E shtune, 21.12.2024, 11:59 AM (GMT)

Mendime

Virion Graçi: Lopën ose gruan

E shtune, 20.12.2008, 02:30 PM


Lopën ose gruan

Nga Virion Graçi
 
Pas forumit të “Shekulli”-t dhe thirrjes së mjekëve për solidaritet

E parandiej nënqeshjen e pritshme që shkaktojnë tituj aspak patetikë si ky i shkrimit tim të sotëm, por, në fakt, ai vjen prejnjë kujtimi nga më të hidhurit që kam: në pazarin e Këlcyrës, një ditë pranvere takova dikë që më njihte si pedagog të vajzës së tij. Tërhiqte me litar një lopë dhe, pas përshëndetjeve hyrëse më tha me zemër në dorë: “do ta shes, kam gruan të sëmurë rëndë, e çoj në Tiranë muaj për muaj. E di që mund t’i humbas të dyja, por të nxjerr merakun tim të paktën, të mos më marrin inat as fëmijët“.

Kjo qe biseda me një viktimë të varfërisë e të shëndetësisë njëkohësisht, e cila m’u gjallërua në kujtesë porsa lexova forumin e “Shekulli”-t me mjekët, e më pas një thirrje të mjekëve për solidaritet e mirëkuptim me ta. (thirrja është nënshkruar nga personalitete të shkencave mjekësore, mjekë të shquar nga brezat e mëparshëm dhe nga të sotmit). Pa qenë pjesë e bashkësisë së tyre profesionale, edhe unëe mbështes atë thirrje pa rezerva. Por, njëkohësisht më lind e drejta për t’i parë palët mjekë-pacientë veç e veç dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Cilët janë mjekët? Nuk është e tepërt të pyesim për mjekët, në një kohë kur ata janë të përfolur për mitmarrje; të dalluar për pasuri të mëdha nga puna në spitale shtetërorë; nuk është e tepërt të pyesim kur ata janë të sulmuar fizikisht, të plagosur, të marrë nëpër këmbë nga opinioni i kafeneve etj., etj. Mjekët, për aq sa njoh unë, janë pjesa më e shkolluar dhe më e kualifikuar që ka pasur dhe ka Shqipëria. Ata, në pjesën më të madhe e më përfaqësuese nuk e kanë kaluar e nuk e kanë ndier izolimin kulturor e arsimor komunist; përkundrazi, janë çuar me studime dhe specializime në vendet më të zhvilluara dhe në universitete perëndimore të kategorive të larta. Shumë nga mjekët që trashëguam nga sistemi i mëparshëm, për nga kultura e përgjithshme, letërsi, filozofi, muzikë,… etj., mund të jenë edhe më të kultivuar se profesionistët përkatës të këtyre fushave.

Cilët janë pacientët? Të gjithë ne: të shkolluar e të pashkolluar; njerëz normalë e njerëz anormalë; biznesmenë ose të papunë; fshatarë të këputur ose pleq të vetmuar, pa fëmijë e pa pensione; të gjitha shtresat, të gjithë tipat dhe prototipat socialë përplasen te mjeku. E pikërisht nga përplasja, nga marrëdhënia lind konflikti, pakënaqësia, revolta, agresiviteti, akuza e drejtë dhe thashethemnaja. Kështu, vëmendja jonë që prej përvojës përkatëse japim gjykime sikurse dhe vëmendja e atyre që e kanë për detyrë të hartojnë e të mbikëqyrin zbatimin e politikave në shëndetësi, duhet të përqendrohet te sistemi shëndetësor, te spitalet, te shërbimi atje, te praktikat ditore të punës.

Në spitalet tona nuk ke asnjë shërbim po nuk pagove nën dorë. Edhe të futesh me makinë me të sëmurin paguan nën dorë; edhe të kalosh portën e spitalit paguan; edhe të gjesh një dhomë për të sëmurin paguan nën dorë; edhe të gjesh një shtrat për të sëmurin të duhet të paguash nën dorë; edhe të të sjellin pak ujë të ngrohtë t’i lash fytyrën të afërmit tënd paguan nën dorë; pasi ke paguar për gjithçka, do të jesh vetë roje nate te koka e shtratit, vetë kuzhinier, vetë infermier, vetë pastrues e vetë përmbarues kur i sëmuri jep shpirt në duart e tua. Kam qindra prova, sikurse çdo lexues i këtyre radhëve. Para një viti, një mik i familjes sime, ish-nëpunës i rëndësishëm në presidencën e z. Mejdani, kish në krah një shok fëmijërie e shkolle, mjek i ardhur enkas si mik që t’i gjente një shtrat ku të kuronte veshkat në spital (?!?). Në komisionet rajonalë të invaliditetit nuk ta jep kush firmën në dosjen përkatëse po nuk pagove nën dorë, pothuajse aq sa do të përfitosh gjatë gjithë vitit, sa të ridalësh për vit të ri në komisionin e famshëm e të analizohesh përsëri nga…xhepat, nga kuleta. Në spitalin shtetëror mjeku hyn në dhomë si një skifter grabitqar në qymezin e pulave; përshëndet vetëm myshteriun (sponsorin) e tij, për të tjerët nuk ka asnjë “mirëdita”, asnjë “mirëmëngjes”, asnjë fjalë goje: “si jeni?” Mjeku në spitalet tona nuk bën për të sëmurin e “panjohur” as atë që çdo mjek në kushte lufte e ka për detyrë ta bëjë edhe për ushtarin e plagosur armik: ndihma e parë. E, pas kësaj, a kanë kuptim fjalët “respekt”, “mjekësi”, “humanizëm”, “kulturë”, “gjakftohtësi”?

Falë rrethanave oportune, në cilat kam jetuar, kam qenë dhe jam prej dekadash familje buxhetorësh, pra, detyrimisht kam paguar në arkën e shtetit miliona lekë sigurime shëndetësore. E prej këtyre milionave që më janë mbajtur e po më mbahen në progresion, nuk më është kthyer në formë shërbimi a respekti formal asnjë qindarkë e vetme. Atëherë, në cilin krah të qëndroj, nga ana e sistemit që të lë të vdesësh te dera e spitalit, apo nga ana e anarkistëve që humbasin kontrollin e shkaktojnë rrëmujë e plagosje?! Doemos: me asnjërën palë, kundër të dyve.

Kryeministri i sotëm, një nga mjekët më të mirë që ka pasur Shqipëria, ka deklaruar në një rast (kur flitej për arsimin në mos gaboj), në formë prognoze a justifikimi se, në garën midis privatit dhe shërbimit publik, do të fitojë shërbimi privat. Kjo deklaratë mund të pranohet vetëm në kohën e tashme për sinqeritetin që ka, por jo si program pune për kohën e ardhme. Shteti, nëpërmjet drejtuesve të tij më të lartë është dhe duhet të jetë garant i suksesit dhe i mbarëvajtjes në sektorin publik, sipërmarrja private ka “qeverinë” dhe ligjet e saj vetërregulluese. Kështu, jashtë çdo tundimi për t’i parë gjërat me nihilizëm ose vetëm bardh e zi, na mbetet të pranojmë me ndershmëri atë që vetë e kemi vuajtur e hequr në veten tonë me dhjetëra herë: sektori i shërbimit shëndetësor te ne, është sektori publik me sëmundjen më të keqe, me një nivel të papërfytyrueshëm të tjetërsimit e të kriminalizimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora