Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Konservatorizmi
E hene, 23.05.2022, 07:57 PM
KONSERVATORIZMI
Nga Xhelal
Zejneli
Konservatorizmi është pikëpamje që vlerëson dhe që synon
të ruajë institucionet e vendosura dhe mban qëndrim kritik ndaj kërkesave për
ndryshime shoqërore rrënjësore. Konservatorizmi mori trajtë për herë të parë si
ideologji në kohën e Revolucionit Francez, kur mendimtarë si filozofi dhe
politikani anglez Edmund Burke (1729-1787), autor i veprës “Refleksione
mbi Revolucionin Francez” (Reflections on the Revolution in France, 1790) dhe
filozofi francez i historisë Zhozef Mari dë Mestrë (Joseph Marie de
Maistre, 1753-1821), autor i verës “Konsideratë për Francën” (Consideration
sur la France, 1796) - dënuan ndryshimet revolucionare që ndodhën në
Francë, duke i quajtur shkatërrimtare të shumë gjërave që kanë vlerë në
shoqëri.
Që atëherë konservatorizmi u është kundërvënë kryesisht liberalizmit
dhe socializmit. Konservatorët i respektojnë traditat si
mishërim të urtësisë të grumbulluar gjatë kohëve dhe janë skeptikë ndaj planeve
dhe politikave të paprovuara, të cilat paraqiten prej atyre që duan të jenë reformatorë.
Si rregull, konservatorët janë:
- për qeverinë kushtetuese si një mënyrë për të ruajtur
autoritetin demokratik pa lejuar ai të bjerë në duart e despotëve ose të
diktatorëve;
- për një shoqëri të rregullt, në të cilin njerëzit t’i
dinë vendet që u përkasin në hierarki;
- për fenë e ngulitur, që të integrohen njerëzit në
thurimën e shoqërisë; dhe
- për familjen, si burimi parësor i vlerave morale dhe si
vendi ku formohen qytetarët e përgjegjshëm.
Me kalimin e kohës, qëndrimet konservatore në ekonomi
kanë ndryshuar. Në zanafillë, konservatorët ishin të prirë të mbështetnin
politikat proteksioniste, në kundërshti me politikat laissez-faire
(lejoni-të bëjë) që përkraheshin nga liberalët. Por në shekullin XX
ata gjithnjë e më shumë iu kthyen tregut të lirë si mjeti më i mirë për
organizimin e veprimtarisë ekonomike.
Kjo sintezë e pikëpamjeve konservator dhe liberale
klasike mund të shihet veçanërisht në filozofinë e së djathtës së
re*. Partitë politike rrallë janë përjashtimisht konservatore,
politikanë me qëndrime konservatore mund të gjenden në partitë kristian-demokrate
të Evropës, në Partinë republikane të ShBA-së dhe në Partinë Konservatore
të Mbretërisë së Bashkuar.
Shënim: E
djathta e re – është lëvizje intelektuale e viteve 1970 dhe 1980 që
kërkonte të riformulonte bazën e opozitës së krahut të djathtë ndaj socialdemokracisë
dhe socializmit. Mendimtarët e së djathtës së re, ndikimi i të
cilëve ka qenë më i madh në ShBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, arritën në
përfundime që ndryshojnë përkitazi me shkallën për idetë e
liberalizmit dhe të konservatorizmit. Prirja libertariane shihet në
mbrojtjen e tregut të lirë dhe në bindjen e tyre se roli i qeverisë ka
qenë shtrirë tej mase, kështu që tani duhet të zvogëlohet. Kjo nënkupton për
shembull, privatizimin e firmave dhe të industrisë që
është në pronësi të shtetit, politikën monetare dhe një largim prej shtetit
të përkrahjes sociale drejt sigurimit privat, si një rrugë e përballimit të
sëmundjeve dhe të pleqërisë. prirja konservatore dukej në angazhimin e tyre të
fuqishëm për ligjin dhe rendin dhe në bindjen se njësia familjare duhej
forcuar.
*
* *
Konservatorizmi pra, është pikëpamje, kuptimi dhe thelbi
i të cilit kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen gjendjes ekzistuese. Në
kuptimin politik të ngushtë, kjo pikëpamje më së shpeshti është e drejtuar kundër
pikëpamjeve “përparimtare”, e sidomos lëvizjeve dhe doktrinave revolucionare.
Në aspektin historik, teoria e konservatorizmit ka lindur
për t’iu kundërvënë ideve dhe praktikës së Revolucionit Francez të viti 1789,
në fillim të shekullit XIX. Teoricienë më të njohur dhe më me ndikim të
konservatorizmit kanë qenë: filozofi francez i historisë Zhozef dë Mestrë (Joseph
de Maistre, 1754-1821), diplomati dhe shkrimtari gjerman, Fridrih fon Genc (Friedrich
von Gentz, Vroclav, Poloni, 1764 – Vjenë, 1832), publicisti gjerman, kritiku
letrar dhe teoricieni i shtetit, Adam Hajnrih Miler (Adam Heinrich
Müller, 1779-1829), filozofi gjerman i së drejtës Fridrih Julius Shtal (Friedrich
Julius Stahl, 1802-1861), filozofi dhe politikani anglez Edmund Berk (Edmund
Burke, 1729-1797) etj.
