Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Kosova politike pa vizion politik

| E marte, 02.08.2022, 07:54 PM |


Ndue Ukaj:

Vendi ynë i vogël, me probleme të shumta e të trashëguara historike, në vitet e 90-ta kishte një lider të madh, Ibrahim Rugovën - dhe ai e bëri Kosovën të madhe - në fushën e politikës dhe të kulturës. Sepse, ai ishte i mençur, i vërtetë dhe kurrë s'krijonte armiq. Ai udhëhiqej nga ideale të mëdha dhe s’merrej me cikërrima, s’urrente askë, por e donte vendin e vet, njerëzit e tij. Me vizion të palëkundur, me besim e dije, airriti ta vendosi Kosovën në hartën botërore, duke përfituar simpatinë e krejt botës demokratike.

Kurse sot, liderët e vegjël, e kanë përmbysë këtë sukses dhe Kosova mjerisht ka humbë pozicionin e fortë që kishte dikur: s’mirëkuptohet për shumë tema, sidomos për ato që lidhen me raportet problematike dhe të hapura me Serbinë.

Sepse, vërtet s'ekziston asnjë arsye që Institucionet e Kosovës të mos besojnë tek aleatët perëndimorë.

Sepse, që tri dekada, së bashku me ta, kemi fituar secilën betejë me Serbinë dhe ky fakt duhet të formësojë politikën tonë shtetërore, si kulturë dhe filozofi politike.

E, të mohosh këtë fakt, domethënë të jesh inferior dhe i frustruar - më e keqja - domethënë të përbuzësh vuajtjet e mëdha që kemi kaluar, kauzën dhe sakrificën ndër vite, luftën e viktimat, dhe po ashtu, përkrahjen e jashtëzakonshme që perëndimi i ka dhënë vendit tonë ndër vite.

Kosova politike sot sillet e trullosur, e frustruar dhe pa vizion politik dhe kjo gjendje po i habit aleatët tanë, të cilët s' po e mirëkuptojnë mllefin dhe jo racionalitetin politik të Institucioneve të Kosovës, mllef ky që po përkthehet me veprime krejtësisht jo racionale politike.

Sa herë ka kriza politike, duhet t'i kthehemi historisë, e cila gjithmonë mëson, dhe prej saj mësojmë se dialogu është thelbi i demokracisë, sepse siç thotë nobelisti Octavio Paz, "demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e paqes."

Kosova i ka hapë këto porta me besim, vizion e miq. Sot, ajo ka nevojë si për oksigjen për këto vlera, sepse s’janë dosido vlera, pa të cilat edhe mund të jetohet.

Nëse e bjerrim rrugën që ka trasuar Rugova, jam fort i bindur s'do të fitojmë asgjë, humbjet ndërkaq mund t'i kemi fatale.