara në shekuj e dekada sfidojnë realitetin ekzistues letrar, gjithnjë
flasim në pikëpamje të vlera të vërteta dhe të talentit.
Si
funksiononte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shkodër në sistemin monist?
Kush ka qenë kryetar i saj për Shkodrën dhe si organizohej kjo lidhje?
Përgjigje:
Ndonëse kam qenë i ri, kam pasur fatin të jem në shumë mbledhje të Lidhjes.
Mund të them se funksiononte brenda parametrave të sistemit komunist, ishte
ndihmëse e Partisë dhe zbatonte korrektësisht mësimet e saj. Kryetar i Lidhjes,
në fillim ishte prof. Vehbi Bala, më pas, një jetë të gjatë vitesh ka qenë
dramaturgu Fadil Kraja.
3.Shumë
krijues shkodranë nuk pajtoheshin me sistemin monist. Cilët nga krijuesit
shkodranë është burgosur në atë sistem për tendenca liberale antikomuniste?
Përgjigje:
Ka pasur disa krijues që në rrugëtimin e jetës së tyre, krahas shumë aspekteve,
ka qenë edhe ai i mospajtimit me sistemin dhe orientimet e sistemit komunist.
Unë do të ndalem te poeti Frederik Rreshpja, të cilin e njoh mirë, pasi dy javë
më parë kam botuar një libër për të me titullin: “Fredi…”. Poezia dhe mendimet e tij e kishin një kundërshti të tillë. Unë jam
dëshmitar i disa librave të kthyera nga Sh. B. “Naim Frashëri”, veçanërisht i
librit “Në këtë qytet…”. Redaktorët e recenzentët kishin të shënuar si
mospranim shumë metafora të guximshme, me ngjyresa e shtresëzime stilistikore,
me imazhe të papara që poezisë shqipe i jepnin një hapësirë të re, e për
rrjedhojë në emër të guximit krijues e artit të vërtetë kundështonin realitetin
ekzistues monist. Nuk e pranonin lehtë poezinë rreshpjane.
Shkrimtarët
I. Kadare dhe D. Agolli, a kanë ardhur e kanë bërë takime me anëtarët e Lidhjes së Shkodrës?
Përgjigje: Po, ardhjet e dy shkrimtarëve me emër ishin të
mirëpritura në Shkodër. I. Kadareja vinte më rrallë, ndërsa Dritëroi më shpesh,
sepse gruan, Sadijen e kishte nga Shkodra. Por ajo që është për t’u theksuar
bisedat e tyre me krijuesit shkodranë ishin modele kulture, shkolla progresi
dhe çelnin dritare të reja krijuesve shkodranë në rrugëtimin e tyre letrar.
Cilat kanë qenë problemet e krijuesve
të Shkodrës në atë sistem?
Përgjigje:
Jo pak kanë qenë. Themelore ka qenë ai i marrëdhënies me lirinë dhe larine
krijuese. Kjo vërehej tek poezia, ku kishte mbledhje e diskutime, shpesh
keqdashëse. Edhe tek dramat që viheshin në skenë, kur disa prej tyre kishin
fatin jo të lumtur të provonin shumë prova gjenerale e shumë cungime, arsyetime
të padrejta e mangësi kulturologjike.
Po
sot a ka Lidhje krijuesish në Shkodër?
Ekziston
Shoqata e krijuesve të Shkodrës, ka jetën dhe aktivitetin e saj, promovon libra
të autorëve e më gjerë. Por jo si Lidhja e mëparshme
-Cilat
janë problemet e krijuesve shkodranë, sot?
Përgjigje:
Janë të shumta. Janë problem, që lidhen me konceptin e strukturën e Shoqatës që
lë për të dëshiruar nga ana e dikastereve përkatëse shtetërore, ku statusi i
krijuesit është i paqartë. Aktivitetet më shumë janë spontane dhe individuale,
pa folur për ato ekonomike, ku në këtë aspekt mungojnë strategjitë dhe
investimet. Pastaj, komunikimet me librin dhe jehonën e Tiranës janë të
varfëra. Po e lë këtu, pa folur për probleme të tjera, të cilat sigurisht janë
të rëndësishme.
-Sot
lëvrohet më shumë poezia se proza. Cilët janë poetët dhe shkrimtarët shkodranë
sot që konkurojnë në krijimtarinë shqiptare dhe sot?
Edhe
në Shkodër ka një lumë botimesh. Po të përdor një shprehje shkodrane, them:
“Shumica nuk e kalon Urën e Bahçallëkut”. Por do të përmend autorë, si: Alfred
Çapaliku, Arben Prendi, Meritan Spahia, Ridvan Dibra, që me krijimet dhe
përkthimet e tyre të vlefshme janë prezentë në letërsinë shqiptare.
-Si do ta cilësonit
Migjenin?
Përgjigje:
Migjeni është një fenomen letrar, i rrallë. Migjeni është një poet planetar, I
gjithëkohshëm. Rrallë mund t’i vijë letërsisë shqipe një model i tillë i
paarritshëm.
-Flitet shumë për gjuhën standarte.
Madje thuhet se duhet ndarë në gegënishte e toskërishte? A është koha për
ndryshimin e gjuhës së njësuar nga personalitetet më të mëdha të gjuhës shqipe?
Problemet që shtroni në pyetjen tuaj janë aq të shumta,
por janë aq vorbull e rrëmujshëm sa, mendoj, në këtë gjendje të krijuar nuk
mund të zgjidhet asgjë në të drejtën e gegënishtes që e meriton. Ka shumë që
shkruajnë gegënisht, veçanërisht poezi. Shumë prej tyre nuk e njohin
gegënishten, strukturat e saj fonetike, morfologjike e sintaksore. Aktualisht
na mungojnë burrat e ditur dhe elitarë që e kanë shkruar hijshëm këtë gjuhë.
Sot na mungojnë. Ç’mund të flasim për gegënishten e dashtun, kur na mungojnë
modelet letrare, kur ka shumë keqdashje ndaj saj, që Gegënishtja nuk e meriton.
Mjafton të kujtoni gegënishten e Mjedës, sa e ëmbël, e fisme dhe “Zojë e randë”
është ajo në poezitë e tij.