Kulturë
Gjekë Gjonaj: Gjovalin Shkurtaj - Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe
E marte, 30.08.2022, 06:21 PM
Disa vlerësime për veprën
“Fjalori
leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”
të
Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj
Nga
Gjekë Gjonaj
Të
nderuar miq, vëllezër dhe motra,
Ju
përshëndes nga zemra me shprehjen e
bukur tradicionale të malësorëve “ Mirëmrama dhe mirë se u ka pru Zoti” në këtë ngjarje
madhore kulturore, e cila organizohet sot në Tuz, në komunën tonë të shumëpritur, e cila edhe
pse e re në moshë, po arsyeton themelimin e saj në fushën e kulturës që është shpirti që i jep fizionomi trupit tonë të gjymtuar
kombëtar, karshi botës së përparuar dhe karshi proceseve të rënda që na
sfidojnë si komb, pa marrë parasysh hapësirën gjeografike ku jetojmë.
Punë e
vështirë për mua si gazetar, publicist
e studiues të flas në këtë tubim për një vepër gjuhësore e aq më shumë
për një vepër madhore të gjuhësisë shqiptare, sikundër është “Fjalori
leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i akademikut Gjovalin Shkurtaj, por, ai
është malësor, e kam njohur prej shumë vitesh, e kam intervistuar në raste të
ndryshme, krahas kolegëve të tij të nderuar, si akademik Shaban Demiraj,
akademik Jorgo Bulo etj. dhe, duke qenë se ai është jo vetëm i lindur në Malësi
(në Bajzë të Kastatit), po edhe është nga ata që e ka për krenari se është “bir
i xhubletës”, qysh kur jemi takuar për herë të parë në Ulqin, në vitin 2001, dhe kemi
lidhur edhe një miqësi të sinqertë. Profesor Gjovalini ka shkruar artikuj për
disa prej librave të mi si “Prek Cali piramidë e kufijve të Shqipërisë”,
“Shqipet e maleve” etj. dhe, bashkë me prof.Hamit Boriçin e studiues të tjerë
nga Tirana e Shkodra, më ka nderuar duke marrë pjesë e duke referuar në
përurime të librave të mi në Ulqin. Dashamirësia dhe modestia e tij, sigurisht,
më trimëron e po marr guximin që, edhe pa qenë gjuhëtar, t’i them disa fjalë e
vlerësime për këtë vepër të madhe, duke përfaqësuar, në këtë rast, atë pjesë të
malësorëve që, edhe pse nuk merren me
gjuhësi e me studime shkencore, duhet të
jemi krenarë e ta themi me gojën plot edhe këtu në Tuz, ashtu si është thënë
tashmë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në përurimin e bërë në Panairin e
Parë të Librit Akademik, më 23 prill, apo në Alabanian University në përurimin
e organizuar më 5 maj. Si gazetar që jam, po shtoj se Fjalori i Shkurtajt është
vlerësuar menjëherë sapo është botuar
nga disa prej gjuhëtarëve të njohur nga Shqipëria (prof.dr.Valter Memishaj,
prof.dr.Tefë Topalli, prof.dr.Artur Lamaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e
të Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, prof.dr.Nexhip Mërkuri,
dr.Tonin ?obani etj.). Kanë shkruar
për këtë vepër edhe nga studiues të njohur si prof.dr.Bardhosh Gaçe nga
Universiteti i Vlorës “I.Qemali”, prof.dr.Qemal Murati nga Instituti
Albanologjik i Prishtinës, prof.dr.Bahtiar Kryeziu nga Universteti i Gjilanit,
si dhe nga albanologë të huaj, prof.dr.Basil Schader nga Zvicra, i cili, ndër
të tjera, duke e përgëzuar autorin, akademikun tonë të Malësisë e ka quajtur Fjalorin
e Shkurtajt “një kryevepër” e një libër
me vlerë të jashtëzakonshme për dialektologjinë dhe etnografinë e të folurit të
shqipes. Një recension të gjerë e me analiza të
hollësishme ka botuar edhe gazetari Vasel Gilaj në “Zani i Malësisë”
(maj 2012), i cili e fillon shkrimin me
këto fjalë vlerësuese e të merituara: “Biri i Kastratit, Gjovalin Shkurtaj, me
Fjalorin e botuar, i ngre një monument pavdekësie Malësisë së Madhe”. Për
veprën “Fjalori
leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”gjatë gjithë
pranverës së sivjetme ka pasur edhe njoftime e intervistime në televizionet
shqiptare, prej të cilave meritojnë të përmenden intervista e Shkurtajt për
gazetarin Mustafa Nano në emisionin e tij të ndjekur “Arnautistan”, si dhe në
Neus-24, A1-Report TV etj. si dhe në
blogjet e faqet on-line.
Na
gëzon shumë fakti që profesor Gjovalinin
e kemi nga Malësia jonë, po edhe që e nderojnë shumë jo vetëm ata që e kanë
mik, po edhe kolegët e drejtuesit e Akademisë së Shkencave. Mjafton të kujtojmë
vlerësime e larta që i ka shprehur akademik Shaban Sinani në përurimin e bërë
në Tiranë më 23 prill 2022.
Kam
pasur edhe privilegjijn që prof.Shkurtaj më ka ardhur si mik në shtëpinë time,
po edhe unë kam qenë mysafir te ai në Tiranë e në Durrës, prandaj, ashtu si e
shpreha në fillim, do të flas për Fjalorin, po më shumë për autorin.
Deri vonë nga
Malësia jonë e Madhe kemi pasur pak emra intelektualësh të shquar, po edhe ata
që kanë qenë, jo gjithmonë janë njohur e
vlerësuar sa duhet. Prej trojeve tona kanë qenë burra të shuar të dijes e shkencës
si Nikollë Ivanaj (1879-1951),
publicist nga Trieshi, që botonte në Raguzë (Dubrovnik) gazetën “Shpnesa e
Shqypnisë” dhe dy vëllime me shkrime dokumentare për jetën e veprimtarinë atdhetare e për ndihmesat e tij
në lëvizjet përparimtare dhe si përfaqësues i Shqiparëve të Amerikës në
Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920); dr.Athanas Gegaj (1904-1988), Mirash
Ivanaj (1891-1953), nga Bekajt e Trieshit, veprimtar, drejtues dhe
organizator reformator i arsimit kombëtar.
Prej fshatit Stanaj (Grudë) ishte edhe Prenk Gruda
(1912-1999), veprimtar dhe publicist i njohur shqiptaro-amerikan, autor i
librit “Ditari i nji zemrës së lëndueme”; Luk Kaçaj (1924-2001),
këngëtari i famshëm bas, që studioi dhe
këndoi me sukses të madh në Rusi, ku dhe
do të mbiquhej ”Shaljapini shqiptar”. Prej nesh, po i shkolluar në
akademitë e arteve me emër në Jugosllavi e Itali është edhe akademiku Gjelosh
Gjokaj (1933-2016) nga Mileshi i Grudës, piktor me famë evropiane; Angjelin
Preljocaj, balerin i famshëm që jeton e kontribuon në Francë, Frank
Shkreli, gazetar i njohur, ish-drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë; Gjekë
Marinaj, poet, shkrimtar, studiues, filozof i suksesshëm, i nominuar për ?mimin Nobel në Letërsi (nga më se
12 shtete, universitete, organizata të
akredituara letrare e akademikenë botë). Dhe plot të tjerë, të cilët nuk është
as rasti, as mundësia për t’i përmendur të gjithë. Në
emrat e mëdhenj të shkencës së sotme albanologjike, me sa kam lexuar e dëgjuar
të thuhet për të nga mjediset shkencore,
është pa dyshim edhe profesor Gjovalin Shkurtaj, i cili ka ardhur sot midis
nesh për të përuruar veprën e tij më të vëllimshme “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i
Malësisë së Madhe” për të cilin,
sikundër e thotë vetë në Hyrjen e librit ka filluar të punojë qysh në vitet
1962-1966, kur ishte student në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të
Universitetit të Tiranës. Po shtoj me këtë rast, se në vitin 1966, kur ka kryer
studimet e larta për gjuhë e letërsi, ka diplomuar me studimin “E folmja e
Kastratit” dhe përveç vlerësimit më notën më të lartë (dhjetë) ka pasur edhe
përgëzimet e komisionit të Provimeve dhe të akademikut të shquar Eqrem Cabejt,
të cilin Shkurtaj e ka pasur dhe koleg zyre për dhjetë vjet (nga 1967 deri në
1977) dhe e ka përmendur gjithnjë si idhullin e modelin e shkencëtarit të
përkushtuar e modest, po edhe me adhurimin e madh për të.
Vepra “Fjalor leksiko-frazeologjik i Malësisë së
Madhe” e prof.dr.Gjovalin Shkurtajt, është fryt i një pune mbledhëse
shumëvjeçare, që është, sikundër na e thotë në Fjalën paraprijëse “një
fjalor leksikor e frazeologjik i Malësisë
së Madhe, të cilin ka filluar ta punojë qysh në vitin 1969”, pikërisht kur, i sapo
emëruar si punonjës shkencor i ri në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe
u caktua të merrej me studimet
monografike për të folmet e Malësisë së Madhe, punë të cilën, ai, në fakt, e
kishte nisur me sukses qysh me temën e diplomës kushtuar së folmes së
Kastratit, me udhëheqës shkencor të mirënjohurin prof.Jorgji Gjinari, punim që
do të botohej, në dy numra të revistës “Studime filologjike,1967/ 2 e 3.
Malësia
jonë e Madhe “Nderi i Kombit” (2012) është njëra nga krahinat e njohura për të folmen e saj të veçantë
dhe për pasurinë mjaft të madhe leksikore,
frazeologjike, etnofolklorike dhe sociolinguistike, që kanë tërhequr prej
kohësh interesimin e studiuesve të ndryshëm e sidomos të dialektologëve dhe të
historianëve të gjuhës shqipe e të etimologjisë së shqipes. Fjalët, frazeologjizmat dhe etnikët e zonës
së Malësisë së Madhe, për aq sa kanë
qenë të njohura nga fjalorët dhe botimet etnofolklorike të mëparshme, janë
përdorur e cituar me përparësi nga Eqrem Çabej në shumë nga studimet e tij dhe
veçmas te vepra e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Në atë udhë e
sipas shembullit të E.Çabejt ka vepruar
edhe akademiku Kolec Topalli në veprën e
tij “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (2017), si dhe, pikërisht për vlerat e
mëdha leksikore të të folmeve të Malësisë së Madhe ai është shprehur edhe në kumtesën e tij, Thesaret
gjuhësore të së folmes së Hotit
(“Hoti në rrjedhat e historisë”, Michigan, USA 23-24 nëntor 2013, f.367-375).
Të lartpërmendurit, si dhe studiues të tjerë, leksikologë dhe dialektologë,
qysh se kanë filluar të botohen monografitë e Gj.Shkurtajt për të folmet e
Kastratit (në Studime filologjike, 1967, nr. 2 e 3) të Hotit, Kelmendit, Rranxave të Mbishkodrës etj. (në
“Dialektologjia shqiptare, II, III, IV), përpos vlerësimeve e kundrimeve nga
dialektologët, lënda leksikore e botuar në ato monografi është shqyrtuar e shfrytëzuar me përparësi, sidomos
në studimet rreth etimologjisë së shqipes.
Fjalori
ka në bazë pjesën e leksikut të botuar në monografitë e vetë autorit, po edhe
krahasime e shtjellime përqasëse me ato të botimeve të mëparshme, qysh nga Fjalori i
Bashkimit, Fjalori Nikollë Gazullit, Fjalori i Benedikt Demës
etj., si dhe në një lëndë të gjerë etnofolklorike të Malësisë sonë të Madhe,
një numër i madh fjalësh, kuptimesh dhe togfjalëshash të qëndrueshëm e
frazeologjikë, shoqëruar edhe me fjalë të urta e mënyra të thëni të kësaj treve
gjuhësore, duke synuar të bëjë një paraqitje sa më tërësore të asaj pasurie
të madhe leksikore e frazeologjike të krahinës së Malësisë së Madhe. Në
shpjegimin e fjalëve dhe në shembullzimet e tij, shpesh, autori u është
referuar edhe fjalëve që i kishte përdorur Gjergj Fishta në poemën madhore
“Lahuta e Malcis”, gjë sikundër e ka shprehur prof.dr.Tefë Topalli, njëri nga
recensuesit zyrtar të veprës, përbën
”një vlerë të shtuar” të këtij Fjalori.
Recensuesit,
specialistë të leksikologjisë e të dialektologjisë shqiptare dhe albanologët të
njohur, kanë theksuar se “para së gjithash Fjalori nxjerr në pah
pasurinë shumë të madhe që kanë këto të folme, si dhe afrinë e tyre njëra me
tjetrën. Kjo afri është e tillë që rrëfen se në Malësi të Madhe, me gjithë
shtrirjen e saj të gjerë tokësore, më fort se për një grup të folmesh, mund të
flitet për një të folme të vetme, me disa dallime e luhatje brendapërbrenda.
Qysh
në vitin 1916, Maksimilian Lamberci, duke theksuar afrinë e të folmeve të
pjesëve të ndryshme të Malësisë, shprehej në këtë mënyrë: “Kështu p.sh.
dialektet lokale të Kosovës dhe të Gjakovës, në bazë të vetive të tyre
tingullore dhe flektive, formojnë një grup; prej këtij grupi dialektet lokale
të Malësisë që janë shumë afër njëri-tjetrit na përçojnë ke dialekti i qytetit të
Shkodrës, i cili qëndron autonom për sa u përket vetive të tij.”
Dhe,
për ta mbyllur, po edhe për arsye kompetence shkencore, po e përfundoj fjalën
time me vlerësimin e prof.dr.Tefë Topallit, i cili, ndër të tjera, ka theksuar:
“Vepra
“Fjalori
leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” synon të
jetë dëshmi e pasurisë së madhe
leksikore e frazeologjike dhe etnolinguistike
të një krahine kaq tipike të Shqipërisë veriperëndimore, po edhe të
jetë si mbështetje për studime të
ndryshme që mund të bëhen në të ardhshmen për krejt të folmet e shqipes ose
edhe veçmas për sa nden kjo krahinë me hapësirat e fjalëve, kuptimeve dhe
shprehjeve të qëndrueshme frazeologjike, si dhe me një numër të madh fjalësh
dhe emërtimesh kushtuar veglave muzikore, dokeve dhe praktikave të ndryshme
etnofolklorike e etnolinguistike, të cilat, në fakt, e bëjnë këtë vepër edhe
mjaft të veçantë në grupin e fjalorëve të shqipes. Kjo veçanti, duket si në vëllimin e fjalësit, ashtu në trajtimin
leksikografik të lemave që përmban, në
hapësirën e strukturave kuptimore e të shpjegimeve, përfshirë zgjerimin e
ngushtimin e kuptimeve të tyre etj.
“Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” sjell gjithashtu,
një begati leksemash, kuptimesh, thëniesh e shprehjesh frazeologjike, shoqëruar
edhe me shumë fjalë të urta e shprehje urtake tipike malësore, që i shërbejnë
njohjes së pasurisë gjuhësore shpirtërore të gjuhës shqipe, në njërën nga
krahinat më të dallueshme të Shqipërisë.
Ka aty, veç tjerash, emra kafshësh e bimësh, mënyra të thëni e përshëndetje
tipike malësore, betime, urime e mallkime, si dhe një numër jashtëzakonisht të madh togfjalëshash e etnikësh që e
dallojnë Malësinë e Madhe si gurrë e pashtershme shqiptarie. Autori ka mbledhur
e përfshirë në të, gati gjithçka, nga leksiku dhe mënyrat e kumtit nga vendësit
e Malësisë, duke bërë ekonomi me mënyrën e dhënies së tyre, për të vënë në dorë
të përdoruesve të tij një lëndë sa më të madhe të mjeteve të shprehjes
gjuhësore. Autori ia del që shpjegimet e
kuptimeve të jenë sa më të thjeshta e të përshtatshme për përdoruesit e tij.”
Bashkohemi
plotësisht me vlerësimin e prof.Topallit, që shprehet se “Fjalori leksiko-frazeologjik i
Malësisë së Madhe” , si për nga vlerat mirëfilli studimore, ashtu edhe
nga prurjet konkrete nga hulumtime të bëra në vendbanime të ndryshme të
Malësisë, dhe në vendet e tjera ku janë shpërngulur malësorë, si Bregun e
Matës, në Ishull të Lezhës e të
Shëngjinit, në vetë qytetin e Lezhës dhe në pjesën e Malësisë që ka mbetur
jashtë kufijve shtetërorë në Mal të Zi, meriton të botohet në kolanën e
botimeve të Akademisë së Shkencave dhe përbën një ndihmesë me vlerë për
kërkimet në lëmin e dialektologjisë dhe të sociolinguistikës shqiptare edhe në
planin bashkëkohor, aq më tepër, duke marrë parasysh se autori i kësaj vepre
gjuhësore, është folës i lindur i kësaj treve të pasur edhe në planin e gjuhës
sonë.” (Prof.dr. Tefë Topalli, Tiranë,13 dhjetor 2020).
Fjala
e recensuesve është bërë realitet dhe ne sot kemi mundësinë ta marrim në dorë Fjalorin
dhe, sigurisht, t’i urojmë autorit, malësorit tonë, profesorit të nderuar që,
pavarësisht se po shkon nga të tetëdhjetat, të ketë shëndet të mirë e jetë të
gjatë dhe, ashtu si deri sot, të na gëzojë edhe me studime e libra të tjerë.
Jam në dijeni se, së afërmi, del nga shtypi edhe një libër tjetër i
prof.Shkurtajt, në kolonën e Akademisë së Shkencave, në të cilin ka trajtuar rëndësinë e këngëve
popullore e sidomos të Eposit të Kreshni\këve si përmendore madhështore e
kulturës së të folurit.
Jetë
të gjatë e shëndet, Profesor!
Tuz,
25 gusht 2022- me rastin e përurimit të
Fjalorit, në kuadër të Panairit të Librit .