E shtune, 21.12.2024, 12:39 PM (GMT)

Kulturë

Hamdi Hysuka: Kur merr udhë një vepër

E enjte, 09.06.2022, 06:23 PM


Kur merr udhë një vepër

Nga Hamdi Hysuka

Fjalori i gjuhës së një kombi është tërësia e fjalëve të renditura sipas alfabetit, pasuria më e madhe kulturore e atij kombi. Është shenja më e domosdoshme, elementi etnik më i domosdoshëm, për të dalluar një komb nga kombet e tjerë, pasuri që trashëgohet nga brezi në brez. Njerëzit vdesin, brezat ndërrohen, fjalët mbeten. Një komb vdes atëherë kur e humb gjuhën e vet, dmth fjalorin e gjuhës së vet. Domosdoshmërisht buron dhe kërkesa për t’i ruajtur e përdorur fjalët e gjuhës kombëtare, si pasurinë më të pazëvendësueshme, e cila u lihet pasardhësve trashëgim.

Popujt e Ilirikut, ashtu si popujt e krejt kontinentit e më gjërë, qindra, madje mijëra vjet i kanë dhënë njëri-tjetrit elemente të kulturave të veta e, midis tyre, natyrshëm ose edhe jo natyrshëm, i kanë dhënë njëri-tjetrit edhe thesare të gjuhëve të veta.

Shkrimtari Gjokë Dabaj vjen para lexuesit dhe botës akademike me një botim të ri, i veçantë për nga lloji, me fjalorin “Iliro-epiroalbanizmat në gjuhët sllave”, i cili përmban iliro-epiro-albanizma në gjuhët sllavo-jugore qendrore dhe në gjuhën ruse, si dhe fjalëformimet në gjuhët sllave me bazë tek iliro-epiro-arbërishtja.

Pyetja e parë që bëjnë njerëzit: Kush është autori i fjalorit “Iliroepiro-albanizmat në gjuhët sllave”? Po i përgjigjem kësaj pyetjeje sa më shkurt të jetë e mundur. Gjokë Dabaj, me profesion është mësues. Ka punuar në rrethin e Matit një çerek shekulli dhe ka lënë aty emër të dallueshëm.

Është lindur në Stamboll, rritur në fshatrat e Tivarit e të Ulqinit. Shkollimi: Katundi Salç, katundi Dedanj, klasa V dhe VI në Ulqin, klasa VII dhe VIII në Tivar, shkollë mësuesie në Nikshiq të Malit të Zi, në Prishtinë, në Gjakovë dhe në Prizren. Përfundimisht, viti i fundit i shkollës së mesme në gjimnazin e Tepelenës. Fakulteti Histori-filologji, dega Gjuhë shqipe dhe letërsi, në Tiranë dhe punësimi si mësues në rreth të Matit. Mbas vitit 1993 ka blerë një tokë dhe një shtëpi afër Durrësit. Jeton atje tashmë pothuaj tridhjetë vjet, ka punuar deri vonë

nga pak në tokën e vet, por tash kryesisht studion dhe shkruan. Është tetëdhjetë e katër vjeç. Gjithë jetën është marrë me krijimtari të fushave të ndryshme, punë që e ka konkretizuar në më shumë se tridhjetë vepra, dymbëdhjetë a trembëdhjetë prej të cilave i ka botuar.

1. “Shestani, studim filologjik gjithpërfshirës në dy vëllime, vëll. I me shtatëqind faqe, vëll. II me gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë faqe, botuar në vitin 2004. Është vepra e parë e këtij autori, nxjerrë në dritë në moshën gjashtëdhjetë e gjashtë vjeç. Do të mjaftonte vetëm kjo, për të kuptuar se Gjokë Dabaj është një krijues i veçantë. Krijuesit në përgjithësi veprat e para i botojnë në moshën njëzet deri tridhjetë vjeç. Ky krijues veprën

e parë ka arritur ta botojë vetëm atëherë kur ka dalë në pension dhe kur tashmë i kish të rritur pesë fëmijë.

2. “Ta kisha një forcë të madhe, “Da mi je imati snagu jednu velku”, përsiatje poetike, botuar në dy gjuhë: në shqip dhe, siç e quan ai, në sllavishten jugore qendrore apo kroato-sërboboshnjako-malazeze; tetëdhjetë e dy faqe, botuar në vitin 2005.

3. “Prush plagësh të pambyllura, poemë epiko-lirike, gjashtëdhjetë e katër faqe, botuar në vitin 2007.

4. “Prush mbi ujë”, përsiatje poetike; dyqind e shtatëdhjetë e dy faqe, botuar në vitin 2008.

5. “Kriza e arkivistit”, kronikë beogradase, roman; njëqind e tetëdhjetë faqe, botuar në vitin 2008.

6. “Fjalor i Selman Rizës, vepër leksikografike, me treqind e njëzet e katër faqe, botuar në vitin 2008.

7. “Strategjia e shqiptarëvet, manifest kombëtar, treqind e dyzet e gjashtë faqe, botuar në vitin 2011.

8. “Në rrugë rrëziqesh me vetëdije”, libër biografik. Bashkautorë: Gjokë Dabaj dhe Fadil Cukaj, pjesëtarë të grupit ilegal “Liria, viti 1962 etj, në Prizren, dyqind e gjashtëdhjetë faqe, botuar në vitin 2012.

9. “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit, libër polemic me një autor malazias, dyqind e pesëdhjetë e pesë faqe. “Istinita prošlost Barske Nadbiskupije, i njëjti libër në sllavishten jugore qendrore, dyqind e pesëdhjetë e dy faqe, botuar në vitin 2014.

10. “Apostol Barko Malëshova, biografi, jeta dhe veprimtaria e njërit nga atdhetarët e shquar të Shqipërisë Jugore, nëntëdhjetë e katër faqe, botuar në vitin 2017.

11. “Rrnoj edhe unë për me tregue, histori dhe sociologji, treqind e tetëdhjetë e tetë faqe, botuar në vitin 2017.

12. “Pjesë nga historia e Tivarit, libër i botuar te “pashtriku.org.” Përveç libravet që i rendita këtu, dhe nja njëzet të tjerë që i ka në arkivin e vet, Gjokë Dabaj ka edhe afër dyqind e pesëdhjetë artikuj të botuar, në gazeta, në revista ose në portale, disa prej të cilëve janë studime ose shkrime programorë me projekte konkretë: në fushën e bujqësisë, ku qysh fëmijë jo pak vite ka punuar si blegtor e punëtor i thjeshtë; në fushën e arsimit, për të cilën mendon se ka nevojë për reformë organizuese strukturore në shkallë botërore, në të gjithë nivelet, por veçanërisht në ciklin e ulët, pikërisht aty ku fillon arsimimi i organizuar i njeriut.

Sa i përket edukimit të njeriut, jo vetëm në shkollë, por gjatë gjithë jetës, Gjokë Dabaj është mirëfilli racional dhe rrjedhimisht shumë i shqetësuar. Platforma e tij me titull “Përkujdesja gjithshqiptare”, hartuar e publikuar tashmë në më shumë se gjashtëqind faqe, vërtet ka të bëjë konkretisht me kombin shqiptar, por ajo është e zbatueshme për cilindo komb tjetër dhe Gjokë Dabaj mendon që vetëm ashtu kombet do të mund ta ruajnë identitetin e vet dhe të hapin, në marrëdhëniet njëri me tjetrin, një epokë të re, jo vrastare, por mirëkuptuese.

Në fjalorin “Iliro-epiro-albanizmat në gjuhët sllave”, që e kemi përpara, mund të themi që autori Gjokë Dabaj ka punuar gjithë jetën, qysh njëzet vjeç. Metoda e tij krijuese është: të shënuarit e çdo fjale në çastin kur ajo i tërheq vëmendjen. Në kartotekën e tij gjenden një duzinë blloqe shënimesh dhe disa mijëra skeda. Të gjithë librat që ka lexuar, i ka “shkarravitur” me shënime. Fjalorë të ndryshëm rrinë mbi tavolinën e tij të punës dhe zëvendësojnë njëri-tjetrin sipas rastit, por asnjëri nuk u ka shpëtuar shënimeve masakrues anash dhe midis rreshtavet. Dhe, kur unë i them: “Po sikur ta trajtojnë kështu fjalorin tend?”, ai përgjigjet: “Do të isha i lumtur.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora