| E merkure, 21.09.2022, 07:05 PM |
Prof. Blerim Latifi
Ka
ditë që rrugët e sheshet e Iranit janë vërshu nga qindra e mijëra gra iraniane
që po protestojnë.
Ato
kanë mposhtur frikën dhe kanë ngritur zërin kundër shtypjes fetare që po
ushtrohet mbi to nga regjimi i ajatollahëve.
Ato
po i djegin publikisht burkat, nikabet, hixhabet e çadoret. Ato po i tregojnë
edhe njëherë botës se këto mbulesa janë simbole të shtypjes së grave nga burrat
me mentalitet mesjetar.
Ato
po kërkojnë liri.
Ato
po kërkojnë të jetojnë në shekullin 21, e jo në mesjetë.
Ato
mund të shtypen me forcën e një regjimi të egër policor, por klithma e tyre për
liri e dinjitet një ditë ka me triumfu mbi shtypjen dhe skllavërinë. Sepse, me
gjithë kthesat e saj të rrezikshme, historia njerëzore marshon përpara. Dhe
kët' duhet ta kuptojnë edhe mesjetarët shqipfolës dhe snobët pseudo liberalë e
pseudo majtistë që i mbështesin ata.
____________
Një
deputet, në një sallë të Kuvendit, derisa po i bërtiste Rrahman Jasharajt, disa
herë tha: "Unë jam ktu n'shpinë time".
Kjo
fjali tregon qartë qysh shumë politikanë e zyrtarë në kët' vend i trajtojnë
postet dhe institucionet publike. I trajtojnë si diçka që u përket atyre, si
njëlloj prone, me të cilën mund të sillen siç ua do qejfi. Sepse kur je në
shtëpinë tënde, ti sillesh bash qysh ta do qejfi, pa i dhënë llogari askujt.
Kjo gjuhë është korruptive, në thelbin e saj. Dhe kur ballfaqohemi me raste të
tilla na duhet të kujtojmë diçka krejtësisht elementare nga ajo që quhet
edukatë demokratike: Kuvendi nuk është shtëpi e deputetëve, por institucion ku
përmes tyre përfaqësohen qytetarët.
Sa
shumë kanë nevojë njerëzit në këtë vend për kurset e edukatës qytetare! Të
mëdhenj e të vegjël. Pa përjashtim.
____________
Në
media po qarkullon një material, i cili po thuhet se përmban propozimet për një
marrëveshje të re midis Kosovës e Serbisë.
Me
gjasë këto propozime kanë dalë nga këshilltarët e Macronit e Scholzit, të cilët
ditë më parë ishin në Prishtinë e Beograd.
Një
këshillë për politikanët, partitë dhe opinionistët: mos u ngutni me dhanë
përfundime rreth këtyre propozimeve, pa i zbërthy mirë e mirë, me gjakftohtësi
e racionalitet.Njerëzit racionalë nxjerrin përfundime pas hulumtimit të
gjithanshëm mbi një çështje. Budallenjtë nxjerrin përfundime pa mendu dy
herë.Është koha e fundit të tregoni cilës anë i përkisni.
Mos
i shndërroni këto propozime në instrument të luftës partiake për t'i kënaqur
militantët e papunë dhe për të përfituar ndonjë votues për partinë. Është koha
e fundit me mendu ma shumë për fatin e shtetit, se për fatet e partive. Sepse, tek
e fundit, nëse fati i shtetit shkon keq, askujt nuk do t'i hyjnë në punët
fitoret e partive. E as postet që burojnë prej tyre.