Kulturë
Bardhyl Maliqi: Poezia e Llambit si një kurorë diamantesh
E marte, 31.05.2022, 04:34 PM
POEZIA E LLAMBIT SI NJË KURORË DIAMANTESH
Nga
Dr. Bardhyl Maliqi
Për poetët e
vërtetë poezia është shpirt, ajo shkëlqen prej brendësisë dhe dritësimit të
natyrshëm të vlerave, ndaj me të drejtë Llambi e titullon një prej librave të tij “Diamante të thyera”. Llambi e ka
pasur gjithmonë dritën në emër, qysh ditën e pagëzimit edhe në pasmort, edhe në
ditët tona.
Ai e shkroi
poezinë kur ishte i ri, por e botoi në moshën e pjekurisë,
atëherë kur mbarojnë punët kryesore burrat, pasi krijojnë familje, lindin,
rritin dhe shkollojnë fëmijët. Jo se për botimin s’u ka shkuar ndërmend, por
gjithmonë ka një kohë të dytë, që njeriu të bëjë bilancet edhe për jetën, por
edhe për artin e vet. Përgëzimet e rastit për poezitë e tij të arrira ai i ka
marrë shpejt dhe jo nga kushdo, por nga personalitete të kulturës sonë
kombëtare. Ja çfarë i shkruan Kadareja atij më 36 janar 1075:
“E lexova me kujdes tufën e vjershave tuaja dhe m’ u krijua përshtypja se i
keni të gjitha mundësitë që ta filloni mbarë udhën poetike. Ju shkruani
thjesht, ngrohtë dhe qartë; nuk përdorni fjalë pompoze dhe figura të kërkuara
dhe nuk keni asnjë shenjë të mbylljes në guackën poetike.” Megjithatë ai nuk u nxitua të botonte,
Libri i tij doli 20 vjet më vonë, më 1995.
Llambi është poet
i lindur në bregdet. Si pararojë e Shën_Vasilit të madh, Hundecova e tij e
vogël, e kundronte detin ditë e natë, asaj i llamburisnin valët edhe në emrin e
poetit, edhe në arëzat e vogla ku rritej bereqeti, edhe në zilet dhe këmborët e
bagëtive të imta. Llambit dallgët i mërmërinin fjalë të pathëna, me rërën nëpër
duar dhe dritën e yjeve që bashkë me natën merrnin shtigjet e arratisë, ndaj
poezia e tij vinte si nimfë e bukur. Dhe ai ngutet të hedhë vargjet në letër,
se ato nxitojnë të shkojnë me bishtalecat e shkumës së dallgëve dhe erës, që
rimbush dejet e qiellit mes ngjyrash dhe stuhish. Atë e përshëndesin nga deti
lulealgat, si të rëna nga duart e nimfave të bukura, nën kostumin e kuqërremtë
të muzgjeve të mbrëmjes.
Më tej Lukova
ngjan si një nuse e re e dalë prej detit. dhe njëherësh “Lukova një
portokalle e ndaluar për detin", fshehur në abazhurin e kuqërremtë të
horizontit, e zhveshur nga avujt e vesës, dashuruar përjetësisht me diellin.”
Në kështjellat e vogla të rërës fshihen vështrimet që sjellin verbimin e
zemrës. ndaj shpesh poeti u thotë miqve të mos e kërkojnë gjetiu, veç në një
tatuazh ëndrrash. Ndaj deti shpesh na duket i pambarimtë, plot gulçe e dallgë,
me qiellin e zhveshur nga pemët e reve, ku brofin pëllumbat dhe stërkalat vijnë
në sytë e vajzës veshur me blu dhe ndizet zjarri i shpirtit të poetit që i do
dritaret e hapura në çdo stinë. Vajzat janë bërë për t’u puthur thotë
poeti, ndaj mbajeni në kraharor pëllumbin e shkruar, që ai të rendë pas
pëllumbeshave në hapësirat blu.
Vajzat edhe kur
janë si mbesa e vogël, Arlinda, janë lojcake nga natyra, të etura për të qenë
të bukura, ndaj u ngjajnë mëmave, por si pëllumbesha fluturojnë më lart dhe më
shpejt se ato. luajnë me hënën, diellin, yjet dhe portokallet, u ngjajnë
drenushave dhe pëllumbeshave dhe kjo është fare pak, ato synojnë më shumë se
kaq. Ato duan që të thyej brirët degë argjëntë dreri që rend pas tyre, kështu
ato ndjejnë se djemtë i duan vërtet. Them djemtë, duke filluar nga djali që e
quajnë baba, apo vëlla, që me vajzën bijë apo motër i lidh gjaku, natyrshmëria
e marrëdhënieve familjare. Këtu përfshihen edhe djemtë, shokë shkolle apo pune,
me të cilët krijojnë lidhje shpirtërore të natyrshme dhe ndodh edhe të
dashurohen dhe martohen me ta.
Mbi vajzat e
dashuruara bien petalet e bajameve të porsaçelura, të trazuara prej erës
ndjenjësore. Nuk ka rëndësi nëse vajza është e bardhë apo cigane, me flokë të
drejta apo kaçurrela, ajo gjithsesi në sytë e dashurisë është veçanërisht e
bukur. “Ndaj dridhet flaka nën yje, puthja mbushur dridhërimë, sy më sy u
zhduk një hije, në një zjarr me psherëtimë.” shkruan me emocionin e bukur e
ndjenjën solemne poeti.
Kjo natyrshmëri
lidhe së pari me atdheun, me dashurinë e vërtetë amtare, me gjërat e bukura, që
ka ndjesia atdhetare, ndaj poeti thotë
me të drejtë për të: “O zogu im , me plagë në trup, që rrjedh e rrjedh, gjak
pa pushim e më thërret gjer në zgjim. Shqipëri!” Kjo është arsyeja pse edhe
në poezi edhe libra të tjerë autori shkruan se jeta
për njeriun është përrallë apo mistifikim dhe vdekja një ëndërr…ndoshta e
brishtë, por edhe e bukur! Jeta dhe vdekja rrinë në buzë të
njëra-tjetrës.
Dhe gjithkund, në
Beratin ku Llambi punoi si veteriner i mesëm, duket sikur madhështia e brezave
kacavirret në shkëmb, ndoshta për të lënë pas një trashëgimi të pavdekshme,
bukën e pastër e të ndershme dhe vilat e
rrushit të pjekur, Kjo e bën atë që të derdhë verën e kuqe të shpirtit, në
lumin e mesditës së shenjtë. Ndaj sonte lahen yjet e pafund dhe horizonti
ngjyrë karafili. Prandaj duket se edhe gugatjet e pëllumbave rendin në statujat
e pagdhendura të gurëve. Çuditërisht, edhe unë kur kam shkuar në Berat një
ndjesi të tillë kam provur.
Llambi së pari respekton
poetët, si poeten italiane Maria Kolumbari dhe Agim Maton që bisedon dhe e
përkthen atë. Jemi në të njëjtën tavolinë, të një lokali të thjeshtë, që e
zbukuron fryma e poezisë, lirizmi dhe ngrohtësia shpirtërore e saj. Kështu,
tejet njerëzor dhe të komunikueshëm e kam njohur edhe unë Llambin, kjo ndjesi
na bëri miq, ai po përgatiste librin e një gjimnazistje të Sarandës për botim,
ndërsa unë e konsultoja dhe e përgatisja vajzën për konkurrimet për letërsi dhe
gazetari. E kemi festuar të gjithë, familja bashkë me ne, fitoren e vajzës në
të gjitha konkurrimet si dhe botimin e librit të saj të parë me poezi.
Llambi nuk na
konsideronte miq vetëm ne poetëve të Sarandës, por edhe poetët e Ballkanit,
pavarësisht vendit ku jetonin apo shkruanin poezinë e tyre prestigjioze. Ai
përmend në vargjet e tij Soreskun, Elitisin, Kërlezhën, Pelinin dhe Tahsin
Saraçin. Ai shkruan se ne poetët jemi njëlloj nën këtë qiell përtëritje, nën
këtë qiell që shpesh e kanë përshkuar re të zeza. por të gjithë aspirojmë për
liri dhe paqe! Në muzeun e luftës italo-greke të vitit 1940, në-letrat e të dashuruarve dhe në letrat e zverdhura të ushtarëve, si nëpër ëndrra, në kopshtet e fatit shfaqen
buzët e pa puthura, në errësirën e luftës. Ku është jeta e ku fillon liria? -
pyet poeti. E pra, të gjitha kanë një përmbajtje. Aktin e kthimit në paqe! Diku
gjetkë poeti ndihet i lumtur në klimën poetike, ndaj shkruan: “Tërfili mbi
gjethe mban sumbulla të kaltra, si për t'i thithur vetëtimat e stërgjata të
prillit. Jam me Erëza Paundin, Gijon Apolinerin dhe Uollt Uitmanin i lumtur në
këtë ditë, ku humbëtira është bërë e bukur.”
Poeti na mëson se
është më keq të mbulosh fytyrën e të zbulosh këmbët apo të kapin si shpend për
të të zënë zërin, të të presin krahët të mos ngrihesh më në qiell, të
të presin këmbët të mos ecësh më në rrugë. Pse pak poetë e pësuan kështu në
regjimet totalitare? Dhe kjo ndodh kur vriten buzëqeshjet edhe në gjumë, kur
përgjohen ëndrrat si në “Pallatin e ëndrrave”, romanin e famshëm të
Kadaresë dhe në realitetin e Shqipërisë. Pse nuk u përgjua ëndrra e babit të
një poeti për t’u dënuar me burg për agjitacion e propagandë, pikërisht në
qytetin tonë jugor, në Sarandë?!
Cenzurës nuk i
shpëtonte askush. Ajo iu priste krahët zogjve, që ta ëndërronin, por mos ta
preknin dot fluturimin. Por edhe kur ndodhte që e preknin, ju prisnin këmbët
dhe i çonin në pjatancë të pjekur në hell për diktatorin. Dhe kjo jo vetëm tek
ne, por në të gjithë Lindjen. Në të gjitha manifestimet u unë kam shkuar në të
gjitha vendet ballkanike kam pyetur dhe kam marrë po këtë përgjigje ”të
piqnin në hell të gjallë”. As të dashurën nuk guxoje të shihje në ëndrra.
Çdo lloj kënaqësie cenzurohej.
Llambi është
mjeshtër i njohjes. jo vetëm të njerëzve, por edhe i njohjes së vendeve,
legjendave, historive reale dhe të jetuara, hapësirave të vëzhguara me sy të
lirë, apo të përfytyruara. E pra,
nëse do të merrja si argument poezitë
për qytetin e Beratit bindesh fare mirë për këtë. “Mangalemi”.
Një zog mbi rrugët e ngushta dhe dy sy që shuajnë mallin e detit, borzilokët në
njëmijë dritare si mbi njëmijë këngë, më të lashta se të antikitetit. E bardha
si një kërcimtare pikuar nga loti i diellit. Dhe Berati lind fëmijët e
pranverës si në vjershat e Robert Bërnsit. Ndodh që kur lindin vajza dhe djemtë
bien në sevda me to, mbase iu duhet të presin mbi njëzetë vjet si në vjershën
për Kristanthin.
Protagonistë në
poezinë e Llambit bëhen njerëzit e thjeshtë të popullit. Po të lexoni poezinë
për Aleks Hundecovitin, bini edhe ju në një mendje me mua. Djem fukarenjsh, por
të lindur si listat dhe të qëndrueshëm si ata. Por kur duhet t’i japin dermën
dushmanit bëhen mjeshtra të nagantit dhe ta numërojnë në lule të ballit. Mund
të ndodhë që ndonjë të qesëndiset ndanë kazanit me raki si në poezinë e Kapo
Rrusht Kapedanit. Vajzat trimave ju qëndrojnë besnike, kur lidhen me ta, edhe
kur ata i tret kurbeti apo kur barkat e tyre i përpin deti me dallgë. por ndodh
që ata kthehen edhe pas pritjeve të gjata, kur zjarri në gji është bërë prush.
Një temë e
qenësishme në poezinë e Llambit është tema e emigrimit, malli dhe dhimbja ,e
qeshura dhe loti, kënaqësia dhe brejtjet e saj. Ishin ditët kur u shkulën telat
me gjemba, kur brezat e butë u bënë të fortë se në to shkuan këmbët e shumë
refugjatëve. Llambi e përshkruan atë siç e njohëm ne shqiptarët në vitet e para
pas nëntëdhjetës, kur na vrisnin në kufij, kur na rrihnin dhe na masakronin,
por ne nuk jepeshim, por rendim pas ëndrrës. Ndodhi që ata që i kapën brigjet,
shuan kureshtjet, emocionet dhe drithmat seksuale në bordelet e njohura të
qyteteve evropiane. Dhe pas kësaj puna prej skllavi, viktimizimi dhe grabitje e
djersës. por kjo është pak, se na grabitën edhe fëmijët për t’i bërë drogmenë,
edhe gratë për pastruese e prostituta. Dhe kjo është e dhimbshme!
Llambi si poet i
është përkushtuar njeriut, posaçërisht shpirtit, por dhe kulturës së tij
endemike. E pra, një nga elementët bazë që e bën kombin komb është gjuha dhe
për gjuhën shqipe ka shumë vjersha, të bukura e të përkora, Naimi, Mjeda,
Lazgushi, Kadareja e mjaft të tjerë. Ka edhe një poezi dystrofëshe Llambi, po
të bukur dhe konkurruese ama. Pse? Sepse kjo poezi ka të veçantat e saj prej
diamanti rrëzëllitës, që vjen nga shpirti i bukur e i dhimbsur i poetit. sepse
kjo gjuhë e shenjtëruar, ky mall shpirtëror, kur je në mërgim, që të mban
zgjuar qenien tënde si shqiptar, buçimën e lumenjve dhe të dallgëve të detit,
lisat plot me degë dhe lulet dritë prilli, aromën e dheut të porsa pluguar, të
gështenjës dhe tërfilit. E pra s’kanë pse të ndihen jetimë emigrantët tanë
nëpër botë. Ata e kanë një atdhe, që i mirëpret, një këngë zogjsh që ka mall
për ta, një gjuhë që tingëllon bukur, një gjuhë parake ind-evropiane, që ka më
tepër tinguj dhe fonema se të gjitha
gjuhët e tjera evropiane, mesatarisht 10 tinguj më shumë! Ka dhe gjuhë-shprishur,
se pyll pa derra s’ka!
Gjithmonë më ka
intriguar ideja e gjuhës njerëzore, mijëra artikulimeve të saj jo brenda
llojit, si gjuhë, por ekuivalencat e saj në botën tonë shqisore, por dhe brenda
nesh në shtresëzimet e kujtimeve apo të ndjesive tona të hershme. Po ta lexoni
me kujdes poezinë “Kthimi”, do të bindeni se edhe ju vet në nënvetëdijen
tuaj, pavarësisht profesionit parësor, e keni një qasje ndaj saj. Njeriu e ndez
një qiri për të parë rrugën e varrezave, ku prehen prindërit, rrugën e
lartësive blu ku ai rend që nga fëmijëria e vet, por edhe dëshirën për të
ndriçuar çatinë e përhime të botës. Kjo është arsyeja pse “Pranë ky njeri ka të ndezur një qiri, për të ndriçuar çatinë e përhime të
jetës, të nxirë nga bloza e viteve dhe lodhja, për pak dritë, për pak lumturi,
fytyra e tij një uri që pret të shuhet, pas tridhjetë vjetësh zije dhe
internimi.” Dhe mos harroni
se ne jemi ata që ecim në udhën e shiut dhe adhurojmë diellin...
Por
një gjë ta dini, ne sërish ,mbetemi bij të pragjeve tona të vjetra. Ditët
shkojnë, rnuajt dhe viti, gjethet bien.
çelin stinën tjetër dhe ndodh të shkojmë në emigrim apo si Haxhi në Mekë, porse kthehemi sërish këtu tek
prag i vjetër. Dhe një ëndërr nis na zgjohet prapë, ndaj rendin fluturim të lajmërojnë zogjtë
njëri-tjetrin: - Ç' bën këtu ti i pa fat, Ajo iku, nuk të kish të vetin. Faqe
dritëza erdh’ këtu sa net, derdhte puthje vere e ëmbëlsi, gjoksi i saj një
rubin i qelqtë, si lëndinë e mbjellë dashuri. Por ti nuk e dijr se një ditë pa
pritur, ajo e pabesa, pa fjalë e pa zhurmë do largohej.... Gjurma, lulen çeli
te qerpiku Sa dhe dega dridhet e trishtohet...
Mendojmë
shpesh se çfarë do të thotë të jetosh? Mbase të rezistosh, të grisësh të vetmen
këmishë, të gërvishësh gjithë trupin mes telash. të
gdhihesh si grua e mjerë, që ke harruar delikatesën, të presësh në bregun e
muzgut, si unë anija jote e zhgërryer, me pasaportën, fytyrën e imtë të
ngjitur në errësirë në ato pak orë në dhomën e takimit si të mbahej një premtim
i vjetër që nuk lulëzoi në këtë burg me ironinë e emrit Përparim? Besoj
se e dini se ShënVasili i pardjeshëm dhe i sotëm dje ishte ri pagëzuar, por ç’e
do se ky emër nuk i ngjiti. U populluar edhe me të internuar, u hapën shkolla,
si fasada e dritës që ndriçon errësirën, por qenë pa themel, dhe me të ardhur
demokracia u shpopulluan plotësisht dhe sot, more miqtë e mi, ka vetëm një
shkollë fillore dhe një mësuese fillikate.. Të vjen të qash, more miku im!.