Kulturë
Qazim Shehu: Proza e Zana Takos si shkriftësi rrëfimi
E merkure, 11.05.2022, 05:55 PM
PROZA E ZANA TAKOS SI SHKRIFTËSI RRËFIMI
Për
romanin “Gjaku i martirëve të Kombit”
Nga
Qazim Shehu
Romani
“Gjaku i martirëve të Kombit” i autores Zana Tako, që u përurua në kujdesin e
gazetës “Nacional” me drejtor Mujo Buçpapaj, përbën një ngjarje kulturore në
prozën tonë të re. Ky roman, siç
paralajmërohet edhe nga titulli, e merr temën dhe shpalos frymëzimin, nga jeta e priftërinjve katolikë shqiptarë,
të cilët provuan burgjet, torturat e regjimit komunist. Autorja ka ditur që
këtë temë të vështirë, të rrahur gjerësisht nga autorë të tjerë, nga
dokumentarë apo rrëfime, ta shtjellojë me një origjinalitet dhe besueshmëri që
ta krijon imazhin, tablonë e këtyre vuajtjeve, duke vënë në themel dashurinë
hyjnore e njerëzore, idetë e mëdha të kohës, përmes jetëgjatësisë së tyre.
Tema
të tilla mbartin rrezikun e didaktikës dhe të aspektit moral, por një talent i
zoti, siç është Zana Tako di t`u shmanget këtyre kurtheve dhe duhet thënë se
autorja ka arritur me sukses të zhbirojë me aftësi në psikoloogjinë e
personazheve, të japë ngjyresën e
ambienteve dhe njëherit, përmes një lënde jetësore të pasur, të na sjellë
besueshëm atë kohë, jashtë çdo artifici dhe detaji që kërcet. Duhet thënë që në
fillim, sipas perceptimit tim, se autorja krijon një prozë të shkrifët, të
rrjedhshme, që komunikon me çdo ind të fjalës, një prozë e cila rrjedh dhe
gurgullon heshtur, duke u manifestuar me tone jetësore përmes një dramatike, ku
skenat alternohen me pamje të ndryshme të dhunës dhe që, përmes dhunës,
shkëlqen e ngrihet lart si një himn trallisës dashuria për të mirën e prelatëve të fesë. Me një stil që
objektivizohet nga paanësia në rrëfim, por që ngjyroset emocionalisht përmes
rrëfimit dhe përshkrimit, ajo ta kujton prozën floberiste, ku duket se çdo
fjali është në vendin e vet. Dhe kështu romani e ruan ritmin e rrëfimit dhe ky
ritëm ecën pa ngadalësuar asgjë, gjersa romani mbaron së lexuari me një frymë,
si një poemë e shpirtit njerëzor.
Dukshëm
dhe me interes paraqiten dy botë, dhe në këtë përqasje të rri gjithnjë në
mendje metafora e titullit, një metaforë që shndërrohet si e tillë përmes
perceptimit kohor dhe ngjarjeve adekuate, krejtësisht të intonuara në një
rrafsh të gjerë të perceptimit. Romani krijon gjendje, ankth, frikë, jep
terrorin e hetuesve xhahilë, krijon absurd ku faji i veshur me mistifikimin e
tij nuk kuptohet pse është i tillë, personazhet individualizohen e njëherit ata
“të fajshmit”shkrihen në një kor të madh të dhimbjes e të persekutimit. Të
ngjan se ata vërtiten në një skenë duke mbajtur mbi shpinë gurët e rëndë të
“fajit”dhe të dhimbjes. Ky është një roman sa i ngjarjeve aq edhe i tezave
lënduese, ku veprimi ecën përmes mundimit dhe mendimi shtjellohet në ballafaqimin e dy botëve duke u
argumentuar artistikisht. Përmes dendurisë së leksikut përshkruhen gjendje
ankthioze, trauma që vijnë nga torturat dhe njëkohësisht qëndresa të forta
morale që burojnë prej besimit;ndaj ky roman vjen si një transkiptim i dhimbjes
të një kohe të pakohë, mbërthyer nga kthetrat e djallit të kuq. Si roman i
absurdit të dhunës(çdo dhunë në shumësinë e shfaqjes së saj është
absurde)autorja ka ditur të gdhendë besueshëm portrete, të cilat vihen në
spikatje dhe krijojnë pamje trallisëse që të mbeten në mendje, çuditë vrastare
të xhahilëve, të cilët krijuan dhe sajuan armiq edhe atje ku ata nuk gjendeshin.
Në të vërtetë nuk kemi të bëjmë me një keqkuptim kohor, por me një gjë të
llogaritur mirë:komunistët ia kishin frikën lartësisë kulturore dhe shpirtërore
të prelatëve të fesë katolike, ndikimit që ata kishin në popull, forcës së tyre
morale. Në mos të shuhej ky ndikim, të paktën të zhvendosej duke krijuar
harresën ndaj tyre.
Si
një roman kronikë e shpirtrave njerëzorë të pafajshëm, kjo jepet mirë përmes
antitezave të fuqishme midis dritës dhe errësirës, të vërtetës dhe gënjeshtrës,
të mirës dhe të keqes, vuajtjes dhe ngushëllimit. Këto kundërvënie shpalosin
një botë të tërë, krijojnë dhe përçojnë aspekte të formimit dhe të deformimit
të shpirtit, përcjellin kohën dramatike
dhe japin mesazhe të forta, të cilat ngjizen e shpërhapen artistikisht
nga episode të endura me fijet e ankthit e të shpresës.
Parë
në këtë këndvështrim, proza e Zanës i mbart vetiu treguesit realistë dhe
dramatikë ku veprojnë lirshëm simbole dhe detaje me vlerë të tillë, duke krijuar gjendje ankthi dhe hutie,
e kjo ia siguron romanit modernitetin, autencitetin narrativ dhe shprehësinë e
frazës. Kjo frazë, gjithnjë nuk e tepron në vonesat e teprimit të përshkrimit
të panevojshëm;si e tillë, ajo ngulitet
mirë në logjikën e vet duke bërë kapërcimin e nevojshëm në rrjedhën e ecjes dhe
duke mbartur me hijeshi kostumin narrativ që i shkon. Kështu sigurohet edhe
vertikaliteti i ndjenjës, një ndjenje të
thellë, fine, klithëse, që imponohet dhe të emocionon.
Emocioni
përftohet nga aftësia e autores për ta përshkruar ngjarjen dhe ngjarjet jo
vetëm si njohje dhe paraqitje të tyre, por edhe si mishërim i dhimbjes dhe i
dashurisë për jetën, kur ajo vihet në zgrip ekzistencial. Vlera e jetës bëhet e
çmueshme kur rrezikohet, por ngushëllimi
i frikës për humbjen e saj jetësohet prej ideve të mëdha, prej faljes, që vjen
nga doktrina kristiane. Dhe në këtë aspekt ideor, vizatohet krejt pamja e
martirëve të kombit, që autorja e jep
plotshëm e me ekzigjencë artistike.
Figura
e priftit Lazër del e realizuar, një personazh që të mbetet në mendje,
përfaqësues i gjithë aryre klerikëve që provuan çomagen e diktaturës. Autorja e
ka vizatur me plotësi përshkrimi, në referenca dialogjesh e në vetminë e qelisë
së lagësht. Ajo ngrihet madhërishëm si nga fundbota dhe vjen sot në kohërat e
reja si simbol i përjetimit dhe i koshiecës së pastër, i besimit në zot e në
drejtësi.
Intreresante
mbetet figura e Gjinit, personazh i
gdhendur me kujdes, si mishërimi i atij malësorit të kohës, besimtar dhe i
padjallëzuar, krejtësisht i anuar në punët e veta, por i përfshirë në ngjarje
dhe kurthe të padëshiruara;me një besim dhe sinqeritet që të lë mbresë, njeri i
halleve që vijnë e shtohen prej natyrës
së rrethanave kokëforta në marrëzinë e tyre;po kështu Kola etj.
Janë
të kuptueshme dialogjet e padres me Gjinin në qelitë e burgut, forca e arsyes
dhe e dijes shpirtërore të priftit që si balsam shëron plagët e besimtarit, e
vetmja mundësi për t`u ndjerë të afërt shpirtërisht e për të përballuar sfidën.
Duhet thënë se në këto biseda, që shtjellohen aq me ngut e pa ngut, krijohet me
natyrshmëri ajo linjë e romanit që quhet linja e qëndresës përmes afërsisë
shpirtërore të personazheve me fat të përbashkët.
Autorja
ka ditur të ruajë sensin e tyre të masës, që ato të mos bëhen të gjata, të
shmangë përsëritjet, përmes situatave të reja. Kjo hile e mirë artistike e
përforcon teknikën e romanit dhe ruan këshërinë leximore. Me figurën e Gjinit
mbyllet romani. Gjini nuk thyhet edhe pse vuajtjet janë të mëdha. Si
përfaqësues i popullit, i malësorit të lirë e stoik ai përbën tharmin e
shpresës. Do të vijë një ditë që populli,
dhe vetëm ai, do ta mposhtë të
keqen, natyrisht pa harruar liderët shpirtërorë, frymëzuersit e tij moralë .
Romani
i Zana Takos është një roman psikologjiko-dramatik dhe ruan gjendjen e realizmit psikologjik. Ai
përshkruan mizorinë e diktaturës, përfaqësuar këtu me figurën e hetuesit. Kemi
një hetues tipik, i egër, hileqar, që ndërron mënyrat, duke u bërë herë herë
i”butë”, që mban në dorë kulaçin dhe kërbaçin, një hetues të indoktrinuar,
devijim i natyrës, në formën dhe përmbajtjen e monstrës. Detajet, situatat,
zymtësia dhe tonet e zeza që e veshin këtë personazh, flasin
jo vetëm për besnikëri të përshkrimit në vlerë autentike të besimit të
saj, por edhe si konvencion i një kohe
që jetonte dhe fryhej përmes burgut, qelisë, terrrorit, që asgjësonte filizin
më të ri të mendimit dhe mumifikonte në
trajtë paradoksale njeriun e ri, si klonim ideologjik.
Shkrimtarja
është cilësuar nga shumë komentues si shkrimtare e dashurisë dhe, me të drejtë, ky përcaktim qëndron. Dihet që
gjithë letërsia e mirë mban frymën dhe adhurimin ndaj dashurisë, dashurisë si
forcë e qenies për të përballuar provën e vështirë, dashurisë si shtysë për të
ëndërruar dhe besuar, dashurisë si mundësi për të falur dhe për ta bërë tjetrin
të shkojë drejt pendesës.
Shkrimtarja
krijon një auereolë të dashurisë si forcë dhe këtë e paraqet me situatat
rrëqethëse, me rrethanat që i vizatojnë dhe krijojnë shtysën për këto situata. Ajo
e jep këtë njëjtësishëm e njëmendësishëm dhe si vlerë shpirtërore, sidomos te
prifti Lazër, Gjini etj;infiltron mirë
në shpirtin e personazheve dhe nxjerr nga to bukurinë e dashurisë për hyjninë
dhe për jetën.
Në
këtë aspect, psikologjizmi shpaloset me një poetikë të qëndrueshme që
nuk ndërpritet nga fillimi gjer në fund të romanit.
Metafora
dhe shtresa simbolike e saj, ndërlidhja
midis rrafshit jetësor dhe konvencionit ideor në ndërtimin e personazhit janë
disa tipare të procedeut krijues të autores. Romani lexohet si një rrjedhë e
pastër rrëfimtare, e mbushur me nuanca dhe ngjizje të vrullit jetësor, krijon
një perceptim të kuptueshëm për një kohë
reale, por edhe një dimension tjetër
brenda asaj kohe;dimensionin e pavdekësisë dhe të mesazheve kuptimplote, se e keqja,
në faza të caktuara të kohës, ka
forcë të madhe, por sa e dobët bëhet ajo
kur bashkohen zemrat njerëzore në emër të dashurisë për jetën dhe për hyjninë.