Kulturë
Albert Habazaj: Një roman si polifoni letrare femërore
E merkure, 04.05.2022, 06:11 PM
Mark
Simoni e Albert Habazaj në përurimin e librit Dielli më perëndon në lindje,
Vlorë, 2022
NJË ROMAN SI POLIFONI
LETRARE FEMËRORE
Dy
fjalë për romanin e ing. Eralda BAZE “Dielli më perëndon në lindje”, që autorja
zgjedh ta promovojë në Vlorë
Nga
Msc. Albert HABAZAJ* - poet,
studiues
Autobiografi e
intelektuales shqiptare në prozë do ta
quaja romanin e parë të shkrimtares Eralda Baze. Eraldën si autore, nuk e
njihja. Ndërsa Erën, personazhin kryesor të këtij romani tronditës, me të
papritura dramatike, që rrëfen në vetën e parë, edhe pse s’kam as dy javë që
komunikoj vëmendshëm me të nëpërmjet shkronjave, fjalëve, fjalive, paragrafëve,
paradigmave e faqeve të “Diellit...”, më duket sikur e kam njohur shumë kohë më
përpara, ndoshta qysh në vitet
2000, 1990, ’80 a më herët. Dhe më është bërë aq e dashur, saqë e marr me
vete në çantën e punës nga shtëpia në universitet, këtu në bibliotekë dhe nga
biblioteka në shtëpi. Edhe pse ndoshta mund të jem mbi 30 vjeç më i madh në
moshë, mendimet e saj më pëlqejnë, më ngjajnë sikur janë dhe të miat. Dëshirat,
ëndrrat e Parisit, zhgënjimet, rropatjet sfiduese dhe apatike, shoqërinë e
gjerë shqiptare, gati të amorfizuar, po ashtu shoqërinë e ngushtë vetiake, aventurat, natyrat e qeta, dashuritë dhe
antidashuritë, fatet dhe antifatet, iluzionet e humbura, intrigat, kurthet,
zilitë, hipokrizitë, maskat e pështirosura, apo tkurrjet e Egjiptit në
periudhën e Pranverës arabe, magjepsjet, uljengritjet, dritëhijet, edhe
portretin e binjakes Viola infermierja, (ndoshta i duhur jo vetëm për intrigën
e romanit, por dhe shoqërisht e paevitueshem?!), i kam të regjistruara në
kujtesë, siç i ka gdhendur autorja me fjalë me ngjyrim e forcë shprehëse.
Sidomos dashurinë, tradhëtinë, botën e vogël dhe botën e madhe, depërtimin
zhbirues deri në kapilarë të gërdallës me frymorë dykëmbësh populluar, apo
synimet, etjen për dije, ndershmërinë profesionale të Erës i ndjej, i prek, më
dhembin, më krenarojnë, më trishtojnë, tek përballet me derrat zhgërryes dhe
dallgët e egra e tekanjoze të ligësisë provokuese. Bota e saj është e pasur dhe
e pastër, që edhe pse përbaltet për t’u fëlliqur, nuk më lë në krahët e murmë
të dëshpërimit, sepse ajo ngritet fisnikërisht ballëlart, pa u tutur, pa u
përulur para vertikalitetit të asaj bote që Era jeton keq. Ajo jep dhe merr
dashuri, jep dhe merr mesazhe drite, ajo ka udhëtim për të bërë. Udhëtim të
gjatë për emancipim, jo për barazitizëm por për hieraki vlerash morale,
qytetare dhe intelektuale. Sepse bërthama e dashurisë ka përmasa sa vetiake, në
çift, familje e shoqëri rajonale, aq merr dhe përmasa universale, kur rrezaton
e shpërndan mirësi humane për jetë të bukur e të virtytshme.
Nga ta nis e ku ta lë?... Sot jemi në
një përurim libri, që miqtë e Tiranës e quajnë provim para dashamirësve të
librit, para lexuesit të kulturuar vlonjat. Nuk mund të bëj një analizë letrare
të veprës, por një vështrim të përgjithshëm shkurtimisht mund ta bëj.
Një autore e re e kompletuar në dije
dhe e talentuar në dhuntinë letrare na vjen me një prurje të vlertë në
letërsinë moderniste shqiptare, duke i dhënë fytyrën e saj të bukur, të freskët
dhe simpatike. Eralda Baze vjen denjësisht si përfaqësim intelektual në botën e
sotme letrare. Ajo nuk ka arsim të mirëfilltë universitar për gjuhë shqipe dhe
letërsi apo për gjuhë të huaj. Princesha e “Diellit të saj që i perëndon në
Lindje” vjen nga fusha e shkencave teknike dhe natyrore, ajo në profesion është
inxhiniere ndërtimi, specialiteti hidroteknike, e cila studimet e larta i ka
kryer në Tiranë dhe Ankara e zotëron pesë gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht,
italisht, turqisht dhe kinisht, po aq sa shqipen, që në këtë sprovë të parë
shkrimore e përdor cilësisht shumë pastër e rrjedhshëm.
Ndjej aromë letërsie në 357 faqe nga
një diell që perëndon në Lindje... Absurde, mund të thotë dikush. Por jeta e
shkruar në roman, shpesh herë mizerabël, në shfaqje e qetë, në zakonshmërinë e
saj të pavërejtshme me enigmat e llahtarshme jepet bindshëm mbushmendëse me
ngjyresat letrare dhe gjuhën e letërsisë artistike, duke qenë korrekte me
historinë, në harmoni të hijshme me të gjithë elementët e organigramës
romanore. Që në titull shtangesh e bëhesh kurioz ç’ka teksti dhe romani faqe pas
faqe bëhet më tërheqës e befasues në gjetjet letrare, marrë nga jeta reale e
pavënëreshme. Që në fillim të leximit kuptojmë që kemi të bëjmë me një prozë
bashkëkohore lartësisht të përditësuar. Rrjedh lirisht leximi i mendimit
shkrimor të qartë e të ngjeshur, me stil të lartë e të rrjedhshëm, me
figuracion të plotë e të shëndetshëm, me gjuhë të thjeshtë e të zgjedhur
moderne. Ndërkohë, shijojmë një ansambël figuracioni të dramacitetit tonë
jetësor.
Vërehet meraku i saj për ruajtjen e
natyrshme të karakterit të figurshëm të gjuhës në letërsinë artistike që
prodhon. Pa dashur të heq paralele, fatbukurisht më afrohen në kujtesë emra
lartësisht të ndritshëm të letërsisë shqiptare si dr. Fatos Arapi, që vjen nga
fusha e ekonomisë, i cili studimet e larta i kreu në Sofje Bullgari apo Fatos
Kongoli, që vjen nga fusha e matematikës, akademik, arsimuar në Pekin dhe
Tiranë....
Ajo nuk kërkon me sforco statusin e
romancieres modernise, sepse s’ka kuptim, ajo është shkrimtarja që na dhuron
tri virtyte gati hyjnore në tokë: mirësinë, bukurinë dhe dobishmërinë sociale.
Qartësisht
kthjellët e ka gdhendur si me daltë skulptori portretin romanor të “Diellit...”
të Eraldës botuesi Gjonaj: “Romani bashkëkohor “Dielli më perëndon në Lindje”... Nëse ky libër
nuk do të bëhet best-seller, dielli për autoren do të vazhdojë të lindë... në
anën tjetër”... Besojmë që nuk ka nevojë për koment kjo paradigmë, se na
tingëllon si zile Janine. Libri e plotëson strukturën e romanit modern të
përditësueshëm, që prurë në këtë nivel të lartë artistik, pothuaj mezi duket me
lente në detashmentin e misionarëve cilësorë të letërsisë së sotme, sepse
Letërsinë bashkëkohore e ka shthurur, e ka sëmurë rëndë autovlerësimi i
kollarepsur i anemikëve shkrimorë. Është një eksperment që bën autorja, është një
sipërmarrje e guximshme e saj e
vetëdijshme, me intensitet shkrimor, se në këtë krizë vlerash, ku shfaqen pa
doganë antivlerat do ta shkulë nga rrënjët pasivitetin social ndaj regjimeve
sunduese. Autorja me fuqi të admirueshme qytetare dhe artistike lufton ndaj
paragjykimeve kanunore, tejmesjetare, që, edhe pse teknologjia ka bërë hapa
vigane, sepse jemi në periudhën digjitale, femra jonë, jo kudo në hapësirat
mbarëshqiptare e rajonale ka shpëtuar nga kthetrat shtazore të Kanunit të
Maleve apo sivëllezërit e tij në Ballkan në Lindjen e Afërme a në Lindjen e
Mesme. Ende fasadë. Ky roman të bën për
vete, për të mos u ndarë me të se faqe pas faqeje ngopesh me ligjërim letrar,
me të gjitha ngjyrat artistike të realitetit gri e shpesh herë të errët, galeri personazhesh,
me hapësirë dhe kohë, ka gjeografi tutje, larushi identitetesh kulturorë,
tradita, zakone, doke, dogma, fe, tabu komunitetesh lokalë dhe popujsh të
tjerë.
Parë në këtë rrafsh, do të shprehesha
që “Dielli ...” i Eralda Bazes përbën edhe një ndihmesë të dukshme për
pasionantët, kërkuesit shkencorë, patjetër për studiuesit e antropologjisë
kulturore dhe sociale. Përse shprehem kështu? Sepse, pavarësisht nga rrethanat
e ndodhura apo që i kanë stisur djallëzisht të lartët liliputë, autorja gjen mundësinë
të na paraqesë Erën si mikrounivers jetëshkrimi, çel vizionin, merr guximin e
thyen tabu, na rrëfen me mjeshtëri letrare një pafundësi peizazhesh, mes
shqetësimeve dhe anktheve, na paraqet jo një qytetërim, por qytetërime të
ngjeshura pas njeri-tjetrit, na njeh me kulturën e të tjerëve, të popujve të
Lindjes, që sipas pretenduesve të linjës arabe: “Lindja është atdheu i
bestseller-ave në të gjitha kohërat”. Krahas ultramodernes, takojmë realitete
mjaft të lashta, të trishta, ende të gjalla prurë në kohë, po ashtu vërejmë
edhe realitetet barbare të sotmërisë me të papriturat aq dramatike në
pabesueshmërinë e ndodhur rrëfimore, që ndjekim gati me një frymë në shpalosjen
dëshirore të këtij libri. Tipologji personazhesh, profilizim realitetesh,
sidomos femra shqiptare e përshkruar llahtarisht bukur si te piktura “Klithma”=
“Scream” e Edvard Munch (Eduard
Munkut). Ende ndër ne, femra, si të jetë një
plaçkë tregu e përdorur, kthehet në viktimën e agresionit të një bote të egër e cinike, pangopshërisht
intrigante.
Pa u futur në
imtësira analitike, me bindje theksoj, se “Dielli...” i E. Bazes është një libër model i
antropologjisë letrare, në të cilin pasqyrohen artistikisht ngjyresat e kohës
që autorja ka njohur apo jeton.
Misioni i maratonës letrare të
botuesit sa të rreptë aq bujar Gjergj Gjonaj dhe shkrimtarit të pamposhtur,
altruistit dritërimtar, Mark Simoni: “Njih veprën, autorin s'e njeh” po
realizohet me korrektesë në mënyrë shembullore në folezat e ngrohta e aq të
dashura që e duan, që e kanë xhan librin nga Durrësi, .... në Fier e sot këtu,
në Vlorë, në Bibliotekën universitare.
Sipas gjykimit tim, për Eraldën
provimi i Vlorës kalon me vlerësimin shkëlqyeshëm. Vlonjatët e vjetër kujtojnë
një thënie të legjendës shkodrane të futbollit shqiptar Loro Boriçi, kur
drejtonte “Flamurtarin” në vitin 1958: “Duhet me lujt, por duhet dhe i fije
fati”. Edhe Eralda në vitin 2021 ka shkruar bukur, por ka i fije fat, mirësinë
e Gjergjit dhe Markut.
Ndoshta, ekspertët përkatës vlen të
"zbulojnë" çfarë magneti ka vendosur në shpirt e në mendje, autorja,
apo ku e ka gjetur magjinë e fjalës së artë që po rrëmben kaq shumë lexues
kualitativë?!...
Nënë Tereza ka thënë: “Dielli
është aty dhe në ditë me re”. Ndoshta ky ka qenë dhe një nga shtysat e
romanit “Dielli më perëndon në lindje” e autores Eralda Baze.
Në udhëtimin e gjatë letrar, sa të
bukur aq të vështirë, i uroj anamales nga Skrapari, të bëhet një fatose
kreshnike e sfidave të ashpra e të thepisura letrare, aq të pamëshirshme.
*Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro
Marko”, Vlorë