Kulturë
Kadri Tarelli: Shkrimtarja Vilhelme Vranari-Haxhiraj si Herta Muler
E premte, 19.08.2022, 06:17 PM
SHKRIMTARJA SHQIPTARE VILHELME VRANARI-HAXHIRAJ, SI HERTA MULER
“Liria
në optikën e letrave të Vilhelme Vranari-Haxhiraj”
Studim
nga Prof. Dr. Fatmir Terziu
Nga
Kadri Tarelli
Para
pak ditësh, Fitim Haxhiraj më dërgoi nga Vlora, librin “LIRIA NË OPTIKËN E
LETRAVE TË VILHELME VRANARI-HAXHIRAJ”, shkruar nga studiuesi i mirënjohur Prof.
Dr. Fatmir Terziu. Vetë titulli i librit na kumton edhe përmbajtjen, ku fjala
“Liri”, në kuptimin më të gjerë, përshkon gati të gjithë krijimtarinë, (rreth
shtatëdhjetë libra) të shkrimtares dhe studiueses vlonjate Vilhelme Vranari-Haxhiraj,
ose “Vivra”, siç i pëlqen ta thërrasim shkurt. Ajo sot mban titullin “Mjeshtre
e madhe e penës”, njëkohësisht anëtare e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve
Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York, shtojmë këtu edhe me dhjetëra çmime
nderi, këtu në Shqipëri dhe nga disa vende të botës.
Që
në faqet e para, këndonjësi kupton se ky libër i “rëndë” është shkruar për një
lexues të zgjedhur dhe me nivel të lartë njohurish në fushën e letërsisë dhe kritikës
letrare, sepse nuk bëhet fjalë për një vepër thjesht letërsi, por për një
studim të mirëfilltë teorik-letrar, që më së paku kërkon ca njohuri bazë dhe një
fjalor të pasur. Duke u përpjekur të mos bëj gabim, mendoj se ky libër është i
vlefshëm jo vetëm për “Heroinën” tonë - Vivra, po veçanërisht për studentë dhe
pedagogë të fakulteteve të letërsisë, për ata që merren me kritikë letrare dhe,
detyrimisht për ata që zgjedhin të futen në thellësi të mendimit dhe vlerësimit
teorik, të veprës të çdo autori me vlera.
E
thënë shkurt, (nuk jam unë i pari që po e them), mendimi teorik kërkon studim të
thelluar edhe në përvojën botërore, qoftë e vjetër dhe, sidomos mendimi
bashkëkohor, siç ka bërë autor Terziu, gjatë shumë viteve punë, e pasqyruar më
së miri në këtë studim të thelluar. E gjitha kjo, sepse këtu bëhet fjalë për
vlerësim të nivelit të lartë të veprës në tërësinë e saj, duke gjetur e kapur
tema e tematika të veçanta e përgjithësuese, siç është konkretisht tema e
“Lirisë”, e zgjedhur nga autori, por e adhuruar dhe e shprehur shpirtërisht dhe
botërisht, nga znj. Vranari.
Krahasimi
mbase nuk shkon, por duhet thënë, se këtu nuk është fjala për hyrje, një
përshkrim, vlerësim apo recensë të një libri, ku për vetë kushtet “Liria” është
e kufizuar në kohë e hapësirë. Ndodh që, veç subjektivizmit të shkruesit, e
gjitha të përmblidhet, të ndrydhet e të shtrydhet në pak faqe, siç kam bërë unë
dhe shumë të tjerë, mes tyre pena të njohura e të rënda të letrave shqipe.
Nuk
janë pak, të gjithë do t’i gjeni në libër, ku emrat e secilit i përmend me
nderim vetë autor Terziu, i cili edhe vetë është marrë gjatë me krijimtarinë e
znj. Vivra, madje disa shkrime, janë krijime të mirëfillta letrare, të futura edhe
në këtë libër, të veçantë në sojin e vet, do ta pagëzoja unë, janë. Do të dëshiroj
të jem i gabuar, kur mendoj se mund të jetë i pari në llojin e tij, në letrat
shqipe. Të paktën unë nuk kam hasur tjetër.
Jam
plotësisht i bindur, se të gjithë këta autorë, sipas rastit e në kohë të
ndryshme, janë marrë seriozisht me krijime të pëlqyera, të kërkuara e të
dërguara nga znj. Vranari, duke bërë vlerësim dhe shprehur admirim për punën e
saj krijuese, disa herë në përmasa që i tejkalojnë fuqitë e një individi.
Them
dhe besoj se e vlen që dikush të merret edhe me këtë pasuri letrare, që të
përmblidhet në një libër, në atë që unë e quaj shpesh, si “Arka e kujtesës”.
Nuk
mund të vazhdoj më tej pa thënë që në fillim atë që ndjej, se mua dhe të gjithë
lexuesit që njohin sado pak krijimtarinë e znj. Vranari, na bën të ndjehemi mirë,
pse jo edhe të përkëdhelur, sepse autor Terziu, pa mëdyshje, mendon, analizon
dhe vlerëson vlonjaten tonë, duke e vendosur në vend nderi në letrat shqipe,
duke i dhënë një emër të madh. Gjykoni vetë këto pak fjalë: - “Nëse vepra e Vilhelme
Vranari-Haxhiraj do të ishte përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare,
atëherë bota do të njihte letërsinë dhe artin e saj tronditës. Veç pa frikë
mund të them, se proza e saj është e një niveli evropian dhe botëror. Unë mund
ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare V. Vranari si Herta Muleri, e cila fitoi
çmimin Nobel për letërsinë, 2009”.
Pa
u futur në të thellat e këtij studimi autoritar, librin do ta ndaja në dy pjesë,
jo nga sasia e faqeve që zënë, sepse të dyja janë shkrirë organikisht në një të
vetme, por nga përmbajtja, përvoja, studimi, vlerësimi dhe mendimi kritik e
filozofik:
Së pari, më duhet të
them se Prof. Dr. Terziu, është njohës i përkryer i të gjithë mendimit teorik
modern që mbizotëron sot në fushën e letrave nëpër botë. Jo vetëm kaq. Ai tashmë
është bërë pjesë e diskutimeve dhe krijimeve, si i barabartë mes të barabartëve.
– “Unë përdor “Dinamikë e kujtesës
kulturore”, jo vetëm duke iu referuar këtij koncepti fleksibël në tekste të
ndryshme letrare……”. Faqe. 19. -
Thotë Pof. Terziu, i cili më poshtë vazhdon: “Dinamika e kujtesës kulturore” në një tekst…unë e shoh si një efekt të
kujtesës….”. Faqe 19. Më tej: - “Përmes tezës sime, bëhet e qartë se vendi
siguron peizazhin, për një imagjinatë tjetër të përfaqësimit të lirisë dhe
identitetit…. Merrni për shembull Vlorën dhe Kaninën, ku lindi Vranari..”. Faqe. 21. Tezat e hedhura dhe i gjithë studimi, përbën një vlerë të shtuar
për autorin, për librin dhe “Heroinën” tonë Vivra, sepse tashmë edhe vepra e saj,
ka zënë vend në kritikën dhe vlerësimin teorik të kohës. Besoj nuk është pak….,
të futesh në kujtesën kulturore, jo për hatër, por me vlerat që shpalos!
Nuk
ka nevojë të jesh i vëmendshëm për ta ndjerë e kuptuar këtë, sepse në disa
kapituj, përfshi dhjetëra faqe libër, do të ndeshësh shumë emra personalitetesh,
që lëvrojnë kritikën dhe analizën teorike të krijuesve dhe shkrimtarëve të
ndryshëm, që kanë bërë emër dhe histori, disa edhe duke marrë çmime e vlerësime
nga institucione të ndryshme botërore. Autori jo pa qëllim i kushton një hapësirë
të gjerë rrahjes së mendimit teorik dhe mospajtimit të tyre, siç ndodh në
shumicën e herëve mes të mëdhenjve, mes kolosëve që përplasin brirët, duke
mbrojtur me zë të lartë, idetë dhe pikëpamjet.
Sa
për kënaqësi të leximit, po përmend kundërshtitë dhe përballjet mes Jean-Paul
Sartëre dhe kritikut kulturor Uellsian, Rajmond Williams, të cilëve autori i le goxha hapësirë.
Mos u habisni: Sartëre shprehet: - “Njeriu
është dënuar të jetë i lirë”. Pak më tej shton: - “Letërsia është një pakt midis një shkrimtari të lirë dhe një lexuesi
të lirë, një thirrje nga liria e njërit tek liria e tjetrit, për të
bashkëpunuar……”. Ndërsa Williams kundër-shprehet: - “Një shkrimtar nuk është i lirë dhe gjatë praktikës së tij e di se ai
nuk është i lirë”.
Pikërisht të tilla diskutime i duhen Prof. Dr. Fatmirit, për të thënë një të vërtetë që na
pëlqen: Se edhe Vivra jonë, e meriton një analizë dhe vlerësim teorik, praktik
dhe filozofik, në dritën e këtyre zhvillimeve. Mjaftojnë vetëm këto pak fjalë të
autorit, për të nxjerrë një përfundim logjik plotësisht të pranuar:
- “Ndërsa lexon
krijimtarinë e gjerë të Vilhelme Vranari-Haxhiraj, koha në funksionimin e saj
filozofik shkon përtej hapësirës dhe vendit……! Ai më pas vazhdon: - “Liria është liria për të ecur së bashku me këto përcaktime të
pjesshme, … ose për të sfiduar me vetëdije presionet e historisë dhe gjuhës,
dhe për të shtyrë deri në diçka të re”. Faqe 35.
Së dyti, Autori e njeh
mirë të gjithë veprën e znj. Vranari, kur thekson: – “Romanet, novelat, tregimet, poezitë, skicat, publicistika dhe
studimet, janë temat tradicionale për një diskutim të “Tranzicionit në
krijimtari”, të shkrimtares Vranari”. Faqe.
51. Në këtë hulli mendimi, ai vazhdon të na pikturojë portretin e
shkrimtares me ngjyrat më të mira të kohës, të krijimtarisë letrare pas viteve
90, pikërisht kohën e “Demokracisë”, kur
edhe znj. Vranari fillon të botoj pa u ndalur deri në ditët tona.
Pa
shumë fjalë, kështu përkufizohet vepra e Vranarit:
a. Tensioni midis
realitetit dhe artit e identifikon qartë veprën, pavarësisht nga përbërësit e
saj individual…..
b. Proza e
Vranarit duhet të kujtohet, i paraprin realizmit psikologjik….
c. Pra, duke
lexuar Vranarin në tërë aspektin krijues të saj, del qartë se “proza e jetës”
dhe “gjuha e prozës”, janë të lidhura ngushtë për shkrimtaren.
d. Nga ana
strukturore, Vranari në tërësi është një përfaqësuese e përsosur e konventave
didaktike…. Faqe. 52
Pas
gjithë këtyre vlerësimeve, autori në përfundim shpreh një gjykim të përsosur,
njëherazi të bukur e të magjishëm, duke na ftuar të shijojmë ëmbëlsinë dhe fuqinë
e fjalës së shkruar: - “Sidoqoftë, ndërsa
proza flet një gjuhë natyrore dhe është gjithëpërfshirëse, vetëm të shuguruarit
mund të arrijnë gjendjen e bekuar që sjell krijimtaria didaktike….”. Faqe. 53.
Në
këto kushte, autori e ka të lehtë të notojë në detin e trazuar dhe të gjejë
”lirinë”, në veprën e Vranarit, si temë madhore të këtij studimi, duke nxitur
edhe të tjerë punëtorë të letrave, të njihen me krijimtarinë e kësaj autoreje.
Këtu mund të zbulojnë, se vepra e saj është një minierë e pa shfrytëzuar për
studim të mirëfilltë kritik, shkencor dhe teorik.
Meqë
kam kaluar nëpër duar një pjesë të krijimtarisë së Vranarit, jam i bindur për
njohje te plotë e të hollësishëm nga autori, të veprës dhe vlerave gjuhësore,
letrare, njerëzore, qytetarë e atdhetare të Vivrës. Jo rrallë, duke ndjekur
krijimtarinë e Prof. Terziut, kam parë e lexuar shumë shkrime të publikuar në
shtyp, përfshi dhe portalet elektronike, kushtuar librave të saj. Këtu mund të përmend,
shkrimin:. “Një vepër shkencore e munguar në trajtesën dhe mënyrën e vet”, kushtuar librit “Autoktonia e Shqipërisë Jugore. Enigma e shekujve”. Vetë zgjedhja e
këtij titulli, nga Dr. Fatmiri, përcakton edhe përmbajtjen e shkrimit, që të
shtyn të mendosh e të shprehesh me shumë vërtetësi e plot dhimbje, sepse hap
plagët e një problemi të pa zgjidhur kombëtar, si në tërësinë e truallit
arbëror të ndarë në pesë shtete, në shtrembërimin e historisë dhe për t’u
ndalur në qëndrimet politike, që fatkeqësisht çalojnë nga këmbët, por jo nga
duart e nga gjuha.
Për
kënaqësi po përmend titujt e disa shkrimeve: “Pas një botimi ndryshe”,
kushtuar librit “Pa limit”. Esse-publicistikë.
Ose “Romane psiko-sociale”, kushtuar
librit trilogji: “Vështroni Meduzën”.
Po këtu: ”Dritëhijet e së vërtetës”,
kushtuar romanit: “Ankthi i të
vërtetës”. Faqe. 109. Ndërsa për
romanin “Rikthimi i Ismail Qemalit”,
autori shkruan me nerv të ngritur: “Romani
i shkrimtares Vilhelme Vranari-Haxhiraj është përkushtim. Përkushtim dhe
dedikim, sa identitar aq edhe dedikues për krenarinë kombëtare. Ndryshe këtë
vepër do ta quaja ”E mnguara në letrat shqipe”. Besoj se ky është vlerësim
tepër i çmuar, që meriton përshëndetje.
Ndërsa
i gjithë libri të mban lidhur me kritikën dhe analizën teorike, ka disa shkrime
që sjellin puhi dhe freski Vlore, me cikërrima jete dhe ndjesi e frymëzim
poezie. Nuk më rrihet pa i ngacmuar pak fletët dhe titujt: “Vlora pranë librit të Vranarit”, ku shkruan: “Shkrimtari qëllon në shenjë…. - “Të njoha, të njoha….. Je Fatmir Terziu.
Ah, keni ardhur për atë përurimin nesër?”. Pyes! Çfarë do të mendojë
cilitdo lexues, kur t’i pëlqejnë këto fjalë, që përcillen përmes shkrimit, “Poema që lind si një poezi”? Ku
shkruhet: “Kjo është një shkresë që vjen
vetvetiu nga fjala e mbirë dhe e korrur
në të prushtën e Kaninës, në të mushtin e Vlorës, në të kthjelltën e
Adriatikut, në të zhurmtën e tërësisë, që i qaset sa vendasit aq edhe mikut”.
Nuk
mund të vazhdoj kështu, pasi më duhet të citoj të gjithë librin. Veç në mbyllje
më duhet të ndalem pak, sepse Prof. Dr. Terziu, thotë qetësisht: - “Ajo i bëri disa shërbime të rëndësishme
letërsisë shqipe”. Ndërsa unë e kam në majë të gjuhës pyetjen, ku dhe si?
Pikërisht këtu në libër gjej edhe përgjigjen:
. Së pari, prishi
hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh
mediokre nga kritika e orientuar politikisht.
. Së dyti, solli një
pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës, gjuhës, duke prishur uniformitetin
e një letërsie standarde, gati 50-vjeçare.
. Së treti, ajo shndërroi
në letërsi,m vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga
themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë.
. Dhe më shumë….! Proza e saj ka përmasat e një drame global.
Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit. … Proza e
saj është e nivelit Europian dhe botëror. Faqe. 149.
Këtyre
fjalëve të thëna shqip dhe botërisht për Vranarin, unë dua t’i shtoj: Edhe ju
prof. Dr. Fatmir Terziu, me këtë libër i keni bërë shërbime të rëndësishme letërsisë
dhe kulturës shqiptare, duke i ngritur Vivras një “Përmendore” përjetësie,
sepse e hoqët nga lista e “Elitave të mohuara”, si plagë e pa mbyllur e kombit
dhe e vendosët në Panteonin e letrave shqipe. Besoj se autorit dhe “Heroinës”, i
shkojnë përshtat fjalët e shkrimtarit e dijetarit Viktor Hygo, i
cili diku thotë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e
ardhmja u ngre statujën”.
Më
falet nëse e tejkaloj dëshirën, për ta parë këtë libër në tavolinën e punës të
pedagogëve, në çantat e librave të studentëve, në bibliotekat e shkollave dhe të
çdo familjeje. Vlerat kombëtare, siç është vepra e znj. Vranari, janë krenari dhe
pasuri e kombit.
Urime
prof. Dr. Fatmir Terziu! Suksese në punën tuaj krijuese! Mirënjohje për këtë
vepër “Monument” për shkrimtaren shqiptare Vilhelme Vranari-Haxhiraj, bijë
Vlore, rrënjë Kanine.
Kadri Tarelli
Durrës. Mes Gushti,
2022.