| E diele, 12.06.2022, 06:27 PM |
TRI ROMANE TË NASI LERËS QË BËJNË NJË BOTË TËRËSORE DHE TË LARTËSUAR POETIKE
“Ana
Zh” (2004), “Të gjallë dhe të vdekur” (2013) dhe “Kishim një ëndërr” (2016)
“Tipari
përcaktues i prirjes letrare mund të jetë që ata që e kanë, e përjetojnë
ushtrimin e kësaj mjeshtërie si shpërblimin më të mirë, si diçka që qëndron
shumë më lart se çdo gjë që mund të përfitojnë nga frytet e punës së tyre. Kjo
është e vetmja gjë për të cilën jam i sigurt, ndër të shumtat pasiguri që kam,
në lidhje me profesionin letrar: në thellësi të vet një shkrimtar e ndien se të
shkruarit është gjëja më e mirë që i ka ndodhur apo mund t’i ndodhë ndonjëherë
në jetë, sepse për të, të shkruarit është mënyra më e mirë e të jetuarit,
pavarësisht nga përftimet shoqërore, politike apo financiare që mund të
sigurojë prej tij”. - Mario Vargas Llosa
Nga
Anton Nikë Berisha
Romane
që përligjin vlera poetike të rrafshit të lartë
Romanet e Nasi Lerës
“Ana Zh” (2004), “Të gjallë dhe të vdekur” (2013) dhe “Kishim një ëndërr”
(2016) përligjin në mënyrë të mirëfilltë mendimin e nobelistit peruan, të
sjellë në krye të këtij punimi se “[...] në thellësi të vet një shkrimtar e
ndien se të shkruarit është gjëja më e mirë që i ka ndodhur apo mund t’i ndodhë
ndonjëherë në jetë, sepse për të, të shkruarit është mënyra më e mirë e të
jetuarit”.
Këto tri krijesa
letrare dëshmojnë një rrafsh të lartësuar të vlerave poetike, përkatësisht
bukurinë e të shprehurit përmes gjuhës, përmes fjalës; jo vetëm për kulmin e
artit romanesk të këtij shkrimtari tonë të rëndësishëm, po dhe pjekurinë dhe
artin e madh të romanit tonë në përgjithësi. Përkundër faktit se secili prej
këtyre romaneve ngërthen vlera poetike të veçanta, ata përligjin një botë
poetike të tërësishme, një sistem të shprehur sa të pasur aq dhe të
mëvetësishëm. Me këto romane Nasi Lera dëshmohet shkrimtar i denjë i kohës së vet. Me artin e tij e përjetëson
atë në përbërësit e saj më të rëndësishëm; gjurmon në thellësinë e dukurive e
të botës së njerëzve; vrojton dhe zbulon të veçantat dhe të fshehtat; të mirat
dhe ligësitë, pësimet dhe tragjikat; zhgënjimin, trishtimin, përbuzjen;
shprishjen shpirtërore dhe vetëdijen e trazuar, shpesh edhe të fjetur. Me
mënyrën e qasjes dhe të shqiptimit poetik të botës e të dukurive të saj, me
artin e rrafshit të lartë që i cilëson romanet e përmendur, Nasi Lera shënon
një kohë; përligj tundimet e mëdha të frymëmarrjes në të tashmen tonë dhe,
përmes artit, i drejtohet të sotmes e të nesërmes. Romanet e tij nuk janë
kritikë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, e zhveshur dhe e mbushur me retorikë, po
vëzhgime, ndriçime thellësore dhe ballafaqime të realitetit të qenësishme pas
rënies së sistemit komunist në Shqipëri, ku kujdesi më i madh i kushtohet
ndërtimit të tekstit, të cilin e përfton me përkushtim, duke i dhënë formën e
duhur. Si i tillë ai ka të gjitha cilësitë për të bërë një ndikim estetik të
shumëfishtë e të ndjeshëm në marrësin.
Romani Ana Zh
është një rrëfim i menduar mirëfilli dhe i qenësishëm; shtresor dhe
shumëkuptimor; sa i ngrohtë aq dhe i çiltër; shpesh tronditës, sidomos kur
veprimi dhe frymëmarrja jetësore e personazheve përshkohet nga hija e vdekjes;
rrëfim i degëzuar, mbresëlënës dhe me fuqi ndikimi në marrësin pa marrë parasysh
moshën. Romani Të gjallë dhe të vdekur shqipton një botë të ndërliqshme
të njeriut tonë e të gjallimit të tij, që shtrihet në gjerësi dhe në thellësi,
qoftë si të shprehur poetik, qoftë si shumësi dukurish që vështrohen dhe
rrëfehen; tekst që shpreh ballafaqimin me veten, me botën e brendshme të
autorit dhe me botën e brendshme të tjetrit, ku gjallojnë të fshehtat më të
mëdha, që nuk mund të njihen asnjëherë në skajshmërinë e tyre; një shtegtim
poetik nëpër fatkeqësinë e njeriut tonë nëpër kohë; shprishjen, pësimet dhe
dramat e ndryshme, sidomos ato shpirtërore, që kanë ngjarë dhe janë përsëritur,
pa mësuar, të thuash, asnjëherë për të keqen që i kanë shkaktuar dhe i
shkaktojnë botës sonë. Edhe romani Kishim një ëndërr është një mozaik
poetik i shtjelluar dhe i stisur me mjeshtëri, një sistem i të shprehurit
burimor dhe i larmishëm, vështruar nga kënde të caktuara, ku, pos të tjerash,
dëshmohen pësimet e njeriut tonë dhe vetëdija e fjetur dhe shtresimet e
tragjikes që e cilësuan dhe e cilësojnë rrjedhën e jetës së tij.
Në këto tri romane
Nasi Lera dëshmon se nuk është shkrimtar imitues dhe kopjues i realitetit që e
shpreh në vepër, po realitetin e përfton përmes strukturës gjuhësore, përmes
tekstit poetik, një rrëfimi të konceptuar me dije e përkushtim, kuptimisht
shumësor dhe poetikisht lartësor.
Bazë e këtyre
romaneve të Nasi Lerës është sa e veçanta aq dhe e përgjithshmja e botës dhe e
veprimeve të personazheve; një udhëtim midis jetës dhe vdekjes, ndërmarrje në
gjallimin konkret; lëkundjet dhe mëdyshjet herë – herë të skajshme me çka
përligjet aftësia krijuese e autorit të gërmojë në botën e njerëzve e të
veçantive të tyre, qoftë si qenie mendore të mëvetësishme, qoftë si fryt i
rrethanave të jetës dhe i marrëdhënieve shoqërore përkatëse.
Përbërës të rëndësishëm
të botës poetike që vështrohet në romanet “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur”
dhe “Kishim një ëndërr”, janë shiu dhe mjegulla, heshtja dhe terri. Këto janë
dukuri të jashtme që ndërlidhen dhe shpalosin (zbulojnë) të fshehta e botës së
brendshme dhe asaj të jashtme.
Pra, për përftimin e
këtyre tri romaneve autori niset nga jeta konkrete, nga përditshmëria, por
tekstin e tij e pleks (e ngjiz) me botën e tij të brendshme, që dëshmohet me
vëzhgime që shprehin mendësinë dhe shpirtin e tij, ku shqiptohen gjendje dhe
përftohen pamje të pazakonshme poetike, që e bëjnë tekstin e tij sa të veçantë
aq dhe të pasur; përdor simbolika e shprehje metaforike të ndryshme e të
shumta; zbritet në thellësi te të parëndomtës që përfillet si e rëndomtë dhe si
e tillë bëhet e besueshme. Të gjitha këto u japin jetë dhe shpirt teksteve të
tri romaneve.
Shkrimtari
gjatë jetës e shkruan në vijimësi një vepër të vetme
Thuhet me të drejtë
se në qenësi shkrimtari i mirëfilltë gjatë gjithë jetës së vet e shkruar një
vepër të vetme, e cila mund të degëzohet dhe ndryshojë nga titujt, nga llojet,
nga ndarjet në krerë, në pjesë ose në vëllime dhe të shkruar në kohë të
ndryshme, ndonjëherë edhe me ndërmjetëse të madhe. Është e njohur se poeti
gjerman, Goethe, e pati filluar veprën “Fausti” në moshën 18 vjeçare dhe nuk e
pati mbaruar as në moshën 84 vjeç. Edhe De Rada ynë, veprën madhore
“Skanderbeku i pafaan” (në pesë libra), e nisi më1837 dhe e mbaroi më 1883,
dëshmi e pasurimit mendor dhe krijues.
Duke na bërë të ditur
për mënyrën se si i kishte shkrirë dhe pëlqyer (harmonizuar) “të shtimet plot
gjallëri dhe me efekt” dhe “ëmbël” pjesët (ose librat) e shkruara në periudha
të ndryshme në veprën e vet, që shpreh “dashurinë e shpirtit tim”, proces që
kërkonte aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për t’i dhënë veprës një
tërësi (rrumbullakësim) dhe një përmbyllje sa më të përfillshme, ashtu çfarë
mendonte se i përgjigjej më së miri plotnisë, bukurisë dhe artit të veprës, De
Rada shkruan: “Sidoqoftë, çdo shpirt poetik dhe krijues e di se në këso farë
veprash me fuqi vullneti të gjatë, të shtimet plot gjallëri dhe me efekt, të
lindura më parë, i jepen mandej mendjes për t’i renditur në dritën që nga
njëra, duke u harmonizuar ëmbël, reflekto tek tjetra (nënvizimi im).
Kurrënjëherë arti krijues nuk e ndjek mirë punën e menduar më parë e të hollë
të mendjes, ose s’i bindet”.
Pra, nëpërmjet
dukurive të botës, të veprimit të personazheve e të botës së tyre, si thotë De
Rada. - harmonizimit të ëmbël, që shprehet nga njëra tek tjetra pjesë,
del në pah dhe zbulohet qenësia dhe ndërliqësia e botës dhe e fatit të njeriut:
“Arti përpiqet të nxjerrë në pah dhe në mënyrë sa më të plotë aspekte të botës,
në mënyrë që secili, si përmes një velloje të hollë, të lexojë kuptimin që kanë
gjërat dhe që filozofia e kërkon”.
Tërësinë e një vepre
letrare të krijuar nga shkrimtari gjatë jetës së vet e përcakton para së
gjithash mënyra e shqiptimit të asaj që bëhet objekt vëzhgimi poetik; gjuha që
përdor, përkatësisht sistemi i të shprehurit poetik; formësimi, mënyra e
ndërtimit të tekstit e të shumësisë së mendimeve që dalin nga struktura e tij.
Me fjalë të tjera, stili që e përdor shkrimtari për t’i shprehur dukuritë, për
t’i shpalosur qenësitë e marrëdhënieve shoqërore, ndikimin e tyre në
botëkuptimin dhe në shpirtin e individit; përftimi i tablove poetike që
ngërthejnë një shumësi simbolesh e metaforash; ballafaqimi, kundërvënia dhe
kundërshtimi i dy botëve: asaj konkrete dhe asaj përfytyruese; i botës
subjektive të personazheve përballë mjedisit ku jeton dhe vepron; me
kundërthëniet dhe pësimet që ngjasin në dy rrafshet: individual dhe kolektiv.
Këtu hyn edhe veçantia e tekstit që të vërë një komunikim sa më gjallërik e më
thellësor me marrësin.
Ata shkrimtarë që në
veprat e tyre ia kanë dalë t’i harmonizojnë, t’i ngjizin e t’i përmbushin këta
përbërës dhe këto tipare të qenësishme të veprës letrare si krijesë poetike, i
sigurojnë vetit vendin në kopshtin e artit të pavdekshëm, siç e theksonte me
plot arsye nobelisti peruan, Maria V. Llosa “[...] midis prirjes për t’i ikur
botës dhe jetës reale dhe për t’u hedhur në botën e përfytyrimeve dhe ushtrimit
konkret të letërsisë, shtrihet një humnerë që shumica e qenieve njerëzore nuk
arrijnë ta kapërcejnë dot kurrë. Ata që e kapërcejnë këtë humnerë dhe që,
përmes fjalës së shkruar, bëhen krijues botësh, janë shkrimtarë, pra, ajo
pakicë që ka mundur t’i përforcojë prirjet apo tendencat në saje të ushtrimit
të vullnetit, të cilin Sartre e quante zgjedhje”.
Këto veçanti na
mundësojnë që shpesh, sa të fillojmë të lexojmë një tekst letrar, edhe kur mund
t’i mungojë emri i autorit, të dimë se i kujt është.
Lexuesi i vëmendshëm
dhe njohës i veprave letrare të Nasi Lerës (kuptohet vetvetiu edhe njohës i
letërsisë dhe i veprave të letërsive të tjera), kur t’i lexojë tri romanet e përmendura,
nuk e ka vështirë që të përcaktojë autorin e tyre, edhe sikur në libra të
mungonte emri i tij.
Pasuri
dhe veçanti e të shprehurit poetik – e bukura stisur përmes fjalës
Përbërësi që përligj
vlerën kryesore të romaneve të Nasi Lerës “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur”
dhe “Kishim një ëndërr” dhe njëherit përcakton njësimin dhe tërësinë e tyre
poetike është sistemi i pasur dhe i mëvetësishëm i të shprehurit me të cilin
është ndërtuar teksti i tyre. Shkrimtari ynë synim parësor ka përftimin e një teksti
sa më poetik, prandaj i kushton vëmendjen dhe kujdesin më të madh gjuhës
poetike, e cila i jep tekstit atë cilësi e atë përmasë që nuk e kanë tekstet e
llojeve të tjera: jo ngushtimin dhe thjeshtësimin e kuptimeve të tekstit, po
kuptime sa më të shumta, degëzimin sa më të madh në mënyrë që të zgjojë edhe më
shumë interesimin e marrësit dhe njëherit të ndikojë estetikisht në të. Nasi
Lera e di se të tregosh bukur domethënë të largohesh nga e vërteta konkrete;
është i vetëdijshëm se asnjë lloj tematike, dukuri ose ngjarje, sado e
rëndësishme dhe interesante të jetë, nuk e bën artin e romanit, po mënyra se si
thuhet një mendim ose shprehet një dukuri, si krijohet e bukura që, siç thoshte
De Rada:“[...] kur fjala është një pasqyrë e pastër e shpirtit qytetar dhe të
sinqertë në të mirë të drejtësisë, kjo fjalë mbushet me aq bukuri, saqë me të
nuk mund të krahasohet asnjëfarë bisede tjetër rreth problemeve njerëzore.
Fjala e veprave artistike e mbron drejtësinë në botë dhe vetë frymën e saj,
ashtu siç e mbrojti me ligjëratën e tij të bukur, magjepsëse dhe fitimtare
përmbi çdo force kundërshtare Demosteni, të cilin ajo e bëri mbret të
oratorisë. E kundërta ndodh me fjalën e atyre veprave artistike, personazhet e
të cilave nuk e mishërojnë këtë frymë drejtësie dhe prandaj nuk tërheqin as
vëmendjen tonë”.
Së këndejmi, vetëm
teksti dhe shumësia e kumteve që dalin prej tij janë në gjendje ta përligjin
magjinë dhe misterin e fjalës poetike dhe paanësinë e ndikimit të saj estetik
(Pol Elyar thotë: “Poezia është gjuha që
këndon”.) Poeti italian, E. Montale, duke bërë fjalë për poezinë lirike,
shkruante: “[...] Për sa më përket mua, nuk do të dija ta përcaktoja (definoja)
këtë gjë të rrallë (feniks arab), këtë çudi, këtë objekt përcaktueshmërisht
tejet konkret, ose të pandjeshëm për arsye se është i bërë nga fjalët, këtë
bashkëjetesë të çuditshme të muzikës dhe të metafizikës, të arsyes e të
paarsyes, të ëndrrës e të përgjimit”.
Pikërisht shtjellimi
i fjalëve në fjali, përkatësisht hartimi i tekstit, herë – herë afrimi i
kuptimeve të tyre, herë – herë ballafaqimi ose kundërvënia e skajshme, veçimi i
nuancave, i tingëllimave që secilën fjalë dhe secilën fjali dhe secilin tekst
si tërësi, e bëjnë sa të mëvetësishëm aq dhe të papërsëritshëm si vlerë dhe si
mundësi komunikimi dhe ndikimi.
Tekstit poetik i
këtyre romaneve ka mundësuar që autori të ndërtojë një realitet që ekziston
vetëm në tekstin e veprës përkatëse dhe si i tillë bëhet për shumëçka më i
vlefshëm dhe më i pasur sesa realiteti konkret. Pikërisht përmes gjuhës poetike
dhe të shprehurit të menduar është krijuar e bukura, e cila siç thoshte Tomas
Man “[...] rivendos paqen në mes të natyrës sonë tokësore dhe asaj shpirtërore,
hedh një urë ideali në jetë”. Pra, mu të shprehurit e veçantë dhe të pasur
poetik i ka mundësuar Nasi Lerës të gërmojë në brendësinë e dukurive e të
personazheve, të depërtojë në thellësinë e gjërave, t’i afrojë e t’i njësojë
përmes rrëfimit, qoftë kur janë të botës konkrete, qoftë të botës së
përfytyruar, imagjinative. Prozatori i shquar, Grasia Markez, thoshte se
rrëfimi i tij është një trillim, po mënyra si e shpreh ai një dukuri lë
përshtypje tek lexuesi si ngjarje e vërtetë, si e vërtetë e mundshme. Për këtë
arsye realiteti që krijohet përmes tekstit poetik është realitet subjektiv,
pjellë e shpirtit dhe e mendjes së shkrimtarit dhe mund të vihet komunikim me
të vetëm nëse i qasemi si realitet subjektiv për arsye se brenda tij dukuritë
gjallojnë në mënyrë krejtësisht tjetër përballë asaj që ndodh në përditshmëri:
edhe koha është subjektive dhe e pakufi: e kaluara, e tanishmja dhe e ardhmja
mund të njësohen në një tërësi, siç ngjet edhe në ëndërr, ku gjërat ndodhin në
kohë e hapësirë të pakufishme. Duke bërë fjalë për rëndësinë e kërkimeve të
shkrimtarit për të gjetur mënyrën e duhur dhe të shprehë botën dhe të gjejë
stilin përkatës, Makezi tregon çka i kishte ndodhur ndërsa e shkruante romanin Njëqind
vjet vetmi: “[...] unë nuk zotëroja kode letrare, stilistike të mjaftueshme
që rrëfimi im të jetë i besueshëm. Atëherë e lashë (romanin Njëqind vjet
vetmi të porsafilluar – v. ime) dhe shkrova katër libra. Vështirësia ime
kryesore ishte të gjeja tonalitetin e duhur dhe stilin narrativ, që lexuesi t’i
besonte rrëfimit tim“. Kjo veçanti del dhe nga mendimi i Stefan Cvajgut në
studimin për Tolstojn: “[…] s’ka asgjë më të madhërishme se sa përpjekja që,
edhe të paarritshmes t’i japësh nerv krijues, ndërsa të pashmangshmes,
vërtetësinë e vet“.
Për të dëshmuar artin
e madh të këtyre romane të Nasi Lerës dhe për të konkretizuar tërësinë që
krijohet përmes sistemit të të shprehurit poetik, të stilit të njësuar në to,
po sjell disa shembuj.
Nga romani “Ana Zh”:
Më
dukej sikur herë pas here gufonte gjak nga plaga që i hapej vazhdimisht natës.
Ndoshta
përshtypjen e plagës e krijonte mjegulla e dendur që kishte rënë përjashta dhe
vërtitej e shqetësuar mbi qytet.
Ana
ecte me vështrimin nga dritaret e mbyllura të shtëpive. Në sytë e saj mëngjesi
i lëkundte perdet e dhimbjes.
Ana
nuk ia ndante sytë detit. Në cepat e tyre ishte strukur nata e Pireut.
Buzët
e lyera lehtë sa nuk i pëlcitnin dhe vështrimin e kishte si të mbështjellë me
mjegull.
Isha
i lumtur që ajo po qante nga nata athinase dhe jo nga diçka tjetër, si ishte
sëmundja e saj. Do t’i njihja po t’i përkisnin ata lot sëmundjes. Lotët e Anës
ishin pjesa më e bukur e asaj nate.
Emri
i Delfit po më shtinte një vetmi të ftohtë dhe ndjesinë e një dite të humbur pa
filluar ende.
[...]
e përfytyrova kancerin si një qenie e lashtë që nuk kishte vdekur.
Sytë
(e Anës) shihnin shkretëtirën me një lakmi që më rrëqethi.
Dhe
bëmë dashuri nën palmë, ndërsa shega e mbetur pa u këputur në majën e degës së
hollë, rrëzoi dhe kokrrat e fundit nga zjarri që i digjej përbrenda.
Era
fuste në dhomë së bashku me perden e hollë prej tyli edhe heshtjen e asaj që
kishte ndodhur.
Nga romani “Të gjallë
dhe të vdekur”:
Ai
kishte menduar se vetëm deti mund të ishte i kaltër dhe në fillim iu duk sikur
atë ngjyrë ua dha maleve dhimbja e tij për babanë.
Të
vetmen gjë që burri nuk arrinte ta fshihte ishte lodhja e syve të tij të
plakur.
Nga
goja e hapur e çative dilte grahma e shurdhër e vdekjes.
Mëngjesi
përshkënditi puplat e gushës së femrës si të kishte marrë flakë.
Mësuesi
i muzikës ia zbërtheu këmishën Siborës dhe gjinjtë e saj zbardhen si dëborë nën
diellin e marsit. Mbi ta u përkthyen rrezet e diellit dhe mësuesi i muzikës
ngurroi ta zhyste kokën mes tyre, si të kishte frikë mos çante lëkurën e hollë
dhe të lëmuar të gjinjve prej nga buronte gjithë ajo bardhësi.
Vrasja
e Siborës nuk mund të kishte dekor më të shëmtuar.
Këtu
të gjithë jemi aq kureshtar, sa kureshtja jonë e ndryshon dhe drejtimin e erës.
Dhe
pëllumbat ktheheshin nga arat duke mbartur në fluturimin e tyre muzgun që do të
binte...
Këtu
nuk ka vajtim më prekës se kjo heshtje.
Varret
e vjetra, nuk të ngjallnin atë ndjenjë trishtimi që të ngjallnin varret e reja,
sidomos lulet artificiale që, të dala boje dhe të spërkatura me baltë nga shiu,
dukeshin sikur zhvlerësonin jetën së bashku me vdekjen.
Më
të riut i kishte pëlqyer gjithmonë heshtja e kishave të vjetra, e cila kullonte
nga gurët dhe tullat e ngrëna nga koha.
Drita
e qirinjve luante në sytë e tij një valle të kobshme.
Djali
u trondit kur i pa dhe sytë i mbetën të thithat e errëta, të drejtë si dy fruta
të vogla, të panjohura, që nuk kuptohej kush do t’i piqte, dielli apo hija.
Kurse
trupi i saj i bardhë përpëlitej si një psherëtimë.
Aranit
Gusmari fliste i zemëruar, si të kishte përpara një njeri që e kundërshtonte me
heshtjen e tij.
Uji
ishte i kthjellët, zhurma e tij ishte si një psherëtimë e ndrydhur, që kishte
brenda sa dimrin e fundit, aq edhe ardhjen e pranverës.
Shkoni
dhe u thoni njerëzve që të mos kujtohen për të vdekurit vetëm kur ua prishin
varrin, - përsëriti burri dhe u kthye nga dritarja dhe u mbyll brenda heshtjes
së parë, si brenda një arkivoli të tejdukshëm.
“Do
të vdisja dhe nuk do të dija se edhe fjalët janë po aq të mishta sa edhe...”,
kishte thënë ajo e lodhur dhe e lëshuar e gjitha mbi shtratin e madh, ku drita
e hënës, që hynte e druajtur nga dritarja, përthyes mbi barkun e saj të bardhë
e të butë, si mbi një pellg të dehur nga loja e yjeve mbi sipërfaqen e tij.
Tedi
u step nga sytë e saj të mëdhenj dhe shiu që pikonte nga maja e flokëve dukej
sikur kishte shtrydhur vështrimin e habitur të atyre syve.
Fërfërima
e saj ishte si psherëtima e dehur e vetë natës, gjoksin e bardhë të së cilës e
shqetësonte qumështi i rrezeve të hënës.
Fytyra
që pa turbull ishte fytyra e Llikos, e cila u shtrembërua si në një pasqyrë të
valëzuar uji.
Dhe
s’di se si, pavetëdijshëm, krahasova dy ulërima që sapo kisha dëgjuar dhe s’di
pse ulërima e ariut ishte shumë prekëse, sikur nuk e kishte lëshuar vetëm ariu,
por edhe shiu i imtë, edhe muzgu, edhe heshtja e pyllit.
Mes
degëve, qielli i copëzuar ishte i ngrirë, i largët. Heshtja shtrihej mes
hapësirave midis drurëve. Ajo ishte heshtja më e bukur që kishte ndjerë Tedi.
Në atë heshtje kishte ngecur dhe nata e kaluar.
Pranvera
lëkundej mes fijeve të hollë të merimangave dhe në këngën e vetmuar të një
zogu, që më shumë se sa për zogjtë e tjerë, i këndonte vetmisë së tij.
Nga romani “Kishim
një ëndërr”:
Nuk
ishte një mëngjes i zakonshëm për mua, siç ishte për Timin ngritja dhe ulja e
qepenit, zhurma e të cilit dëgjohej çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje dhe më dukej
gjithmonë sikur dikush kërciste shtyllën kurrizore të natës, kur ishte natë,
dhe shkriftonte eshtrat e mëngjesit kur ishte mëngjes.
Arkivolet
i kishin mbështetur pas murit dhe mua m’u duk sikur po çlodheshin para së të
nisnin marshimin e tyre drejt errësirave, të vetëdijshëm për flijimin.
[...]
u ngjitën, në të dy anët e derës, dy postera me ngjyra me portretin e një vajze
të re, me flokët që i dridheshin mbi supet e zhveshura si një shelg lotues në
vjeshtë, kur gjethet zverdhen dhe lëkunden nën erë.
Në
vend të tij, brenda kraharorit, filloi të lëvizte si një merimangë e hirtë
mërzia.
Një
afsh i beftë, që u shfaq nga kërthiza, erdhi dhe me përfshiu gjoksin, sikur në
të të ishin mbështetur lehtë dhe me kujdes buzët e fryra dhe përvëluese të
kohës.
Kisha
filluar të trembesha nga mendimet që më shfaqeshin papritmas, si lakuriq të
errësirave të mërzisë sime.
Ato,
duke emituar burrat e tyre të fuqishëm apo dashnorët, kishin zhdukur brenda
vetes femrën dhe kishin hyrë në muzgun e ankthshëm dhe të zymtë të celuliteve.
Ishte
hera e parë që dridhesha si e dehur me veten.
Prania
ime aty ishte e domosdoshme për t’i zbuluar vetes prirje të reja, që kishin
qëndruar të përgjumura brenda meje.
Sekonda
fatale kishte ngrirë në fytyrën e saj si një shtresë e hollë akulli e, po të
fliste, do të thërrmohej si shtresa e hollë e saj.
Ato
çaste dashuria jonë më dukej e pashpjegueshme: ne nuk e kuptuam si lindi, dinim
vetëm se kishte lindur një ditë shtatori, e pazhurshme, si rënia e gjetheve në
një natë pa erë.
Zëri
i saj më erdhi i mbytur, si të ishte ngatërruar në shpellën e errët të
kraharorit tim.
Fytyra
e saj kishte një bukuri të pabesueshme, që nuk do të përsëritej kurrë më, të
paprekshme, si të ishte shkrirë me fëshfërimën e hapave të natës.
Ishim
vetëm ne të dy: drejtori i bankës BesAlb dhe unë. Ishte dhe nata e errët, e panjohur, e
lagësht, e ftohtë dhe Balada e Shopenit, si një plagë e thellë në zemrën
e natës.
Më
pëlqeu mosha që rrezatoi veshja. Ishte veshja që linte pas psherëtima lakmuese,
brenda të cilave gëlonte përfytyrimi më i guximshëm dhe më i paturpshëm.
Shiu
hyri mes nesh si një kujtim i plagosur nga koha.
Dhe
gjithë fajin e kishin trupi i saj, që kishte kapur kulmin e fundit të pjekurisë
përvëluese, dhe sytë që dinin të rrëshqisnin si dy nepërka që zgjatin kokën e
tyre të bukur ku fshehin edhe helmin e pamëshirshëm.
Nuk
pyesja dot për të. Më dukej sikur të gjithë do të nënqeshnin me natën që kishte
mbetur në cepat e syve të saj.
Lëviza
ngadalë drejt vejushës së bukur, duke mbartur brenda kraharorit klithmën e një
vjeshte të largët, që vërtitej tashmë e verbër në kërkim të çlirimit të saj.
Edhe vetëm këta
shembuj (të tillë mund të silleshim edhe dhjetëra e dhjetëra të tjerët) do të
mjaftonin për të thënë se këto romane ngërthejnë vlera të mëdha poetike dhe
bëjnë një ndikim estetik të ndjeshëm në marrësin. Në këtë rrjedhë më duhet të
përmend një fakt: po të mos i kisha shënuar titujt e romaneve nga i kam nxjerrë
pjesët përkatëse, askush nuk do të mund të thoshte se nuk janë marrë nga i
njëjti roman.
Romane
mendimesh të thella e të qenësishme
Edhe një përbërës
tjetër i njëson këto tri romane të Nasi Lerës (edhe romanet e tjera si dhe
prozën tregimtare të tij): përmes tekstit poetik shprehen mendime të
rëndësishme që lidhen me botën dhe me njeriun tonë, me rrjedhën jetësore, me
pësimet dhe tragjikat që e përcollën atë në një të kaluar të afërt ose në kohën
tonë. Ato s’kanë për qëllim të shprehin ndonjë koncept filozofik, pra nuk
synojnë të dëshmojnë doktrinë filozofike, po mendime që e plotësojnë dhe e
pasurojnë të shprehurit poetik të tekstit dhe të mendimeve që dalin prej tij.
Derisa në filozofi mendimi gjakon të përcaktojë dukurinë, qëllimin, ta
qartësojë dhe ta përkufizojë atë, në tekstin e romaneve të Nasi Lerës, gjakohet të përligjet shumësia e kuptimeve të
tekstit; degëzimin e tij sa më të madh. Dihet se teksti që synon vetëm një
kuptim ai i përket një fushe tjetër e jo artit të fjalës, letërsisë.
Kur thellohemi në
botën poetike dhe në mënyrën se si thuhen – shprehen gjërat në këto tri romane
të Nasi Lerës, çfarë forme u jep ai, vetvetiu bindesh se në hartimin e këtyre
autori do ta ketë pasur parasysh mendimin e shkrimtarit të njohur gjerman,
Tomas Manit: “Mendim dhe përsëri mendim, pa të edhe shprehjet e shkëlqyera nuk
vlejnë për asgjë”.
Nasi Lera jo vetëm që
përmes tekstit të përftuar thotë diçka të rëndësishme, po atë e thotë bukur, e
thotë në atë mënyrë sa ai mendim pastaj shumëfishohet në mendjen e lexuesit, që
teksti i thjeshtë filozofik nuk e bën. Këtë dukuri e kushtëzon, para së
gjithash, gjuha poetike, mënyra e të thënit, të shprehurit bukur, që është
shpirti i çdo teksti letrar poetik, që ndërlidhet pandërmjetësisht me ndikimin,
para së gjithash, estetik.
Mendime të
rëndësishme në tekstin e romaneve të përmendura të Nasi Lerës i ndeshim jo
vetëm kur autori synon të thotë diçka rreth personazhit përballë shoqërisë, fatit
e fatkeqësisë së tij, pësimeve e vuajtjeve, po dhe gjatë përshkrimit dhe
krahasimit të ngjarjeve, të dukurive e të veçantive të individëve, gjatë
përsiatjeve, gjatë dialogut ose ballafaqimit të tyre, qofshin edhe kur janë
krejtësisht të ndryshme ose kur janë në një marrëdhënie kundërshtie e
kundërvënie.
Konkretizimi i gjerë
i kësaj dukurie në këto romane do të më shmangte nga qëllimi kryesor i punimit.
Megjithatë, po sjell pak shembuj për të përligjur atë që thashë më lart.
Nga “Ana Zh”: Delfi
është vendi ku e vërteta mbështillet me mjegull, sepse vetëm ashtu ajo është e
vërtetë; Çdo gjë e përkryer, është një gënjeshtër, Sëmundja e shtynte drejt
mashtrimit të vetvetes; Përpiquni që ajo (koha) të mbetet gjithmonë koha juaj;
Fytyra kishte atë përtëritje që të jep vetëm të bërit dashuri me natyrën;
Njeriu e ka brenda vetes tragjedinë e mjerë të së pamundurës; Në shkretëtirë
ajo ka fytyrën e saj të vërtetë; Ne e kemi çnatyrizuar vdekjen; Sa pak gjë
kërkon njeriu dhe sa fatkeq është në atë kërkim; Ajo vinte nga zbulimi që i
kishte bërë vetes.
Nga “Të gjallë dhe të
vdekur”: E shihte veten krejt ndryshe nga ç’ishte; Në atë vend ishte e
gjallë vetëm heshtja; Kur nuk ke frikë, nuk je kurrë i vetmuar; Nuk i besohet
heshtjes së thellë të natës; Koha i bën njerëzit; Jetojmë në një kohë që nuk
njohim veten e jo më tjetrin; Fëmija (është) një kujtesë e gjallë; I gjalli
mund të jetë i qetë vetëm kur të jenë të qetë të vdekurit; Jeta s’është asgjë
tjetër, pos një pohim i kuptuar me shumë vonesë; Gjëja më e vështirë: të mbrosh
jetën e të vdekurve; Dëshira e vërtetë është memece; Ne të gjithë e shohim
kohën me vonesë; Hakmarrje të verbër mund të ketë vetëm njeriu.
Nga “Kishim një
ëndërr”: Jeta është e keqe, jo vdekja; Jeta ime e vërtetë do të niste pas
vdekjes së saj; Si i largohemi vetes kur na kap frika nga frika nga e vërteta
jonë; Ëndrrat lindin për të na zhgënjyer; Heshtja është më besnike se zëri;
Deri më tani kam takuar njerëz që shpresa u ka vdekur e para; Vdekja është
përjetësi; Heshtja është shprehja më e mirë e dhimbjes; Fjalët kanë kufij,
dëshpërimi jo; S’ka brez më fatkeq se brezi të cilit i vdesin ëndrrat; Vuajtja
është forca më e madhe që ka njeriu në vete; Kënaqësia nuk qëndron tek e
vërteta që ti di, por tek e vërteta e shërbyer (e marrë) si e vërtetë; Të vdekurit
janë të barabartë, të gjallët jo; Të gjitha fundet janë njësoj.
Bota
e brendshme e njeriut dhe jeta përballë vdekjes
Në romanet “Ana Zh”,
“Të gjallë dhe të vdekur” dhe “Kishim një ëndërr” Nasi Lera i qaset dhe e
shqipton botën dhe jetën e njeriut tonë nga rrafshe dhe këndvështrime të
ndryshme. Për autorin tonë s’ka dukuri që nuk mund të bëhet objekt vështrimi
poetik. Edhe nga ato gjëra që në vështrim të parë të duken të parëndësishme dhe
të rastit, përmes tekstit letrar poetik, mund të nxirren kuptime të mëdha, të
thuhen gjërat bukur, dhe të krijohet e bukura. Megjithatë, duhet thënë se në
romanet e përmendura autori përqendrohet sidomos në botën e brendshme të
personazheve; gërmon dhe i shqipton të veçantat dhe të fshehtat e saj meqenëse
ajo është e pafund dhe e pakufi; për të dhe brenda saj mund të thuhen e të
zbulohen gjëra të mëvetësishme që më parë ose nuk janë vështruar aspak ose nuk
janë vështruar në atë mënyrë ose në atë ndërliqësi.
Pikërisht vështrimi i
kësaj bote dhe shpalosja e të veçantive të saj, i ka mundësuar autori t’i
shprehë më bindshëm dhe më thellë dukuritë shoqërore, ta shtrijë e ta pasurojë
mënyrën e shqiptimit të botës poetike. Autori zgjedh sidomos ngjarje dhe çaste
dramatike që lidhen me personazhet, me pësimet dhe me tragjiken e tyre;
vetminë, dyshimet dhe kundërthëniet që ngjasin brenda tyre ose në mjedisin kur
ata jetojnë e veprojnë. Në mënyrë të veçantë Lera i vështron veprimet e
personazheve në përballjen dramatike me jetën dhe vdekjen.
Kështu, në romanin
“Ana Zh” gjurmohet dhe shpaloset drama e Anës dhe e Pirros. Të dy (secili në
mënyrën e vet) gjakojnë të ngadhënjejnë mbi të ligën që e ka goditur Anën. E
vetëdijshme për sëmundjen e saj të pashërueshme, ajo bën çmos që të mos ia
bartë Pirros shqetësimin dhe dhembjen që ndien. Mirëpo, sa më shumë që ajo
përpiqet t’ia dalë këtij qëllimi, aq më tepër Pirroja e ndjen dhe zhytet në
shqetësimin dhe dhimbjen e saj. Në fund,
Ana dhe Pirroja nuk ngadhënjejnë përballë vdekjes, po ngadhënjen përpjekja e
tyre. Pra, rrëfimi në një mënyrë ose tjetër bëhet zëvendësimi i jetës dhe i
asaj që nuk mund të përmbushet në jetën e përditshme.
Në romanin “Të gjallë
dhe të vdekur” rrëfehet për dramën dhe kundërthënien e brezave, gjë që
përligjet sidomos përmes vizionit dhe veprimit të gjyshit, Aranit Gusmarit, dhe
nipit, Tedit. Kjo shpaloset sidomos tek tragjika e zhvarrimit të eshtrave të të
vdekurve për të shtuar numrin e ushtarëve grekë të vrarë në Luftën Italo– Greke
(varret si ekzistencë, si kujtesë). Aktet e tilla të zhvarrimit të eshtrave dëshmojnë
shprishjen e skajshme shpirtërore dhe një zhbërje të vetëdijes të disa njerëzve
që nuk zgjedhin mjete për t’ia arritur qëllimit që të pasurohen ose që të zënë
ndonjë pozitë. Në ballafaqimin e brezave Lera ka ndriçuar një varg dukurish të
mjedisit shoqëror, të tëhuajsimit, të vetmisë dhe të frikës, të mëdyshjeve dhe
të heshtjes. Përmes asaj që u ndodh dhe përjetojnë gjyshi dhe nipi, shprehet
një jetë e rëndë dhe e përmbysur; në udhëtimin (midis jetës dhe vdekjes)
ndodhin një varg të papritura dhe tragjika: “Jetojmë në një kohë që nuk njohin
veten e jo më tjetrin” ose “Botë e lodhur nga vetvetja”. Rrënimi shpirtëror ka
kushtëzuar që të vdekurit të kenë vdekje të dytë dhe se gjëja më e vështirë del
që të mbrohet “jeta” e të vdekurve.
Edhe në romanin “Kishim
një ëndërr”, Nasi Lera e shqipton një botë përshkuar nga dramat dhe
fatkeqësitë. Edhe në të kemi të bëjmë me të vdekur; me shërbimet funerale, me
varrmihës dhe të varrosur (që dëshmohet dhe mekanizmi i mafies së varrimit).
Pra, pësimi dhe tragjika e personazheve shprehet në përballjen e tyre me jetën
me vdekjen (vdekja edhe si çast sublim), me çka dëshmohet se ky roman është një
vazhdimësi e romaneve “Ana Zh” dhe “Të gjallë dhe të vdekur”.
Veçantia e jetës së
personazheve të këtyre romaneve del edhe nga ajo që thotë Asti: kishte kryer
studimet për regjisor, po ishte i detyruar të bënte nëpunësin e bankës
(kredifshirës). Personazhet si Tim Finerali, Fedra, Ledi B (edhe vetë Asti),
kishte kohë që luanin në veprimet e përditshme vazhdimisht teatër me veten dhe
me të tjerët. Koha e tillë ishte kohë e ligë dhe e përmbysur, ku ka pak
ngrohtësi njerëzore. Ndërsa Asti mendon për dramat e Çehovit dhe të Beketit, që
mendonte t’i vinte në skenë, i bëhet se të dy i luante në dekorin e dhimbshëm
të vendit të tij. Kjo e bën të mendojë se sikur deri atëherë kishte jetuar në
një botë të pa qenë.
Jetën dhe rrethanat
në të cilat jetojnë personazhet shprehen ndoshta më së miri përmes mendimit të
Astit se ëndrra që të bëhet regjisor dhe t’i vërë në skenë dhe veprat dramatike
më të shquara, ishte një gjë qesharake dhe cinike. Nëse do t’ia dilte kësaj, do
ta vinte në skenë dramën për njerëzit pa kujtesë nga se ata ishin shprishur
shpirtërisht nga se dhe jeta vetë ishte shndërruar në tragjedi komedi. Gjithë
kjo ndodhte edhe për mungesë të dashurisë midis njerëzve; ta duash dhe ta
nderosh tjetrin domethënë ta nderosh veten. Thuhet se jeta pa dashuri është një
gjë e zbrazët. Për këtë arsye personazhet e romanit gjejnë ngushëllim vetëm kur
e harrojnë jetën ose në çastet kur janë me femra ose me meshkuj të bukur ose
futen në shtrat me ta (to).
Udhëtimi
si jetë dhe si mundësi njohjeje
Në këto tri romane,
siç u tha dhe më parë, Nasi Lera e shqipton jetën sidomos në rrjedhën dramatike
dhe tragjike. Për personazhet e këtyre krijesave poetike “Jeta e vërtetë
(është) si heshtja e errët e natës”, për arsye se brenda saj ndodhin gjëra të
pështira dhe të papritura; ishte kohë që i kishte bërë njerëzit shpirtërisht të
shprishur ose ata e kishin bërë atë të tillë, të përmbysur e të pavlerë.
Regjisori i ri që s’kishte vënë në skenë asnjë pjesë teatrale, thotë: “Teksa po
mendoja për dhunimin e kohës, më pushtoi keqardhja e zakonshme për njeriun. Ai
m’u duk një qenie e mjerë, që ishte mësuar të bindej, të flinte një orë më
parë, të zgjohej një orë para, të lindte një orë para dhe të vdiste një orë
para dhe, kur të vinte vjeshta, të kthehej gjashtëdhjetë minuta pas”.
Për t’i zbutur
sadopak pësimet dhe vuajtjet, për t’iu shmangur dhunës së jetës së tillë,
personazhet ndërmarrin veprime të ndryshme. Dy nga këto zënë kryet e vendit:
udhëtimi dhe ëndërrimi i jetës që synojnë dhe e mendojnë ta bënin. Të dyja këto
bëhen si kundërvënie e realitetit përkatës; gjakohet një jetë tjetër në
krahasim me atë konkrete, e cila, mjerisht, nuk i përmbush as për afër kërkesat e tyre jetësore dhe
shpirtërore.
Në këto romane
udhëtimi është një dukuri e shpeshtë dhe ngërthen një shumësi kuptimesh. Së
pari ai bëhet për t’iu shmangur monotonisë së përditshmërisë në qytete ose në
qendra, po edhe për ta kuptuar jetën, veten dhe tjetrin. Po ashtu bëhet edhe
për qëllime njohëse; thuhet se udhëtimet janë shkollë e madhe, pa orë mësimi
dhe pa mësues konkret.
Ana Zh dhe Pirroja
vihen në udhëtim për të ngadhënjyer mbi sëmundjen vdekjeprurëse, për të
ngadhënjyer mbi dhimbjet dhe vuajtjet; për të harruar atë që po ndodhte
(keqësimi i shëndetit të Anës Zh dhe vdekja) dhe atë që mendojnë se mund të
ndodhë. Harresa (harrimi) në raste të këtilla është ilaçi më i mirë.
Edhe gjyshi, Aranit
Gusmari, dhe nipi, Ted Gusmari, nisen në udhëtim për disa qëllime, po gjatë
shtegtimit konkret, qëllimi zgjerohet më tepër sesa mund ta kishte menduar në
fillim gjyshi: ta shpjerë nipin gjurmëve të trashëguara dhe ta pasurojë me
përvojë jetësore. Pikërisht në udhëtim dalin në shesh ndryshimet e pikëpamjeve
të brezave: aftësia, këmbëngulësia, kureshtja, shkathtësia, largpamësia,
përvoja, projektimi i së ardhmes. Udhëtimi për Nipin bëhet më shumë se një
shkollë; gjatë udhëtimit ai njihet jo vetëm me gjëra të reja, po para së
gjithash e njeh anën e errët të jetës, gjë që e bën të vetëdijshëm për
rëndësinë e jetës e të njeriut, po aq e zhgënjen me fatkeqësitë dhe tragjiken
që e përshkon çdo veprim. Në mënyrë të veçantë për dyzimin e njeriut (“Frida që
ka qenë e jo Frida që është”), për shëmtitë që ai i bën tjetrit, dëshmi e së
keqes që ka brenda dhe nuk e frenon. Në udhëtim Tedi mëson edhe faktin se bota
është e lodhur nga vetvetja dhe se “Jetojmë në një kohë që nuk njohim veten e
jo më tjetrin”.
Po ashtu në romanin
“Kishim një ëndërr” kuptimi i udhëtimit degëzohet: bëhet për të harruar, për
t’iu shmangur pësimeve dhe vuajtjeve. Ndonjëherë “udhëtim” ngjet brenda vetes.
Asti, personazhi kryesor, udhëton vijimisht nga ajo që përjeton drejt asaj që
synon të ishte e të bënte; herë del jashtë vetes, herë ngujohet brenda saj.
“Udhëtimet” që bën në detyrën e kredifshirësit, e zhytin në kundërthëniet dhe
tragjiken e jetës; në lumin e vuajtjeve dhe të pësimeve të njerëzve, që i vëren
dhe i përjeton vetë: “Çfarë ëndërruam të bëhemi e çfarë u bëmë!” Meqenëse është
regjisor me profesion, po që nuk mund ta ushtrojë (arti në shoqëri të
karakterit të tillë thuajse s’ka rëndësi dhe nuk ekziston), ai përjeton dramën
më të madhe të mundshme: bashkë me personazhet e gjallë, që i takon në
“vatje-ardhjet” e tij. Ai bindet se e vërteta ekziston vetëm në mjegull.
Edhe personazhet e
tjerë të këtij romani bëjnë udhëtime: “udhëtojnë” nga gëzimi në zhgënjim, nga
një pësim në tjetrin. Pikërisht në këtë lëvizje, në këtë shtegtim, ata e
kuptojnë dhe e njohin më mirë veten dhe tjetrit, bëhen pjesë e teatrit që nuk
luhet në skenë të vënë nga një regjisor, po në skenën e jetës e të kohës së
pamëshirshme. Nga kjo rrjedh se jeta është një shumësi paradoksesh që asnjëherë
nuk kuptohet në tërësinë e saj.
Dukuria që po ashtu
dëshmon për tërësinë shprehëse poetike të romaneve “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të
vdekur” dhe “Kishim një ëndërr” është ëndrra, ëndërrimi i personazheve. Në to
nuk e kemi atë që thoshte Tomas Man për Shilerin, prirjen fëmijërore për të
jashtëzakonshmen, për imagjinativën, po projektimin e asaj që gjakohet nga
secili: jetën e qetë, të lirë e të mirëfilltë. Në një mënyrë ose tjetër, kjo
thuhet dhe në romanin “Kishim një ëndërr”: Ëndrrat lindin për të na
zhgënjyer. Sido që t’i marrim, ëndrrat janë të nevojshme në kohën e tilla,
të vrarë në sy, siç do të thoshte poeti.
Autori vepron në këtë
mënyrë për arsye se kur personazhet jepen pas ëndrrave, vënë një drejtpeshim
mes përditshmërisë dhe asaj që duhej e mund të ishte. Ëndrra është përjetim i
asaj që synohet; brenda saj përmbushet çdo gjakim dhe çdo dëshirë. Kur mungojnë
ëndrrat, atëherë jeta, pa i ardhur fundi i njëmendtë, ka vdekur: “S’ka brez më
fatkeq se brezi të cilit i vdesin ëndrrat”.
Ëndrra i shërben
shkrimtarit tonë edhe për të ndërtuar një realitet tjetër nga ai konkret; për
t’i dhënë jetë përfytyrimit, për të ngadhënjyer mbi dëshpërimin, marrëzinë,
heshtjen, vetminë, mbi kotësinë dhe frikën përballë vdekjes. Në këto raste edhe
të shprehurit poetik merr përmasa të tjera dhe synimin e autorit që vepra e tij
të jetë sa më poetike përmbushet natyrshëm dhe në mënyrë më të plotë: në
hartimin e tekstit poetik autori nuk u përmbahet rregullave dhe ligjësive të
jetës konkrete, po i jep jetë imagjinatës krijuese dhe artit.
Nasi Lera e zbaton
një mënyrë të këtillë të shqiptimit dhe të njësimit të botëve të ndryshme, për
t’i vërejtur dukuritë më thellësisht dhe për të depërtuar dhe për ta njohur më
mirë botën tonë dhe botën e brendshme të njerëzve tanë, për të ndriçuar sa më
mirëfilli pësimet dhe tragjiken e të pamundurës, që e cilëson jetën e njeriut.
Vepron në këtë mënyrë për ta zgjuar vetëdijen e për të zvogëluar ose për ta
zhbërë shkretëtirën shpirtërore. Parim i shkrimtarëve të mëdhenj.
Prishtinë,
maj 2022