Speciale » Basha
Sabile Basha: Ninullat e mistershme të nënës
E merkure, 28.09.2022, 06:56 PM
NINULLAT E MISTERSHME TË NËNËS
Tregim nga Sabile Keçmezi- BASHA
-Kush
je, më trego kush je ti, dhe nga të njohë unë... – këto fjalë i përsëriste nëna
për të satën herë të cilat iu ishin ngulitur thellë në memorien e saj. Këto
fjalë i përsëriste vazhdimisht, si refren të lodhur të ndonjë lipsi, duke më
shikuar paturpësisht, ngultas në sy. Nganjëherë më merrte dorën e më
përkëdhelte gjatë, duke e ndjerë nga afër hukamën e saj. E në të shpeshtë, i
shihja shumë pika loti që i shkonin rrëke faqeve të zbehura. Kjo pamje ishte aq
trishtuese sa fillova të ndjeja dhembje në gjoks, e koka më vlonte nga mërzia.
Gruaja që qëndronte në shtrat, herë-herë më ngjante në një fëmijë të hajthëm, e
herë-herë në një qenie të pa djallëzuar që posa kishte ardhur në këtë botë dhe
që nuk e ngarkonin në asnjë mënyrë mëkatet e jetës. Kjo pyetje e saj, e njëjtë
e e pa kuptimtë më bëhej brenda ditës me qindëra herë. Dhe vazhdonte në ditën
tjetër, me të njëjtin avaz të shumë përsëritur, duke i zgurdulluar sytë tej
mase:
-Kush
je ti, kush je... që kujdesesh aq shumë për mua, -më ngulmë më pyeste, dhe
vazhdonte me një zë çjerrës - e din ti se sa shumë i përngjan vajzës sime-
Bardhës, që është diku larg... shumë larg... – dhe drejtonte duart kah tavani i
dhomës si ndonjë fëmijë, dhe përsëri humbiste në labirintet e errëta të
mendjes, pa ditur të kthehej nga andej...
Me
net të tëra qëndroja pran shtratit të saj e shqetësuar dhe e pa gjumë. Ato ditë
isha tejet e lodhur. Me net të tëra u rropatja më kot, duke u munduar që të
zija fillin e kujtesës së saj të sëmurë, që u frikësoja tej mase se ishte i pa
riparueshëm. Bile, në vendin që punoja, kërkova për të më vazhduar pushimin, që
të qëndroja pran nënës, vetëm e vetëm që ti ndihmoja në freskimin e memories,
që tani veç u shihte se ishte i dëmtuar seriozisht.
Një
ditë, duke u munduar për ta larë, befas e vërejta se sa e brishtë e e dobësuar
ishte nëna. Iu kishin tkurrur eshtrat dhe iu ishte rrudhur tej mase fytyra.
Por, për çudi flokët kishin filluar ti mbulonin kokën tullace, që më herët e
kishin qethur mjekët tërësisht në qytetin, nga vinte. Thjesht i ngjante një
foshnje shtatëmuajshe që vetëm me një dorë mundja ta vendosja në vaskë dhe ta
laja për njëmijë qejfe të saja. Se thënë ndryshe, ajo ujin gjatë tërë jetës e
pati dobësi. Bile, më herët më tregonte, sa isha unë e pa martuar, dhe sa ishte
mirë nëna me kujtesën, se pa asnjë fije përtese, gjatë një dite ndodhte që të
bënte dush dy e tri herë. Na tregonte edhe këtë se, shpesh babai e gërgiste,
duke i thënë se nga larja e tepërt e trupit, kishte filluar të zvogëlohej e të
bëhej si bluza e bardhë e Mozës, (e Moza, ishte motra ime më e vogël që pa u
vërejtur lëshoi shtat dhe rrobat e mëhershme nuk i vinin tamam. Ishte edhe e
llastuar, por të gjithë ne e donim shumë e sidomos babai që i plotësonte çdo
dëshirë të saj. Ishte kanakarja e familjes). Na tregonte nëna, se pastaj ajo u
bënte se, gjëja u hidhëronte e po prekej tej mase, e me një fytyrë të bërë
spec, kishte reaguar pa ditur se si të hidhërohej në të vërtet- na rrëfente
duke qeshur. Edhe tani më tingëllon në vesh buzëqeshja e saja me plot zhurmë e
jetë. Është për tu çuditur, se ne, fëmijët asnjëri nuk i kemi ngjarë asaj. Ajo
ka pasur një qeshje karakteristike që i ngjante gurgullimës së burimeve, të
zhurmshme dhe jehuese. Kur qeshte ajo, njerëzit kthenin kokën dhe e shikonin se
sa ëmbël qeshte. I thosha shpesh , - O Ma, ke qeshje infektuese ti, se kushdo
që të dëgjoj duke qeshur, ka për të qeshur edhe tjetri pa e ditur arsyen e saj.
Ajo qeshte pastaj edhe më tepër, me gjasë i pëlqente që ti epnin komplimente.
Deri
sa qëndroja pran saj, në dhomën e gjumit, i mendoja të tëra këto. E këso
momente kisha me bollëk. Herë-herë nuk dija se ku ndodhesha duke menduar për të.
Pa dashur, humbsha në kohë e hapësirë, ngase edhe ashtu siç ishte realiteti,
nëna dot nuk më kuptonte dhe assesi të gjeja rrugën e përshtatshme të
komunikimit me të. Njëherë kisha mendua, epo tani në këtë gjendje siç ishte
nëna, thënë të drejtën e kisha më të lehtë që ta laja, ngase nga një grua e
shëndetshme, e plotë, e shumë kilogramësh që kishte qenë, ajo tani më, ishte
shndërrua në një grua-skelet, dhe se banja, me ujë të ngrohët i bënte shumë
mirë, se, pastaj flinte e qetë si qengji.
Në
fillim, mjeket na kishin propozuar që ta vendosnim në një sanatorium, ku i
kishin vendosur shumë të sëmurë kësisoj,
që kishin ardhur nga zonat e luftës. Por, unë nuk lejova. Besa, në këtë, më
përkrahu edhe burri, se përndryshe në ditët në vijim do ta kisha shumë të
vështir, pa ndihmën e tij.
Ishin
ditët e para të korrikut, dhe në qytezën ku jetonim ne, bënte vapë e pa
përballueshme. Në banesën ton, që ishte nën kulmin e një ndërtese shumëkatëshe,
kishe përshtypjen se i kishin vu saçin. Në ato ditë, banesa nga brenda ziente.
Nëna, si rëndom ishte shtrirë në shtrat dhe shikonte ventilatorin që
rrotullohej me një shpejtësi marramendëse, dhe qetë-qetë e freskonte nënën. Në
banesë, kishim të instaluar edhe klimën, por ajo nuk e duronte dot. Ndërsa,
zhurma e shushuritja e rrotullimeve të ventilatorit, që i ngjante një zukame
gjinkallash, disi... po...në një mënyrë të pa zakontë e qetësonte. Shpesh e
vëreja, se si me ngadalë, i mbyllte qepallat, dhe... heshtte me orë të tëra,
ose kotej në jastëkun ngjyrë bari. Derisa e shikoja se si pushonte e qetë, më
brente kureshtja, athua se çfarë mendonte derisa qëndronte e nemitur.
Atë
ditë të nxehtë, valë, kërkoi vetë që të bënte dush, ashtu spontanisht preku
ujin dhe më tregonte se ishte shumë e djersitur. Ky reagim i saj më befasoi këndshëm.
Shpresoja, se ndoshta nëna kishte filluar të bënte çapitjet e para për tu
kthyer nga “udhëtim” i largët. Pas pak, hyri vetë në banjë dhe me një tas i
hidhte kokës ujë. Mbeta e shtangur. Nëna bënte banjë turke, këndshëm u
befasova. Flokët sapo kishin filluar ti mbulonin kokën e shogët, ngase, gjatë
qëndrimit në kamp, mjekët ia kishin hequr tërësisht. Dhe kur në mbrëmje erdhi Besi nga puna, i
tregoja se çfarë kishte bërë vaki. Ai mbeti gojë hapur duke mos më besuar.
