| E merkure, 29.06.2022, 07:30 PM |
Beteja e Torviollit dhe
fitorja historike ishte fryti i parë i unitetit të Lezhës së 2 marsit 1444
Me
rastin e përvjetorit të fitores historike në Betejën e Torviollit
Nga
Gjon Keka
Beteja
e Torviollit apo e Dibrës – e datës 29 qershor 1444, betejë ku Gjergj
Kastrioti, si një strateg, lider vizionar dhe i talentuar, arriti të mundë me
strategjinë dhe taktikën e tij të aftësisë prej arti luftarak Ali Pashën, si
komandant i një pjese të ushtrisë otomane (turke) me rreth 40 000 trupa.
Pasi
ata kishin mbërritur në këtë territor, kishin uzurpuar pronat e arbërorëve,
kishin vrarë gra e fëmijë, kishin plaçkitur të gjitha pasuritë e arbërorëve të
kësaj pjese dhe i kishin urdhëruar gjithë të tjerët që t’i braktisin shtëpitë
dhe pasurinë e tyre.
Mirëpo,
pasi kishte hasur në një rezistencë të fuqishme me trupat e Gjergj Kastriotit,
Ali Pasha ishte mposhtur menjëherë për pak kohë, dhe kështu vendi kishte marrë
pamjen e tij të jetës normale dhe të gjallërisë së përhershme, në zhvillimin e
trojeve të tyre të lashta të kombit.
Gjergj
Kastrioti i rezistoi në këtë betejë me një ushtri prej 15 000 trupash, 8 000
kalorësish dhe 7 000 këmbësorësh.
Në
lidhje me këtë betejë, ja se ç'shkruan
biografi i njohur Marin Barelti:
“(...) Nga kjo, ushtria,
gjithkund fitimtare, sillte nëpër mend fitoren e shkëlqyer në këtë betejë dhe
po admironte atë punë aq të madhe të kryer në një kohë aq të shkurtër. Në këtë
luftë u vranë afro 22 000 barbarë, ndërsa 2 000 të tjerë u kapën të gjallë.
Kështu, epirotët atë ditë, siç e shpresonin dhe e prisnin të gjithë, korrën një
fitore me të vërtetë të madhe, sepse në atë betejë nuk mungonte asgjë nga ato
që kanë mundësi, jo vetëm Skënderbeu, ideator i Bashkimit Europian 49 ta
ndjellin fatin për të dalë faqebardhë, por edhe ta detyrojnë për një gjë të
tillë; nuk mungoi as koha, as vendi, as rregulli i përsosur në të gjitha
veprimet, as arsyeja e drejtë dhe njëkohësisht e domosdoshme për t'u përleshur.
Më në fund, për komandantët dhe ushtarët do të mund të thosha këtë: Atë ditë
luanët kanë komanduar luanë! Një pjesë e vogël e këtyre ishin veteranë, që
kishin shërbyer dikur si ushtarë bashkë me të atin e Gjergj Kastriotit, kështu
që ata mund t'i merrje jo për ushtarë, por për mjeshtër të zgjedhur të
ushtrisë. Prandaj dukej se, po të fitonin në një betejë të tillë e po t'ia
thyenin një herë hundën armikut, lufta kishte marrë fund. Pasi u arrit fitorja,
Gjergj Kastrioti e kaloi tërë atë ditë dhe atë natë në kamp me qetësinë më të
madhe.
Në mëngjes, plot krenari
për fitoren, iu përvesh punëve (...). E fryrë nga fitorja që sapo kishte
korrur, kalorësia fluturonte nga gëzimi e, asgjë nga ato që mund t’i prishë shpata
dhe zjarri nuk kursente, veçse gra dhe fëmijë (...). Asnjëri nuk rëndohej, nuk
e ndiente lodhjen; burrave u ishin zhdukur djersët që sapo i patën (....). Pasi
e kaluan atë natë në kamp, Gjergj Kastrioti, të nesërmen, kur sapo kishte aguar
drita, dha urdhër të mblidhnin plaçkat dhe bashkë me ushtrinë fitimtare u nis
për në qytetin mbretëror të Krujës.
Populli, që ishte
derdhur nëpër gjithë rrugët, po i priste me brohori, duke i quajtur fitimtarë
një për një. Të gjithë çuditeshin me plaçkën e madhe. Kalorësit e rinj mezi
njiheshin nga njerëzit e tyre. Për shumë ditë me radhë u bënë përgëzime dhe
gjithë princërve të Epirit iu dërguan letra të kurorëzuara me dafina, si edhe
disa flamuj ushtarakë; një pjesë tjetër e këtyre u ngulën nëpër faltore.”
Ishte
tepër e qartë se pas unitetit të bërë në Kuvendin e Lezhës më 2 mars të vitit
1444, së bashku me kryefisnorët dhe fisnorët dhe përfaqësuesit e tjerë
diplomatik, Gjergj Kastrioti, së bashku me mbështetësit e tij ishin në gjendje
pothuajse për t’i shtypur në kokë të gjitha veprimet e armikut, duke mos lejuar
asnjë hap më tutje të këtij pushtuesi të egër turk. Kështu, mund të thuhet se
kjo betejë u shndërrua në betejë të guximit, të entuziazmit për më tutje,
betejë për të pasur arsye edhe më shumë se vetëm tek uniteti – ashtu siç edhe
thoshte në fjalimin e tij Gjergj Kastrioti – është fuqia e atij lumi që rrjedh
nga të gjitha anët, por që mblidhet në një shtrat të përbashkët. Kjo fuqi u pa
qartë se jo vetëm përbënte efektivin e procesit të arritjes së synimeve dhe idealeve
të larat të kombit shqiptar europian, por edhe arrinte korrjen e fitores ndaj
armikut barbar turk që e kërcënonte vazhdimisht qenien e kombit arbëror.
Këtu
shihet fryti i parë i unitetit të kombit përmes kryefisnorëve dhe fisnorëve, i
themeluar në Kuvendin e Lezhës. Pra, këtu shihen se hapat e përbashkët janë
hapa vendimtarë dhe që mbrojnë fuqishëm, si shtylla të përjetshme, shtëpinë e
përbashkët të kombit dhe të identitetit tonë kombëtar europian.