E shtune, 21.12.2024, 12:43 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Pse e vrau sigurimi i shtetit Don Luigj Picin?

E hene, 13.06.2022, 07:42 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 37, Zamak i Flamurit…

PSE E VRAU SIGURIMI I SHTETIT DON  LUIGJ  PICIN?

Kam pasë rasen me njoftë të vllaznit me nipa e mesa të persekutuem të klerikut Don Luigj Pici, prej të cilve ruej kujtimet ma të mira. Nga vllau i Tij

Rudolfi, mësova se Don Luigji ka le në Ulqin të Jugusllavisë në vitin 1907.

Mbasi ka perfundue shkollen e mesme tek Seminari Papnuer në Shkoder, ka vazhdue studimet teologjike në Padova t’ Italisë, ku ka pasë rasen edhe me u ndikue nga idetë socialiste italiane. Mbas kthimit në Shqipni, asht njoh me mjaftë të rinjë që kishin lidhje me grupet komuniste, që aso kohe kishin edhe shpresat e fitores së marrjes së Pushtetit gja që u realizue.

Don Luigj Pici u shugurue Meshtar në 1926 dhe ka sherbye në Mal Kolaj, prej aty shkoi në Reç, ku ka vazhdue me kenë famullitar deri në vitin 1946.

Në periudhen e luftës ashtusi klerikët tjerë, ka ndihmue të rinjtë kur kishte rasen e shpetimit tyne nga burgosjet dhe interrnimet si rini komuniste.

Mbas vitit 1944 i propozohet detyra e Nen/Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Shkodres, si dhe e Kryetarit të Frontit Demokratik. Mori këte të dyten, mbasi kishte mundësinë me ndihmue ma shumë rininë fshatare per me u shkollue, gja per të cilen nuk u kursye deri në fundin e jetës së Tij.

Në vitin 1946 Don Luigjit i kerkohet me dalë dishmitar në gjyqin e bujshem të At Giovani Faustit, ku Don Luigj Pici flet të verteten burrnisht në sallë.

Atë qendrim e persëritë edhe në Kishen e Reçit dhe kudo, që i kerkohet me folë per të verteten e qendrimit Tij dhe të klerikve të tjerë, që ishin akuzue me Organizaten “Bashkimi Shqiptar”. Sigurisht kjo nuk mund të pajtohej me rrugen antiklerikale të Sigurimit të shtetit diktatorial, gja që mëshehtas një natë dy agjenta sigurimi shkojnë gjoja per pak punë tek qela, e marrin me vete Don Luigjin dhe tek një kthesë rruge e vrasin pabesisht, tue i hjekë nga goja dhe dhambet e artë. Gjoja asht vra me i vjedhë “dhambet e artë”.

Don Luigjin dy vrastarët e sigurimit e vorrosin në një Gropë paemen.

Aso kohe ishte krejt e pakuptueshme vrasja e këtij Prifti të pafajshem, që u vra nga agjentat e sigurimit të shtetit tue u veshë me ngjarje të pakenuna.

Vrasja e Tij vetem ju sherbente organeve kriminale e vrastare të diktaturës.

Ndersa dishmitarin e vrasjes Caf Jonuzin e dënojnë me 27 vjetë burg, sepse publikoj qellimin e vertetë per të cilin Sigurimi i shtetit e vrau Don Luigjin.

Duhet dijtë një fakt: A mund të pranonte Ever Hoxha në rradhet e atyne të zgjedhunve pushtetarë që kishte per qejfin e tij, edhe një klerik katolik me betimin e Tij në Elterin Shenjtë se deri në vdekje do ti sherbej Fesë Katolike dhe Popullit Katolik Shqiptar, per të cilin ai diktator terrorist ishte betue që me të gjitha mjetet e diktaturës një orë e ma parë me e qitë faret? Mandej, si do të justifikohej para “shokut” Tito, kur “shokët jugosllavë” Everit i kishin besue detyren sekrete të “zhdukjes me themel të Françeskanve Shqiptarë e të kuvendi të Tyne në Shqipni, tue fillue me At Anton Harapin e deri tek ma i fundit Provicial At Mati Prennushi”, që në qelen e Tij kishte grumbullue sa e sa Malësorë e Klerikë, per me nënshkrue “Memorandumin e Gerçës”? Po, a ishin nder Malet tona të gjithë Ata klerikë katolikë dhe Burra të Malsisë, që pa Ju tutë syni në 1911 nen drejtimin e Ded Gjo’ Lulit të pavdekshem, dhe në 1944, nen drejtimin e Trimit Gjelosh Luli, ishin betue që “Malet tona mos me ju nenshtrue diktaturës sllavokomuniste të tiranve barbar Ever e Tito?”

Po, pse a nuk e dinin Malësorët tonë se po përgatitet vorrimi i perjetshem i Shqipnisë së Gjergj Kastriotit nga tre xhullijt Ever, Tito, Stalin, ashtusi sot nga komunistët hajdutë të Haxhiqamilistit droguem Edi Rama, që shkon si klysh i shitun e tradhëtar i Atdheut në “Ballkanin e hapur”, tue kerkue me të gjitha mjetet zhdukjen e Groposjen paemen të Shtetit e Popullit Shqiptar?

Pra, ajo politikë antishqiptare e vitit 1946, asht tue u vazdue prap edhe sot.

Me kujdes të madh ishin fshatarët që ruejtën vendin e vorrosjes së Priftit, e në Qershorin e vitit 2004, u ba Vorrimi i Eshtnave të Don Luigj Picit në Rrëmaji, ku kemi marrë pjesë shumë qytetarë në nderimin e Tij të fundit.

Don Luigj Pici u vra pabesisht nga Sigurimi i shtetit komunist vetem pse Ai pat burrninë me tregue botnisht, se Klerikët katolik që u akuzuen në gjyqin e Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në vitin 1946, ishin pafaj dhe u pushkatuen të gjithë vetem nga urrejtja kunder Tyne e Shqiptarve. Don Luigj Pici u qendroi besnik të gjithë Atyne, Avokat Muzafer Pipës, Prof. Kol Prelës dhe burrnisht pa Ju tutë syni, dha jeten e vet, dhe u vra i pafaj si Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Melbourne, 10 Qershor 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora