Kulturë
Kadri Tarelli: Drejtori që i përjetoi të dy kohët
E diele, 18.09.2022, 06:45 PM
DREJTORI QË I PËRJETOI TË DY KOHËT
Besim Dema në librin: “Në puhitë e jetës”
Unë
nuk besoj në lirinë njerëzore në kuptimin filozofik. Çdo njeri vepron jo vetëm
nga shtysa e jashtme, por edhe në përputhje me kërkesat e tij të brendshme.
Albert Ajnshtajn
Nga
Kadri Tarelli
Kohë më parë,
miku im Besim Dema, koleg mësues e drejtues shkolle për rreth 47 vite në arsim,
më dhuroi librin e tij të fundit, “Në puhitë e jetës”. Të them të drejtën nuk e
kisha lexuar, sepse titulli më mashtroi, duke më shtyrë të mendoj, se drejtor
Besimit i paska shkuar jeta vaj, pa andralla të mëdha. Thjesht e paska kaluar e
shijuar jetën duke u tundur e shkundur në freskun e puhive që zbusin dhe
largojnë vapën e Korrikut dhe Gushtit.
Ndodhi, që kur
po pinim kafe, si shokë të vjetër dhe të një profili, arsim i lartë,
Histori-gjeografi, mes bisedës më pyeti pa të keq: Nuk më the asnjë fjalë, si
t’u duk libri im me kujtime, “Në puhitë e jetës”? Mbeta ngushtë, por përgjigjen
ia dhashë me ato fjalë që i përmenda më lart, duke shtuar me shaka: - Eh more
Besim! Ty të ka përkëdhelur e përkundur jeta, ndërsa unë duhet të harxhoj kohën
me gjëra të shkollës, që i di po aq mirë sa ti, sepse i kam përjetuar edhe
vetë, si mësues e drejtues i vjetër, që e nisa dhe e grisa kohën e punës në
arsim, po aq vite sa edhe ti. Besimi nuk e priste këtë përgjigje, ndaj shtoi
vetëm kaq: - “Nuk është ashtu, siç thotë titulli” dhe heshti paksa i mërzitur,
besoj me veten.
Unë nuk vazhdova
ta pyes më gjatë, sepse e di se poeti apo shkrimtari e vendos titullin e shkrimit apo të librit,
ashtu siç i pëlqen, pa u menduar shumë në kumtin që godet dhe fton lexuesin.
Por më ngeli si gozhdë fjala e tij e fundit, pasi i përbashkët në punën tonë si
mësues, është vetëm ndërmarrja (Arsimi), qëllimi, strategjia, programi dhe
planet mësimore, ndërsa ngjarjet mund të jenë kaq të larmishme, sa nuk ta rrok
mendja. Kam dëgjuar shpesh urime të kolegëve kur kanë dalë në pension: “Pate
fat që e mbylle drejtorllëkun me nder, pa ndonjë ndodhi apo ngjarje me pasoja
të rënda”. Kështu që, nisa ta lexoj për t’u bindur në ato që tha kolegu im dhe
autori i librit voluminoz, me rreth 450 faqe. Unë e quaj, një “Ditar” me
rrëfenja të bukura, të ujdisura e të rrëfyera ngrohtë. Në përfundim i dhashë të
drejtë drejtor Besimit, që i përjetoi dhe përballoi të dy periudhat e sistemeve
politike, para dhe pas viteve 90-të, diku me dhimbje e diku me më shumë me
mençuri, ndershmëri, guxim e fat.
Edhe vete Besimi
e di, se nuk është as i pari dhe as i fundit që nis e shkruan kujtime, ku
krahas shumë të vërtetave, që në shumicën e rasteve bëhen pjesë e historisë, ka
edhe subjektivizëm në këndvështrim të faktorëve dhe pasojave që dikush i pëson
apo i përjeton sipas kushteve dhe gjendjes së tij emocionale. Unë, besoj edhe
lexuesi, nuk çuditemi, pasi na intereson përballimi i situatave të krijuara,
zgjidhja e tyre dhe mësimi që i përcillet familjarëve e pasardhësve, nipave dhe
mbesave, miqve, shokëve, brezave dhe shoqërisë në tërësi.
Këtu ka vend për
t’u ndalur pak më gjatë, sepse në asnjë tekst historie apo gjeografie nuk do të
mund të gjesh qoftë edhe një rresht, mbi ca ndodhi të vogla në dukje, në jetën
e një kolektivi të vogël, apo një individi, mësues apo drejtor shkolle, që lenë
zhgënjim me pasoja të gëzueshme apo të hidhura, por herë-herë të pariparueshme.
Janë ndodhi që vijnë si rrjedhim i politikave dhe vendimeve të mëdha, që
organizojnë dhe drejtojnë jetën e shoqërisë dhe të shtetit në mbarë vendin. Kjo
përbën një vlerë të madhe, mbase të pa dukshme, për librin dhe autorin. Gati të
gjitha ngjarjet pasqyrohen lirshëm, pa zbukurime, por me aq sinqeritet,
mjeshtëri e vërtetësi, sa shtyjnë lexuesin të bëhet pjesë e librit, t’i
përjetojë ato duke pyetur: - Po unë si do të veproja?
Nuk kam ndërmend të analizoj ngjarjet e
librit, pasi përsëritja është bezdi dhe humbje kohe për këndonjësin. Kështu që
më mbetet të kujdesem e të rrëfej njoftimin që përcjell, në të tri pjesët,
sipas ndarjes që i bëj unë, jo autori.
Pjesa e parë
fëmijëria.
b. Fillim dhe
vazhdim i punës në arsim, me lëvizjet dhe uljet e ngritjet e pareshtura. Në
këtë pjesë, nuk përjashtohen edhe problemet familjare me gëzimet dhe tronditjet
e saj.
c. Përshtypjet
dhe vlerësimet e ish nxënësve, prindërve, shkrimtarëve e analistëve letrar mbi
jetën dhe veprën e drejtor besimit.
Para se të hyj
në brendësi, dua të them se libri është trajtuar mirë artistikisht dhe krehur
imët në gjuhën letrare, pa dialektalizma, përjashto ca fjalët e huaja, që unë
i quaj (llafe të jashtme). Ka një stil të veçantë në të shkruarin më fjali të
shkurtra, ku tregimi mbyllet si me “dhunë”, atëherë kur lexuesi pret të
zgjatet, kështu që secili mund ta vazhdojë vetë rrëfimin. Shoqërimi me foto i
shton vlera librit.
Si lexues i
mirw, besoj se më lejohet të veçoj nga tërësia e librit, e të shprehem për tre
apo katër pjesë që kanë qasje të mirëfilltë letrare në frymëzim: “Nënës time të dashur!”, “E dashur gruaja ime
Mane”, “Fjala përshëndetëse më “7-Mars”, të cilën e quaj një “hymn” kushtuar
mësuesit, si misionar i dijes dhe edukimit. Më tej shtoj se krahas bukurisë së
vargut, ka ndjesi të holla njerëzore te elegjia kushtuar gruas, “Kthehu të Lutem”.
Për pjesën e
tretë, nuk po ndalem, pasi hyj në sinoret e tjetër kujt, megjithëse shumica e
shkrimeve të tyre janë bërë të njohura në shtyp dhe portalet elektronike. Ata
nderojnë veten dhe autorin e librave të botuar. Kështu që më mbetet të ngas ujin
në pjesën e parë dhe të dytë:
I rikthehem
temës së fëmijërisë, ku të gjitha ngjarjet janë skica letrare, ose tregime
shumë të shkurtra, me ndodhi jo të sajuara nga fantazia, por të ndodhura si t’i
prekësh me dorë. Të gjitha mund të përmblidhen në një libër më vete për fëmijë,
ku secili ka ç’të mësojë mbi jetën e një fëmijë në kushte e fshatit shqiptar,
ku mbizotëronte varfëria, prapambetja dhe padituria (arsimi), mentaliteti dhe
zakonet e vjetra, por edhe dëshira e madhe për punën, pa i bërë naze e dredhi
llojit e mundimit. Besoj se dobi më të madhe ka porosia, dëshira e vullneti i
çdo vogëlushi, për të mësuar e për t’u bërë dikush në jetë dhe shoqëri.
Natyrisht pjesën
më të madhe të librit e ze periudha e punës si mësues e drejtues shkolle. Nuk i
thonë pak por rreth 47 vite pune, pra afro gjysmë shekulli, ku nuk mungojnë
sukseset dhe kënaqësitë për vete dhe kolektivin, por edhe gabimet, zhgënjimet,
goditjet që nuk i pret se na të vinë, etj, etj. Jam i bindur se çdo mësues dhe
drejtues i ri, në këtë libër ka shumë çka të mësojë. Përvoja e përcjellë aq
sinqerisht, flet vetë me gjuhën e heshtjes. Të gjesh vetveten në një libër nuk
është pak.
Më duhet të
ndaloj në dy mesazhe që më pëlqejnë, por që kërkojnë zgjidhje në dobi të
arsimit kombëtar:
Më bëri përshtypje
një urim i drejtor Besimit, ndaj një kolegeje të re të sapo emëruar: “Të uroj të bëhesh mësuese!”.
Pak i çuditshëm ky urim për një mësuese që para pak kohësh është diplomuar. Kam
përshtypjen se jo pa qëllim është bërë ky urim i tillë, sepse sot mësuesit nuk
kalojnë nga shkolla pedagogjike, si dikur, nuk kalojnë në ushtrimore për t’u
formuar si mësues i ciklit të ulët. Mjaftohen me arsimin e lartë, ku studentët,
njohuri mund të kenë me shumicë, por fëmijëve nuk i duhet sa di mësuesi, që
mund të jetë edhe shkencëtar, por sa është i aftë t’i mësojë ato copëza
veprimesh për të folur, lexuar dhe shkruar bukur dhe qartë. Jo vetëm Besimi,
por edhe shumë mësues që kanë mbaruar arsimin pedagogjik, flasin jo për
nostalgji, por me argumente: pse ishte dhe është e dobishme shkolla
pedagogjike, ku arti i mësimdhënies ishte në përsosmëri. Pikërisht aty ku
përgatiteshin mësues e metodistë të përkryer për mësim në ciklin e ulët, që
është themeli i shkollës , madje i gjithë arsimit në tërësi.
Unë vetë që po
shkruaj këto radhë, e fillova mësuesinë sapo mbarova gjimnazin në Durrës.
Mundohesha të imitoja mësuesit e mi, por shpesh ndodhesha ngushte në shpjegim,
jo se më mungonin njohuritë shkencore. Kështu që, shpesh në biseda mes
mësuesve, u them pa ndrojtje: - “U bëra mësues pas pesë vjetësh përvojë”.
Edhe praktikat mësimore që bënim gjatë arsimit të lartë, ishin pa shumë
“Bereqet”, pasi bëhet fjalë për mësues të Arsimit të Mesëm, ku peshorja anon më
shumë nga njohuritë shkencore.
Në këtë hulli
mendimi, pyes veten dhe të tjerët: Kujt i polli mendja, cili e dëgjoi dhe kush
e zbatoi më një të rënë të lapsit, mbylljen e shkollave pedagogjike, të
ngritura e të mbajtura me shumë mundim, por me shumë traditë? Sot nuk ka asnjë.
Pse? Nuk lanë as “Normalen” e Elbasanit, si objekt krenarie me histori të
shenjtë, ku mësuesit e rinj të ndiqnin ca orë mësimi, për t’u bindur se
mësuesia është profesion, por edhe art. Madje unë shtoj nga përvoja: Mësuesia
është zanat, si njohuri pune, si dëshirë dhe përkushtim. Është mision në bindje
pa kthim, për kauzën që mbron. Të dyja i bashkon arti i fjalës dhe shpirti
krijues i mësuesit. Gjithsesi është një problem që kërkon një analizë më të
shtjelluar, pavarësisht se jam i bindur që, nuk gjendet vesh për të dëgjuar dhe
as sy për të shikuar.
Më tej më
ngacmon një dukuri tjetër, mendoj po aq e rëndë. Më duhet të citoj pak fjalë
nga shkrimi “Luftë bërrylash”, faqe 263, ku thuhet shprehimisht: “Shqiptarët
kanë një të keqe të madhe, e luftojnë njëri-tjetrin pa të drejtë, vetëm se të
shohin në terezi, vetëm se rritesh në karrierën tënde me punë e lodhje”.
Shprehje që e dëgjojmë rëndom jo vetëm në tavolina kafeje. Autori e shtjellon
pak më gjatë, por pa thënë se cili është shkaku, sikur ne e kemi të keqen në
gen, megjithëse ai e di po aq mirë sa edhe unë, se është një sëmundje e
ngulitur prej shekujsh.
Mendoni pak me
qetësi: Vend dhe popull i pushtuar e sunduar prej mijëra vitesh nga të huajt.
Asnjëherë nuk kemi pasur një qeveri tonën që të na bashkonte në territor, në
ide dhe fe, interesa, mendim, bindje, përparim dhe arsim. Për të mos thënë, se
pushtuesit na sollën e mbollën si peshqesh, edhe disa besime fetare.
Fjala e urtë
romake “Përça dhe sundo”, ka lënë gjurmë të thella. Gjykoni pak historinë tonë
më të re, Shqipërinë tonë pas çlirimit, ku me mbarimin e luftës, në vend që të
bëhej pajtimi kombëtar, meqë pushtuesi u largua, ne filluam përçarjen e madhe
“Luftë klasash”, që nuk u mbyll me reformat e shpronësimit, por vazhdoi për
gati gjysmë shekulli. Ballë për ballë, ne të mirët dhe atdhetarët, të tjerët të
liq e tradhtarët. Më thoni, nëse gjykimi im është i gabuar: A ndaloi, qoftë
edhe për një çast “Vigjilenca”, dyshimi dhe informimi ndaj edhe njeriut më të
afërt? Ç’ pasoja la në mendjen dhe shpirtin e gjithsecilit, për gati tre breza
shqiptarësh, kur spiunimi nxitej, pëlqehej, lavdërohej, madje edhe shpërblehej
me detyra dhe poste? Më vjen mirë, se vetë drejtor Besimi, jep shembuj ku mund
ta pësonte keq, ku në një çast zemërimi e neverie, na sjell një shembull të
përkryer, që i mbyll diskutimet e llafet e tepërta: - “Kur një mësues vinte
orë e çast, duke spiunuar kolegët e punës. U mërzita dhe nuk durova shumë, -
thotë Besimi, - dhe në mbledhjen më të parë me kolektivin e mësuesve, i them
denoncuesit: - Ngrehu dhe i thaj kolektivit të gjitha fjalët që me the mua në
zyrë”. Komenti është i tepërt, por unë pyes: A erdhi më tjetër njeri të
spiunojë?. Dhe, a e bënin të gjithë drejtorët, zyrtarët e pushtetarët këtë
veprim, kur vetë politika e kishte në program? – Unë dhe askush nuk beson.
Duket sikur kjo
analizë ka karakter politik. Mbase është e tillë, pasi vetë politika e nxit
përçarjen mes shqiptarëve, për fat të keq në të dy krahët. Vetë jeta e drejtor
Besimit, edhe në vitet e “Demokracisë”, me uljet e ngritjet në detyrë, besoj se
është një shembull tipik, i luftës së klasave në kushte demokracie, madje i
ligjëruar edhe me “Votë”. Sa herë ndërron qeveria, të parët që pësojnë goditje
janë drejtorët e shkollave. Keqardhje, pasi në fillim të ndërrimit të
sistemeve, u fol që arsimi duhet të jetë i depolitizuar. Fjalë e lakmuar, por
mbeti në letër, si parullë e dalë boje. Përfundimi: drejtor Besimi nuk është i
vetmi që e pëson, por është i vetmi që e shkruan. Kjo është vlerë.
Nuk po them gjë
të re, se edhe më i padituri e di mirë, se këtu nuk ka klasa, po grupime kundërshtare
për pushtet. Mos shkojmë larg në kohë: E vini re ringjalljen dhe forcimin e
armiqësisë edhe në ditët tona, aq sa na duket sikur ora s’ ka lëvizur. Jemi
ende në vitin 1945?
A ka zgjidhje?
Matematika na mëson: “Nuk ka problem që nuk zgjidhet, po u shtrua për
zgjidhje”.
Ajo që mendoj
unë është, se plaga e përçarjes, që sjell dobësi dhe prishje shpirti, jo që nuk
po mbyllet, por po thellohet me përmasa të pa shërueshme. Mjerë ai që futet në
vorbullat e saj. Ndaj them me bindje dhe një lloj idealizmi, se: Përmendore të
lartë sa mali i Dajtit, do t’i ngrihet atij njeriu apo personaliteti, që do të
mund të bëjë pajtimin kombëtar. Monument që të mbetet e të shihet në përjetësi
në mbarë trojet Arbërore.
Pa e tepruar me
mësime të të diturve, më pëlqen të citoj një shprehje të Presidentit Abraham
Linkoln, që thotë: “Një shtëpi e ndarë më dysh, s’mund të qëndrojë në
këmbë”.
E përgëzoj
autorin Besim Dema për këtë libër me vlera njohëse, por edhe edukative e
njerëzore. Letrat shqipe kanë nevojë për njerëz të ndershëm, penë të bukur dhe
shpirt të pastër.
Urime i nderuar koleg dhe mik i vjetër!
Kadri Tarelli
Vjeshta e parë, 2022.