Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Darkën e shita për një birrë
E shtune, 27.08.2022, 06:50 PM
DARKËN E SHITA PËR NJË BIRRË
NGA
KALOSH ?ELIKU
Vite
më parë gjatë Manifestimit kulturor tradicional me karakter ndërkombtar
Mbrëmjet e Poezisë Strugane, në një intervistë dhënë një gazetareje të huaj në
mes të tjerave thashë: Mbrëmjet e Poezisë Strugane janë të politizuara deri në
palcë, më shumë ka politikanë dhe spiunë sesa poetë. Vërtetë edhe ashtu ishte
në atë kohë, në Mbrëmjet e Poezisë Strugane merrrnin pjesë poetë nga të gjitha
vendet e botës, po aq më shumë edhe spiunë të të gjitha shërbimeve sekrete
botërore. Nuk do të thotë kjo se sot nuk marrin pjesë, edhe sot marrin porjo aq
shumë si dikur në “kohën e artë” komuniste. Edhe shpenzoheshin shuma të mëdha
parash për këtë manifestim kulturor ndërkombëtar të pozisë.Dorën në zemër,
Maqedoninë në botë e njihnin në bazë të këtij manifestimi, me poezi sesa me
politikë. Edhe ashtu duhet të ishte për një vend “demokratik” të vogël me një
moshë pesëdhjetë vjeçare si vepër e Jugosllavisë titiste dhe njëzet vjeçare si
shtet i pavarur që ecte drejtë zgjidhjes së çështjes së emrit si shtet i ri pa
përvojë politike. Manifestimi si vepër dhe ide e qëlluar komuniste vazhdonte të
marrë frymë nga viti në vit. Dihet, edhe me plot vështirësi e probleme.
Herë
pas here në breg të Drinit Zi në Strugë griseshte flamuri shqiptar. Poetët
shqiptar, edhe pse ishin themelues të këtij manifestimi kulturor,
anashkaloheshin si pjesmarrës bashkë me gjuhën shqipe. Nuk ftoheshin në
manifestim, ose i ftonin sa për sy e faqe. E për shpërbilme as që duheshte të
shihnin ndonjë ëndërr me përjashtim të Adem Gajtanit që mezi e mori një çmim
letrar “Vëllezërit Milladinovci” (1983), edhe atë pas vdekjes. Dyzetetetë (48)
vjet më vonë me plot intervenime politike partiake edhe Fatos Arapi “Kurorën e
artë” (2008). Mehmedali Hoxha (njëri nga themeluesit e këtij manifestimi),
Murat Isaku dhe Abdylazis Islami hynë në varr pa këto çmime letrare, edhe pse
kolegët e tyre maqedonas këto çmime letrare i rrëmbyen për herë të dytë e tretë
gjatë këtyre viteve të “vëllazërim-bashkimit”.Poetët tjerë servil shqiptar dhe
“kritiku i tabanit kombëtar” gjatë gjithë kohës bënin jetën e argatit në dëm të
letërsisë shqipe.Ashtu e donte politika dhe koha, thonë sot
rrufjanët.Shqiptarët duhet të ishin si numra zbukurimi të Mbrëmjeve të Poezisë
Strugane. “Vëllezërit” i kishin poetët shqiptar kukulla, që kur të donin dhe si
të donin ua tërhiqnin penjtë: ua ngrenin duart, këmbët, bythët... I emëronin si
anëtarë nëpër komisione, në juri të shpërblimeve sa për sy e faqe. Mashat
shqiptare, para kamerave televizive vetëm hidheshin dhe përdridheshin me vallet
dhe këngët folklorike sllave. Dhe, në fund e merrnin shpërblimin: i torturonin
nofullat me mish derri. Ndonjëherë i jepnin kosës edhe më shumë sesa kanë fuqi
gjoja si patriotë shqiptar, dilnin edhe në Kosovë dhe Shqipëri.I ftonin miqtë e
tyre poetë, po rrallëherë rastësisht ftonin ndojë Mbret të poezisë
shqipe.“Vëllezërit” si gjithmonë u bienin duarve, ua rrahnin krahët.Vërtetë
poezi të “arrira artistike”.Ju jeni mbretërit e poezisë shqiptare. Ndonjëri nga
këta kalorës të arratisur edhe bënte pazar në emër të poezisë shqipe: shiste
dhe blente çmime letrare nëpër manifestime kulturore. Shembull më i freskët
është Fatos Arapi. Jo, se Arapi nuk e meriton “kurorën e artë”, po jo para
Frederik Rreshpjes, Dritëro Agollit, Teki Dervishit, Xhevahir Spahiut, Musa
Ramadanit, Azem Shkrelit, Hida Halimit, Ali Podrimjes, Ymer Shkrelit, Mehmedali
Hoxhës, Abdylazis Islamit dhe Murat Isakut.
