E hene, 30.12.2024, 04:21 PM (GMT)

Mendime

Saviano: Ju rrëfej mafian shqiptare ashtu si nuk e njihni

E shtune, 20.12.2008, 12:20 PM


Roberto Saviano
Roberto Saviano
Nga Rudina Xhunga

Ka guxuar të shkruajë në një libër të botuar në miliona kopje të vërtetën e mafias italiane dhe për këtë të vërtetë të bërë publike po vuan i ndryrë, nën masa të rrepta sigurie, suksesin e vet botëror. Quhet Roberto Saviano, është gazetar dhe shkrimtar italian, ndërsa libri “Gomorra” që e bëri të famshëm, dhe njëkohësisht i hapi telashe, është në vetvete mbase përshkrimi më lakuriq i organizimit të dy strukturave mafioze italiane, “Kamorra” dhe “Ndragheta”. Por i njëjti gazetar dhe shkrimtar, njohës nga më të mirët e fijeve të krimit të organizuar në Itali e më tej, nuk mbetet pas edhe në përcaktimet apo opinionet e veta për krimin e epitetuar “shqiptar” në të njëjtin regjion gjeografik. Një strukturë që ai e konsideron sa të panjohur dhe të rrezikshme, por edhe një dinasti në konfigurim e sipër, përballë së cilës edhe vetë kapomafiozë italianë po pranojnë barazinë, aq sa të mos ngurrojnë të shkojnë edhe drejt bashkëpunimeve, madje edhe drejt krushqive biologjike. I njëjti analist i kriminalitetit të organizuar, sjell në dritë edhe idenë e frikshme të investimit afatgjatë të krimit të organizuar në Kosovë e të tjera fakte të rëndësishme. Ja detajet e plota të intervistës së Roberto Savianos për emisionin SHQIP, në “Top Channel”.

Zoti Saviano, “Gomorra” është libri juaj i parë, suksesi juaj. Tani jeni i famshëm, por vetmitar. Nëse do të mundeshit të ktheheshit pas, do ta shkruanit përsëri këtë libër?

Po, do ta shkruaja, sepse s’jam penduar kurrë për atë që kam shkruar, por në të njëjtën kohë nuk është një libër që më pëlqen. Nuk e kam shumë për zemër librin tim, sepse më futi në këtë situatë. Por do ta rishkruaja. Është një ndjesi pak kontradiktore, por kështu është.

Unë, kur erdha këtu, pashë policët dhe pata frikë. Po ti, ke frikë?

Jo, nuk kam frikë, sepse jam mësuar të jetoj kështu, që prej dy vjetësh dhe kam ndjesinë sikur i mbaj gjërat nën kontroll. Ka çaste vëmendjeje shumë të madhe, ka dhe çaste qetësie. Si në çastet e vëmendjes dhe ato të qetësisë, jetoj i shoqëruar nga shpura, nga pesë karabinierë. Nuk e di pse s’kam pasur kurrë frikë. Veç, kam ndjerë bezdi që jetoj i blinduar.
As pesë policët nuk patën frikë, pavarësisht kërcënimeve të dhjetorit.
Herën e fundit që u zbulua një plan eliminimi, pati një çast që u ndjemë shumë të vetmuar. Nuk e di nëse kjo ishte frikë.

Çfarë plani ishte?

Plani u zbulua nga një i penduar, që u përpoq të bënte pakt. Ai i deklaroi policisë se duhej të na hiqte qafe brenda dhjetorit, mua dhe njerëzit e mi.

Por shoqëruesit nuk u ndryshuan...

Jo, nuk iku asnjë. Një gjest trimërie.

Kjo do të thotë që njerëzit të besojnë

Po, historitë që kam shkruar kanë mbërritur tek shumë njerëz. Rrezikshmëria e vërtetë e librit tim, nuk qëndron te fakti që e kam shkruar këtë libër, apo te historitë që kam treguar, por te fakti që libri im është lexuar. Po të kisha shitur 80 mijë kopje, që gjithsesi janë shumë për një libër, s’do të kisha probleme. Kur libri u bë i njohur dhe e lexuan miliona njerëz, u bë një problem i madh. Në atë pikë u shndërrua në një fenomen që përfshiu televizionet, gazetat, median, kinematografinë, persona, shoqata. Të gjithë dinë gjithçka. Ndërkohë që më parë e dinin vetëm një grup gjykatësish, militantësh. Kjo gjë ngjalli frikë. Ata, prej të cilëve frikësohen vërtet organizatat kriminale janë lexuesit, pa dyshim.

Flasim pak për librin. “Gomorra” sapo ka ardhur në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”. Eshtë një libër për Kamorran. Çfarë është Kamorra? Ku qëndron ndryshimi mes Kamorrës, Cosa Nostrës dhe Ndraghetës?

Sot, dy organizatat më të mëdha kriminale në Evropë janë pikërisht Ndrangeta në Kalabri dhe Kamorra në Napoli. Cosa Nostra është një organizatë e rrezikshme, por s’është më aq e rrezikshme sa dikur, krahasuar me këto të dyja. Kamorra ka një strukturë horizontale, jo piramidale, si e Cosa Nostra-s. Është një organizatë e bërë për konfederata. Janë familje, gjithsecila autonome, me bizneset e veta, por që bashkohen në federata, në të njëjtin nivel me familjet e tjera. Është organizata më mizore, që ka vrarë më shumë se 4 mijë vetë 30 vitet e fundit. Ka vrarë më shumë se çdo organizatë tjetër terroriste evropiane, më shumë se IRA, ETA, Brigadat e Kuqe, më shumë se terrorizmi islamik në Evropë. Është një organizatë që bën kryesisht biznese në fushën ligjore: çimento, transport, nënkontraktime të çdo lloji. Pastaj, bizneset e paligjshme janë kokaina dhe trafiku i armëve. Është një organizatë që ka lidhje të forta ndërkombëtare. Edhe Ndrangheta ka gjithashtu lidhje të forta ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha, investon në Evropën perëndimore. Nga hetimet e Prokurorisë së Napolit, është zbuluar se Kamorra ka blerë tituj shtetëror në vendet e lindjes, ka investuar në ferma dhe hotele, ka ngritur turizmin në këto vende dhe ka qenë e para që ka investuar në Rumaninë e pas Çausheskut. Një nga bosët e Napolit, Pietro Liçiardi, u arrestua në ish- Çekosllovaki. Kjo do të thotë shumë. Do të thotë që organizatat kriminale kanë ekonomi të shtrirë në shumë vende.

Vetëm në vendet ish-komuniste? Apo dhe në Nju Jork, Londër, Paris?

Prania e tyre atje pritet me vështirësi. Një hetim i vitit të kaluar, i nisur nga Prokuroria në Romë, fliste për një investim të familjes Ruso në rikonstruktimin e Kullave Binjake,në Nju Jork. Londra është një vend më i privilegjuar, sepse në Angli nuk ekziston krimi i organizatave mafioze dhe është më e lehtë që të mos kapesh. Librit tim në Angli i është hequr diçka, sepse duke qenë se nuk mund ta përcaktoje një qytetar anglez që ishte cilësuar si mafioz nga Prokuroritë italiane, në Angli, libri im u botua pa emrin e qytetarit anglez mafioz. Të quash mafioz një qytetar anglez është njësoj sikur ta fyesh. Shumë e çuditshme, por kjo ndodh në Evropë.

Kamorra është shteti apo antishteti?

Kur flitej për organizatat kriminale, u fol për shumë kohë për antishtetin. Në të vërtetë, ata nuk konsiderohen aspak si antishtet. Në një intervistë bërë një të penduari, Karmine Skiavone, ka thënë: “Ne nuk ndihemi aspak antishtet. Përkundrazi, ne jemi shteti”. Sipërmarrës që donin të arrinin objektiva dhe i arrinin ato me çdo kusht. Kjo intervistë më bëri shumë përshtypje, sepse organizatat e sotme mafioze s’kanë asnjë dëshirë të zëvendësojnë shtetin. Duan një organizatë që të paguajë pensionet, të shtrojë rrugët, të rregullojë marrëdhëniet mes individëve dhe ja ku ato janë gati ta bëjnë. Organizatat kriminale e quajnë veten një pjesë e shtetit. Një pjesë e shtetit që në emër të biznesit mund t’i shkelë disa rregulla. Në disa raste mund të vrasë, mund të imponojë një rregull të tregut, me qëllim që të fitojë ndërmarrja e tij. Asnjë mafioz nuk synon të dëmtojë vendin ku ndodhet. Përkundrazi mendon se i bën mirë, dhe pjesërisht i bën, sepse qarkullon shumë para. Problemi është se paratë që qarkullon nuk e zhvillojnë territorin, por pasurojnë dikë. Ky është ndryshimi i madh, por s’mund të flasim për antishtet.

Atëherë, kush qeveris në Itali, Berluskoni, Kamorra, kush?

Të gjithë bashkë. Kur sheh Italinë, ose disa shtete evropiane, s’duhet menduar që shteti është diçka unike dhe kompakte, që ndjek një drejtim. Shteti përbëhet nga rryma të ndryshme. Shteti italian ka njerëzit e tij me shumë vlerë që punojnë me përkushtim të madh, e në të njëjtën kohë, njerëz të korruptuar, që vijnë direkt nga interesat e organizatave kriminale. Këta shpirtra bashkëjetojnë, shpesh në zona gri dhe jo bardhë e zi. Organizatat kriminale janë më të dukshme në vendet e origjinës, sepse duket e gjithë puna kriminale. Sa më shumë largohesh, aq më shumë zbehet ngjyra dhe aq më e vështirë bëhet për të kuptuar se ku ndodhet kapitali kriminal dhe ku ai ligjor.

Me kë bashkëpunon Kamorra, përveç shtetit?

Me sipërmarrjet dhe sipërmarrësit, sidomos në Italinë e veriut dhe në shkallë ndërkombëtare. Në libër unë tregoj për një klan, “La Torre Di Mondragone”, që investon shumë në fushën e gatimit dhe restorantet e tyre ftohen në panairet më të rëndësishëm të kuzhinës në botë. Kjo ndodh me shumë organizata kriminale. Në sheshin  e Spanjës, në Romë, ndodhet një restorant që i përket familjes Ndrangeti. Në po të njëjtën rrugë është një diskotekë, që sipas disa prokurorëve, thuhet se i përket organizatave kriminale të zonës sime. Dhe po flasim për kryeqytetin italian.

Por njerëzit janë ambientuar të thonë që Kamorra s’të bën keq, apo që Kamorra s’ekziston.

Po, janë mësuar. Njerëzit bezdisen kur derdhet shumë gjak, sidomos kur derdhet gjak i pafajshëm, njerëz që s’kanë lidhje. Atëherë ka reagime. Përndryshe, gjithçka është fiziologjike...

Kjo është Kamorra. Po kamorristët çfarë janë? Janë njerëz që lindin të tillë, apo bëhen?

Jo, kamorrist bëhesh. Sigurisht, nëse lind në një realitet të tillë, të shtyn shpesh drejt disa zgjedhjeve të caktuara. Në shumë raste, kjo zgjedhje nuk bëhet nga varfëria. Vendi nga vij unë është shumë i pasur. Asnjë bos nuk është bir i njerëzve të varfër. Janë të gjithë bij pronarësh tokash, blegtorësh, pronarë sipërmarrjesh ndërtimi. Askush nuk është i varfër. Të hysh në një organizatë kriminale është një zgjedhje borgjeze, për t’u bërë një menaxher, njeri me rëndësi. Por edhe mjerimi në disa zona të Napolit të shtyn të hysh në disa organizata kriminale, që të paguajnë 500 euro në javë. Eshtë një pagesë që nuk duket dhe aq e madhe, por një djaloshi 14-vjeçar, i ndryshon jetën. Në një organizatë kriminale futesh për shumë arsye. Një prej tyre, është prestigji personal. Femrat të shohin ndryshe, ndihesh ndryshe. Pastaj vendos për vdekjen dhe jetën e të gjithëve. Edhe pse është një punë e tmerrshme, sepse rri 18 orë duke punuar për ta, fle pak, nuk bën pushim. Nëse nuk paraqitesh në orar, për çdo orë që shkon me vonesë, të heqin paratë. Shpeshherë nuk të paguajnë pushimet, rrogën e 13-të e merr vetëm nëse je i zoti. Nuk është punë e lehtë dhe e rehatshme, por fiton një vetrregullim.  Mbi të gjitha, të jep mundësinë që të rritesh. Nëse punon në një ofiçinë, pas tre jetësh mund të jesh përsëri aty. Nëse punon për Kamorrën dhe je i zoti, pas tre vjetësh drejton, ke një post me përgjegjësi. Nëse punon për Kamorrën e di që rritesh, kurse nëse punon në ofiçinë e di që mbetesh njësoj. Pastaj ka dhe diçka tjetër. Kur je pjesë e Kamorras, vërtet e di që rritesh, por edhe që vdes. Kjo s’është diçka që nuk e dinë, apo e nënvlerësojnë. Të gjithë kamorristët e dinë që mund të vdesin. Vdekja s’është rrezik i zanatit, por pjesë e tij, diçka që të shtyn të jesh kamorrist. Fakti që do të jetosh pak, por do të bësh jetë të shkëlqyer. Askush nuk mendon t’ia hedhë paq. Në telefonatat që ata bëjnë, flasin pikërisht për këtë: “Para se të vdes, dua...” “Kur të vdes, duhet...” Përdorin gjithmonë këto shprehje. Vdekja është e përhershme në mendimet e tyre, janë të sigurt që do të vriten, sepse kështu funksionon. Vdekja është një prej karakteristikave të një pune të rëndësishme.

E trajtojnë sikur të ishte një medalje

Është. Në një letër që një prift më dha dhe që unë e botova në këtë libër, një fëmijë në një burg për të mitur i shkruan priftit duke i thënë: “Unë kur të rritem dua të bëhem bos, dua të kem femra, të kem shtëpi, makina. Dua që kur të hyj në një dyqan, njerëzit të më respektojnë. Respekt do të thotë të t’i japin gjërat falas, gjëra që ua japin vetëm bosëve”. E mbyll letrën duke thënë: “Dua të vdes, por ashtu siç vdes një burrë i vërtetë, me rëndësi. Dua të më vrasin”. Nëse nuk të vrasin, nuk ke asnjë vlerë.

Ti ishe mes tyre, ishe një 14-vjeçar që jetoje në kryeqytetin e Kamorrës. Si ka mundësi që bëre zgjedhjen tënde të ndryshme?

Mendoj se më ka mbrojtur shumë familja. Jam mbështetur shumë te mamaja ime, kam marrë një edukim borgjez, që më ka mbajtur larg disa zgjedhjeve të caktuara. Por e kam parë dhe e kam ndjerë gjithmonë praninë e tyre dhe gjithmonë më ka tërhequr, nuk e mohoj. Më ka tërhequr pushteti i këtyre personazheve. Në libër nuk mundohem ta mohoj magjepsjen e tyre, por ta zbërthej. Nuk dua të bëj Majkëll Korleonen, të përshkruaj një njeri epik, plot me vuajtje dhe nder. Dua të tregoj magjepsjen e tyre, por dhe anën tjetër, që s’ka asgjë, që është e rreme. Magjepsjen e tyre të rreme. Ata vishen si divat e kinemasë, flasin sikur të kenë para një telekamerë, lëvizin me kujdes. Sigurisht që këtë e kam treguar të gjithën, por kam treguar dhe mënyrën si jetojnë, që për vite të tëra nuk dalin  nga shtëpia, ose vetëm në lagjet e tyre të ndyra. Që gjithë paratë që fitojnë nuk dinë as si t’i shpenzojnë. Disa blejnë 200 palë këpucë dhe të gjitha njësoj, sepse e bëjnë porosinë me telefon, e nuk dinë çfarë ju duhet vërtet. Është dhe vetmia e tyre prej njerëzish madhështore. Pastaj vjen burgu, tradhtitë. Jam përpjekur t’i tregoj të gjitha këto për të zbërthyer magjepsjen.

Dikur ti vendose të thuash: Po, unë e di dhe do të flas. Ndodhi brenda një dite, apo gradualisht, marrja e këtij vendimi?

Them se ka qenë një ditë, dita kur vranë sindikalistin Federiko Del Prete, që ishte një njeri i mirë, por që nga agjencitë italiane të shtypit u cilësua si mafioz, vetëm se vdiq në shtëpinë e Casal di Principe. Nëse vdes aty, s’mund të mos jesh kamorrist. Por ai nuk ishte, përkundrazi, ishte një njeri shumë i guximshëm. Aty më lindi mendimi që duhej të bëja diçka. Është një shprehje e bukur e Zhan Pol Sartrit, që e cilësonte Flobertin fajtor për regresionin e Komunës së Parisit, sepse s’kishte shkruar asnjë rresht që të ndalonte rrëzimin e saj. Më dukej sikur bëja faj nëse s’do të përdorja atë që dija dhe atë që dija të bëja më mirë, pra të shkruaja. Ndoshta më kot, por duhej të shkruaja, të paktën ta provoja. U zemërova shumë dhe nga gjakderdhja në Sekondiliano, pasi pati shumë viktima të pafajshme. U vra Atilio Romano, një djalë që punonte në një dyqan. U vra sepse ky dyqan telefonie ishte pronë e një të afërmi të një bosi mafioz. Armiqtë e këtij të afërmi, hynë në dyqan dhe e qëlluan, jo se donin të vrisnin atë, por që t’i dërgonin një mesazh pronarit të dyqanit. Pastaj vranë Dario  Skerilon, në Kazavatore, një djalë i ri. Qe e tmerrshme. Ai ishte me një motor të ngjashëm me personin që duhej eliminuar. I qëllojnë në shpinë, ai rrëzohet, e shikojnë që s’ishte ai, dhe nuk i dhanë goditjen përfundimtare, që është diçka mizore. E lanë të vdiste nga humbja e gjakut. Pastaj më tronditi shumë dhe vdekja e Xhelsomina Verdes, një vajzë e fejuar me një “të implikuar”, Xhenaro Noturno. U kap, u torturua dhe u dogj e gjallë.

Një vajzë?

Po. Sepse nuk kishte treguar vendin ku fshihej i fejuari i saj. Këto histori më prekën shumë dhe fillova të shkruaj librin pa u menduar gjatë...

Të flasim pak për Shqipërinë. Keni shkruar aq shumë për Shqipërinë, sa mbeta pa fjalë. Flisnit për mafien shqiptare. Sipas jush është kaq e fuqishme?

Ekziston shumë fuqishëm dhe për mendimin tim, është një nga mafiet e panjohura më mizore në botë. Është më pak e njohur se bën më pak gjëra. Organet gjyqësore, policia financiare, karabinierët, antidroga, antimafia kanë shumë dokumente për praninë e mafies shqiptare në Itali. Duhet bërë një dallim i madh mes mafies shqiptare kosovare, mafies shqiptare të Shqipërisë dhe mafies shqiptare të Maqedonisë.

Nuk bashkëpunojnë?

Bashkëpunojnë, por s’është e njëjta gjë. Dhe kanë lidhje shumë të forta me organizata kriminale shqiptare në Nju Jork. Mafia shqiptare që njoh më mirë është ajo që kishte lidhje në territorin tim. Klani i Kazalezëve, një klan shumë i  fuqishëm, ka qenë klani i parë i një organizate mafioze italiane që i ka hapur dyert një të huaji. Të huajt e parë që kanë hyrë në organizatë, kanë qenë shqiptarët, sepse kanë një strukturë sociale dhe familjare shumë të ngjashme me atë italiane. Zbatojnë, në një farë mënyre, kanunin, që jep shumë siguri, sepse rregullat janë të qarta, të shkruara. Të gjithë mund t’i mësojnë dhe t’i respektojnë. Respektohen shumë “kapot e maleve” që zbatojnë me përpikëri kanunin. Mbi të gjitha, janë organizata që kanë ardhur në vitet ’90. Ka qenë një bos shqiptar që i dhanë një zonë të tërë, quhej ....

Çfarë është ky?

Një bos, të cilit Kazalezët i dhanë një territor të tërë. S’kishte ndodhur kurrë në historinë e kriminalitetit italian që një i huaj të drejtonte aktivitetin kriminal të një territori.

Çfarë ishte ky njeri? Me çfarë merrej?

Me gjithçka. Zhvatje, drogë, por mbi të gjitha çimento. Firmat e ndërtimit që ndërtojnë dhe rikonstruktojnë. Mafia shqiptare në këtë territor jo vetëm është shumë e fuqishme, por para disa muajsh pati dhe të vdekur. Dy shqiptarë të implikuar u vranë, sepse s’kishin paguar atë që duhej të paguanin, për përqindjen e trafikut të drogës që drejtonin.
Këtë mendoj gjithmonë kur dëgjoj për shqiptarët që vriten. Shqiptarët këtu janë shpërndarës droge, që marrin shumë pak para, hiçgjë. S’është kështu?
Mendoj se ka qenë kështu, por sot, mafia shqiptare, dhe shpërndarësit shqiptarë të drogës, kanë bërë karrierë. Sot, djemtë që shpërndajnë drogë në rrugë, janë më shumë afrikanë, nigerianë, rumunë. Të gjitha ato organizata që janë të dobëta. Mafia shqiptare ka familje të fuqishme që lejojnë keqbërësit italianë dhe shqiptarë të jetojnë të qetë në Shqipëri. Shqiptarët që kryejnë krime në Itali dhe jetojnë qetësisht në Shqipëri, në Itali janë kriminelë, sepse familjet arrijnë të korruptojnë gjykatësit shqiptarë, të paktën një pjesë të tyre. Mafiozët shqiptarë dhe kamorristët janë e njëjta gjë. Bëjnë dhe martesa mes tyre.

Martohen me njëri-tjetrin?

Një bos i mafies në Domiciana, në zonën bregdetare, u martua me një shqiptare. Shqiptare nga fshati. Është diçka shumë e papritur, sepse bosët e mafies femrat nga lindja i mbajnë si dashnore, por nuk martohen kurrë me ta, sepse martesa është gjithmonë një marrëveshje ekonomike. Sot kjo gjë po ndryshon. Kjo ka qenë e kaluara. Në të shkuarën, femrat nga lindja, polake, rumune, edhe shqiptare, konsideroheshin si dashnore perfekte, që toleroheshin dhe nga gratë. Nëse një bos kishte një dashnore italiane, përbënte problem. Kurse një dashnore nga lindja tolerohej.

Si ka mundësi që dini kaq shumë gjëra për mafien shqiptare?

I kam parë gjithmonë. Bullgarët, për shembull, i kam parë më pak, që janë një mafie më e pranishme në Itali.

Çfarë bën mafia shqiptare?

Mafia shqiptare ka filluar me prostitucion.  Ai ka qenë një nga elementët e parë. Punonin prostitutat shqiptare, por edhe ato sllave. Polaket, rumunet, nga Republika çeke. Pastaj eci përpara. Nga trafiku i drogës, tani ka kaluar te çimento. Kështu dhe ata u futën në biznesin e madh.

Kur ka filluar kjo lidhje?

Që në fund të viteve ’80. Në fund të viteve ’80 është parë prania e shqiptarëve në Itali, por ka nisur që në vitet ‘70 me kontrabandën. Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende në dorë të organizatave kriminale.

Bëhet fjalë për një periudhë kur në Shqipëri ishte diktaturë.

Po.

Edhe në atë kohë ka pasur mafie?

Po. Sigurisht. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Republikën e ish-Jugosllavisë kanë qenë personazhe të blerë nga organizatat kriminale.

Kush?

Drejtues komunistë që paguheshin nga organizatat kriminale. Firma e parë që investoi në Rumaninë e pas Çausheskut, quhej Albanova Eserel. Albanova është emri i vjetër i Kazal Del Prinçipe, kryeqytetit të Kamorrës. Kjo firmë kishte  marrëveshje të bëra para rrëzimit të murit, me të gjithë drejtuesit komunistë, që s’merrnin më paga nga shteti, por ua jepnin ata. Edhe policia bregdetare shqiptare dhe e Malit të Zi, paguheshin nga Sakra Korona Unita, për kontrabandë cigaresh. Kur u rrëzua komunizmi, të parët që shkelën në këto vende ishin organizatat kriminale, që më pas ndihmuan dhe sipërmarrësit e ndershëm të huaj të shkonin aty. Nëse një napolitan ose milanez shkon në Shqipëri të investojë, ka një mijë probleme me burokracinë. Nëse shkon nëpërmjet organizatës kriminale italiane, gjithçka është e zgjidhur. Ata dinë me kë të flasin për të marrë autorizime, rroga të qeta. Kjo është magjia e organizatave kriminale, që funksionojnë si motor ekonomik.

Kuptoj çfarë bëjnë shqiptarët në Itali. Po mafiozët e Kamorrës, çfarë bëjnë në Shqipëri?

Investojnë në çfarëdolloj ndërmarrjeje. Për shembull, në metalurgji, në ndërtimin e makinave, që s’janë më në Itali, rroba, këpucë dhe investojnë në hoteleri. Në ish-vendet komuniste nuk ka traditë të turizmit, ka humbur. Ata vijnë dhe bëjnë turizëm.

Bëhet fjalë për po ata njerëz të viteve ’80, apo për njerëz të tjerë?

Ka dhe njerëz të tjerë. Tani kriminelët e rinj po investojnë shumë në Evropën Lindore.

Keni dokumente për të shkruar një libër të ri për mafien shqiptare?

E shoh me kureshtje të madhe mafien shqiptare sepse ka një ëndërr të madhe tek mafiozët e mëdhenj shqiptarë. Ta bëjnë Kosovën, Kolumbinë e re të Evropës. Të mbjellin kokainë transgjenike, që të rritet në temperatura të ndryshme nga ato të Amerikës së Jugut. Të mbjellin kokainën transgjenike në Kosovë dhe të lejojnë mafien shqiptare të ketë monopolin e kokainës. Sot nuk mund të bëhet, sepse kokaina transgjenike, që tashmë ekziston në Kosovë, është shumë e kushtueshme. Prandaj nuk ka leverdi. Është më e leverdishme ta importosh nga Amerika e Jugut se ta prodhosh. Por pas njëzet vjetësh, Kosova do të jetë padyshim Kolumbia e re.

Do të jetë vërtetë?

Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se do të ndodhë kështu.

Po politikanët çfarë bëjnë ndërkohë? A kanë nevojë politikanët për mafian? Apo është mafia ajo që ka nevojë për politikën?

Unë mendoj se është politika ajo që ka nevojë për mafien. Në të shkuarën nuk ka qenë kështu, kurse sot është. Pse? Sepse organizatat mafioze janë sipërmarrje. Është njësoj sikur një vend të hiqte dorë nga BMV-ja, Microsofti. Faturimi në Itali i tre mafieve, sipas prokurorisë kombëtare antimafia, është 100 miliard euro në vit. Sipërmarrja më e madhe italiane. Si mund të heqësh dorë nga një shifër e tillë?

Ata janë të armatosur. Ti ke vetëm fjalët. Por ata kanë frikë nga ti. Mund të kihet frikë nga fjalët?

Vetëm nëse dëgjohen. Unë ekzistoj për sa kohë më dëgjojnë. Kur të reshtin së më dëgjuari, nuk do të ekzistoj më.

Kush është Roberto Saviano

Roberto Saviano ka lindur në Napoli, më 22 shtator 1979. Është  gazetar, bashkëpunëtor i La Repubblica, L’Espresso, Times, El Pais, Washington Post. Arrin majat e suksesit me botimin e librit “Gomorra” në vitin 2006. Në dy vjet, “Gomorra” u përkthye dhe botua në 42 shtete. Në vitet 2006-2008 ai ishte libri më  i shitur në Gjermani, Angli, Hollandë, Spanjë, Francë, Suedi dhe Finlandë. Në vazhdën e suksesit “New York Times” e ka cilësuar si një nga librat më të rëndësishëm të 2007-s, ndërsa “The Economist” e ka përfshirë në 100 librat e vitit. Libri “Gomorra” është bërë film, me ka për bashkëskenarist autorin, Roberto Saviano. Më 24 shtator 2008 filmi “Gomorra” u zgjodh të përfaqësojë Italinë në garën për çmimin Oscar, si filmin më të mirë të huaj. Ai fitoi 5 çmime Oscar në Akademinë e Filmit Evropian, si filmi më i mirë, regjia më e mirë, aktori më i mirë, skenari më i mirë dhe fotografia më e mirë. Në vazhdim filmi “Gomorra” fitoi edhe çmimin Grand Prix në Festivalin e Kanës. Por autori i “Gomorra” nuk e ka pasur të lehtë suksesin e tij, pasi mafia italiane, “Kamorra” e ka dënuar me vdekje pikërisht për përmbajtjen e librit, apo të vërtetat e pasqyruara në të. Për këtë shkak Roberto Saviano jeton i shoqëruar nga policia, qysh nga 13 tetori 2006. Më 14 tetor 2008, kërcënimi i fundit i Kamorras ishte: “Saviano i gjallë deri në Krishtlindje”.

Kanë thënë për Savianon

Umberto Eko: Roberto Saviano është heroi kombëtar i Italisë
Enzo Biagi: Kam takuar Roberto Savianon. Djalin që jo vetëm denoncoi përbindëshin por edhe e shpjegoi atë, si askush tjetër, para tij.

Salman Ruzhdi: Mafia paraqet një problem shumë më serioz se ai me të cilin jam përballuar unë. Saviano është në një rrezik të tmerrshëm nga Kamorra.

Gjashtë nobelistë, mes tyre Orhan Pamuk, Gunter Gras, Gorbaciov, Dario Fo, firmuan peticionin: “Shpëtoni Savianon”. Në apelin e tyre shkruhej: “Nuk mund të tolerohet që çfarë është përshkruar në këtë libër, të ndodhë në Evropën e vitit 2008, siç nuk mund të tolerohet çmimi për të paguar për kë denoncon këto ngjarje duke e detyruar të heqë dorë nga jeta dhe liria e tij”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora