E merkure, 13.11.2024, 06:20 AM (GMT)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Trajtimi i bukurisë në kohë pandemie

E hene, 04.07.2022, 06:35 PM


BOTIM I RI:

TRAJTIMI I BUKURISË NË KOHË PANDEMIE

Remzi Limani, "55 LETRA NGA KARANTINA", prozë poetike, botoi Shtëpia botues "ARSA", Prishtinë 2022, libri ka 130 faqe; format xhepi. ISBN 978-9951-724-10-4

Shkruan: Shefqet DIBRANI

PROLOG

Libri “55 LETRA NGA KARANTINA”, është shkruar në Prishtinë, në një kohë të pa frymë, kur për shkak të pandemisë globale kishte mbyllje të detyrueshme me vendime shtetërore sipas porosisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo ditëzezë kishte prekur gjithë botën, gjë që gjendja bëhej edhe më alarmante. Në anën tjetër, mbyllja kishte të bënte me një proces psikologjik nëpër të cilin po sprovohej shoqëria njerëzore, prandaj libri “55 LETRA NGA KARANTINA”, ka të bëj edhe me anën psikologjike e ndërlidhur me procesin e imagjinatës, dhe falë intuitës së autorit, e keqja kthehet në të bukurën, shqetësimi në inkurajim, zymtësia në inspirim, dështimi në perspektivë, ku të gjitha këto elemente, estetikisht janë zbukuruar me nocionin mbi dashurinë, një lloj balsami për ta sfiduar të keqen me të mirën e shtrirë nëpër letra dashurie.

Rrëfejzat janë pa titull tematik, thjesht janë radhitur si letra klasike, të cilat autori ia drejton të dashurës duke shprehur frikën për rrezikun e qenies njerëzore nga një armik i padukshëm i cili merrte këdo dhe kurdo, në secilën kohë dhe në secilën moshë. E vetmja dukje që shihej, ishin autoambulancat, e për të bërë trishtimin edhe më të trishtuar ndeznin fishkëllimat për të dhënë alarm, për fundin e dikujt?!... Përveç gjendjes shqetësuese, shqetësonin edhe statistikat ditore të cilat jepnin televizionet që krijonin frikë të vazhdueshme. Po ashtu, edhe rrjetet sociale frikën e shpërndanin me të madhe, sidomos lajmet konspirative të pakontrolluara.

RRËFIMI IMAGJINAR NË KOHË REALE

Letrat e Remzi Limanit, janë rrëfime imagjinare për një gjendje reale, kështuqë autori ka gjetur mënyrën për interpretim të mendimit filozofik e psikologjik për të arritur tek qëllimi, dhe përmes këtyre letrave ka shprehur mendimin etik për situatën e paprovuar deri më tani. Kështu, duke rrëfyer përmes Vetës së Tretë Njejës, ose në emër të asaj vete, ka ndërtuar mozaikun psikologjik të gjendjes e cila nëpërmes këtyre letrave rishfaqet mjaft e kompletuar. Në anën tjetër, vëmendja është bartur tek përjetimi real i dashurisë e shprehur më qartë në Letrën nr. 30: “Unë nuk e di, me çfarë të mburrem: me bukurinë tënde të çmendur, apo me çmendurinë tënde të puthshme, çmenduri veçane me një rrotullim sysh të mbushur plot verë”. Ky fragment mjaftueshëm e shtjellon botëkuptimin psikologjik mbi krizën e ngujimit, ku përmes dashurisë është evituar frika, pasi vëmendja është fokusuar në dromca erotike, nëpërmes të të cilave fuqizohet edhe më tej motivi mbi dashurinë, qoftë edhe vetëm si metaforë, kjo prozë poetike është realizim i shkëlqyeshëm.

Sado imagjinare, letrat rrëfejnë të vërtetën shpirtërore ndodhur në rreth të mbyllur dhe në një krizë të madhe sociale. Pra, nga kjo gjendje e pafrymë mund të dal vetëm imagjinata e shkrimtarit i cili di të menaxhojë me kohën duke e shndërruar në vlera dashurie.

Nga kjo shihet se autori, gjithmonë e gjithëherë ka gjetur pikënisje për të zhvilluar idenë e përgjithshme, dhe këto letra, aq sa janë shkruar thjeshtësisht po aq thellësisht e fuqizojnë motivin mbi dashurinë duke materializuar edhe kuptimin e rastësisë së qëllimshme. Në anën tjetër, për aq sa e njoh krijimtarinë e Remzi Limanit, ai pra, asgjë nuk ia lë rastësisë në të shkruar, pra, as në kohë pandemie. Çdo fjalë e shqiptuar dhe çdo shkronjë e shkruar përmbajnë mesazh mëvete. Pra, kur këto mesazhe në fokus kanë dashurinë, atëherë interpretohen duke e përjetuar përherë dritën e përspektivës dhe gjallërisë.

PRANIMI I PROCESIT TË NGUJIMIT

Në rrethana të karantimit, qëllimi është për ta pranuar procesin e ngujimit dhe për të mos rënë në grackën e çrregullimeve depresive, atë duhet sa më parë ta kuptojmë, “rolin e mbylljes”, sepse, “të ngujuarit bëhët pjesëmarrje në luftimin e së keqes”, kurse e keqja do ta zbehte mendimin e shëndoshë dhe do të ndikonte në imunitetin shëndetësor dhe dorëzimi do të ishte fatal. Trajtimi i një teme filozofike që ka edhe aspekte psikologjike - por më shumë dashuri të shprehur është afinitet i shkrimtarit, është gjetje ideale për ta fisnikëruar mendimin krijues, veçmas për të kuptuar rëndësinë e mbylljes...

Ky mendim meditativ, ka synim për të frenuar të keqen për të mos hyrë në mendjen e individit. Lufta për ruajtjen e shëndetit mendor është një aspiratë krijuese e cila ka të bëjë me vetëkontrollin emocional për të dalë sa më shëndetshëm, duke i flakur pasojat e mundshme nga ngujimi i detyrueshëm, ngujim të cilin e kërkonte Organizata Botërore e Shëndetësisë. Dihet pra, se në nivelin botërorë, kjo organizatë dhe as qeveritë e shteteve më të zhvilluara nuk kishin arritur për ta parapërgatitur shoqërinë për ngujimin që i priste. Prandaj, në masë të caktuar, kjo gjendje misterioze ka ndikuar në shëndetin psikik dhe shfaqjeve të probleme psikologjike të mbarë shoqërisë. Ndaj, kjo gjendje, pa dyshim ishte mision i autorit të këtij libri, i cili tjerrte kohën duke shkruar letra nga karantina, për tua qartësuar edhe të tjerëve se jeta duhej vazhduar. Pra, qëllimi fisnik i autorit duket të ketë qenë përpejekja për të dalë sa më shëndetshëm nga izolimi, pasi shëndeti mendor është primar për shoqërinë njerëzore, i cili bashkë me atë fizik janë të domosdoshëm për t’iu rikthyer jetës normale.

Rrethi abstratk mund të ndikoj në gjendjen e shëndetit mendor, në psikiken e njeriut, atëherë kur të ngujuarit përjetojnë ndjenjën e së keqes, veçmas kur morti mbretron mbi qytet dhe në anën tjetër mediat bënin punë kuturu me informatcione kontradiktore rreth Covid-19. Pikërisht në këto rrethana, autori bënte thirrje për t’iu kthyer dashurisë dhe përmes saj të kthehet vetëbesimi i cili mund të arrihej vetëm duke imagjinuar të bukurën brenda rrethit të dritës së mendjës, që duket të ketë qenë përcaktimi më fatlum për të dalë nga trysnia e një momenti psikologjik. Tani, këto letra, në situatë karantinimi bëhën ndikues në përmirësimin e shpirtit dhe mendjes së lënduar, dhe shi për këtë, ndeshim krahasime të bukura vetëm për të tejkaluar krizën e ngujimit të detyrueshëm, duke iu shmangur rrezikut nga ndonjë çrregullim i papritur dhe për këtë autori këmbëngulë për më shumë hare, dhe këngë dashurish, të cilat e largojnë tisin e një mjegulle të zezë e ramë mbi qytetin e shtrirë mbi Dardani. Thellësia e përjetimit nëpër këto letra, është një psikoanalizë e thelluar, ose të paktën, është një njohje e thelluar e mendimit intelektual mbi etninë, zakonet dhe mentalitetin e shoqërisë. Ky mision i autorit, për t’i dhënë jetës motivin e duhur, është produkt i vetëdijes intelektuale dhe i muzës krijuese për ta futur vetëdijen në shërbim të së bukurës, të cilën autori i letrave e pikturon porsi një peizazh, sepse shkrimtari në fjalë, parësisht është artist figurativ, i cili të bukurën e nxjerrë në një kreacion artistik me një pamje gruaje plot bollëk lakmie të një hyjneshe veçane...

Së këndejmi, motivi i dashurisë dhe i së bukurës nëpër këto letra, është kompleks që determinon zhvillimin e procesit në funksion të interesit të përgjithshëm shoqëror: “Dashuria dhe bukuria janë fenomene të faktueshme dhe të pafundme në këtë kohë, ku vetëm tok së bashku, kompleksitetin e pakuptueshmërisë mund ta konvertojmë në të kuptueshmën, e cila shndërrohet në botëkuptim filozofik, emocional, psikologjik dhe social të një momenti kritik”, (Letra nr. 46). Si duket, ngujimi apo me gjuhën e mjekësisë karantinimi ka ndikuar për këtë imazh të mirë, dhe falë dashurisë për njeri – tjetrin, mund të mëkohej shpirti i njeriut. Në këso rastesh, duhej agjituar për të zgjuar ndjenjën e humanitetit për të dashurit tanë, të cilët ishin në kriza të thella, jo aq mendore sa ballafaqimi me vështirësitë që i solli Covid-19, virus ky që i sfidojë arritjet në mjekësi dhe në shkencat humane, duke mos e përjashtuar as industrinë mediatike të cilat u gjeten të papërgatitura, prandaj në një moment të tillë edhe vet autori paska dyshuar: “Tani, se sa i vjen erë politike pandemisë së Covid-19?! - unë nuk mund të konstatoj por, mund të dyshoj, se diçka nuk është në rregull - njerëzit po vdesin gjithandej botës!!!”, (shih parathënien e shkruar nga vet autori). Pavarësisht këtij dyshimi, karantinimi duhej kuptuar jo si ndëshkim, shkruan autori, por si “shpëtim dhe mirënjohje”, dhe ky falënderim është për mantelbardhët, të cilët, “natë e ditë pa përtesë bëhën kujdestarë të frymëmarrjeve tona”, (Letra nr. 46).

MENDIMI POZITIV

Në çdo kohë e në të gjitha rrethanat, njeriu duhet të ketë mendim pozitiv dhe të kërkojë zgjidhje të pranueshme e pozitive për lirinë e vetë, lirinë e shprehjes, lirinë e të menduarit dhe të progresit shoqëror. Këto qasje në forma të ndryshme i gjejmë të realizuara në prozën poetike të Remzi Limanit në librin “55 LETRA NGA KARANTINA”, një modifikim universal i nocionit dashuri dhe jetë. Përkushtime për personin e tretë të gjinisë femërore, pastaj dashuria për jetën dhe të bukurën janë vetëm disa postulate artistike e respektuese ndaj femrës, prandaj dashuria për gruan tek ky autor shoqërohet me një estetikë të shprehjes letrare e cila në mënyrën më të bukur përfaqëson gjuhën elekuente ndërthurur me elementin lirik që së bashku përfaqësojnë vlerën hyjnore, kushtuar femrës së bukur. Në këtë prozë poetike, nuk gjejmë shprehje vullgare pasi ka në fokus femrën, gjininë e bukur të cilën autori e trajton si hyjni e hyjnore. Letërsia që krijon Remzi Limani i ka specifikat e veta dhe shoqërohet nga shprehja e bukur artistike dhe materializohet si përcaktim i karakterit krijues.

Remzi Limani, jetën pa rolin e femrës e sheh të zbrazët dhe tejet të parëndësishme, ai gjininë e butë e trajton të shenjtë, ashtu siç është dhe siç duhet parë nga të gjithë dhe asnjëherë ndaras nga roli i burrit që ka në familje dhe shoqëri. Pavarësia e veprimit shihet si kërkesë e përhershme, për të shijuar secili në mënyrën e vet dashurinë me të cilën autori nuk ngopet asnjëherë, prandaj motivit për dashurinë i rikthehet duke e gdhendur artistikisht dhe në anën tjetër duke sajuar metafora të rralla dhe të papërseritshme, sepse nocioni “dashuri”, është minierë me minerale të kristalta dhe sa më thellë futesh nën dhé, kristalet dalin më figurative ashtu sikurse vetë autori sa më thellë që është futur në pellgun e dashurisë, aq më shumë ka nxjerrë metafora të papërseritshme në vargun letrar estetikisht i emancipuar.

Letrat, janë qasje meditative ku do të shfaqet mendim i fuqishëm artistik, i realizuar si qasje e re për dashurinë. Ky afinitet krijues dëshmohet në “55 LETRA NGA KARANTINA”, libër i një kohe ndryshe, kushtuar një shoqërie të mbyllur në mënyrë të dhunshme e cila të vetmën liri absolute gjatë ngujimit e kishte dashurinë si artin më të hyjnishëm për të shpëtuar ndaj një kohe të vrarë... “Ndaj, dashuria është një ndjenjë e fuqishme dhe e jashtëzakonshme për njeriun dhe qasjen e tij ndaj vetvetes dhe jetës”, e sipas autorit, dashuria “bazohet tek afria dhe dobia shpirtërore, për ta kuptuar rëndësinë e të qenurit njeri i dashur”, (Letra nr. 47), si përkujdesje shëmbëllyese ndaj dashurisë pa të cilën jeta, veçmas ajo në karantinë do të ishte e pakuptimtë.

MERITAT I TAKOJNË FEMRËS

Atëherë kur dashuria hyjnore i atribuohet të bukurës kjo është madhështore, është vlerë humane, është respekti më i lartë, është përkulja para këmbëve të saj, një bashkëdyzim lirik e epik, për të krijuar erotikën si vlerë moralizuese të shoqërisë, para së cilës kanë dështuar dhe përfunduar të gjitha mbretëritë dhe perënditë. Pra, është përpjekje për ta mundur urrejtjen me nocionin e dashurisë, të cilën autori e trajton si hyjnore, dhe në mënyrë hipotetike konsideron se njeriu nuk mund ta kultivojë e shijoj jetën pa dashuri, prandaj edhe dashuria është diçka e pazëvendësueshme e cila duhet shijuar në rastin që ipet mundësia: “Nëpër udhëkryqet ku takohen fuqitë e urrejtjes dhe të dashurisë hyjnore, ku lindë hidhërimi dhe kënga kushtuar të pashpjegueshmës, sepse, e pashpjegueshmja lindë nga dashuria, si fjalë dhe si zjarrë, si lutje dhe si vajë i shndërruar në këngë, që shpërthen nga fuqia hyjnore e një forme të përsosur të pashpjegueshmërisë së dashurisë, si bazament mbi të cilin ndërtohet lumturia dhe rritja shpirtërore në shërbim të dashurisë”, (Letra nr. 48). Këto epitete mund të gërshetohen vetëm mbi nocionin “dashuri”, dhe askund tjetër, prandaj edhe Njeriu Ynë, nuk mund të bëjë botë të përsosur, as nuk mund të krijoj dashuri hyjnore, por sjellje njerëzore dhe mendim pozitiv.

Nëse shoqëria dëshiron, dhe ka synim të ec përpara, duhet të zhveshet nga botkuptimet primitive që shfaqen nëpër disa skena kulturore pa u zhveshur nga provincializmi. Pra, shtjellimet e vërteta artistike dhe kultura janë letërnjoftim i individit dhe kohës së tij. Të gjitha këto virtyte sipas autorit “lulëzojnë nga shkëndijat e zjarrta, dalë nga gjokset e një femre që të rrëmben me fuqinë e saj hyjnore”, (Letra nr. 48). Sipas kësaj, njeriu duhet gjetur mënyrën për të shijuar jetën, sepse një jetë pa dashuri është si një pemë që nuk jep fruta. Nga kjo që tham, gjithmonë duke patur parasysh atë që ka shkruar autori në këto letra, vazhdimisht duhet imagjinuar të bukurën, nëse dëshirojmë të kalojmë murin e mjegullave, murin e urrejtjes, të smirës dhe zilisë për të dashuruar dhe për të qenë të dashur. Kjo arrihet duke stimuluar imagjinatën për të dashur të preferuarën tonë... Kjo fuqi magjike le të pushtojë shpirtin e secilit mashkull nëse dëshirojmë të mos i lëmë vend djallit të përfshijë trupin tonë.

EPILOGU

Sigurisht, pas këtij ngujimi, do të vijnë edhe letra të tjera të imagjinuara të cilat nuk gjenden në këtë tekst. Pra, do të rrëfehen edhe kohët pas daljes nga karantina dhe izolimi. Epilogu i këtyre letrave kishte qëllim për të kapërcyer mbi të keqen e kohës dhe për të rindezë muzën krijuese. Ndaj, pse të mos kemi libra të tjerë të kësaj natyre...

*Shkrimi është botuar në parathënie të librit si "fjala e redaktorit", faqe 4-11.

Prishtinë, 23 janar 2022.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora