| E diele, 31.07.2022, 06:37 PM |
PËRSIATJE PËR VETMINË OSE NGROHTËSIA QË TË KRIJON NË SHPIRT GJUHA POETIKE
Mbi
librin me sonete “Hire të vetmisë. Përsiatje poetike” të Anton Nikë Berishës.
Botoi Argeta LMG, Tiranë 2022
Nga
Timo Mërkuri
I- Në
letërsinë shqipe “soneti” (tingëllima) është shfaqur në periudhën e Rilindjes,
si ndikim kryesisht i letërsisë italiane me krijimet e Pjetër Zarishtit, Nue
Bytyçit, Leonard De Martino, Filip Shiroka, Zef Serembe, Gjergj Fishta, Llazër
Shantoja, Ernest Koliqi etj. duke marrë një përmasë të lartësuar me Ndre Mjedën
në tre poemat e tij sonetike (tingëllimat) “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”.
Madje Ndre Mjeda ka përdorur vargun njëmbëdhjetë rrokësh, varg i quajtur tipik
italian, por që dalë prej penës së tij ka një elegancë dhe tingëllimë të
pashoqe shqiptare.
Të shkruarit “sonete” “kërkon një përvojë poetike të një
niveli të arrirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën
e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik”, por veç vështirësive të
krijimit, “sonetet” kërkojnë edhe një lexues të kualifikuar, lexues që nuk
mjaftohet vetëm me leximin e vargjeve, por synon përjetimin e tyre. Ndoshta
pikërisht kjo vështirësi e dyfishtë ka sjellë edhe mungesën e dukshme të
lëvrimit të soneteve në poezinë bashkëkohore.
II- Pikërisht
në këtë kohë mungese, kur gati po harrohet shija e lartë artistike e “soneteve”
krijuesi i shumanshëm Anton Nikë Berisha befason duke botuar te Shtëpia Botuese
“Argeta LMG” (Tiranë 2022) veprën me sonete “Hire të vetmisë – Përsiatje
poetike”.
Pas vëllimit “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes”
autori ka dëshiruar të shprehet poetikisht, si gjithmonë me një stil të veçantë
poetik në një nivel të lartë artistik, por pa iu larguar vetvetes. “[..] Është
një lloj vazhdimi, një lloj ballafaqimi me veten e me të tjerët, do shprehej
Martin Camaj” ... më thotë autori në një bashkëbisedim telefonik. Niveli i tij
krijues, i dëshmuar në një sërë veprash letrare e studimore, arti poetik me të
cilin ka krijuar librat “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” kanë dëshmuar
për talentin e tij poetik dhe frymëzimin thellësor, i cili edhe këtë herë i ka
përballuar denjësisht vështirësinë e krijimit të “soneteve”, duke na dhënë 35
krijime me vlerë që hapin një faqe të re dhe tepër interesante në letërsinë
shqipe. Me këtë vepër mbushet njëkohësisht dhe një boshësi në letërsinë tonë
bashkëkohore.
Do të thosha se ky vëllim poetik i ri i Anton Nikë
Berishës nuk është një “trëndafil në gotë” që zbukuron studion e autorit, por
është një trëndafilishte e vogël, ku porsa kanë çelur 35 trëndafila të rinj në
“lulishten e poezisë shqiptare” që përhapin aromën e rinisë së tyre.
III- Ka
edhe një anë tjetër interesante ky libër: ndërsa Petrarka i shkroi “sonetet” me
adresim dashurie, Shekspiri ia adresoi si këshilla një djali të ri, Rilindësit
tanë ia kushtuan atdhedashurisë dhe lirisë, Anton Nikë Berisha këto 35 sonete
ia adreson filozofikisht ndjenjës (Hireve) të ...”Vetmisë”.
“Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm ose
një shpëtim i mrekullueshëm”[..] citon autori Bernardo Bertoluçi-n
dhe Fabricio Karamanjan (Fabrizio Caramagna) kur shprehet metaforikisht: “[..] vetmia
është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjërin breg, një urë që s’del në
asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë”[..].
“Me pak fjalë - thotë Berisha në parathënie - vetmia
ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim, gjendje e veçantë
shpirtërore e mendore... Shprehet kryesisht në dy rrafshe kryesore: kur jemi vetëm
e kur jemi të vetmuar.
Vetmia
është vuajtje shpirtërore, dhembje; është brengë e pashuar, po dhe shpëtim,
prehje e pazëvendësueshme.”(f. 6).
E parë në këtë aspekt “vetmia” mund të quhet me të drejtë
si një “vetmi” krijuese, e nevojshme dhe e domosdoshme për njeriun (krijuesin)
që të qartësojë idetë dhe mendimet e tij, të hulumtojë brenda tyre për të
gjetur më të “bukurën”, më të “përsosurën”, për të admiruar dhe përjetësuar
“hiret” e tyre.
E bukura është një bashkim (unitet) dhe harmonizim
“hiresh” për shikimin dhe ndijimin e njeriut. Te një lule p.sh. ne admirojmë
hiret e formës sw petaleve, ngjyrës dhe aromës sw saj, tw raportit me pistilin,
ngjyrën, freskinë e petaleve,gjetheve, kërcellit etj. Që t’i përjetojmë këto
“hire” na duhet që të jemi në një gjendje “vetmie”, larg zhurmave e
shqetësimeve të tjera me qëllim që mendja jonë të përqendrohet tek ato, raporti
i tyre mes veti dhe njësimi i së tërës, pastaj ne t’i meditojmë dhe t’i
admirojmë ato.
