Speciale » Namani
Qazim Namani: Presionet e pushtuesve për ndryshimin e kostumeve popullore shqiptare
E diele, 01.05.2022, 06:55 PM
Presionet e pushtuesve për ndryshimin e kostumeve popullore shqiptare
Nga
Qazim Namani
Shqiptarët në vitin 1826 u ngritën në kryengritje për shkak të
reformave të reja në P. Osmane, kur shqiptarëve ju mohoheshin të gjitha të
drejtat qytetare dhe kombëtare. Këto reforma e shprehnin hapur programin për
asimilimin e shqiptarëve, andaj kryengritësit shqiptarë nën udhëheqjen e
Mustafa Pash Bushatliut, portës së lartë ju drejtuan me këto kërkesa:
1. Të drejta të barabarta me boshnjakët brenda P. Osmane. Kjo tregon
se shqiptarët kishin shumë më pak të drejta se sa boshnjakët dhe popujt tjerë!
2. Administrata e brendshme kërkohej të jetë në gjuhën shqipe.
3. Si shenjë të identitetit kombëtar, kërkohej që të njihej veshja
popullore shqiptare. Kjo do të thotë se në atë periudhë shqiptarëve ju ndalohej
veshja e tyre kombëtare!
4. Porta e lartë të ju njehe shqiptarëve privilegjet
dhe liritë e fiseve shqiptare. Edhe sipas kërkesave të kësaj pike
tregohet mohimi i të drejtave të traditave fisnore shqiptare.
Dëshmi nga kërkesa
e vitit 1826 që P. Osmane të ju lejoj shqiptarëve veshjen kombëtare
Siç shihet në bazë të këtyre burimeve, gjatë shekullit XIX populli
shqiptar ishte nën trusnin e asimilimit dhe tjetërsimit nga dy perandoritë më
të mëdha të kohës, P. Osmane dhe Rusisë. Me keq ardhje duhet ta pranojmë se
ishte populli i vetëm evropian tërësisht i vetmuar karshi presioneve, vrasjeve
dhe programeve për asimilim dhe zhdukjen e kësaj popullate të lashtë! Feudalët
dhe pashallarët shqiptar në këtë kohë nuk kishin platform kombëtare.
Dëshmi që P. Osmane me reformat e reja, që i fillojë ne fillim te shekullit XIX, shqiptarëve ju ndaloi veshjen kombëtare duke e ndaluar edhe Plisin e bardhë
P. Osmane pasi i bëri publike reformat e filluara, dhe nga shqiptarët
u kuptua se ju cenoheshin të drejtat elementare kombëtare, këto reforma u kundërshtuan.
Të gjithë feudalët shqiptar në të gjitha trevat u ngritën në kryengritje. Të
gjithë kryengritësit shqiptar si uniformë e kishin veshjen kombëtare dhe në kokë
e bartnin Plisin e Bardhë.
Plisi dhe
kapela e kuqe osmane, fotot janë marrë nga interneti
Me reformat e “Tanzimatit”, popullata shqiptare përjetojë edhe një
ndarje të thellë etno-kulturore, sepse me këto reforma u bë identifikimi i
kombit me fenë, duke u formuar milete të ndrushme brenda popullit shqiptar.
Sipas këtyre reformave, shqiptarët mysliman tani më
regjistroheshin si osmanlinj, edhe pse gjuha, raca, muzika dhe zakonet ishin krejt
të ndryshme me osmanlinjtë.
Zbatimi me dhunë i reformave në trojet shqiptare, që u përmbyllë
me përmbysjen e pashallëqeve, popullin tonë e lanë në kulmin e varfërisë dhe
shkallën më të lartë të analfabetizmit në Evropë.
Pashallarët shqiptarë, ishin të përqarë mes veti, andaj nuk kishin
bërë asgjë për zhvillimin e arsimit, kulturës e teknologjisë në hap me kohën
dhe trendin e zhvillimeve në rajon.
Zhvilimi i hovëshëm teknologjik e industrial, shkencor, kulturor e
administrativ në shtetet evropiane, ishte në kundërshtim të plotë, me rendin
feudal që zbatohej në Perandorinë Osmane, pashallarët shqiptar nuk bënë asnjë
hap, për tu orientuar kah vendet e zhvilluara evropiane, por synonin që ta
marrin kontrollin në drejtimin e P. Osmane.
P. Osmane duke i shtypur shqiptarët përfitojë shumë: ia zgjati
jetën vetvetes, vjeli taksa, rekrutojë ushtarë të shumtë, dhe duke mos lejuar
zhvillimin kulturor dhe arsimin në gjuhën amtare, e përfitojë për vete trurin e
kësaj popullate.
Gjatë tre shekujve të fundit të sundimit të Perandorisë Osmane,
nga pamundësia e shkollimit të rinisë shqiptare në trojet e veta, ata
detyroheshin të vijojnë mësimet në gjuhë tjetër dhe vise tjera të P. Osmane.
Arsimimi i të rinjve shqiptarë në shkollat osmane ndikojë që shumë shqiptar të
zënë poste të larta kulturore, shkencore, ushtarake e administrative në
institucionet shtetërore osmane.
Shqiptarët e arsimuar në P. Osmane i kanë meritat më të mëdha për
krijimin e institucioneve më të rëndësishme në kulturë, arsim, administratë dhe
shkencë në P.Osmane, pa pasur mundësinë që të kontribuojnë në
vendlindjet e tyre, për të filluar me hapjen e shkollave fillore në gjuhën
amtare. Shqiptarët i krijuan P. Osmane Universitetin, himnin kombëtar,
administratën, pa pasur mundësi ta ndihmojnë popullin e vet që ishte në gjendje
të mjerë.
Mendoj se duke i analizuar me hollësi sjelljet e pashallarëve
shqiptar ndaj popullit tonë, duhet bërë një ri studim duke zbatuar
metodologjinë dhe kriteret shkencore për ti bërë publike dëmet e shkaktuara nga
këta pashallarë, gjatë tre shekujve të fundit të sundimit osman.
Pas nënshkrimit të traktatit të Parisit në vitin 1856, Rusia
filloi që ti nxitë për kryengritje të krishterët në Ballkan. Bazuar në
platformën e këtyre projekteve, rusët i nxitën malazezët që të sulmojnë disa fortifikime,
që mbaheshin nga rezervistët mysliman shqiptar. Pas kësaj kryengritje P. Osmane
mobilizoi ushtarë nga masat popullore të Sanxhakut të Nishit, që kryesisht
ishin shqiptar, për të shuar kryengritjet në Malin e Zi.
Pa ashtu në vitin 1856, P. Osmane i bëri reformat për prona, për të
përfituar sa më shumë të ardhura u lejua shit blerja e pronave. Pronat ju
lejuan që të shiten nga kaxhabashi (Krye plak i fshatrave të krshtera). Kjo
krijojë edhe më shumë varfëri dhe konflikte te popullata shqiptare. Shqiptarët
tani përveç që vriteshin në luiftëra për interesa të P. Osmane filluan që të
vriten edhe mes veti për prona.
Perandoria Osmane në gjysmën e shekullit XIX, ishte zhytur thellë
në prapambetje, krahasuar me shtetet evropiane që në atë kohë kishin hyrë në një
zhvillim të hovshëm ekonomik e kulturor.
Ndër shkaqet kryesore të prapambetjes së P. Osmane, pa dyshim se
ishte sistemi i dobët, dhe i korruptuar, ku dominonte shtypja e popujve,
despotizmi, injoranca që e shoqëronin aparatin shtetëror me avantura të
shfrenuara të pushtetarëve të pa aftë për ta zhvilluar vendin e tyre. Në këtë
periudhe P. Osmane, kishte mbetur prapa për kah zhvillimi ekonomik dhe ushtarak
, nuk kishte reforma në arsim e kulturë.
Popullata e vendit ishte zhytur në analfabetizëm, bëhej mobilizimi
i dhunëshem i meshkujve të aftë për luftë, dhe në përgjithësi fshjatrat kishin
mbetur pa shkolla dhe fuqi pune.
Foto 1. Arrestimi i shqiptareve nga ushtria turke më 1912 në Shkup, foto 2. Arrestimi i shqiptarëve nga ushtria serbe më 1912 në Shkup
Në trevat shqiptare nuk lejoheshin shkollat në gjuhën shqipe. Në
mungesë të shkollave shqipe disa nga familjet shqiptare të krishtera u detyruan
që fëmijët e tyre ti dërgojnë në shkolla sllave, greke e latine. Kjo ndikoj
dukshëm edhe në asimilimin e disa fshatrave shqiptare në komunitete tjera pasi
që edhe në familje filluan të përdorin gjuhën që fëmijët i mësonin në shkolla.
Popullata shqiptare që u detyrua të pranojë fenë islame mbeti
tërësisht jashtë sistemit arsimor. Fëmijët e familjeve që e kishin pranuar fenë
islame dërgoheshin në mejtepe të ulëta në të cilat mësohej praktika e zbatimit
të fesë.
Në shumë vendbanime vetëm hoxhallarët ishin ata që dinin shkrim e
lexim, po edhe kjo kategori e shoqërisë ishte në shërbim të pushtetit që i
zbatonte politikat e manipulimit të popullatës dhe konvertimit në fenë islame.
Të
gjithë ata që e kundërshtonin pushtetin e P. Osmane, arrestoheshin dhe dërgoheshin
për të vuajtur dënimin në shkret irat e Azisë.
Nga organizata e fshehtë “Cerna Ruka”, që vepronte në Shkup dhe
viset tjera rreth lumit Vardar, u kryen krimet më të rënda ndaj popullatës
myslimane shqiptare. Shqiptarët nga aksionet e pjesëtarëve të kësaj organizate
u masakruan në mënyra të ndryshme. Shqiptarët në vazhdimësi ishin të ndjekur,
të vrarë, të dhunuar, dhe shpesh herë nga aksionet e bandave të tyre kufomat e shqiptarëve të vrarë hidheshin në lumin Vardar.
Luftërat ballkanike dëshmuan se shqiptarët ishin tërësisht të pa
mbrojtur, dhe të pa trajtuar si krijesa njerëzore edhe nga faktori
ndërkombëtar. Shqiptarët tani më kishin mbetur i vetmi popull në Evropë, pa
arsim në gjuhën kombëtare, me ekonomi familjare shumë të varfër, popull i ndarë
në fe regjione, popull i shfrytëzuar për interesa të veta nga pushtuesi 500
vjeçar, që në fund e çarmatosi, e dhunoi dhe e braktisi duke e lënë në mëshirën
e fqinjëve barbarë.
Siç shihet nga këto burime, popullata shqiptare ishte shumë e pa
përgatitur për të mbrojtur kufirin nga sulmet e ushtrive ballkanike
Gazetari austriak Leo Frojdlih, edhe
ky me origjinë hebraike, autor i librit “Golgotha Shqiptare”, i përshkruante
masakrat e serbëve në vjeshtën e vitit 1912, deri në pranverën e 1913-s, në
trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni: “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara
notonin në rrjedhat e lumenjve.[1]
Në Vrajë pranë gazetarëve të huaj
qëndronte princi Alexis Karagjorgjeviq i cili ishte djali i axhës së mbretit
Petar Karagjorgjeviq. Para gazetarëve të huaj Petar
Karagjorgjeviq deklaronte se kjo luftë do ti sjell Ballkanit përparim
kulturorë. Në qytetin e Vrajës festohej për fitoret e ushtrisë serbe në betejat
e frontit. Në këto anë çdo banorë që shihej me Plisë të bardhë, arrestohej dhe
vritej.
Në fillim të vitit 1913, në qytetin e Pejës u formua
shoqëria “Idea Serbe”, qëllimi i së cilës ishte krishterimi i
myslimanëve. Deri më 21 mars të vitit 1913, sipas dokumenteve zyrtare, në
qytetin e Pejës u konvertuan 5000 myslimanë. Të gjithë shqiptarëve të
konvertuar malazezët dhe serbët ju hiqnin plisin e bardhë, dhe ju venin kapela
serbe.
Nga dhuna që e kishin ushtruar Ushtria
serbe vetëm në Lumë ndaj popullatës shqiptare dokumentet serbe dëshmojnë për djegien
e të gjitha shtëpive dhe vrasjen e më shume se 700 grave e fëmijëve.
Foto 1.
Shqiptarët e fshatrave të Bujanocit të zënë rob nga ushtria serbe gjatë
luftërave ballkanike, Foto 2 Shaban
Azizi, nga fshati Ramabuq, komuna e Bujanocit, ishte 101 vjeçar, kur vdiq në
vitin 2016[2]
Me të njëjtin program u veprua edhe në
Sjenicë, Bjellopole e Tregun e ri. Në ato vise ishin kryer vrasje dhunë dhe
konvertime në fenë ortodokse. Shqiptarët e atyre viseve vriteshin nëse
deklaroheshin si shqiptarë, shumë prej tyre u serbizuan, ndërsa ata që mbetën në
fenë islame u regjistruan si boshnjak, duke u shtyrë që ta mohojnë përkatësinë
e tyre etnike shqiptare.
Foto 1. Isa
Boletini dhe gazetari Leo Freundlic, Foto 2. Shqiptarët nga Tregu i Ri, pa
Plisa të bardhë në kokë, fotografuar në vitin 1915
Në vendbanimet shqiptare përgjatë lumenjve Morava dhe Vardar, përjetuan
dhunë masive ndaj popullatës civile, nga dhuna nuk u kursyen as gratë dhe fëmijët.
Sipas rrëfimeve të njerëzve të moshuar të kësaj ane, në tokat
shqiptare të kësaj treve shpeshë herë u vërsulën ushtri barbare serbe, ruse e
bullgare, të cilët kryen shumë masakra, vrasje, djegje të shtëpive, vjedhje
materiale dhe objektet e kulturës. Këto formacione ushtarake sllave i vritnin të
gjithë burrat që mbanin Plisa të bardhë, ndërsa i kursenin ata të cilët e bartënin
Plisin e zi apo edhe fesin turk.
Nga burimet historike është dëshmuar se një numër i madh i serbëve
të anës së Moravës dhe Vardarit, ishin shqiptar ortodoksë që u serbizuan në
dekadat e fundit të shekullit XIX. Këtë e dëshmojnë edhe vet studiuesit serbë,
gjatë hulumtimeve në terren në mes të dy luftërave botërore.
Atanasje
Urosevic, shkruan se serbët para çlirimit bartnin gardërobën e njëjtë sikurse
shqiptarët, në kokë e mbanin Plisin, nga libri i Atanasje U.“Gornja Morava i
Izmornik”
Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjatë
vitit 1941, trevat shqiptare që mbetën nën kontrollin e Bullgarisë, popullata
shqiptare e këtyre trojeve pësojë dhunë dhe vrasje nga ushtria bullgare
Bazuar në dokumentet e kohës, në muajin Maji itë vitit 1941,
ushtria bullgare kishte kryer dhjetra aksione për arrestime, përdhunime, e
masakra mbi popullsinë shqiptare, duke i kërcënuar e detyruar ata të mos e
përdornin qeleshen e bardhë, e cila ishte simboli dallues dhe kombëtar i
shqiptarëve autokton në këto toka.[3]
Denoncimin mbi masakrat e kishin bërë një grup burrash nga paria
e shqiptarëve të Shkupit, të cilët kishin arritur të arratiseshin nga Shkupi në
Tetovë e prej andej në Tiranë, dhe kishin mbërritur në dyert e Këshillit të
Ministrave dhe në Ministrinë e Brendshme. Më poshtë e sjellim të plotë
denoncimin e tyre dërguar një kopje kyeministrit të kësaj periudhe, Shefqet bej
Vërlaci:[4]
Ndër të tjera në deklaratën e shqiptarëve të arraitur nga Shkupi
për dhunën e ushtrisë bullgare shkruan: Me 11 Maj 1941, në Shkup, kanë burgosun avokatin shqiptar Shaip
Presheva dhe Jahja Kumanovën, Ejup Verisoviqin bashkë me 50 vetë të tjerë, të
gjithë shqiptarë dhe të gjithë të konsideruem fajtorë për nëj faj të vetëm: pse
barshin qeleshen e bardhë shqiptare, që dëshmonte kombësinë e tyre shqiptare.[5]
Denoncimin
mbi masakrat bullgare ndaj popullit shqiptar, që e kishin bërë një grup burrash
nga paria e shqiptarëve të Shkupit [6]
Me 13 Maj 1941, ditë tregu në Shkup,
nëpër rrugat kryesore të qytetit, nga të cilat mbërrijnë, për çdo ditë tregu,
popullsinat shqiptare të rrethit të Shkupit në qytet, ushtrija bullgare kishte
nxjerrun reparte me pushkë dhe mitraljoza, të ngarkuem që tu hiqshin
gjithë shqiptarëve me të mirë ose me dhunë, qeleshen e tyre të bardhë
tradicionale. Por shqiptarët , që me anë të qeleshes mbrojnë edhe
karakteristikën e tyre të kombësisë, kanë refuzue që t’i heqin. Atëherë,
ushtrija bullgare, ka kapun dhe burgosun, vetëm në nji udhë kryesore, ma se 300
shqiptarë. Po atë ditë, në rrugën e quejtun “Tophane” janë kapun me përdhunë
prej katundarëve shqiptarë ma se 300 qeleshe të bardha dhe grisun nga ushtrija
bulgare përpara tyne. Ata që refuzojshin ti dorëzojshin qeleshet, edhe ndër
udhë të tjera, janë kapur dhe hedhun në burgje. Sasija e të burgosunve
shqiptarë në Shkup i kapërcen të 600 vetve.[7]
Të njëjtin program për vrashjen e
shqiptarëve e kishin edhe çetnikët serbë, por nuk patën mundësi të zbatojnë
planet e tyre gjatë kontrollit të ushtrisë italiane në trevat shqiptare që njiheshin
si zona e Italisë.
Të gjitha formacionet çetnike që
vepronin gjatë Luftës së Dytë Botërore, në qeverinë e Nediqit, në programet e
tyre si platformë e kishin zhdukjen e shqiptarëve, madje edhe e kishin shkruar
se kur të ju jepet mundësia nuk do të lënë asnjë njeri që bartë Plisë të bardhë,
por të gjithë do ti vrasim dhe kokat e tyre do ti hedhim në lumenj.
Njëri nga liderët e njohur shqiptar i cili gjatë përvojës së tij për
shkaqe të sigurisë e kishte bartur Plisin e Zi ishte edhe Sylë Hotla, për të
cilin po japim disa të dhana për aktivitetet kombëtare të tij.
Sylejman
Asip Sylejmani (Sule Hotla)
nga fshati Hotël, komuna e Kumanova dhe djali i tij me Plisa të zinj
Sylejman Asip Sylejmani, i cili në popull njihet si Sylë Hotla,
ka lindur në vitin 1875, në fshatin Hotël të Likovës – Kumanovës.
Prej vitit 1927 e deri më 1941, ai ishte udhëheqës i të
ashtuquajturës Komunë e Mateçit, në të cilën përfshiheshin shumica e fshatrave
malore të Karadakut të Kumanovës në Banovinën e Vardarit.[8]
Deri në vitin 1941, kur filloi Lufta e Dytë Botrore, Sulë Hotla
ka qenë aktiv për mbrojtjen e interesave të popullatës shqiptare.
Me vendosjen e bullgarëve në këto anë, Sulë Hotla do të arrijë
të emrohet Komandant i stacionit policor në Mateç. Me këtë rast, Sula fillimisht
do t’i veshë me uniformë 30 policë shqiptarë, nga të cilët 20 të fshatit Mateç,
kurse të tjerët nga fshatrat tjera shqiptare të Karadakut.[9]
Sula shumë shpejtë do të lidhet me veprimtarë të shquar
antikomunistë nga Kosova e Shqipëria, të cilët nuk do të zgjedhin mjete dhe
metoda në luftën për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.[10]
Me kapitullimin e Bullgarisë fashiste në shtator 1944, u mbajtë
një kuvend nga balli Kombëtar në malet e sharit, për ta mbrojtur popullatën
shqiptare nga forcat ushtarake serbe dhe maqedone. Ai së bashku me Mulla
Idrizin, Ibrahim kelmendin u mobilizuan kundeër masakrave që i kryan komunistet
serbë në vjeshten e vitit 1944 në Preshevë.
Më 17 dhjetor 1944, me pjesëmarrjne e mëse 1000 burrave, në
Zarbincë të Galabit të Bujanocit u mbajt kuvendi i themelues i Shtabit Drejtues
të Rezistencës Shqiptare për Kosovën Lindore, nën drejtimin e Mulla Idriz
Gjilanit, i cili u zgjodh edhe komandant i forcave vullnetare shqiptare. Por,
pas Kuvendit të Dërventit, në prill të vitit 1945, të udhëhequr prej Sulë
Hotlës, do të vështirësohet aktiviteti politik dhe luftarak i Sulës për
rezistencën shqiptare në viset e Kumanovës dhe të Shkupit. Prej tashti, Sulë
Hotla do të detyrohet të kalojë një jetë shumë konspirative, i strehuar në
familjet me besnike shqiptare.[11]
Sulë Hotla me tre-katër bashkëluftëtarë do të merr pjesë edhe në
Kuvendin e Kopilaçës mbi Tanushë të mbajtur më 15-16 gusht 1945. Kuvendi ishte
thirrur nga Shtabi Suprem i Kosovës, ndërsa kishte për qëllim riorganizimin e
luftës së çetave nacionaliste vullnetare shqiptare.
Gjatë fundit të vitit 1945, u organizua një lëvizje e re që e drejtonte Gjon Sereçi. Ishte kjo
Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare, e quajtur NDSH me të cilën bashkëpunoi
edhe Sylë Hotla.
Pas këtyre aktiviteteve Sylë Hotla me shokët e tij vazhdon që qëndroj
i strehuar në disa familje duke tentuar që të del jashtë vendit për ta vazhduar
aktivitetin në ilegalitet.
Në malin e Pelisterit, në këtë pikë jugore me kufirin grek. Nga
agjentet e sigurimit Sylën dhe të gjithë
shokët e tij ranë në duart e OZN-as, të nesërmen të gjithë transferohen në
Shkup, dhe ekzekutohen nga komunistet me
11 tetorit 1947.[12]
Nga përndjekjet dhe vuajtjet që i pësuan shqiptarët gjatë
pushtimit të tokave të tyrë nga ushtritë barbare bullgare e serbe gjatë
shekullit XX, shumë qytetar të këtyre trevave për të shpëtuar më lehtë nga
presionet e pushtetit barten Plisa të zi. Njëri nga banorët e Gjilanit i cili e
barti Plisin e zi ishte edhe Ahmet Miftari, për të cilin po japim në pika të
shkurta disa të dhëna nga jeta e tij.
Ahmet Miftari i lindur me 5 maj 1917, në Gjilan, qyshë në moshën
tre vjeçare kishte mbetur jetim, Ahmetin e marin për ta rritur daja i tij Hazir
Korça në fshatin Gmicë. Në boshën 22 vjeçare ju bashkangjitet forcave shqiptare
për mbrojtjen e kufirit me Serbinë. Në fund të luftës Ahmeti si shumë bashkëvendas
të tij dërgohët në Tivarë e deri në Kroaci. Pas mbarimit të luftës kthehet në
qytetin e Gjilanit, dhe aty e fillon jetën nga fillimi. Ka punuar si mjeshtër
ndërtimi në ndërmarrjen ndërtimore “Morava e Bincës” ku edhe penzionohet.
Ahmaeti ka ndrruar jete me datën 09 nëntor 2001 në qytetin e Gjilanit. Fotoja është
realizuar rreth vitit 1970.
Ahmet Miftari
nga qyteti i Gjilanit
Nga dhuna që e kishin pësuar shqiptarët e anës së lumenjve Moravë
dhe Vardar, nga ushtria serbe dhe bullgare, shumë banorë të këtyre anëve, deri
në fund të shekullit XX, në kokë e bartën Plisin e Zi
Foto
1. Rakip Hasani, fshati Tanushë Shkup, Foto 2. Beqir Masllan i Masllanve
Brezes, i Shkupit
[1] https://inforculture.info/2020/12/15/me-qindra-e-mijera-kufoma-te-masakruara-notonin-ne-rrjedhat-e-lumenjve-frojdlih-per-masakrat-e-serbeve-ne-trojet-shqiptare-1912-1913/,
[2] Bujanoci rajoni
press 08:23, 17 Qershor, 2016
[3] https://gazetadiplomacia.al/2022/01/13/e-pathena-e-masakrave-bullgare-ndaj-shqiptareve-ne-shkup-vetem-per-qeleshen-e-bardhe/,
[4] Po aty
[5] Po aty
[6] https://gazetadiplomacia.al/2022/01/13/e-pathena-e-masakrave-bullgare-ndaj-shqiptareve-ne-shkup-vetem-per-qeleshen-e-bardhe/,
[7] Po aty
[9] Po aty
[10] Po aty
[11] Po aty
[12] Po aty