Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Husein Bato Dukaj, la pas një vepër që kapërcen shumë jetë
E enjte, 30.06.2022, 06:33 PM
Husein Bato Dukaj, la
pas një vepër që kapërcen shumë jetë
Në
7 -vjetorin e ndarjes nga jeta
Nga
Gjekë Gjonaj
U
bënë shtatë vjet nga vdekja e
parakohshme, në moshën 56 vjeçare, të Husein Bato Dukaj, regjisorit të parë të
shkolluar në Mal të Zi, me të cilin kam
punuar disa vite në TVMZ. Dhe këtë përvjetor të shtatë mu kujtua ky koleg e mik i dashur
me vlera të larta njerëzore e profesionale i cili i donte shumë
njerëzit, por edhe jetën, për ta nderuar
të paktën pas vdekjes, për kontributin e tij të madh si regjisor
në realizimin e shumë filmave dokumentarë , festivaleve për fëmijë
e shumë emisioneve televizive
që ka themeluar dhe drejtuar, por mbi të gjitha për serialet që janë dëshmi prekëse për botën e fëmijëve
dhe qindra arritje të tjera, përmes të cilave ai shprehu entuziazmin dhe aftësinë e tij artistike.
“Per
mortuis aus ben aus nihil” (për të vdekurin ose fol mirë ose mos fol hiç)
thoshin latinët. Por rasti i
ndarjes së papritur nga kjo jetë
e një njeriu të virtytshëm, që
sot tek ne janë “specie të rralla” që
kanë mbetur në këtë vend më “
lehtëson” mundësinë për të folur dhe shkruar mirë pa fund . Gjithsecili nga ne që e njihnim ndjen dhimbje për këtë humbje të madhe , e cila na la më të
varfër nga ç ’ jemi, duke na hequr shpresën
e një takimi të mundshëm nën
qiellin e kësaj bote. Vdekja e kësaj figure të dalluar të artit ishte humbje e madhe për shoqërinë tonë në përgjithësi,
veçmas për Televizionin e Malit të Zi, ku
për tridhjetë vite dha aq shumë
nga shpirti, mençuria dhe arti i tij i papërsëritshëm. Na la pas vepra e leksione të mëdha mbi mjeshtërinë artistike.
Husein
Bato Dukaj la gjurmë të pashlyeshme dhe
të forta tek të gjithë shqiptarët, por
edhe tek komunitetet tjera që jetojnë në
Mal të Zi, duke ndërtuar ura bashkëpunimi , komunikimi e afrimi midis tyre përmes emisioneve të shumta të Redaksisë për Minoritetet. Këtë personalitet e vlerësojnë jo vetëm bashkëkombësit e tij (
malësorët-shqiptarët), por të gjithë njerëzit që e njihnin së paku përmes ekranit. Vlerësimet më të larta vijnë
nga përfaqësuesit e komunitetit të artistëve dhe njerëzve që kanë punuar në
grup me të. Ata e cilësojnë regjisorin e ndjerë si figurë të papërsëritshme dhe
të pazakontë. Vdekja e regjisorit Husein
Bato Dukaj është përjetuar si humbje e
rëndë, shumë e rëndë, e një njeriu
me zemër të madhe që të
bënte të ndjehesh krenar. Ishte një
humbje tejet e madhe për të gjithë. Nga
sa e kam njohur unë ai ishte një figurë
e pazakontë, e veçantë, një figurë
artistike , i papërsëritshëm. Kishte shumë energji , shumë vullnet dhe
shumë fuqi artistike dhe ja na la
pa e menduar fare vdekjen e tij.
Kolegët
që kemi punuar dhe jemi shoqëruar me
Bato Dukaj, edhe sot pas shtatë
vitesh, e kemi të vështirë të pajtohemi
me largimin e tij. Nuk e besojmë se është larguar, sepse ka rrezatuar
energji. Ai në fillimet e sëmurjes së tij na thoshte se
asgjë nuk mund t’i ndodhte. Ai nuk mund të flinte gjithë natën dhe të nesërmen
në orën shtatë ishte në vendin e tij të punës dhe të bënte gjithçka pa asnjë
problem. Prandaj, na duhet ende kohë për t'u mësuar e për t'u pajtuar me
vdekjen e tij.
E
mbajmë mend si njeri që i donte pa masë njerëzit dhe e donte jetën, por e donte
gjithçka që bënte deri në frymën e fundit. Gjithmonë ishte i gëzuar, i
buzëqeshur, i sinqertë, plot humor. Ishte shumë e thjeshtë. Të gjitha këto veti
i mbajti deri në ditën e fundit.
Bato Dukaj ishte një madhështi e madhe
njerëzore, një njeri i madh. Një njeri që nuk shikonte kush ishte dhe
çfarë besimi kishte. Ky
intelektual ishte ajo që e solli nga shtëpia e njohur në Malësi e më gjerë e Selman Jukut, dhe nga
edukata e babait Ramo Dukaj, njëri prej intelektualëve më të shquar shqiptarë
të kohës në Mal të Zi, nga fshati
Dinoshë (Grudë - Malësi).
Husein
Bato Dukaj objektivisht na ka bërë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë,
dhe, jo rrallë, ka qenë edhe frymëzim për
shumë artistë shqiptarë, kudo që kanë jetuar. Po ashtu ishte një baba i dashur, një bashkëshort i mrekullueshëm
i një djali të mrekullueshëm dhe një vajze të mrekullueshme. Ai la pas një
vepër që kapërcen shumë jetë. Këtë njeri fisnik do ta kujtojmë me nderim. Aq më
tepër ata që kishin privilegjin të punonin dhe të rrinin me të.