| E merkure, 15.06.2022, 08:35 PM |
Blerim Latifi:
Vetëm
pak ditë e ndanin Kosovën nga liria. Gati një shekull i përgjakjes së saj nga
regjimet e ndryshme serbe po merrte fund një herë e përgjithmonë. Por edhe pse
po e shihte fundin e sundimit të saj mbi Kosovën, makineria ushtarake serbe
donte të vazhdonte përgjakjen e saj deri në momentet e fundit. Prekazi, vendi
ku kishte shpërthyer kryengritja e UÇK-së 15 muaj më parë, vazhdonte të mbahej
i mbërthyer nga forcat serbe. Sikur donin që aty të shkaktonin gjamat e fundit
para se të largoheshin nga Kosova. Dhe në mesditën e 7 qershorit, në agun e
lirisë, në pragun e shtëpisë, ku u lind dhe u rrit, ra dëshmori i fundit i
Prekazit, Fadil Latifi, djali i axhës tim, Arifit, i cili më pak se dy muaj më
parë ishte martirizuar në moshën 84 vjeçare po në Prekaz. Ai ishte
bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës në luftën e Sanxhakut dhe atë të Drenicës. Në
këtë të fundit e humbi vëllaun e tij të madh, Eminin, i cili ra në betejën e 7
shkurtit të vitit 1945. Sot të tre prehen pranë njëri tjetrit, aty në lëndinën
e Bucinave. Varret e tyre janë dëshmi, në mesin e mijëra e mijëra varreve të
tjera anë e kënd Kosovës, se sa i madh ishte çmimi i lirisë.
_________________
Varfnia
kulturore e Prishtinës është e tmerrshme. Në një qytet me afër 400 mijë banorë,
ka vetëm katër librari, të cilat edhe ashtu mezi mbahen. Ka një kinema, një
galeri arti dhe një teatër, që rëndom janë pa audiencë. Eventet kulturore janë
tepër të rralla dhe në shumicën e rasteve janë improvizime. Të vetmet evente që
të krijojnë përshtypjen se ndodhesh në një kryeqytet modern janë ndeshjet
ndërkombëtare të futbollit dhe festivali Sunny Hill. Ky i fundit nga dje nuk
është më. Natyrisht për fajin e një klase politike, e cila preokupimin me
kulturën përgjithësisht e konsideron humbje kohe, ngase potencialin elektoral të
saj e konsideron të parëndësishëm.
Fakti
se toka ku do të mbahej Sunny Hill do të vazhdojë të mbetet tokë djerrinë, flet
shumë. Ajo djerrinë nga tash do të simbolizojë djerrinën tonë mentale. Bashkë
me barin e keq që lëshon shtat në djerrina.
_________________
Historianët
e turizmit e përmendin edhe një formë të pazakontë të tij : turizmin e luftës.
Së
paku që nga Lufta Civile Amerikane dhe Lufta e Krimesë, të dyja të zhvilluara
në mesin e shekullit të XIX, njerëz të ndryshëm janë joshur nga ideja për t’i
vizituar dhe parë nga afër vendet e përfshira në konflikte të armatosura. Ata
ishin qoftë shkrimtarë, artistë, tregtarë, aventurierë të ndryshëm, por edhe
politikanë.
Sot
Ukraina e shkretë është kthyer në destinacionin më atraktiv të turizmit të
luftës. Për dallim nga rastet e tjera, në rastin e Ukrainës turistët kryesorë
janë politikanët.
Edhe
vizita e Ramës dhe e Abazoviqit realisht bën pjesë në këtë lloj turizmi.
Natyrisht, ata e paraqesin atë si një përkrahje për Ukraninën, por shtrohet
pyetja: çfarë përkrahje mund t’i japin
Ukrainës Shqipëria dhe Mali i Zi?
Përkrahje
morale, do të thoshte dikush. Po çfarë u hyn në punë sot kjo përkahje Zelenskyt
dhe ushtrisë së tij?
Pak, për të mos thënë asgjë.
Ata
sot kanë nevojë për armët më të sofistikuara, për para dhe njerëz, në mënyrë që
të munden t’i bëjnë ballë edhe më tutje agresionit rus. Sigurisht, as Rama dhe
as Abazoviqi nuk janë në gjendje të ofrojnë ndonjë gjë me vlerë në këtë
drejtim. Prandaj vizita e tyre në Kiev, më shumë se për Ukraninën, bëhet për
kureshtjen e tyre prej turistësh të luftës.
_________________
Publikimi
i pasurisë së politikanëve nga Agjencia kundër Korrupsionit në Kosovë, çdo vit
e riaktualizon një fakt themelor të këtij shteti: derisa votuesit varfërohen
nga viti në vit, të votuarit e tyre e shtojnë pasurinë nga viti në vit.
Këtu
qëndron shkaku madhor pse njerëzit në këtë vend bëjnë aq shumë turr të kapen
pas partive politike, shtyhen brutalisht me brylla me njëri tjetrin për poste
dhe lufta për pushtet është aq e ashpër.
Këtu
ka vend për t'u kujtuar ajo që Aristoteli e thotë të Politika e tij: Shumica
flasin kundër korrupsionit jo pse janë kundër korrupsionit, por pse nuk janë
pjesë e tij.
_________________
Lista
Serbe në Kuvendin e Kosovës iu bashkua shumicës parlamentare në votimin e
projektligjit për pagën minimale.
Natyrisht,
Lista Serbe është e fundit në kët' vend që mendon për gjendjen ekonomike të
qytetarëve të Kosovës.
Votimi
i sotëm i saj ka dy qëllime krejtësisht të tjera: njëri është politik, tjetri
moral.
Qëllimi
politik është që të ndihmohet përshkallëzimi i konfliktit politik midis
pushtetit dhe opozitës shqiptare.
Ndërkaq,
qëllimi moral është që të poshtërohen veteranët e UÇK's, nga trauma e të cilës
ende vuan shumë Serbia.
Ky
poshtërim llogarisin t'i shërbej edhe qëllimit të parë.
Shumica
paralmentare e VV's ka bërë gabim të madh duke ia mundësuar këtë taktizim të
ndyrë Listës Serbe.
_________________
Kohëve
të fundit janë shtu vizitat e politikanëve të rëndësishëm europianë në Kosovë.
Ose jemi afër ndonjë zhvillimi të rëndësishëm pozitiv, si p.sh. liberalizimi i
vizave, ose krejt këto vizita janë duke u bërë për të fuqizuar retorikën boshe
të fjalëve të bukura për të ardhmen europiane të Kosovës, retorikë pas të
cilës, siç jemi mësuar tashmë, nuk ndodhë asgjë.
Të
presim, megjithatë!
_________________
Sot
kompjuterët, interneti dhe telefonat janë bërë elemente të domosdoshme në jetën
e individëve dhe shoqërive. Ne thjesht nuk mund ta mendojmë jetën pa ta. Nga
kjo nuk bëjnë përjashtim as konservatorët, religjiozë dhe joreligjiozë, të
cilët i përdorin internetin dhe telefonat e mençur për të shfry urrejtjen e
tyre kundër homoseksualëve.
Por
a e dinë këta konservatorë se babai i shkencave kompjuterike dhe i
inteligjencës artificiale ishte një homoseksual?
Ai ishte matematikani anglez Alan Turing.
Gjatë
Luftës së Dytë Botërore ai ndihmoi ushtrinë angleze për dekodimin e planeve
sekrete ushtarake të nazistëve dhe kjo, siç thonë studiuesit, përshpejtoi
humbjen e tyre.
Edhe
përkundër meritave të tij të jashtëzakonshme për shkencën dhe shtetin e tij,
Turnig vuante nga stigmatizimi dhe diskriminimi për shkak të orientimit të tij
seksual. Kjo e zhyti në depresion dhe e shtyu drejt vetëvrasjes. Ai bëri
vetëvrasje duke ngrënë një mollë të helmuar me cianid.
Kur
Steve Jobs dhe shokët e tij e themeluan kompaninë e tyre të kompjuterëve,
dikush e kujtoi Turnigun dhe molla e tij e kafshuar u zgjodh për logo të
kompanisë.
Bota
teknologjike, në të cilën ne jetojmë sot, i ka themelet e saj në mendjen e një
gjeniu, i cili ra viktimë e paragjykimeve të kohës së tij.
Prandaj,
ju zotërinj konservatorë, sa herë që merrni telefonin ose uleni para një
kompjuteri për t'i sharë e kërcënuar homoseksualët, mos e harroni se jeni duke
përdorur shpikjet që e kanë origjinën në mendjen gjeniale të njërit prej tyre.
_________________
Ka
tre ditë që Ishulli i Sazanit në Shqipëri po digjet në flakë. Shteti shqiptar
rri në anën tjetër të bregut dhe shikon. Referuar kësaj, në Ohër, Rama paska
bërë një pyetje retorike : “Mos vallë duhet më mirë të digjen pyjet sesa të na
ndihmojë shkjau?
Përgjigja
që nënkuptohet në pyetjen e tij është kjo : më mirë të na ndihmojë shkjau, se
t’i lëmë pyjet të na digjen!
Por
pikërisht në këtë përgjigje tregohet gjithë mjerimi i politikës shqiptare. Këtë
vit shteti shqiptar kremton 110 vjetorin e lindjes së tij dhe ende nuk është në
gjendje të bëj një gjë minimale : t’i shuaj vetë zjarret që shpërthejnë në
territorin e tij, si ky në Ishullin e Sazanit.
Dhe kjo jo se shqiptarët si popull nuk dinë të bëjnë shtet (siç e thotë
doktrina e vjetër serbe), por se shteti shqiptar, në këto 110 vite të
ekzistencës së tij, ka pasur fatin e keq që brez pas brezi të qeveriset nga
dallkaukë të të gjitha ngjyrave. (08-06-2022)
_________________
"Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të renditet si njëra ndër lëvizjet më të
suksesshme guerile në historinë moderne. Brenda nëntëmbdhjetë muajve nga dalja
e saj e parë publike, ajo i përmbushi qëllimet e saj- pasi arriti të
nënkontraktojë aleancën më të fuqishme ushtarake për qëllimet e luftës së saj.
Në fund të fundit nuk ka rëndësi se si u dëbuan serbët nga Kosova. Ajo që ka
rëndësi është se ata kanë qenë në Kosovë- dhe nëse nuk do të ekzistonte UÇK,
ata do të ishin akoma atje”.
Tim
Judah, The Kosovo Liberation Army, PERCEPTIONS, September- November 2000
_________________
Kancelari
gjerman Olaf Scholz u ndal fillimisht në Prishtinë, pastaj shkoi në Beograd dhe
në fund në Selanik për t'i takuar të gjithë liderët e Ballkanit.
Mesazhi
i këtij itinerari: problemi kryesor i Ballkanit perëndimor është raporti
Kosovë-Serbi, e jo lehtësirat ndërkufitare për maunet e Ballkanit të Hapur.
Ky
mesazh u reflektua edhe në tryezën e takimit të Selanikut. Aty përballë
njëri-tjetrit nuk ishin Rama e Vuçiqi, por Vuçiqi dhe Vjosa Osmani. Ndërkaq,
ftohtësia e neveritshme dhe hendeku mes Vjosa
Osmanit dhe Edi Ramës në tryezë, flet mbi të gjitha për budallallëkun
tradicional të shqiptarëve, i cili dallimet në pikëpamje gjithmonë i
transformon në inate personale.
_________________
Qershor
1878. Kancelari gjerman Otto von Bismarck, në Kongresin e Berlinit: "Nuk
ka komb shqiptar. Shqipëria është veç një shprehje gjeografike".
Qershor
2022. Kancelari gjerman Olaf Scholz, në Prishtinë: "Serbia nuk mund të hyj
në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës".
_________________
Zhvendosja
e Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë është simptomë e një fenomeni ma të
thellë: derisa Tirana me hapa të shpejtë po shndërrohet në një metropol
europian, Prishtina përditë e ma shumë po merr formën e një qyteti provincial,
ku asgjë e rëndësishme nuk ndodhë. Aq më pak në fushën e kulturës.
_________________
Bashkë
me plakun dhe vëllezërit e festuam Ditën e Çlirimit, në një kënd të qetë, buzë
Ibrit të lashtë. Gëzuar kjo ditë e madhe!