Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Lamtumirë burri i ndritur, Sinan Rashani!
E merkure, 01.06.2022, 06:50 PM
LAMTUMIRË BURRI I NDRITUR, SINAN RASHANI!
Nga
Hazir MEHMETI, Vjenë
Në
moshë 98 vjeçare ndërron jetë Sinan Isuf Rashani. Ai njihet për mençurinë e tij
dhe në pajtimin e shumë familjeve në Shalë dhe vise tjera të Kosovës. Rrjedh prej një familje e njohur për trimëri
e mençuri jo vetëm në Shalë, por edhe më gjerë. I ati i tij Isuf Rashani ishte
i njohur si dijetar dhe pleqnar i dalluar i cili dha kontribut me rëndësi në pajtimin e gjaqeve dhe jetën e
shaljanëve. Këto virtyte i trashëgoi i biri i tij Sinani.
Sinan
Rashani i takonte kohës kur aktivitet organizative në shoqërinë e pasluftës
ishin në rritje të vazhdueshme, krahas shkollimit të banorëve shaljan. Vetëdija
kombëtare rritej duke kuptuar se nën truallin e tyre flinte ari e argjendi,
kurse jeta e tyre ishte e rëndë. Sinan Rashani ishte ndër ata që i mbështeti
kërkesat për punësimin e shaljanëve në Trepçë, ku shumica e tyre punuan
minatorë në galeritë e thella të minierës. Mes këtyre ishte edhe vet. Minatori i ri Sinan Isuaf Rashani, me
bashkëfshatarët e tij përjetuan vuajtjet e jetës së rëndë duke udhëtuar me orë
të tëra natën e ditën, verë e dimër nga shtëpia në galeri dhe e kundërta. Trepça ishte e robëruar ku dominonin
punëtorët serb e kombesh tjera, por jo edhe shqiptarët e shtypur të cilët
përballeshin me aksionin famëkeq të mbledhjes së armeve dhe dëbimi masiv për
Turqi. Sinan Rashani dhe veprimtarët tjerë patriot organizonin qëndresën në të
gjitha format e mundshme. Me shtimin e minatorëve dhe zyrtarëve shqiptarë u bë
e mundur marrja e Trepçës nga brenda përmes forumeve ku dëgjohej fjala e
punëtorëve. Aty u shpreh aktiviteti patriotik i minatorëve dhe Sinan Rashanit
me shokë deri në vitin 1974 kur Kosova u bë njësi federale krahas republikave
tjera, një hap historik drejtë hapave tjerë që do vijnë. Edhe pse Sinani nuk
ishte i shkolluar ai dallohej me mendimin e tij dhe aftësitë e tij oratorike në
forume e kuvende kur merreshin vendime me rëndësi për të drejtat e punëtorëve
dhe atyre kombëtare. Fjala e Sinanit kishte peshë mes shokëve, mes
bashkëvendësve të tij në organizimin dhe formulimin e kërkesave ndaj atyre që
pasuroheshin nga nëntoka shaljane, kurse
harronin ta ndërtonin mbitokën dhe ta lehtësonin jetën e banorëve të
saj. Sinani ishte minator mbi dyzet
vjet, deri në pensionim e tij, duke ua lënë profesionin e minatorit djemve të
tij Shabanit dhe Ismetit të cilët e vazhduan deri në dëbimin e tyre nga pushtuesit
serb në vitet nëntëdhjeta, pas grevës së njohur të minatorëve me kërkesat e
tyre të njohura.
Prej
nesh u nda një njeriu i cili nuk la libra të shkruara, por la veprat e tij mes
njerëzve porosi gjeneratave në peshën e fjalës së vërtetë, të besës e nderit
shqiptar. La anekdotat e tij antologjive të shumta anë e këndë vendit. La
mbesat e nipat krenar e të ditur në liri për të cilin dha pjesën e tij. La
plisin e tij porosi të përhershme të cilin e barti deri në frymën e fundit. Me
bardhësinë e tij lind dhe kudo që shkonte në kokën e tij shkëlqente bashkë me
peshën e fjalës së tij shëruese. Isha me fat ta takoja në Vjenë bashkë me mbesat e nipat e tij kur fliste
krenar mbi jetën dje e sot. Porosia e tij ishte gjithmonë: “Po nuk je njeri,
nuk të vyen asgjë (kurrgjë)”. Pusho i
qetë në dheun e Kosovës, Sinan Rashani!