Udhëpërshkrim
Ndue Dedaj: Bjeshkët e Selitës, kroje dhe kumbonë
E hene, 12.09.2022, 07:00 PM
BJESHKËT E SELITËS, KROJE DHE KUMBONË…
NGA
NDUE DEDAJ
1
Ngjitemi
pas njëzet e pesë vjetësh në Kunorë, malin që bashkon Selitën me Lurën, por
lapsi ngec në letër, pasi nuk ka diçka të re për të shënuar dhe bisedat bëhen
më shumë në kohën e shkuar. “Selita në fillim ishte pesëdhetë shpi... Ishin dhe
këto Male të Dukagjinit... Kooperativa na vorfnoi...” Ka dhe kjo shpjegimin e
vet, fjala rrëshqet në dje, ngaqë e sotmja ka mbetur pezull, varur në këto
mrize me shumë diell e pak njerëz. Edhe rruga gjithë gropa është ajo e
dikurshmja e shfrytëzimit pyjor, jashtë çdo standardi që kur është hapur. Si
për të kujtuar sakrificën e shoferëve, ndanë rrugës është lapidari i Shtjefnit
nga Ungrej, që pati rënë me gjithë skodën e tij ngarkuar me trupa. Burime uji
nëpër shpatin e malit si askund tjetër, por kur rreketë lavarën teposhtë
shpateve i përthith lumi i Urakës, që humbet në fund të luginës së Selitës dhe
shpërthen nga nëntoka pas disa kilometrash në Bruç të Matit. Selita është vendi
i disa shpellave të përmendura në hartën speleologjike të vendit, ku atë të
Mërkurthit (Doçit) e patëm “eksploruar” tinzash në mesin e viteve ’70, kur
ishim gjimnazistë në Rrëshen e na sillnin për një javë këndej në aksison për të
ndihmuar në shkuljen e patates. Shumica e nxënësve flinin në shkollën e
Mërkuthit dhe në çadra, kurse ne patem fatin të bujtnim në kullën e një burri
të urtë, Mark Përkeqit në Kumbull, ku ishin dhe depot e rezervave të shtetit,
që tani kanë mbetur gërmadhë dhe vizitorët e huaj kureshtarë pyesin se çfarë
“kalaje” e komunizmit ka qenë në atë breg. Por nuk është rasti për t’u zgjatur
me kujtime. Makina malore e Dom Gjergjit, ipeshkvit të Rrëshenit, me të cilën
kemi përshkuar jo pak lartësi të epërme të Mirditës e Matit, këto pesë vite që
ai gjendet në krye të dioqezës verilindore, nxiton për te lendina ku do të
mbahet mesha. Prifti është në shtëpinë e vet dhe në bjeshkë - vetëm pak më tej
është “Livadhi i Priftit”, ngaqë dikur famullitari rronte mes banorëve, kishte
si ata, bashtinat, vreshtat, gjënë e gjallë etj. Kroi i Bardhë e Kroi i Zi janë
si dy vëllezër binjakë (dinokë thuhet në Mirditë), njëri pak më poshtë e tjetri
pak më lart, por nëse i pari është ujë i bekuar që bën mrekullira për shëndetin
e njeriut, i dyti sigurisht që nuk është i mallkuar, por nuk parapëlqehet të
pihet nga njerëzit, pasi thonë “asht uji i randë e të ban dam”...
Mali
është parë gjithëhere si diçka për t’u shfrytëzuar barbarisht e jo për t’u
trajtuar si një habitat mjedisor dhe ekologjik, dhe pse emrin e ka të madh
“zonë e mbrojtur”. As Kroi i Bardhë, nga ujërat më kurativ të Shqipërisë, nuk
ka bërë që kjo bjeshkë të shndërrohet në një park turistik. Jo se nuk ka
pushues, përkundrazi: ata janë të shumtë dhe vijnë nga të gjitha anët, përgjatë
gjithë verës e më pas, por këtij fluksi dhe kësaj vlere natyrore nuk i janë
përgjigjur investimet sipas një projekti serioz, siç do të duhej. Flitet
gjithandej për investitorë strategjikë, por mundet që ata i përkasin vetëm
bregdetit, aty ku qeveritarët kanë interesa. E dimë se po t’i lexojë këto radhë
Kryeministri do të thotë ky është opinon, nuk është fakt!?... Por ka dhe fakte
që thuhen nga të gjithë, bile me kënaqësi, si rruga e re për në Lurë, që kur të
mbarojë doemos do ta përmirësojë infrastrukturën, qarkullimin dhe lëvizjen e
njerëzve kësaj ane, mirëpo a do të sjellë dhe zhvillimin e duhur? Ndokush mund të
habitet me këtë pyetje, por përvoja ka treguar se duhen dhe disa faktorë të
tjerë që të ndodhë ndryshimi i pritshëm në zonat malore (të quajtura rurale?),
investimet në fshatrat këndej e andej rrugës (në bujqësi, blegtori, agroturizëm
etj.), përndryshe asfalti mbetet i vetmi realitet i ri. Nuk bëhet fjalë
gjithnjë për gjera të mëdha, por ndonjëherë dhe të thjeshta në dukje, veçse
dobiprurëse. Një shembull. Vite më parë, sipas një projekti të komunës së
Selitës, ka qenë marrë ujët me tuba diku larg dhe është çuar në Didhe e Valmor,
që tufat të mos thanin eti. Në këtë bjeshkë sot mbarështohen tri tufa dhish e
delesh dhe kjo është për t’u përgëzuar, dhe pse gjëja e gjallë në këso pllajash
e kullotash nuk duhet marrë si një lajm. Ne ndaluam te njëra nga tufat, ajo e
dhive të Ndue Përgjonit, ndër më të mëdhatë në Veri, që ka arritur deri në një
mijë krerë të mëdha e të vogla e ka prodhuar deri në 25 kuintal djath në vit,
paçka se rimbursimi i shpenzimeve nga shteti për krerë është i vogël. Traditën
blegtorale të familjes e dëshmojnë dhe tri kumbonë të mëdha, që thonë se janë
punuar në Shkodër, por ndoshta dhe në farkën e Marlaskajve të Kuzhnenit. E
veçanta është se me tufën dhe bulmetin merret krejt familja Përgjoni, djemtë e
nuset, përfshi dhe fëmijët e vegjël që gjatë pushimeve të verës ndihmojnë
prindërit. Ata njohin çdo dhi e kec, një zakon i lashtë i barinjve. Kryebariu
Ndue, 67-vjeçar, i ka përzemër njerëzit, ai di të ndajë regjimin e kaluar nga
njeriu i thjeshtë, duke sjellë shembullin e Nikollë Pulës, që si sekretar
Partie i Lëkundës nuk lejoi të futeshin në burg politik bashkëfshatarët e tij,
gjë që e kemi dëgjuar dhe nga të tjerë selitas e që tingëllon kaq fisnike në
një kohë kur dosjet janë kthyer në një sfidë për politikanët e sotëm.
Është
data 8 shtator, dita e të Lemes së Zojës dhe imzot Gjergj Meta ka udhëtuar për
më shumë se dy orë me Fuoristradën e bardhë për të thënë meshën për këta
njerëz, në lartësinë e 1700 metrave, i ndihmuar nga dy murgesha nga Tanzania,
motrat Kolegjine të Familjes së Shenjtë, që shërbejnë prej shumë vitesh mes
mirditorëve në Perlat. Lutja në këtë ballkon natyror të krijon një ndjesi të
veçantë, atë të shtegtimit të pandalshëm të ungjillit për tek njerëzit sado
larg të jenë. Vetëm treqind metra na ndajnë nga maja e Kunorës e “një hark
ylberi” për t’u hidhur në anën tjetër, të liqejt e Lurës. Malet, ndryshe nga
njerëzit e pushtetshëm të metropolit, nuk kacafyten e kacagjelohen mes tyre për
“hierarki”, në një rrafsh shtrihen Kunora, Zepa dhe Munella, tri kryemale të
këtij rajoni, që babëzia e tranzicionit i ka zhveshur e lënë cullak. Më sytë
nga shteti, se mos ai do ta ndryshojë qasje karshi malësive. Nëse këto katunde
e kreshta kanë mbetur në të shkuarën, politika që duhej t’i zhvillonte, ka
ngecur në bulevard, më saktë është marrë peng në Tiranë nga të ndryshmit e
maleve.
2
A
ndieni, o njerëz të maleve? Po ju flet qeveria (“keverria”) juaj. Nuk kemi
çfarë t’iu bëjmë zjarreve në pyje e kullota, thatësirës së zgjatur që shterr
lumenjtë e liqenet, përmbytjeve të tokave etj. Natyra ka trillet e veta që
sjellin fatkeqësi. Por… nuk kemi se ç’bëjmë as kur sëpata grinë pyjet e
Lëpushës dhe Vermoshit në zemër të alpeve shqiptare, në zonë të mbrojtur nga
ligji, çka as që do te merrej vesh nëse nuk do të na e zbulonte realitetin e
trishtë kemera e guximshme e Fiks-it. Nuk kemi ç’bëjmë as kur në Valbonë ujët e
kaltër të lumit futet në tuba për të bërë dritë për kapitalizmin ngadhnjimtar
shqiptar? Nuk kemi ç’bëjmë as për mungesën e transparencës lidhur me kromin e
Bulqizës, ku e vetmja gjë që nuk mbahen shënim janë vdekjet e minatorëve në
galeri. Nuk kemi ç’bëjmë as kur në det lëvizin mjete lundurese që sjellin
tragjedi te pushuesit. Në të gjitha këto vende e të tjera nuk është shteti, nuk
shkon as për inspektim. Jo, qeveritarët shkojnë vetëm aty ku ka lajme të mirë,
ku ndërtohet një lagje e re qyteti, ku ngrihet një fabrikë etj. Qeveria
simbolizohet më së shumti me fadromat dhe dinamitin që hedh në erë investime të
kryera në bregdet etj. Por nuk është as opozita aty ku vendi grabitet, digjet e
rrënohet. Aksioni i saj opozitar është i përqendruar vetëm në shëtitoren
legjendare “Dëshmorët e Kombit” dhe para godinës së Kryeministrisë. Dyndën
njerëzit nga ana e anës në protesta në Tiranë, sa herë i therret partia dhe nuk
dyndën asnjëherë lidershipet e partive politike lart në male, ku ndodhin krimet
mjedisore etj. Territori i vendit nuk administrohet, nuk ruhet dhe zhvillohet.
Për Shqipërinë “post-moderne” mjafton Lana dhe sheshet e ndërtimit të kullave
gjigande në të dy anët e saj. Flitet për turizmin çdo ditë, por mrekullia e tij
nuk mund të ndodhë aty ku vendi shkretohet dhe braktiset masivisht. Sa herë
janë thënë këto gjera, teksa shumëçka ka marrë udhën e theqafjes.
Nga
mali i Kunorës mund ta kundrosh honin që ndan malin me shtetin. Nuk duam të nxijmë,
pasi është vendi ynë e kush do që të hedhë njolla mbi fytyrën e tij, kur ka
qenë rasti i kemi numëruar një më një, emër për emër “dallëndyshet” e
ndryshimit, si kohë më parë, bujtinat e reja të Lurës në ndërtim e sipër etj.
Pasdite, në kthim, kur valët filluan të vinin, mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të Elizabetës II. U prehtë në paqen e botës, që i dha sharmin mbretëror për plot 70 vjet.