Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: U mbajt Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit Burimor
E enjte, 25.08.2022, 07:05 PM
U MBAJT FESTIVALI
MBARËKOMBËTAR I FOLKLORIT BURIMOR ”RAPSHA 2022” MALËSI E MADHE
Fituese
e festivalit u shpall “Çeta e Profetëve” nga Kruma
Nga
Hazir Mehmeti
Tuz, 20-21 gusht 2022.
Festivali
i gjashtë mbarëkombëtar i folklorit “Rapsha 2022” gjatë tri ditëve shpalosi
vlerat e folklorit burimor nga të gjitha trevat shqiptare. Shoqëria
Kulturo-artistike “Rapsha”, Drume, Hot, Malësi e Madhe edhe një herë shkëlqeu
në jetën e saj dyzet vjeçare. Edhe pse
në kohë moderne, shoqëritë kulturo artistike kultivojnë folklorin burimor
shqiptar për të mos u harruar vlerat e tij artistike si baza e identitetit
tonë. Rreth burimit të kthjelltë në
Vitojë në skenën e improvizuar defiluan
mbi treqind artistë me këngët e vallet e tyre popullore. Në secilën natë ishin
mbi dy mijë spektatorë nga Malësia dhe trevat shqiptare. Salla natyrore e
gdhendur në shkëmbinjtë i ngjante një amfiteatri të lashtë duke krijuar ambient
artistik madhështor.
Tuzi
në tri mbrëmje u gjallërua nga grupet artistike të cilat defiluan të përcjellë
nga banorët që mbushnin trotuaret dhe sheshet.
Shoqëria Kulturo Artistike “Rapsha” nga Malësia e Madhe ishte
organizatore e suksesshme të cilën e ndihmuar shumë veprimtarë nga Malësia e
Madhe dhe nga Shtet e Bashkuara të Amerikës si donatori kryesor i festivalit.
Tubimin
e hapi drejtori i drejtorisë së
festivalit dhe kryetar i ShKA “Rapsha” Z. David M. Junçaj. Pasi përshëndeti
pjesëmarrësit dhe të pranishmit, ai mes tjerash tha: “Në programin e festivalit
do të shpaloset folklori nga të gjitha trojet etnike shqiptare si dhe diaspora
jonë e mrekullueshme, duke dëshmuar kështu se kombi shqiptar di të ruajë
kulturën dhe traditën e vetë, e që Festivali është vendi më i përshtatshëm të
pasqyrohet kjo, por edhe të kultivohet tek brezat e rinj... . Nuk ka asnjë komb në botë, të jetë i ndarë në
pesë shtete, siç është kombi ynë. Vërtetë historia na ndau, por kurrë me zemër,
kurrë ! Qëndruam stoik e të papërkulur, ndaj edhe sot siç e shikoni është koha
jonë, koha e shqiptarëve.” Në vazhdim David Juncaj, falënderoj Fondin Humanitar
Rapsha, i drejtuar nga Lindon Lajçaj, me
seli në Michigen, anëtarët e së cilit organizuan aksion për grumbullimin e
mjeteve financiare të nevojshme. Ai falënderoi po ashtu donatorët vendor,
kuvendin e Tuzit si dhe mediat që i kontribuuan në afirmimin e festivalit. Malësia jonë e dashur i pranon dhe nderon të
gjithë bashkëkombësit tanë nga trojet shqiptare. Dua tu siguroj se do jemi
përherë me ju aje ku e do vendi dhe kombi. Fondi humanitarë “Rapsha” grumbulloi
afër 40 mijë dollar për Festivalin Mbarëkombëtarë Folklorik “Rapsha 2022”.
Festivali u ndoq edhe nga përfaqësuesit diplomatik e konsullor nga Shqipëria e
Kosova.
Gjatë
tri netëve të festivalit garuan: SHKA “Rapsha” nga Rapsha, SHKA “Malësori” nga Prizreni, SHKA “Maja e
Karafilit” – Plavë, Ansambli “Gurra e Kurbinit”- Laç , SHKA “Jahi Hasani” nga
Qegrani i Gostivarit, Ansambli folklorik “Çipini” nga Vlora, SHKA “Zëri i Luginës” Bujanoc- Lugina
e Preshevës, Ansambli Këngëve dhe Valleve “Deçani” nga Deçani, AKV
“Kastriotët”- Ferizaj, Ansambli “Afërdita “Elbasan “, SHKA “Jehona e Kelmendit”
– Kelmend.- SHKA “Koha” – Dinoshë, Ansambli folklorik “Visarët e Krrabës”-
Tiranë, SHKA “Qyprillinjtë e Roshnikut”- Berat, Ansambli i folklorit autokton”
Bresana”- Dragash. Ansambli i Këngëve
dhe Valleve “Prishtina”-Prishtinë, Shoqëria Kulturore Artistike “Dedë Gjo
Luli”-Traboin, Hot, Ansambli “Rugova” – Rugovë, Pejë, Shoqëria Kulturore
Artistike “Gryka e Kaçanikut” – Kaçanik, Ansambli “Çeta e Profetëve”-Krumë,
Has, Kukës. Ansambli “Gjergj
Kastrioti”-Detroit, Ansambli “Myzeqeja”-Fier.
Secila
shoqëri kishte në raportuarin e saj të veçantat e folklorit nga rrethet e saja
prej nga vinte, kostumet, këngët dhe vallet. Mbresëlënës ishin veshjet
popullore të zonave me koloritin e tyre, një pasuri me vlera kombëtare e
ndërkombëtare. Instrumentet dhe instrumentistet duke filluar nga lahuta e
gërneta e mrekulluan publikun. Në natën
e fundit juria e gjerë nga ekspert muzikolog e etnolog e përfaqësuar nga
kryetarja Prof. Dr. Afërdita Onuzi,
shpalli fituesit: Vendin e parë e fitoi Ansambli “Çeta e Profetëve”-Krumë, Has,
Kukës. Vendin e dytë Ansambli Folklorik “Çipini”-Vlorë, kurse vendin i tretë iu
nda Shoqërisë Kulturo Artsitike “Jahi Hasani” – Çegran-Gostivar.
Dilaver
Kryeziu, paraqiti rezultatet e jurisë për plasmanë individuale : kërcimtari më
i mirë- Pëllumb Maraj,- kërcimtarja më e mirë, Rilinda Gjonbalaj-SHKA “Maja e
Karafilit”. Vallja më e mirë, i takoi Shoqërisë Kulturore Artistike “Malësori”
– Prizren, këngëtari më i mirë, Marash Dushaj, nga SHKA, “Dedë Gjo Luli”.
Këngëtarja më e mirë, Mida Aliu, nga Kurbini, rapsodi më i mirë i këtij- Gjokë
Kalaj. Grupi polifonik më i mirë- Ansambli Folklorik “Çipini”-Vlorë, rituali më
i mirë- Shoqëria Kulturo Artistike “Jahi Hasani” – Çegran-Gostivar.
Instrumentisti më i mirë nga Ansambli “Afërdita” – Elbasan, grupi instrumental
më i mirë- Shoqëria Kulturore Artistike “Qyprillinjtë e Roshnikut ”, veshja më
origjinale-Shoqërisë Kulturore Artistike “ Maja e Karafilit” – Plavë-Guci,
veterani i festivalit-Ansambli Autokton i Folklorit “Bresana”-Dragash, kërcimi
i dyshes më të mirë i takojë Ansamblit të këngëve dhe valleve “Deçani” -Deçan,
ndërsa Çmimi special i takoi-Shoqërisë Kulturore Artistike “Malësori” –
Prizren. Programi u drejtua me shije nga gazetari i njohur Llesh Nikolla dhe
grupi i tij.