Editorial » Latifi
Blerim Latifi: George Washington do të bënte atë që rrallë kush e ka bërë në histori
E merkure, 07.09.2022, 06:56 PM
Prof. Blerim Latifi:
E
pashë këto ditë një dokumentar në tri pjesë për Xhorxh Uashingtonin. Në fund të
tij shikuesi e kupton se ajo çfarë janë sot SHBA-të lidhet fort me shembullin e
tij jetësor.
Natyrisht,
pjesa më dramatike e dokumentarit ishte pjesa e dytë në cilin jepet historia e
Uashingtonit si komandant i kolonive amerikane që luftojnë për pavarësi nga
Britania e Madhe.
Tetë
vite luftë, me një raport forcash tmerrësisht të pabarabartë, Uashingtoni u
priu amerikanëve në fitore dhe humbje, në situata entuziazmi dhe në situata të
dëshpërimi të thellë, pa e humbuar asnjëherë besimin në fitorën përfundimtare.
Dhe
kur fitorja u arrit, Uashingtoni do të bënte atë që rrallë kush e ka bërë në
histori.
Oficerët
e tij, të ekzaltuar nga fitorja, e nxisin që ai të marshojë për ta marrë
pushtetin, për ta vendosur ligjin e tij. Ata duan ta bëjnë mbret. Edhe turmat,
po ashtu. Uashingtoni refuzon. Ai e di që lakmia për pushtet do t'ia rrënojë
lavdinë e fituar në luftë. Ai nuk do që monarkun e dëbuar britanik ta
zëvendësojë me një monark tjetër. Dhe në vend të marshimit triumfal drejt
pushtetit, ai bën të kundërtën: jep dorëheqje nga detyra e kryekomandantit të
ushtrisë fitimtare dhe vendosë të kthehet në Mount Vernon për t'u kujdesur për
familjen dhe fermën e saj.
Ka
mposhtur perandorinë më të fuqishme të kohës dhe nuk kërkon asgjë tjetër
përveçse qetësinë e vatrës familjare.
I
gjithë kombi i bën nderime dhe ai nuk kërkon që lavdinë e tij ta transformojë
në pushtet mbi të.
Vite
më pas, kur shteti i ri amerikan ka nevojë për forcën e tij bashkuese, ai
pranon detyrën e presidentit, detyrë të cilën e kryen me kujdesin maksimal që
të mos duket si tiran e sundimtar arbitrar.
Dhe
kur i propozojnë një qëndrim të përjetshëm në këtë detyrë, ai përsëri refuzon.
Në
përfundim të mandatit të dytë ai rimerr rrugën e kthimit në qetësinë dhe
privatësinë e jetës familjare. Ka luftuar për lirinë e vendit të tij, i ka
shërbyer një shteti të ngritur për t'i mbrojtur liritë e qytetarëve dhe krejt
çfarë do tani është t'i jetojë edhe ai vetë këto liri.
George Washington - Portret nga Gilbert Stuart Williamstown