Përçudi,
këta kalorës të arratisur të letërsisë shqipe, përveç ndarjeve të çmimeve
letrare edhe ta caktonin vendin si shkrimtar në letërsi me “Antologjitë” e tyre
të famshme. Kur të donin të shtinin dhe hiqnin nga planprogramet shkollore,
lektyrat shkollore, librat e leximit… Komisionet e tyre teknefese dhe “juritë
profesionale”, përditë e më shumë i ngushtonin radhët e tyre
neokomuniste.Emronin njëri - tjetrin nëpër komisione letrare të manifestimeve
kulturore, Enciklopedisë maqedonase, botimeve luksoze të “Makedonska
knizhevnost” (letërsisë maqedonase).Edhe i botonin “kryeveprat” e Klanit
trusakat të tyre me paratë e shqiptarëve në emër të Shtetit të “përbashkët” si
libra të rrallë publicistik.Vetë i vlerësonin, vetë i nderonin me çmime letrare
“veprat” e tyre të arrira artistike. Të nesërmen, pasi i rrëmbenin honoraret
marramendse për “flijimet artistike-patriotike”, sharra kur u haste në gozhdë
dilnin para popullit shqiptar me reagime në mjetet e informacionit: nuk na kanë
pyetur “vëllezërit”, dhe ne si “intelektualë shqiptar” do të japim dorëheqje.
Një ditë më vonë, harronin horrat neokomunist se ç’kanë thënë, përsëri
emroheshin në komisione të tjera kulturore.Fatkeqsisht, vazhdonin t’i ndanin
plaçkat e “luftës kulturore” në emër të popullit shqiptar dhe letërsisë
shqipe.Përpilonin lloj-lloj listash nëpër manifestime kulturore. Punemadhe, që
“poetët” e tyre nuk i njihte jo vetëm katundi, po as nëna e vet, e ku më
populli shqiptar, dhe dumdumëve vite me radhë në vend të krundeve “vëllezërit”
u jepnin të hanë kashtë në grazhd.
Kulminacioni
i “artit të tyre gjenial” e arriti famën botërore vitet e fundit, kur filloi
edhe t’ju tërhiqet freri.Goja t’u mbushet me shkumë dhe gjak.E në anëtë tjetër,
“vëllezërit” edhe ua ndalën taxhinë.Përditë e më shumë u bienin me thupër
bythëve si pela shqiptare.I shalonin me të katra livadheve të kositura me
kosë.Tashti, e shoh gabimin.Me rrallimin e mosardhjes të politikanëve dhe
spiunëve në këto manifestime kulturore, u rrallua edhe shtrurja e sofrave të
begatshme poetike.Në manifestimin e fundit (pesëdhjetë vjetorin e Mbrëmjeve të
Poezisë Strugane), poetëve u shtroheshte përpara nga një bokall me ujë.
Fantastike: uji shkon me poezinë. Në sofër mungonte për çdo poet përkrahu ta
shtronin vetëm edhe nga një xhadi. Edhe, sikur na thonin: lexoni poezi sa të
doni, gjithë ditën deri në agim. Veprimi i këtillë ma kujtoi Niko Nikollën një
satirist shqiptar nga Tirana, që gjatë një Akademie përkujtimore për Mehmedali
Hoxhën para disa viteve në Strugë pasi na e shtruan sofrën me pije joalkoolike
tha: poetët nëse do t’i bësh terbie përpara mbi tavolinë nxirru “fanta”, “coca
cola” dhe “gazoza”… Edhe do të shohësh se si ju bien kokat mbi tavolinë. Niko
Nikolla në atë Akademi përkujtimore në një nga restorantet e Strugës ku edhe na
helmuan e tha edhe një realitet: nuk ka popull shqiptar, po ka popull
shkrimtar.
Organizatorët
e manifestimit poetët i kishin shpërndarë nëpër të gjitha hotelet e Strugës dhe
të katundeve si Kashta e Kumbarës.Autorin e këtij shkrimi e kishin hudhur në
një hotel privat në periferi të qytetit si Robinson Kruso. Që, të jetë sa më
larg ecurisë dhe rrjedhave të manifestimit. Shkaku, se: ai është i pamëshirshëm
në shkrime. Falë gjeturisë së tij prej shkrimtari kaloi edhe më mirë se
Robinson Kruso, në mesin e miqëve poetë të paktë në numër në atë hotel. U muar
vesh me pronarin e hotelit t’ia shesë darkën për një birrë. Bombat, dy
“kashikara” me raki rrushi i kishte marrë me veti në çantë, ishte armatosur me
kohë që nga shtëpia. Herë pas here dilte edhe në plazh, hynte para diellit në
Liqe dhe dilte pas tij në breg. Poetët e tjerë nuk e kishin këtë fat, ndonjëri
u kthye i dëshpruar pa lexuar edhe një poezi.Punemadhe, që i kishin ftuar dhe
ardhë me aeroplan nga larg me qindra kilometra vetëm për këtë punë, të lexojnë
poezi.Ndonjëri i nervozuar nga sjellja e organizatorëve iku edhe para kohe, nuk
e priti fundin e manifastimit, ndarjen e çmimeve letrare mbi Urën e Drinit
Zi.Përmëkeq, vitet e fundit nuk paguhen honoraret e poetëve pjesmarrës, nuk
paguhet rruga.Edhe pse, këtë vit manifestimi mbaheshte nën patronatin e
UNESCO.U shpërndanë edhe shumë libra të autorëve botëror e sllav, e asnjë të
shkrimtarëve shqiptar. Në mungesë të përkthyesve, organizatorët aty-këtu të
shumtën e herave nuk i përkthenin poezitë e disa autorëve me “arsyetim” se,
donin ta dëgjonin se si tingëllon poezia edhe gjuhen e tyre në këtë manifestim
kulturor?! E sidomos, nuk u përkthyen poezitë e poetëve shqiptar. Shkaku, se:
“vëllezërit” vërtetë nuk e dinin se si tingëllon gjuha shqipe nëpër këto
manifestime kulturore letrare në “shtetin e përbashkët”.
Poetët
këta mbretër të pozisë, dita-ditës po shndërrohen në palaço të partive
politike.I argëtojnë nëpër oborret e tyre politikanët teknefes me poezi
patriotike - patetike. Megjithatë, manifestimi kulturor këtë vit pati edhe anën
pozitive: Ramiz Merko, kryetari i komunës së Strugës për herë të parë poetët
dhe të pranishmimit i përshëndeti vetëm në gjuhën shqipe. Edhe pse, para
këmbëve të urës mbi Drinin e Zi, u brohoritë dhe fishkëllua nga “vëllezërit”.
Nuk e dëgjova sekretarin e Ministrisë së Kulturës, z. Muzafer Bislimi gjatë
koktelit në Kalishtë se në cilën gjuhë e hapi orën letrare, shkaku mungesës të
zërimit (mikrofonave) në verandë të hotelit “Biser” para syve të Liqenit. E di,
ju do të ma përmendni edhe atë thënjen e urtë popullore, te ne në Katund i
thonë: ta han bukën dhe ta përmbysë kupën. Jo. Tradita e shqiptarit është:
mysafirin kur ta thirrësh në dasëm, prite siç duhet me të gjitha nderimet, ose
mos e thirrë fare. Bukë dhe shtrat ka në shtëpi, nuk ka nevojë të udhëtojë me
qindra kilometra të lexojë poezi për një bokall me ujë dhe gjumë në periferi të
qytetit mes gërmadhave të ndërtimeve të egra. Urime! Edhe unë në Mbrëmjet e
Poezisë Strugane e fitova një çmim: Darkën e shita për një birrë.
Vërtet,
edhe sot në “demokraci” sa bukur jua tërheqin penjtë!...
(Nga libri: RRUFJANI (Shkup, 2013).