Ndërkohë kemi edhe vetminë “gri”, vetminë e krijuar si
pasojë e braktisjes, e varfërisë, pafuqisë, sëmundjeve, moshës etj., vetmi që
kullon dhimbje e mjerim. Ka një varg te tingëllima e pestë që nis me fjalën: “Shtjellë”
(f. 21) ku mes tronditjes kujtojmë se shtjellat janë vorbulla uji (gjeratore)
ose vorbulla ajri (tornado), të cilat, thithin njeriun brenda tyre (si vetë
mjerimi) prej nga del në sipërfaqe nga
uji ose zbret në tokë nga tornado pa jetë, por edhe i shpërfytyruar.
Megjithatë edhe në këtë rast, ngjyrën “gri” të kësaj
vetmie poeti e përshkon me ngjyrën e bardhë të shpresës: “Shtjellë .../
lëvron si heje akulli të mprehtë/e nuk kursen ta akullsosh palcën/ .. /Plagë
stinësh që s’di të përmbyllet/po asnjëherë nuk e puth fundin”(f..
21).
“Shtjella” janë dhe mendimet e ndjenjat e njeriut në
vetmi apo të vetmuar që, megjithatë krijojnë tek ai imazhe shprese plot hire
për një të ardhmen pse “asnjëherë nuk e puth fundin”.
IV- Vetmia
nuk është një yll me dy kënde. Vetëm apo të “vetmuar” janë dhe yjet, por drita
e tyre del si shigjeta nga harku në formë rezesh nga gjitha drejtimet dhe vjen
drejt nesh me të gjithë skeptrin dritësor të tyre edhe shumë vite pasi ata janë
shuar.
E tillë është edhe poezia, drita e një ylli që udhëton
tej jetës së poetit në formë vargjesh, ku forca që kushtëzon kohëjetën e saj
është forca e talentit të tij, sepse poeti u jep dritë dhe brezave pasardhës.
Libri “Hiret e vetmisë” i Anton Nikë Berishës është një
vëllim poetik që kërkon vëmendje “vetmie” në lexim, kërkon meditim mbi secilin
varg për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në strofa katër dhe tre
vargje.
Sonetet e Anton Nikë Berishës janë të një shtrati
filozofik kur lexon vargje të tilla: “Yllësi e zhytur në vorbullën e
kureshtjes / si të veprohet më lehtë, sa më mirë, / me ngrohtësinë e vajzës
dehur nga epshi / kur e ndien të dashurin apo e ëndërron” (f. 33), “Ti e
ndez etjen për shtegtime të reja /edhe nëpër rrugët që shkojnë e nuk kthejnë” (f.
32), “me mendim i prek retë që stuhia i përkund” (f. 18), “Tis
brengash gërryese të vëna në lëvizje/si kallinj guri të pjekur ndër ara/kur i
shtyn era e përqafojnë njëri – tjetrin” (f. 21), “lule në brymë ku
ëndërrohet ngrohtësia/e rrezeve të diellit – ledhatim petalesh” (f. 21), “Zonjë e fisme që jeton përherë nga /joshja dhe kërkimi i
pafundësisë” (f.
42), “gjelbërim pranveror kur e pushton pyllin/e kur këngë e zogjve derdhet
hirplote” (f. 44), “zhytje në lumin Lete dhe pastrim/i ndërgjegjes ose
zhbërje e harresës”(f. 46) etj. dhe ky fakt përbën të veçantën e
krijimtarisë poetike të tij, që kërkon një përqendrim të madh në lexim dhe
kulturë leximi e mendimi, por ndërkohë ëmbëlsia e shprehjes së tyre, ngrohtësia
që të krijojnë në shpirt, gjuha poetike e vargjeve, rima dhe ritmi i soneteve
ta bëjnë të dukshme qenien e poezisë, siç dallohen në ujin e lumit malor copat e
floririt natyror që rrjedha i sjell me vete.
Thashë që vargjet janë në një shtrat filozofik, por
njëherit fjalët janë tepër të kuptueshme dhe ritmi i tyre nëpër vargje këndon
si “gjashtë bilbila”, duke u dhënë soneteve një muzikalitet tipik që është e
dallueshme te poezia e Anton Nikë Berishës. Figurat artistike në sonete nuk
janë “vazo” lulesh të vendosura në parvazin e fjalëve, por ashtu si harqet e
urave, që më shumë se stilizim estetik janë “struktura” që mbajnë në këmbë urën
( sonetin), duke e paraqitur të bukur ndërsa është e fortë.
V-
Anton Nikë Berisha ka botuar vetëm katër vepra me poezi, libra poetikë, por ai
ka ndjerë dhe përjetuar shumë poezi. Mjafton të lexosh parathëniet dhe shkrimet
e tij për librat poetikë dhe krijimtarinë e poetëve të ndryshëm, të shohësh
nivelin e tyre për t’u bindur për dijen dhe për botën e pasur poetike të
veprave të tij.
Në veprat e tij në prozë, herë - herë dhe në ata studimorë
ka shumë poezi (veças romani “Gjin Bardhela i Arbëresh” që është një simfoni
poetike), ndërkohë që në poezinë e tij nuk gjen fare vargje prozaike. Kjo do të
thotë se, para së gjithash, Anton Nikë Berisha është poet kur shkruan vepra
letrare dhe elegancën e artit poetik,
muzikalitetin dhe figuracionin e tij e përdor suksesshëm dhe në prozë. Prandaj
ka kaq shumë poezi në prozën e tij letrare. Njëkohësisht ai është edhe një
njohës i mirëfilltë i gjuhës shqipe dhe fjalët që ai shtjellon në tekste, kanë
ngjyrë, aromë dhe muzikalitet të mëvetësishme.
VI-
Leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i
japë hapësirë më të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi
e dritësi shumë-ngjyrëshe vështrimit tonë poetik.
Sarandë,
më Prill 2020-Gusht 2022