-Po
si është e mundur..., kur ajo nuk donte as të lëvizte nga shtrati,- më pyeste
mua dhe veten.
-Me
gjasë kishte shumë të nxehtë, -i thash.
-Dhe
ç’bëre pastaj, a e lave, -më pyeti me një zë kureshtar.
-Po,
po... edhe ashtu e kisha ndërmend që ta pastroja, por sjellja e saj më
befasoi... –iu përgjigja me një zë pakëz melankolik. Ai më shikonte dhe bluante
diçka në brendinë e kokës. Njëherë mu duk se nuk më përfilli fare, dhe u
nevrikosa pa masë.
-Dëgjo
or, këtu. Këto që po i tregojë, nuk po i tregojë vetëm sa për të thënë se si
nëna e kishte vapë, se si e lava dhe se si e vura në gjumë, por qëllimi është
diku tjetër. Ndoshta... kjo që të thashë, mendojë se do të jetë ndoshta edhe
ndonjë shpresë...ndonjë fill i ri, apo, ndoshta, edhe e kot... por le ta marri
lumi, se sot jam pakëz më e shqetësuar. Dhe... derisa flisja me një
gjuhë-breshër, ai vëngër më shikonte, dhe thellë në vete e ndjeja se fare nuk
më besonte në fjalët që u bëja kadi t’ia thosha. Për një moment u ndala, dhe në
sytë e tij hetova se diçka nuk shkonte... diçka po e mundonte...
-Vazhdo...vazhdo...ç’ke...
pse u ndale...- me pyeti.
-E
pse të flasë, kur po e vërej se ti këtu në këtë muhabet po mungon, diçka po të
mundon, e unë asgjë nuk dijë. Çka po ndodhë kështu. Nuk je fare këndej pari...
Pse s’ma thua se çka ka ndodhur. O zot, pëshpërita, më tepër për vete. Në
moment e vërejta dhe u brengosa për veten, se, kisha filluar të marri disa veti
egoiste dhe kisha filluar të mos jepja pesë para për dhembjet e të tjerëve.
Kisha harruar se edhe të tjerët kishin familjar dhe kishin shumë probleme që
duhet kujdesur edhe për ta. Në moment mu kujtuan prindërit e Besit, që të dy
ishin ulokë e të lodhur. E mos të flasim për të tjerët...- mendova ethshëm.
-Më
trego, të lutem... më thuaj çfarë ka ndodhur..., - më pyeti Besi disi i zënë në
faj.
-Asgjë
s’ka ndodhur, -vrullshëm reagova.
-Fol...
Ti, se të shoh, se je i shqetësuar...
-S’është
e vërtet. Unë vetëm po pres që të marrë pjesë ashtu pahetueshëm në shpresat e
gëzimet tua. Por, pse nuk më thua, pse nxiton aq shumë në kthimin e kujtesës së
saj. Unë jam thellë i bindur se ajo, një ditë do të kthehet... kur do të
kthehet, ajo do ta zgjedhë momentin më të mirë... dhe më të duhur. Por, mos u
shqetëso kot për mua. Se... sot, në qendër sistemuam edhe disa familje tjera që
kishin ardhur nga Kosova. Por, vërtet, nuk jam i qetë, se edhe kur jam i
lodhur, ti e nëna, nuk më shqiteni nga mendja. Sa më dhembesh, tej mase më
dhembesh, kur të shoh se sa shumë po vuan...- dhe heshti, për të vazhduar.
-Ti
e di se çka ka përjetuar nëna. E di ti, se ajo e ka parë vdekjen me sy. Je e
vetëdijshme se ajo ashtë kthyer nga ferri vet... E ti e nxit... vazhdimisht e
nxitë... E provokon në njëmijë mënyra, vetëm e vetëm që ti, kujtohesh ti...
fëmijët... Bllaca, kampi, vrasjet, rrahjet, fyerjet, sharjet, mundimet, lotët,
nata e pa fund, lufta e çka jo tjetër... Të këshilloj, lere të qetë... ajo ka
nevojë për pushim... shumë pushim... A nuk e vëren se ende nuk është e gatshme
që të kthehet në reale... Të kam treguar se jam konsultuar me atë psikologen e
re, Albinën, më dukej se kështu e thërrisnin, që ka ardhur nga Kosova. E di çfarë
më ka thënë...- bezdisshëm shikoi në drejtim të hekurudhës, andej nga u digjua
një ty-ty e mërzitshme e trenit, dhe shtoi
-
Po normal, se nuk e di... Me qëllim nuk kam dashur me të tregua. Ajo më tha
“Lëne të qetë nanushin... besoni se ajo do ta zgjedhë momentin e duhur, kur do
të kthehet... Ajo vetë do të vendos kur do të jetë e gatshme për ballafaqimin
me ju... me realitetin...”. Andaj, e dashura ime,(mu bë se me qëllim e theksoi
këtë fjalë ngase kishte shumë kohë që fjalë përkëdhelëse nuk i kishim thënë
njëri tjetrit), të kisha preferuar, mos e mundo shumë atë, dhe veten. Mos e
bezdisë kot së koti, jepi hapësirë për riparimin e kujtesës...- më tha një tog
fjalësh në sekondë, duke mos më lënë shteg tjetër për të vazhduar bisedën e
nisur.
-E
di...E di... – belbëzoja dhe humba fillin e mendimeve që doja ti tregoja se
çfarë kishte ndodhur, derisa e laja nënën...
Besi
mori një qëndrim më superior se zakonisht. Pastroi gurmazin duke u kollitur,
piu një gllënjkë ujë dhe më shikoi drejtë në sy.
-Çfarë
ka ndodhur...pastaj? - më tha shkurtë.
Për
një moment humba dëshirën për të folur, për ti treguar dhe për tu arsyetuar në
të njëjtën kohë.
-Nejse...-
i thash,
-Harroje
këtë bisedë... -dhe bëra me dorë që të heshtë, duke u ngritur nga tryeza.
-
E di... e di ti, se të këqijat kur vijnë, vijnë me grumbull- më tha, - Nuk
desha të të tregoja... por jam i shqetësuar... se dy vëllezërit e mijë policia
paramilitare, mora lajmin se para disa dite i paska arrestuar. Dhe s’mund ta
marrësh dot me mend se ku i kanë dërguar.
-Ku
i kanë dërguar, - e pyeta e trishtuar.
-Merre
me mend... me një grumbull të rinjsh i kanë mbyllur në Burgun e Vranjës...me
siguri nuk do të kthehen të gjallë nga aty, -pëshpëriti me një zë që më futi
datën.
Vetvetiu
më doli një zë i pa artikuluar nga goja, që nuk i ngjante as vajit e as
piskamës, por ishte një ulërimë dëshpërimi e frike që doli nga brendësi e
shpirtit.
-Si
është e mundur, ku i kanë nxënë...,- dhe njëmijë tablo të tmerrshme më dilnin
para syve. O zot, nuk guxoja të flisja për frikën që ndjeja. Ata i doja si ti
kisha vëllezër, e tani... e tani si ta ngushëlloja Besin për këtë që na kishte
ndodhur. I harrova të gjitha. Në atë moment, më ishte më e rëndësishme si të
gjenim zgjidhjen për Gurin e Shpatin, që nuk dinim asgjë për fatin e mëtejshëm
të tyre. Çka tani... dilemat ishin tejet të mëdha, e mundësit për t’iu ndihmuar
ishin fare- fare të vogla. Kujt ti
drejtohemi, nga kush të kërkonim ndihmë, si të biem në kontakt me ta. Jeta e
tyre ishte në zgrip.
-Para
një jave, një ditë, herët në mëngjes, deri sa fshataret u ndodhnin në gjumë,
paramilitarët kishin hyrë derë më derë dhe i nxjerrin jashtë. I grumbullojnë që
të gjithë para xhamisë së fshatit, bile me veti kishin marr edhe atë Colin e pa
lëvizshëm, që e kishin hipur në një karrocë dore dhe e kishin sjellë në mes të
fshatit. Në fillim fshatarëve iu kishin thënë se do iu kallnin shtëpitë, pastaj
iu kishin thënë se do i pushkatojnë, e më vonë, nga turma i nxjerrin ata më të
rinjtë dhe i qojnë në drejtim të panjohur. Pleqtë kishin reaguar, duke mos u
pajtuar që ti marrin ata, por në vendin e tyre të shkonin ata vet, duke iu
thënë se ata janë fëmijë, dhe nuk dinë asgjë për luftën që e keni nisur ju para
pesëdhjetë viteve. Gratë kishin qarë me lot duke i lutur burrat e tyre që ti
shpëtojnë fëmijët. E, ata... kriminelet, kishin kërkuar para... shumë para për
këmbim me të arrestuarit... Gratë kishin ofruar stolitë e tyre prej ari, burrat
kishin zbrazur kuletat e tyre, por ata kishin kërkuar ende... ende... derisa
një fshatari durimi i kishte ardhur në grykë dhe me një shenjë të bërrylit iu
kishte treguar se çfarë meritonin. Atëherë, ata ishin tërbuar si bishat dhe tre
veta nga ata kishin shti me rafalë në drejtim të tij... dhe ai kishte mbetur i
vdekur, në vend. Edhe sot gruaja e tij po e ruajtka këmishën e tij të
gjakosur,- më tregoi burri me një frymë.
Kishim
humbur në bisedë, nuk dinim si ta ngushëllonim njëri tjetrin. Në dhomë u futë
vajza e vogël e shastisur, duke mu drejtuar mua,
-Ma,
o ma... gjyshja i kërkon flokët e veta, dhe flet diçka që unë fare se kuptoi,-
Vrapova në dhomën ku qëndronte nëna, iu ofrova me kujdes që të mos e trembi. I
ledhatova kokën që kishte filluar ti mbushej me flokë të thinjura
-Motër...
- mu drejtua me një zë autoritativë, -ku i kam flokët, pse mi keni prerë, dhe
filloi ti kërkonte me dorë nëpër kokë. Çka të bëjë tani... kur të vijnë fëmijët
e mi për të më marrë me vete, si do të shkojë, unë... tullace, -dhe filloi të
qante me zë. Lotët e saj më këputnin shpirtin dhe gjendja e saj hallucinative
më trembte tej mase. U përkula që ti puthja faqet e zbehura, t’ia ledhatoja
kokën prej fëmije. Ta ndjeja pranin e saj si dikur... kur isha e vogël, shumë e
vogël, dhe shtrëngimi i saj në gjirin e ngrohtë, më jepte siguri për të
vazhduar më tej...
E
përqafova dhe e shtrëngova fortë. Ajo më shikoi habitshëm, por e ndjeva se
filloi të qetohet. Ngadalë, por butë më largoi nga vetja. Më shikoi drejtë në
sy... me dorë më largoi flokët nga balli, dhe mi fshiu djersët që më kishin
mbulua fytyrën...
-
Uha... sa erë të mirë që mbanë...- më tha,
-
Edhe unë e kam një vajzë... kështu... në moshën tënde...por...- heshti një copë
herë, dhe shtoi – nuk e di ku është, por e di se një ditë do të vijë të më merr
me vete...
E
shikoja... dhe për të parën herë nuk dita çfarë ti them nënës sime, që errësira
e kishte përpirë të tërën. Sa mistere ka bota njerëzore, mendova. Ti thosha se
unë isha bija e saj, ishte e kot. Ti thosha se ti je nëna e ime, edhe kjo nuk
bënte, se, sa herë që i thosha, ajo u fyente. Megjithatë, për të miliontën herë
vendosa, ta dua, ashtu, në heshtje, edhe pse ajo nuk e kishte të qartë. Pas një
momenti, derisa e mbaja në kraharor, frymëmarrja iu rregullua, tik-taku i
zemrës i rrihte me ngadalë dhe ashtu në heshtje filloi të këndoi me një zë të
nxjerr si prej dheu “Nina- nana, bija ime, u bëfsh nënë e u bëfsh trime”, dhe e
zuri një gjumë i qetë sikur të ishte
fëmijë.
Në
dhomën ku flinte nëna, kujdestaronimë me rend, unë, fëmijët dhe pak më rrallë
Besi, edhe pse ai kishte kërkua shumë herë, ne nuk e lejuam ngase ai punonte me
ndërrime, dhe ishte tepër i lodhur. Atë natë, në dhomën e nënës isha unë. Ishte
një natë e nxehtë- valë. Kisha përshtypjen se nuk bënte punë as rrymimi i ajrit
që kisha krijuar në dhomë, e as kaloriferi që u rrotullonte me një shpejtësi
marramendëse. Çdo gjë ishte e nxehtë... Lexoja një libër... sa për të lexuar...
për të kaluar kohën. Megjithëse më pëlqente Niqea, kisha marrë librin ”Kështu
fliste Zarathustra”, por, ama asgjë nuk kuptoja. Fillova fletëve ti kthehem nga
dy e tri herë, për të kuptuar gjë...por e kot... Njëherë mendova se fajtore
ishte gjuha e shkruar angleze, por shpejt hoqa dorë nga kjo dilemë... dhe
përsëri lexoja... lexoja...
Nuk
e dija sa ishte ora, por mendojë, se diku afër mëngjesit ishim, kur dora e
lodhur e nënës më tërhoqi nga krahu. Mendova se donte gjësend, dhe brofa në
këmbë për ti sjellë gjërat që i kërkonte.
-Nuk
dua gjë...- më tha, - vetëm më sjellë atë setrën e zezë ... atje... nga
dollapi... – dhe drejtoi dorën në drejtim ku i kishim vendosur gjërat e saja.
I
solla setrën që e kërkonte. Ia dhashë duke e lutur që të vazhdonte gjumin, se
ishte akoma herët për tu zgjuar.
-Po,
po... unë do të flejë, por para se të flija desha të të pyes diçka...- dhe me
rrëmbim më mori setrën e vet nga dora, ethshëm, duke kërkuar diçka në gjepat e
saja.
Mendova,
se çfarë kërkonte... Athua do të jetë diç shumë e rëndësishme për te, që aq me
ngulmë e kërkonte në këtë kohë.
Hulumtonte si fëmija çdo cep të saj. Pastaj futi doçkën e saj të vockël në
xhepin e brendshëm të setrës. Thënë të drejtën, as që e kisha vërejtur se ka
aty ndonjë xhep. E futi dorën, mori diçka të mbështjell me kujdes, dhe për një
çast u ndal, e vëreja se hezitonte për të më treguar se çka fshihte aty. Pa
menduar fare, i shtriva dorën, e hapa shuplakën dhe pritja të më lëshonte në
dorë gjënë e fshehur që e kishte ruajtur me aq xhelozi. Edhe njëherë më shikoi
dhe si në besim, zakonisht siç shikojnë fëmijët e pa djallëzuar, më tha:
-
E shef këtë... -dhe me ngadalë shpaloste letrën e zhubravitur, duke nxjerrë një
fotografi dhe më lëshoi në dorë.
-
Kjo... e shef... është bija ime...- më shikonte pa mi shqitur sytë. Mbeta e
shtangur. E ç’të shihja... në fotografi isha unë... unë... që me ditë e muaj u
mundoja ta ktheja nënën time nga ai labirint i tmerrshëm.
-
Nënë... e thirra nëpër mes të vajit, e shtrëngova sa munda, me gjasë i
shkaktova edhe dhembje. Se pas saj, nxori një zë të çirrmë.
-
Nënë... unë jam... unë jam kjo... që e shef në fotografi,- Zgurdulloi sytë
habitshëm, filloi të më prekte me butësi që kurrë nuk e kisha përjetuar më
herët...Me letrën e zhubravitur që e mbante në dorë, filloi të mi fshinte
lotët. Më ngadalë më afroi pran vetes. Më përqafoi fort duke më puthur në të dy
sytë.
-
Oh....- rënkoi me dënesë, duke thënë edhe ajo në mes lotëve,
-
Mos qajë... mos qajë tani... vogëlushja ime e mirë,
-
Nënë...o nënë... të kujtohem tani... – thash duke belbëzuar,
-
Më njeh... se unë jam Bardha...
Ngadalë,
lëvizi kokën në shenjë pohimi dhe lotët i rrëshqitën faqeve.