Kulturë
Përparim Hysi: Faslliu
E merkure, 07.09.2022, 03:35 PM
FASLLIU
Kujtimit të FASLLI SERJANIT
(tregim)
Nga
Përparim HYSI
Faslli Serjani ishte nga fshati BELISHOVË i MALLAKASTRËS dhe me gjithë familje
u vendos në MBROSTAR-URA të FIERIT aty pragviteve '70-të të shekullit
tjetër.MBrostar-URA qe sektor ferme dhe,natyrshëm, krahasuar me jetën në
kooperativë, qe më mirë. FASLLI SERJANI qe burrë i zgjuar që nuk ia hante qeni
shkopin dhe nuk qe nga ata që miqësohej kollaj. Shikonte punën e tij dhe,me sa
e mbaj mend,kish rreth 6 fëmijë.Këta fëmijë ai i rriti së bashku me të
shoqen që punonin në arat e sektorit. Unë e njoha përmjet fëmijëve që ishin
nxënës të mi dhe,që në bisedën e parë me të,vura re:një burrë të zgjuar që,po
ta sëmboje pak,as të njihte për Sulo-be!
*
* *
Njohja
tjetër,pak më e përafërt me FASLLI SERJANIN, më ndodhi,kur bëmë atë që
quhej"zbori ushtarak". Reparti ku bënim"zborin" qe mu mbi
kokë të fshatit dhe,siç bëhej organizimi ushtarak i asaj kohe,i gjithë
fshati(ata që kishin kryer shërbimin ushtarak) mobilizohej në një ditë dhe për
17-ditë e net qemë të ngujuar aty mbi kodër,ku qe reparti ushtarak.
Aty stërviteshim dhe bënim jetë gazerme. Qe koha,kur në SHQIPËRI,"armiqët
e brendshëm" po lëviznin bishtin,por vigjelenca e partisë me sh.ENVER jo
vetëm i zbuloi,por "kastën e lartë ushtarake me Beqir BALLUKUN,PETRIT
DUMEN,HITO ÇAKON e co... i nxori para"drejtësisë popullore" dhe i
pushkatoi dhe jo vetëm kaq: ne qemë mobilizuar dhe për një arsye tjetër më
madhore: MEHMET SHEHU që ishte për 27-vjet kryeministër,"vrau veten".
Përmjet komisarit na u lexua ajo promemoria,ku syri vigjilent i komandantit të
përgjithshëm,Enver Hoxha,"kish zbuluar" që paskej
qenë"poliagjent",pra u paska shërbyer shumë shteteve,thuhej. Kur
lexonte komisari,vura re se FASLLI SERJANI seç thoshte nën zë. Seç thoshte...
epo punë e tij. Mbaroi "promemoria" dhe na u dha
detyra:topat,armët,uniforma:çdo gjë me disiplinë të rreptë se,siç tha
komisari,jemi në situatë luftarake dhe nën kontroll të drejtpëdrejtë nga MINISTRIA
e MBROJTJES që kish zbritur me emisarët e tjerë edhe në rrethin tonë.
Stërvitja qe pak e rëndë për ne"moshën e thyer",sidozot
këta,moshatarë me FASLLI SERJANIN që po afrohej drejt gjashtëdhjetave dhe
unë,sa kisha kaluar të dyzetat. Oficerat më njihnin mua( i vetmi që isha mësues
aty) dhe,ngaqë stërvitja qe me ngarkesë, më favorizonin duke më çuar në zyrë
për ndonjë punë pak më të lehtë.
Faslliu e zbrazi"koburen":-Epo stërvitjet e rënda nuk janë për PAPIN
(kështu më thërrisnin të gjithë ata që më njihnin dhe edhe nxënësit e
mi:profesor PAPI),- tha Faslliu. I moshuar ky dhe e ka këputur puna!!! Të
tërë ia dhanë të qeshurit dhe mua,sado nuk më erdhi mirë, bëra sikur nuk
dëgjova. Hëngrëm atë drekën e "kazanit" dhe komndanti na rreshtoi për
të na dhënë detyrën tjetër:-Do hapnim dhe thellonim transhe për t'u mbrojtur
nga armiqtë. Morëm ato "veglat xheniere" dhe,tek do shkonim tek
pozicionet,shefi i shtabit më nxori nga rreshti për në zyrë. Dhe FASLLIU:-Se
mos e mundoni PAPIN se është këputur nga puna i shkreti. Për punë jemi ne të
tjerët. Epo kështu e ka kjo dynja.O Papi,- tha gjysmë me të qeshur dhe gjysmë
me të ngjeshur,- të shkon kungulli mbi ujë. Më të lumtë! Unë,po zënë veshtë si
me dyllë dhe as i zëmërohesha. Po dhe në zemërohesha,mos kujton se i bëhej vonë
FASLLIUT. Dy të tretat e zboristëve qenë ish-nxënës të mi që nuk i duronin këta
thumba për mësuesin e tyre. Dhe ja seç ndodhi. Na lajmëruan që ekipi i
ministrisë,me çështje orësh, do mbrrinin për kontroll në repartin tonë. Porosia
qe që të"kopsiteshim mirë" se kontrolli do fillonte që nga
uniforma. Dhe nxënësit,si dashamirë të mi, gjetën rastin
të"hakmerren" me FASLLINË. Përfituan nga rasti dhe i fshehën rrypin e
mezit dhe kapelen. FASLLIU as që e prishi terezinë. U dha komanda për rreshtim
dhe, sa mbrriti ekipi,komandanti i repartit raportoi dhe mbasi mori komandën
qetësohu, u mënjanua dhe ndoqi shkimin rreshtor. Kur mbrriti tek FASLLIU,mend
sokëlliu:- Çfarë je ti shok ushtar? Mos je ushtar i HAXHI QAMILIT? Ku e
ke rrypin dhe kapelen?
Faslliut,
pa ia bërë tërr syri,iu përgjigj:- M'i ka marrë PAPI!!! Të gjithë ia
dhanë të qeshurit,se mirë me të tjerët,por dhe tek këta të ministrisë më
nxorri bojën.
- Ore,çfarë Papi, na ndërdëllis kështu?
- Shoku komandant,- tha qetë-qetë FASLLIU,- të shumët e këtyre këtu janë nxënës
të këtij,PAPIT. Unë ngacmoj Papin dhe këta m'i fshehën edhe rrypin,edhe kapën.
M'i gjen PAPI,- tha Faslliu. Jepjani se më nxori bojën,- u thashë
nxënësve. Kështu mbaroi zbori i atij viti.
*
* *
Kishim apo nuk kishim nja një muaj që e kishim mbaruar zborin dhe, befas,
qe dhënë urdhëri që të gjithë punëtorët të linin punë para kohe,se do bëhej një
mbledhje me rëndësi me të dërguar të komitetit të partisë së rrethit. Mua më
thirrën urgjent se mbledhjen do ta drejtonte FRONTI dhe unë,në atë kohë,isha
kryetar i Frontit për fshatin. Fshati ynë qe goxha i madh dhe bëheshin gati
dymijë votues. Shkova tek zyra dhe sekretarja e partisë me prezantoi me të
dërguarin. Ky, i dërguari,mend nxirte helm nga goja dhe më tha:- Jam ai, i
komisionit të internim-dëbimeve dhe komiteti i partisë është i shqetësuar se mu
në gjirin e fshatit tuaj është një armik që vjell vrer kundër pushetit e
partisë. Informimi është i freskët dhe jo vetëm do ta demaskojmë atë"armikun"
YZEDIN VELIU,por duam të demaskojmë dhe bashkëshokun e tij,me të cilin, për çdo
mbrëmje,tek klubi i fshatit përdhosin partinë e pushtetin. Po ta them troç,-më
tha,- më shumë na intereson ai"pijaneci" tjetër. Kot nuk thonë:-
Kërcen prifti nga belaja. Unë qeshë ai,prifti në atë mbledhje demaskuese. E
hapa mbledhjen duke thënë vetëm kaq:-Kjo mbledhje bëhet me porosi nga komiteti
i partisë dhe për këtë do flas ky shoku X...
* * *
KY X... turfulloi dhe nxirrte shkumë se,në kohën kur partia e sh.Enver
shparatalluan grupet armiqësore, në vend të jemi grushtbashkuar me partinë e
shokun Enver, ka armiq që vjellin vrer kundër partisë e pushtetit popullor. Në
mes tuaj është "armiku" YZEDIN VELIU që sot do ta demaskojmë e t'i
vëmë hekurat këtu para jush.Nuk pi vetëm,por gjithnjë me të njëjtin
njeri.Partia pret që ta gjeni atë, tjetrin se informaconin e kemi shumë të
saktë. Qeshë në gjendje stresi dhe i dërguari u çudit që mora fjalën. Jam unë
që pi për çdo mbrëmje me YZEDININ se jemi shokë të vjetër.Asnjëherë nuk e kam
dëgjuar që të shajë qoftë partinë,qoftë pushtetin. Fakti që ju vini urgjent
dikush ju informoi.Të dalë e të thotë dhe t'ia bëjmë gjyqin në vend. Dhe kam
edhe diçka tjetër:partinë tonë dhe pushtetin popullor nuk e tronditën aq grupe
armiqësore dhe një ish-kryeministër për 27-vjet poliagjent dhe do ta rrezikojë
YZEDIN VELIU?
I deleguari kujtonte se njerëzit do brofnin kundër fjalë sime dhe të
dënonin bshkëfshatarin e tyre, por mbledhja sikur ra në pus dhe kjo s'po
i pëlqente të dërguarit.Operativi nuk e priste këtë heshtje,kurse i
plotfuqishmi fërkonte prangat. Dhe befas u ngrit FASLLI SERJANI. Ju kini ardhur
dhe mirë kini bërë,tani dëgjoni fjalën time. PAPI çdo mbrëmje pi me
YZEDININ.Po dhe unë aty,ngjitur me ta,se katër tavolina janë.Rrimë gati një
sahat aty dhe unë PAPIN e kam inat se më la djalin në klasë. Ky,PAPI,sado i
gojës, kur pi ore sikur e kaqepur me gjëlpërë gojën. E sa për YZEDININ,të
gjithë e dinë që kam katër muaj që nuk flas me të!!!Fizikisht nuk matem
me të dot,por sy e veshë aty pas tavolinës.makar sikur të shajë jo vetëm
partinë apo pushtetin, por qoftë dhe një nga këta kuadrot e sektorit. Pi dhe
bëhet sarhosh, sa është gati të të marrë në krah, Ju thoni është i freskët informacioni,
gënjen ai,faqeziu që ju ka imformuar. Mbledhja mori tjetër drejtim:askush nuk
lëshoi pe në adresë të dërguarit dhe,kur pa që më askush nuk foli, e rimori
fjalën:
- Partia nuk ka nevojë të shtojë armiq,por duhet të mprihni vigjelencën. Erdhi
për lesh dhe iku i qethur.Pse kot e kishte gojën brisk FASLLI SERJANI? E
shpëtoi nga prangat YZEDIN VELINË dhe,bashkë me të edhe
mua,"pijanecin". Mua jo vetëm më shpëtoi,por më preu dhe huqin
e pijes. Se qe një kohë kur ikje për dhjamë qeni. Dua që këtë tregim jo vetëm
ta lexojnë bashkëfshatarët emi në MBROSTAR-URA të FIERIT dhe,sidomos, fëmijët e
FASLLI SERJANIT dhe,pa dyshim,djali dhe të afërmit të YZEDINIT se që të dy,si
YZEDINI dhe FASLLIU janë ndarë nga jeta.
Tiranë,1
shtator 2022