| E enjte, 18.08.2022, 06:08 PM |
Një dokument historik me shumë ndjesi dhe atdhedashuri
Nga
Driton Gashi
Gjimnazistja
e re Basrie Murati nuk e kishte të lehtë jetën e saj në Kosovën e viteve
tetëdhjetë. Duke u rritur në një ambient rural dhe me pritshmëri tradicionale
nga vajzat dhe gratë, me fuqinë dhe këmbëngulsinë e saj ajo ia doli t'ju
rezistojë atyre dhe t'u qëndrojë besnike parimeve të saja mbi jetën dhe
vizioneve për një të ardhme më të mirë. Basria vazhdoi me shumë zell e vullnet
shkollimin e mesëm, duke e artikuluar edhe mendimin e saj pa aspak frikë dhe me
shumë vetëbesim, edhe pse ai mund të kishte shumë pasoja nga autoritetet,
qofshin ato familjare ose institucione shtetërore të asaj kohe. Ajo nuk fliste
shumë për emancipimin e vajzave dhe grave si ide, por e zbatonte atë si e re në
praktikë dhe në raportet me njerëz tjerë.
Angazhimi
dhe aktiviteti politik në Kosovën e viteve tetëdhjetë, më konkretisht pas
demonstratave të studentëve në vitin 1981, jo që ishte vështirësuar shumë nga
organet e atëhershme të sigurimit, por kishte si rrjedhojë edhe burgosjen dhe
dënimin me shumë vite të aktivistëve, si dhe përndjekjen dhe përgjimin e gjithë
familjarëve tjerë. Rrethanat ishin bërë shumë të papërshtatshme për të ngritur
zërin kundër padrejtësive që ju bëheshin atëbotë shqiptarëve të Kosovë, andaj
te popullata mbretëronte frika dhe pasiguria se çfarë do ndodhte pas heqjes së
autonomisë në vitin 1989. Presioni dhe terrori nga Serbia millosheviqiane dhe
nacionaliste vinte e shtohej më tepër, andaj protestat që u mbajtën qysh në
vitin 1988 në shumë qytete të Kosovës, duke vazhduar me grevën e minatorëve të
Trepçës dhe të minierave tjera ishin reagimi i parë popullor ndaj këtyre
ndryshimeve aq bazike në jetën, mirëqenien dhe sigurinë e shqiptarëve në
Kosovë. Kjo kryengritje u intenzivua edhe më shumë në pranverën e vitit 1989,
ku u angazhuan shumë të rinj e të reja nga e gjithë Kosova, në mesin e tyre
edhe Basrie Murati nga Llapashtica e Podujevës.
Në
pjesën e parë të librit të saj autobiografik në gjuhën gjermane „Bleibende
Spuren“ (Gjurmë që mbesin), autorja shpalos kujtimet e saja si aktiviste për
lirinë e Kosovës dhe përmbledh shënimet nga ditari personal, duke na marrë me
vete ne lexuesve në një periudhë shumë të vështirë në historinë jo aq të
vjetër, por vendimtare për zhvillimet e mëtejme dhe udhërrëfyese në politikën
dhe shoqërinë kosovare. Me shumë dashuri ndaj vendit të saj Kosovës dhe lirisë
së saj, Shqipërisë, krahinës së Llapit, letërsisë shqiptare, arsimimit të
mirëfilltë, këngëve të bukura atdhetare dhe popullore, familjes, shoqeve e
kështu me radhë, Basria rrëfen me një origjinalitet dhe përpikshmëri të paparë
të gjitha rrethanat politike e shoqërore të asaj kohe dhe i ofron lexuesit
gjerman një dokument të gjallë dhe të dorës së parë për padrejtësitë,
përjashtimin, diskriminin etnik dhe politik ndaj neve shqiptarëve të Kosovës
nga ana e shtetit të atëhershëm jugosllav. Poashtu me shumë detaje të
rëndësishme autorja sqaron se si janë formuar dhe si kanë vepruar grupet
ilegale për Republikën e Kosovës në atë kohë. Duke qenë në çdo kohë të
rrezikuar nga arrestimi dhe dhuna policore serbe, grupet ilegale ia dilnin
mbanë të ndihmonin njëri-tjetrin, të fsheheshin nëpër familje tjera në gjithë
rajonin e Llapit dhe të organizonin në kushte shumë të pavolitshme edhe
demonstrata në Podujevë dhe në vende tjera.
Autorja
potencon këtu edhe ndihmën, mikpritjen bujare dhe sakrificën e shumë familjeve
tjera, të cilat i kanë bërë konak asaj dhe shokëve tjerë gjatë periudhës kur
ajo ishte në arrati.
Në
pamundësi për të vazhduar jetën dhe angazhimin në ilegalitet dhe duke mos
dashur t'a rrezikojë familjen e saj, ajo
emigron si refugjate në Zvicër.
Pjesa
e dytë e librit i dedikohet kohës në Zvicër, për të cilën Basrie Murati
shpresonte të mos zgjaste shumë, por, si kanë fatin edhe shumë mërgimtarë tjerë
në gjithë botën, ajo akoma vazhdon jetën në shtet të huaj. Me shumë mall për
familjen, shoqërinë, dhimbjen për familjarët e rënë në luftë, Kosovën dhe
gjithçka të dashur që la pas, autorja rrëfen me shumë emocione vitet e para të
vështira në Zvicër si refugjate, duke u ballafaquar me një gjuhë të re, kulturë
dhe mentalitet të ri dhe sfidat që duhet përballuar. Me shumë dashamirësi ajo i
përshkruan bukuritë e rralla natyrore zvicerane, rregullin, kulturën ndaj
punës, përpikshmërinë e shumë virtyte tjera të vendit të ri. Edhe njerëzit e
dashur që i ka takuar gjatë rrugëtimit të saj, ajo nuk i ka harruar kurrë dhe
ju falënderohet për mbështetjen emocionale dhe praktike që i ofruan.
Por
edhe disa përjetime jo të mira, sjellje të vrazhda dhe joshoqërore të
punëdhënësve dhe kolegëve ndaj saj, Basrie Murati i përmend dhe nuk i relativon,
pasi që në atë kohë ajo dhe shumë mërgimtarë tjerë u ballafaquan edhe me
racizëm të hapur dhe me një frymë përjashtuese shoqërore.
Duke
i analizuar ndikimet kulturore që i kemi ne nga kultura shqiptare e të cilat
nganjëherë bien në kundërshtim me pritshmëritë e vendeve më të zhvilluara në
perëndim, autorja vjen në konkluzion se jeta me dy kultura prapseprapë është
pasuri dhe vlerë e shumëfishtë, megjithë problemet që mund të dalin.
Duke
i përballuar vështirësitë e përditshme, autorja ia del të integrohet në vendin
e ri, të mësojë gjuhën gjermane në nivel shumë të lartë, të avansohet
profesionalisht në fushën e mjekësisë dhe sot është vetë përkthyese zyrtare dhe
publiciste për media zvicrane.
Librin
e lexova me një frymë, me shumë emocione e mall për ato kohë, kur ideali për
Kosovën e lirë na bashkonte të gjithëve, pavarësisht gjendjes materiale dhe
shoqërore që kishim. Mësova shumë gjëra, të cilat nuk i kam ditur, ose kam
pasur njohuri shumë sipërfaqësore për to. Basrie Murati e përshkruan kontekstin
politik me aq detaje dhe ndjesi, sa që edhe për gjeneratat e reja do ishte
shumë i kapshëm dhe shumë me rëndësi ballafaqimi me këtë dokument me rëndësi të
madhe kombëtare dhe historike.
Autores
i uroj shumë shëndet dhe suksese të mëtejme!
Përgëzime
për librin e veçantë dhe respekt për kontributin madhështor dhe sakrificën e
saj dhe të gjithë familjes për lirinë e Kosovës!
Driton Gashi
Gjermani
gusht 2022