E diele, 23.06.2024, 08:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Bujar Qamili: "Titullin ia kushtoj Shkodrës"

E enjte, 18.12.2008, 06:29 PM


Bujar Qamili
Bujar Qamili
"Titullin ia kushtoj Shkodrës"

I emocionuar, Bujar Qamili nuk e fsheh gëzimin.

Dje, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e nderoi me urdhrin "Mjeshtër i Madh" këtë interpretues të këngës popullore. Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Brigadave, kreu i shtetit i dorëzoi atij urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës me motivacionin "për interpretimin me mjeshtëri të lartë artistike të këngëve popullore shqiptare dhe në veçanti të atyre shkodrane". "Ndjehem i gëzuar, i emocionuar dhe i respektuar", u shpreh këngëtari. Edhe pse janë të shumta çmimet dhe vlerësimet që Bujar Qamili ka fituar gjatë 30 viteve në skenë, për të "Mjeshtër i Madh" ka një domethënie të veçantë. Shkodra meriton falënderimin kryesor, asaj ia kushton këtë vlerësim Bujari.

Si ndiheni pas vlerësimit nga Presidenti Topi me urdhrin "Mjeshtër i Madh"?

Me gjithë forcën e shpirtit e them se nuk kisha ndjerë asnjëherë më parë ndonjë emocion më të madh në jetën time. Unë kam konkurruar në shumë festivale, jam vlerësuar me shumë çmime, por nuk e kam ndjerë asnjëherë më parë veten kaq mirë. Ishte një eveniment shumë i madh jo vetëm për mua, por edhe për familjen time, por them edhe se është kështu dhe për Shkodrën time. Asaj ia kushtoj këtë titull. Ishte një emocion i madh.

Çdo të thotë ky vlerësim për ju?

Është kurorëzimi i punës që unë kam bërë gjatë 30 viteve në skenë. Unë jam vlerësuar me medalje e me urdhra të tjerë, por ky i sotmi ishte shumë i rëndësishëm për mua. Unë gëzohem shumë edhe për një arsye tjetër, sepse dekorohem me këtë çmim në një moshë shumë të re, kur ende jam 45 vjeç, në një kohë kur artistë të tjerë para meje e kanë marrë në një moshë më të madhe. Ky titull, mua më jep një forcë shumë të madhe për të vazhduar më tej me këngën popullore shkodrane.

Si ju ka vlerësuar ndër vite publiku shkodran, të cilit ju edhe i kushtoni këtë titull?

Sigurisht që shumë mirë. Qyteti im më ka dhënë forcën për gjithë sa kam arritur gjatë 30 viteve në skenë.

Ju e quani një kurorëzim të karrierës suaj 30-vjeçare urdhrin "Mjeshtër i Madh", por nëse do të kthehemi pas në kohë, çfarë kujtoni prej fillimeve tuaja?

Kujtoj që për herë të parë kam nisur të këndoj në vitet ‘76-‘77. Kam filluar në një ndërmarrje të qytetit të Shkodrës dhe më pas, me klubin e rinisë, me Shtëpinë e Kulturës dhe për dhjetë vjet me radhë gjatë viteve 1980-1990 kam qenë pjesë e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe kam qenë pjesë e shumë koncerteve, ku jam vlerësuar me mjaft çmime të rëndësishme të para dhe të dyta. Në vitin 2001 jam dekoruar nga Presidenti Rexhep Mejdani me urdhrin "Naim Frashri i Artë". Sukseset kanë qenë të njëpasnjëshme, sidomos me koncertet jashtë Shqipërisë, ku kam kënduar kudo ku ka shqiptarë.

Kush e zbuloi talentin tuaj? Keni thënë se asnjë në familjen tuaj nuk ka kënduar.

Bujar Qamili - Bamir Topi
Po, është e vërtetë, talentin nuk e kam trashëgimi. Asnjë prej pjesëtarëve të familjes time nuk këndonte. I pari që kuptoi se unë kisha talent në këngë ishte një mësuesi mi në shkollën 8- vjeçare. Ai dëgjoi diçka të veçantë tek unë dhe më angazhoi me grupet e shkollës. Ai menjëherë më dha të këndoja një këngë popullore mirditore, të cilën unë e kujtoj edhe sot. Pas kësaj, u bëra pjesë e Shtëpisë së Pionierit e kështu nisa rrugën drejt këngës popullore.

Jeni marrë gjithnjë me këngën popullore? A keni tentuar të këndoni ndonjë këngë të muzikës së lehtë?

Po, ka pasur një eveniment shumë të rëndësishëm në jetën time. Unë kam marrë pjesë në festivalin e 19 të këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Arrita të këndoja vetëm natën e parë, natën e tretë nuk më futën fare. Pas kësaj unë iu ktheva sërish këngës popullore. Nuk u mora asnjëherë me këngën e lehtë. Megjithatë e cilësoj si të rëndësishme këtë pjesëmarrje.

Si e kujtoni herën e parë kur jeni ngjitur në skenë?

Shumë emocionuese. Kujtoj se edhe pse ishte hera e parë, u duartrokita vërtet. Aty kuptova se kisha nisur një rrugë të mbarë. Më ka ndenjur pranë mjeshtri i madh Luan Borova. Ai ka mjaft rëndësi në karrierën time artistike. Një pjesë të mirë të repertorit tim unë e kam në bashkëpunim me të.

Mendoni se jeni një përfaqësues i denjë i muzikës popullore shkodrane?

Ajo që unë vlerësoj te vetja dhe që më vjen vërtet mirë që ia kam arritur, është se kam bërë të mundur të përhap ngado këngën popullore qytetare shkodrane. Repertori im me këngë shkodrane ka marrë përmasa shumë të mëdha, ai njihet dhe admirohet thuajse në të gjitha qytetet shqiptare, në veri a jug qoftë.

Nëse nuk do kishit zgjedhur të ishit këngëtar, çdo të kishte ndodhur me jetën tuaj?

Do isha bërë futbollist. Pas 8-vjeçares kam mbaruar shkollën e mjeshtërisë sportive në Durrës. Nisa të merresha me futboll, të angazhohesha me të rinjtë e Vllaznisë, e më pas qe një kohë kur këndoja edhe në estradë, si dhe merresha me futboll. Por ndodhi që më duhej të zgjidhja mes të dyjave. Duartrokitjet e publikut më shijuan më shumë se ato të tifozëve... Ishin të bukura, ndaj bëra zgjedhjen time.

Çdo të thotë të jesh në skenë prej 30 vitesh?

Mua nuk më duket sikur kam 30 vjet në skenë. Nuk i numëroj aspak vitet që kalojnë. Mendoj se jam ende në moshë të re (45 vjeç) për të dhënë më të mirën për publikun tim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora