Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kështu i duam shqiptarët
E hene, 02.05.2022, 06:39 PM
KËSHTU I DUAM SHQIPTARËT - TË BASHKUAR ME AMERIKANËT NË WASHINGTON, NË PRISHTINË, POR EDHE NË TIRANË
Një
përfaqësi dinjitoze e Republikës së Kosovës dhe e Kombit Shqiptar në Washington
Nga
Frank Shkreli
Të ënjtën që
kaloi, dy udhëheqsit kryesorë të Republikës së Kosovës, Presidentja, Zonja
Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Zoti Albin Kurti morën pjesë në varrimin e
ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë muajin e
kaluar -- Frank Shkreli: Ndërroi jetë Madeleine
Albright – Gruaja që u shpëtoi tiranive fashisto-komuniste | Gazeta Telegraf --
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me
Presidenten e Republikës së Kosovës, Znjën Vjosa Osmani dhe me ish presidenten
Atifete Jahjaga, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së
Shtetit të SHBA-së, të ndjerës Madeleine Albright, në Katedralën Kombëtare në
Washington. Në kuadër të ceremonisë së
varrimit, Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u përshëndetën dhe folën me
këtë rast me një numër personalitetesh politike amerikane, përfshirë ndër të
tjerë, Sekretarin aktual të Shtetit, Z. Antony Blinken, ish-Presidentin e
Shteteve të Bashkuara, Z. Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren
e Shtetit, Znj. Hillary Clinton. Krye-udhëheqsit e Republikës së Kosovës u
përshëndetën me këtë rast edhe me ish-Zëvëndës-presidentin e Shteteve të
Bashkuara-së, Z. Albert Gore, si dhe me
ish-Sekretarët e Shtetit, republikanën, Zonjën Condoleezza Rice në
administratën e ish-Presidentit Xhorxh Bush dhe Z. John Kerry, si dhe mikun e
madh të shqiptarëve ish-kongresistin Eliot Engel.
Presidentja Osmani
dhe Kryeministri Kurti kanë postuar në portalet e tyre foto nga takimet që kanë
zhvilluar gjatë vizitës në Washington ku morën pjesë në varrimin e
ish-Sekretares së Shtetit Albright, si dhe nga shënime foto nga takimet që kanë
zhvilluar në Kongresin amerikan, me udhëheqsit më të lartë të djepit të
demokracisë amerikane dhe përfaqsuesve të popullit amerikan.
Udhëheqsit e
Republikës së Kosovës me Ish-Presidentin e Amerikës, Z. Bill Klinton dhe
bashkshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit, Znj. Hillary Klinton – një takim
dhe foto me ata që Zonja Osmani i cilësoi si “Shpëtimtarët tanë”.
Ndërsa,
Kryeministri Albin Kurti shprehet në portalin e tij rreth pjesëmarrjes së tij
në varrimin e ish-kryediplomates amerikane, të ndjerës Madeleine Albright, “Se
bashkë me Presidenten Vjosa Osmani mora pjesë në varrimin e Madeleine Albright
në Katedralën Kombëtare në Washington DC.
Ne i thamë lamtumirën e fundit një personi që ka bërë aq shumë për
popullin tonë, për lirinë dhe paqën tonë”, ka shkruar Kryeministri Kurti. A mund të përfytyroni, së bashku, dy
personalitete të larta të politikës së Tiranës zyrtare në cilindo takim e rast
si ky në Washington – që së bashku të flasin -- me një gjuhë e me një zë -- në
interes të Shqipërisë, ashtu siç benë Osmani/Kurti në interes të Kosovës me të
gjithë aktorët me të cilët u takuan këto ditë në Washington?
Ka raste pra që,
nga koha në kohë, të krenohemi me
udhëheqsit shqiptarë, siç ishte rasti i vizitës së udhëheqsve më të lartë të
Kosovës në Washington këto ditë,
Në një shkrim të mëherëshëm kisha shkruar duke bërë pyetjen nëse Osmani/Kurti ishte modeli i ri i qeverisjes ndër shqiptarë? Frank Shkreli: Zgjedhjet në Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare? | Gazeta Telegraf . Unë shpresoj dhe lutem që këta të jenë shembëll i ndryshimit në politikën shqiptare, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri. Të pakën deri tani kemi shpresa se, ndryshe nga politikat konfliktuale – që kulmojnë në marrëdhënie armiqësore midis palëve, këta të jenë fillimi i ndryshimit në të bërit politikë midis shqiptarëve.
Për hir të
transparencës, më duhet të rrëfej se nuk jam krejtësisht i pa-anshëm në
vlerësimin tim, pasi kam pak anim dhe simpati ndaj këtyre dy udhëheqsve të ri
në Kosovë – mund të thuhet se ndjejë kështu, për njërin për arsye ideologjike
dhe për tjetrin për arsye krahinore. E
simpatizoj Presidenten Osmani sepse më duket -- nëqoftse mund ta quaj kështu --
politikanja më e kushtuar ndaj ideve të ish-Presidentit Ibrahim Rugova,
(rugoviste do ta cilësonin disa ndoshta) për të cilin vazhdoj të kem simpati
dhe admirim si njëri prej udhëheqsve shqiptarë më patriotë dhe më
pro-perëndimorë të shekullit të kaluar dhe i cili, mbi të gjitha, në vend të
interesave personale ose partiake,
mbronte interesat e kombit shqiptar, lirinë dhe demokracinë për popullin
e vet si dhe miqësinë e perhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara. Kryeministrin Kurti e admiroj për qendresën e
tij historike kundër pushtuesve serbë dhe për vendosmërinë e tij që tregon në
mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe të Kombit shqiptar – por natyrisht, mund
të jem edhe pak krahinor pasi të dy jemi bashkvendas dhe rrjedhim nga familje
që kanë jetuar në dy fshatra afër njëri tjetrit, në rrethin e Ulqinit.
Pjesëmarrja e
Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti në ceremoninë e varrimit të
ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, për mua ishte një prezencë
dinjitoze kombëtare -- në radhët e 1400 pjesëmarrësve, personaliteteve
amerikane dhe botërore – për të falënderuar duke i dhenë lamtumirën e fundit
njërës prej personaliteteve të Shteteve të Bashkuara, Madeleine Albright, e
cila bëri aq shumë për çlirimin e Kosovës nga regjimi terrorist i
Millosheviqit. Nga një anë, unë u ndjeva krenarë për dy udhëheqsit e ri të
Kosovës, që aq me dinjitet morën pjesë në atë varrim dhe që me aq respekt u
pritën, biseduan dhe u përshëndeten me personalitetet më të larta të Shteteve
të Bashkuara – aktuale dhe të administratave amerikane të mëparëshme -- sikur
të ishin shokë e miqë të vjetër.
Ndërkaq, në Tiranë
gjëndej për vizitë një delegacion i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, në një atmosferë të pa
dëshirueshme dhe të paparishkueshme politike në atë vend – të një çorbe
politike ballkanike konfliktuale, të krijuar nga faktorë të brendshëm dhe të
jashtëm, të cilët me dashje ose pa dashje, e kanë bërë politikën dhe drejtësinë
në atë vend një xhungël të përmasave të pa para në Evropën e shekullit 21, një
lëmsh që nuk i dihet filli – me thurje e ndërthurje, një lëmsh intrigash, që as
dreqi nuk e di se si dhe pse është ardhur deri në këtë pikë kulmore të
rrezikshme dhe ku do ta çojë Shqipërinë në të ardhmen. Nga këndveshtrimi im i
parë, ndoshta i gabuar, kemi të bejmë me një paradoks midis politikave të
Prishtinës dhe Tiranës dhe të perendimorëve karshi atyre politikave. Sikur kemi
të bejmë me dy popuj krejtësisht të ndryshëm dhe me dy ambasada që nuk
përfaqësojnë një shtet të vetëm – Shtetet e Bashkuara atë Amerikës. Si është e mundur që Kryeministri Rama
pretendon se Shtetet e Bashkuara mbështesin “Ballkanin e Hapur”, ndërsa
Republika e Kosovës – pozitë dhe opozitë -- e kundërshtojnë me ngulm, ndërkohë
që nuk ka asnjë reagim zyrtar amerikan, pro ose kundër deklaratës së Z. Rama?
Heshtja në lidhje me këtë çeshtje të rëndësishme nuk është një përgjigje. Nisma Vuçiq-Rama është një iniciativë që është përkrahur
ç’prej fillimit nga Rusia putiniste agresore në Ukrainë e që po sjellë botën në
prak të një lufte të tretë botërore. Ndërsa në këtë ndërkohë, Presidentja
e Republikës së Kosovës zhvilloi këto ditë takime dhe bisedime në Washington
mbi, “Rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sigurinë
në kontinentin tonë (evropian), ndikimin malinj të Rusisë dhe nevojën që SHBA
të jetë sa më shumë prezente në rajonin tonë”, ka shkruar Presidentja Osmani në
portalin e saj. Vjosa Osmani
| Facebook (Foto të tjera nga vizita). Për fat të keq, Tirana zyrtare flet më
shumë për “Ballkanin e Hapur” -- Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf
se sa për përpjekjet që duhej t’i kushtonte anëtarësimit të Kosovës në
organizatat legjitime ndërkombëtare dhe shtimit të njohjeve diplomatike të
Republikës së Kosovës.
Vizita në Washington, pjesëmarrja dhe përfaqësimi
dinjitoz i Kosovës nga Presidentja dhe
Kryeministri i Republikës së Kosovës në varrimin e mikes së madhe të Kombit shqiptar, Madeleine Albright,
si dhe takimet që ata zhvilluan me përfaqsuesit më të lartë të Amerikës – demokratë
e republikanë -- është shembëlli më i
mirë, se si duhet të jenë lidhjet midis dy shteteve shqiptare me njëra tjetrën,
por edhe me Amerikën dhe midis dy popujve tanë miq -- popullit shqiptar dhe
atij amerikan.
Kështu pra i duam shqiptarët, të bashkuar, së pari me
njëri tjetrin, e pastaj të bashkuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në
Washington dhe në Prishtinë, por edhe në Tiranë – sidomos në këtë vit të
100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të
Bashkuara.
Bashkë me Shtetet e Bashkuara, në ditë hidhërimi dhe
gëzimi
Në bisedë me Sekretarin aktual të Shtetit, Z. Antony
Blinken
Udhëheqsit e lartë të Republikës së Kosovës duke u
përshendetur me ish-Sekretaren e Shtetit, Zonjën Condoleeza Rice në
administratën e ish-Presidentit republikan, Z. Xhorxh Bush – i cili nga Tirana
njoftoi vendimin e administratës së tij për të njohur pavarësinë e Kosovës,
duke u shprehur me fjalët, “Mjaft, është Mjaft”!, që më fund të njihej
pavarësia e Kosovës! Ashtu edhe ndodhi.
Në bisedë me ish-Sekretarin e Shtetit, Z. Xhon Kerri, aktualisht ambasador special i Presidentit për klimën.