Zhozef dë Mestrë (Maistre)
i përkiste urdhrit katolik dhe luftonte posaçërisht kundër ideve të
iluminizmit. Duke qenë se në epokën e iluminizmit ka pasur shumë personalitete
të fuqishme dhe me arsimim enciklopedik, të cilët ideologjikisht e përgatitën
Revolucionin Francez, Mestrë (Maistre) pohonte se shoqëria është realitet në
vete, e ka pozitën e vet që është e pavarur nga individi. Shoqëria ekziston,
kinse, para individit dhe ajo është krijuesja e vërtetë e qytetërimit. Gjuha,
institucionet, morali e të tjerë, kanë ekzistuar para këtyre individëve. Këta
individë, para tyre janë një hiç, ata nuk kanë kurrfarë të drejtash, por vetëm
detyrime. Nevojitet vetëm një autoritet i cili këta individë i detyron që t’i
nënshtrohen traditës.
Kontributi i Fridrih fon Gencit (Gentz) për
teorinë konservatore konsistonte në faktin se e ka theksuar idenë se shteti ka
natyrë organike, kurse institucionet politike dhe shoqërore përshtaten
vetvetiu, kështu që revolucioni është i panevojshëm. Kjo është një pikëpamje konservatore-romantike
e shoqërisë.
Zhvillimit të pikëpamjes konservatore i kontribuoi edhe
punimi publicistik i Adam Hajnrih Mylerit (Adam Heinrich Müller) “Elementen
der staatskunst” (1810) i cili u ndërlidh me shkollën romantike-historike
në lëmin e së drejtës. Myleri angazhohej për krijimin e shtetit të
krishterë-katolik universal të bazuar në autoritet dhe me karakter
shtresash sociale, të cilin e mendonte si një bashkësi popullore organike, në
vend të shtetit që do të mbështetej në individë të lirë, të cilët mbështeten në
arsyen e vet dhe luftojnë për përparim. Sipas tij, individët mund të arrijnë
sukses vetëm në kolektivat e mëdhenj siç janë kisha, populli dhe
shteti, madje të shoqëruar dhe të edukuar nga tradita, me ndihmën e
ndjenjës shpirtërore të lidhjes.
Filozofi gjerman i së drejtës dhe juristi, profesor në
Berlin, Fridrih Karl fon Savinji (Friedrich Carl von Savigny,
1779-1861), të cilin e kanë konsideruar si përfaqësues kryesor të shkollës
romantike-historike të së drejtës, e zhvilloi pikëpamjen sipas të cilës, idetë
abstrakte-normative të iluminizmit, të bazuara në të drejtën natyrore, duhet
zëvendësuar me përshkrimin e asaj që është dhënë historikisht. Nuk mund të
flitet për zgjedhjen midis asaj që është e mirë dhe asaj që është e keqe, duke
pranuar të mirën dhe duke flakur të keqen. Është e pamundur ta flakësh atë që
është dhënë, ajo na mund sido që ta marrësh, ne s’mund ta ndryshojmë, por vetëm
mund t’i nënshtrohemi. Ajo që është dhënë është “një e vërtetë e vërtetë”.
Në këtë mënyrë është likuiduar pothuajse çdo rol i
njeriut në krijimin e kushteve për zhvillimin e vet në të ardhmen, ndërsa
veprimtaria politike e tij është dehumanizuar. Kësisoj, teorikisht pamundësohet
çfarëdo aktiviteti, e sidomos optimizmi aktivist. Kështu për shembull, gjatë
shekullit XIX mbinë një sërë teorish të cilat konsideronin se çdo ndërhyrje
njerëzore në marrëdhëniet shoqërore, krijon një gjendjeje artificiale që është
në kundërshti me “rendin e natyrshëm të gjërave”. Së këndejmi burojnë, i
ashtuquajturi ligj i hekurt i qirasë, fond i punës, ligji i hekurt i oligarkisë
dhe postulatet e tjera teorike.
Në fund të fundit, konservatorizmi politik reduktohet apo
shndërrohet në konformizëm politik. Ai reduktohet në arsyetimin politik
dhe ideologjik të lëvizjes politike ekzistuese, përkatësisht në arsyetim të
atyre elementeve të sistemeve politike të cilat duhet t’i kontribuojnë ruajtjes
së tij.
Në masë të madhe, konservatorizmi mbështetet në ato
institucione shoqërore të cilat për nga natyra e vet ushtrojnë funksione
konservatore. I tillë është rasti me kishën në lëmin e religjionit. Këtu mund
të përfshihen edhe zakonet në lëmin e moralit, shprehitë në fushën e
psikologjisë së njeriut dhe dispozita të caktuara juridike kur veprojnë në
mënyrë konservuese, d.m.th. po qe se në aspektin normativ, nuk janë
funksionalë. Për shembull, parimi i legjitimitetit.
Thelbi politik i konservatorizmit mund të vijë në
shprehje edhe në format e tjera të superstrukturës ideore dhe shoqërore: në
filozofi, për shembull, duke aprovuar metafizikën dhe duke luftuar kundër
dialektikës; në art, duke aprovuar stile përkatëse – romantizmi, klasicizmi,
akademizmi, manirizmi, mitologjia etj.; në moral: pasivizmi, determinizmi,
tradita, dogmatizmi etj.
Për ta kuptuar drejt konservatorizmin
dhe rolin e tij historik, nuk duhet anashkaluar edhe anën pozitive të traditës
si dhe nevojën dhe dobinë e qëndrueshmërisë së marrëdhënies shoqërore dhe të
sistemeve juridike-politike për përparimin e shoqërisë, të shkencës, të
teknikës, të kulturës, të moralit etj. Nuk duhet harruar se pa e grumbulluar
dhe pa e konservuar atë që është pozitive në historinë njerëzore, nuk do të
mundë të kishim as përparim, ndërsa ndryshimi “me qëllim ndryshim” nuk mund të
jetë qëllim dhe mision i veprimit të njeriut.