| E diele, 10.04.2022, 05:22 PM |
VIKTIMA (GURI I “SIZIFIT”)
Nga Konstandin Vogli
… Si lëmsh i shthurur ishte
mbledhur në njërën prej qosheve të birrucës me brrinjë të kursyera. Në gjunjë
brrylet, dhe gishtat future si këmbë gaforeje nga dobësia disa mujore mbrapa
kokës, sikur mundohej të mbante për të mos i plasur truri i vogël. Ajo bukuria,
fytyrë njëzetëeshtatë vjeçari, i ishte murrëzuar, zverdhur e zvogëluar. Po i
dridheshin buzët. I tëri po dridhej edhe nga lagështia e çimentos. Një batanie
të vjetëruar mbështjellur nën vete sigurisht e pa larë, trashëguar që nga i
pari që kishte kaluar ditë të “bukura”në atë birrucë.
Në hekurat e portës një
trokitje me grumbullin e çelsave të birrucave, e detyruan të ngrinte vetëm
kapakët e syve të vuajtur. Ishte gardiani, i cili nga dhimbjet e mezit
qëndronte pak përkulur. Në fytyrën si të mbrujtur me miell thekre, ku me një
pale sy si të qenit “pitbull” shikonte “armiqtë e popullit”. Araniti e pa me
frikë në zemër. Mendoi se i erdhi skuadra e pushkatimit për ta marrë. Akuzuar
si agjent, vjedhës i pasurisë socialiste dhe si i degjeneruar, ishte i dënuar
me vdekje. Ishin orët e fundit. Çfarë mund të mendojë një njeri duke pritur të
kalojnë si në vrap tik-taket e orës. Ai nuk kishte orë, por i ndiente me ritmet
e zemrës. Nuk i dihej kur ishte ora e fundit. Buzëqeshi gardiani me një fytyrë
dhelpre. Ju shndërruan sytë e egër. Kapelen me yllin e kuq e mbante përmbi
vetullat e trasha, ku shpesh herë e merrte në duar dhe i shkelqente yllin me
mëngën e xhaketës. Araniti e pyeti pa lëvizur. “Përse më zgjove?! “Të zgjova,
çudi! Me shekuj do të flesh që sonte. Ata që do të të marrin shpirtin nga çasti
në çast do të vijnë. Nuk e mendon?!” Duke u munduar të ruante qetësinë para
atij krimineli të pa shpirt, ju
përgjigj. “E di”. Për sa kohë që ishte në atë birrucë e kishte munduar dhe
ofenduar. “E di more injorant i pa shpirt. Ama edhe ti do të vdesësh. E mendon?
Ndofta edhe më keq se unë. Edhe pak më ka mbetur , vërtetë, por ndërmënd më
shkoi se duhet të dish diçka”. “E di që je agjent. Që je dhe hajdut i pasurisë
socialiste dhe imoral”. Araniti për dy akuzat e para nuk ju rrëmbye gjaku. Por
kur dëgjoi akuzën e tretë u revoltua. E kishte dëgjuar shumë here si zilen e
telefonit kur ishte drejtor, ama nuk i kishte kthyer asnjë zë. Meqënëse nuk
kishte mundësi të godiste gardianin, në mur i plasi gjaku i grushteve dhe i ballit.
Polici qeshi sa u detyrua të nxirrte shaminë e hundëve të fshinte qurrat që ju
varën. E pa në grushte dhe në ballë, po ashtu edhe murin e ashpër. “Që të
mbetej pak gjak nga i yti këtu, bëre mirë. Balta do të ta pijë të gjithë?” “ E
di që këtu njerëz të pa shpirt sjellin. Qena a bijë qensh. Më duhet të ruaj
gjakftohtësinë. Nuk i dihet. E vërteta për mua, ndonjë ditë do të dalë që jam
një viktimë . Ndofta. Nesër apo më vonë do të jesh dëshmimtar dhe rrëfyes për
sa do të them. Jam I pafajshëm”. “Po që je një agjent, nuk më gënjejnë sytë
mua, po sa agjent je?! Përse nuk pranon more fukara. Përse i mundon hetuesit
dhe kryeprokurorin”. Kur i kujtoi kryeprokurorin Ardiani kërciti dhëmbët.
“Unë jam njëzetëeshtatë
vjeç. Më emëruan drejtor në atë ndërmarrje, sa mbarova shkollën ekonomike. Kur
u bëra agjent dhe kush më bëri. Në hetusi më kanë bërë tmerre, por unë nuk mund
të pranoja ato që si kam bërë. Ky është një kurth i kryeprokurorit. Ata që
dëshmuan në gjyq, me fjalët e tyre ngatërroheshin. Sa për vjedhje, ishte një
sajesë e kryeprokurorit. Ata që më bën sikuestrimin e pasurisë janë dëshmitarë.
As në bankë, as në shtëpi nuk faktuan lekë. Në një krevat të sajuar me një
dyshekë me kashtë kam fjetur. Në një tavolinë të vjetër kam ngrënë, dhe një
dollap të vjetëruar, një kamineto që gatuaja në një kusi të vjetër. Me këto
jetonte drejtori. Në restorant e lija me të shumtën e rrogës. Ato ishin pasuria
ime që kisha “vjedhur”. Akuza e tretë ishte tepër bajate. Unë dashuroja
Dallandyshen. Vajzë shumë e bukur. Qyteti ynë është shumë i vogël dhe ti më ke
njohur edhe mua edhe Dallandyshen. Ai maskarai, prokurori, për të më marr atë
që dashuroja unë, më ngriti këto padije”.
Polici u tremb. E kërcënoi
se do ta raportonte tek prokurori. “Ah more polic. Çfar do më bëj më tepër. Do
të më dënojë dy herë me pushkatim?. Që kur më dhanë dënimin nuk ka të drejtë më
njeri të më prekë me dorë. E kam deklaruar në gjyq, se ai më ngriti kurthin,
dhe arsyen. Araniti u mbyt në grykë nga rrethi që ju formua. Gjykata nuk më përfilli.
Sigurisht ishin me prokurorin. Të pa përmbajtshëm i rrodhën lotët. Me buzë të
dridhura vazhdoi t’i tregoj një qeni besnik. Unë i burgosur politik si agjent,
Manushaqen e tmerroi. Përfundimisht ma mori. Ma mori more shoku polic”. Tjetri
u hodh përpjetë. “Me ti unë shok?!” “Do ta kishe për nder. Unë jam i pafajshëm.
Duke ju mallkuar do shkoj në atë botë”. “E shikoj more agjent. Në mur ke
shkruar, “unë jam i pafajshëm. Do dalë e vërteta”. Nuk të besojë more i zi. Më
vjen keq për moshën. Për mëndjen…”E mbylli atë gojë ku i kishte përlyer buzët
me shkumë, nga gjuha që i delte si lopatë gëlqereje. As ai nuk kishte me se ti
lagte buzët.
“Ah more polic, do ta gjej
dhe ai kryeprokurori. Unë jam trim dhe nuk më nënështruan dot me të gjitha
presionet dhe torturat çnjerëzore. Nuk jam frikacak, vetë se të vdes i
pafajshëm më vjen keq. Edhe ai prokurori injorant me kurs, do ta gjejë. Do ta
gjejë polic, do ta gjeeejë”... Koridoret e bodrumeve oshëtinë nga britma. Kaq,
dhe nga që ju prenë këmbët, mori përsëri pozicionin e parë. Gardiani i hodhi
përsëri sytë dhe pëshpëriti. “Ishte alamet djali, i gjatë dhe i pashëm. Ja ku e
çoi mëndja”. Dhe vazhdoi shëtitjen në koridorin, para birrucave të ngushta, në
pritje sa të vinte ora dhe të mos e shihte më aty, atë armik të Partisë. “Armik
I popullit” pëshpëriti disa herë duke lëvizur çuditërisht si mjerani shejtan.
Si mjerani shejtan. Ashtu
ishin të gjithë punonjësit e degëve të brëndshme. Me boshllëk shpirtëror që të
kujtojnë personazhet pa vetvete. Në mënyrën e të menduarit, të gjithë kishin
mangësi. Diçka që tregon se shoqëria ka pas probleme të thella të fshehta,
historikisht të depozituara në nënvetëdije. Jo vetëm tek gardiani, binte në sy
mungesa e kulturës. Ndërsa intelektuali, Araniti i vërtetë ishte një ndriçues
shpirtëror. Ata janë munduar të ndryshojnë realitetin. Ai mendon me ndërgjegje
e përgjegjësi. Por në Shqipëri nuk ekzistonte kjo edukatë me harmoni shoqërore.
Propaganda i edukonte të dashurit e saj, sado injorantë që të ishin, dhe ata
zgjidhnin në çdo moment për përçarje e urrejtje klasore. Kishin fener marshin
funebër, “vdekje armikut .”Po kush ishin armiqtë. Ata që sajoheshin, apo ata që
sajonin. Ato bodrume transformonin dhe largonin shpresën jetësore. Në këto
thellësi, krijonin thellësi më të mëdha shpirtërore. Ndoshta mendonin që
njerëzit kishin nevojë jetësore për të ndryshuar. Të bënin bashkëpuntorë. Kush
thyhej.
Gardiani e shikonte ashtu të
mbledhur gulaç nga të ftohtit dhe ku nuk kishte ku të lëvizte, me gjakun që i
kishte lyer faqen dhe gushën. Dhe duke mbajtur kokën midis duarve, gjaku i
kullonte deri tek bërryli. Polici solli
ndërmënd atë ditë kur Aranitin e sollën dy policë të mbjtur për krahësh,
pothuajse me këmbët zvarrë dhe e lëshuan në birrucë sikur hodhën një gjah të
vrarë. Gjaku i fytyrës i kishte ngjyer
rrobat. Hetuesi e kishte kërkuar në orën një të natës. Akuzat që i ngrinte
kryeprokurori duhej t’i pranonte duke u torturuar deri në durimin sa të mos u
ngelej ne duar. Veprimtarinë në agjenturë nuk e pranoi megjithë grushtet e rënda.
Ndërsa për vjedhjet i kërkonte se ku i kishte fshehur. I pandehuri i shau i
revoltuar. Një grusht i lëshuar si vare për të thyer ndonjë shkëmb, nga një
polic div, e detyroi të rënkonte dhe të përkulej. Nga stoli beton në dyshemenë
prej çimentoje, e rrëzoi një pëllëmbë e forte mbrapsh në fytyrë. Nuk e permëndi
as kova me ujë që ja hodhën në gjithë trupin. Për gati një orë nuk e sollën dot
në gjëndje duke e goditur edhe me shkelma. Gjaku nga hundët dhe goja po i
vazhdonte edhe kur u permënd. Asnjë mjekim nuk i dhanë. Ishte i gjithi i ngjyer
sikur e kisshin therur. Policit nuk ju keqardh megjithë gjëndjen e tij. “Mirë
ja kanë bërë agjentit të mutit”. Si në një film e kaloi gardiani këtë ngjarje.
Po çapitej para birrucës
para-mbrapa dhe hidhte shpesh herë sytë nga i dënuari. Ndaloi para portës së
hekurt. I dënuari me kokën midia duarve të gjakosura. U drodh nga të ftohtit
dhe u çua në këmbë. Po e shikonte gardianin se si lëvizte brënda asaj errësire
të nëndheshme si “Cerberi”, qeni i Hadit, i cili do ndeshej me Herkulin. “Edhe
unë duhet ta nënështroj këtë qen”. “Edhe pak orë të kanë mbetur. Të rruat
shkolla që ke bërë”, -ju shpreh. “Ah more i ziu çoban. Të kanë marrë nga dhitë,
e të kanë bërë zabit. Ti je një qen të ruash stanin nga ujqërit. Ama ujqër nuk
jemi ne. Udhëheqsit tuaj janë ujqër. Çobenjtë që rjepin për çdo ditë stanin.
Dhe nuk përzgjedhin më të dobtit, por më të shëndoshët si ujqërit. Dora jote
nuk di të hedh firmën. Ndërsa unë mund të drejtojë ekonominë e një rrethi. Po
Partia ku i ka sytë. Kryeprokurori është armik i saj. Ç`Parti është kjo more
polic. Para syve të saj ndodhin të gjitha si kjo. Para hundëve. Këta janë
armiqtë e popullit poliiic…dhe ti je një grimcë e këtijë populli. Po ç`them dhe
unë. Ti je një lakuriq nate që nuk shikon se çfar ndodh ditën. Shikon vetëm
natën për të gjetur “armiqtë e popullit”. Pushteti popullor, që i thonë kot pushtet
popullor, në gji ka armiqtë e saj, dhe me këta nuk ka për t’u bërë kurrë
pushtet i popullit. Janë bërë roje qentë ujqër.
Policit ju hapën sytë si
vezë në këmbë. “Kështu flasin vetëm armiqtë e popullit”, - ju shpreh me gojë të
mbajtur. “Këto janë vërtetë fjalë armiqësore”. Nuk kishte dëgjuar kurrë, për sa
kohë shërbente në këto tunele me birruca. “Megjithëatë ky e ka marrë dënimin
kapital. Mjafton për të. Nuk di çfar të bëj…Po përse të gjej belanë, tre qe e
dy gomarë, i themi ne. Unë nuk dëgjova gjë. Ky edhe pak orë jetë ka”. E pa të
dënuarin, dhe me sy dhelpre i tha: “ama dhe lakuriq nate nuk jam”.
Nesër që do të më mungoj ky,
një tjetër do më sjellin, se birrucën nuk e lënë kurrë bosh. Një tjetër armik
mbin si krisja. Besoj se nuk do të jetë i njëllojtë. Mund të jetë si ai para
këtij që nuk duroi dot, por tregoi të bëra e të pa bëra, megjithëse pretendonte
se nuk kishte shprehur asgjë nga sa e akuzonin. Ku ai me këtë. Nuk pranoi që
nuk pranoi. Ai para këtij, i hëngri dhjetë vjetë.
Po lëvizte nëpër koridorin e
nëndheshëm përball birrucave si kotece pulash, por gjithë vëmëndjen e kishte
përqëndruar tek i dënuari me emrin Aranit. E shikonte si qëndronte në këmbe në
një qoshe duke u dredhur, dhe po mendonte. “Shumë djalë i fortë. Ka disa muaj
dhe duroi torturat e pa para. Nuk i pranoi akuzat. Ky që ka rezistuar kaq
shumë, mos vërtetë nuk është agjent? Si do ta vrasin!...Në fakt ai kryeprokurori
nuk më ka pëlqyer kurrë. Palo burrë më duket dhe mua. Me siguri i ka rënë në
qafë këtij djali. Po unë çfarë të bëj. Më duhet t’i bindem shejtanit. Jam i pa
zoti për tjetër punë. Ama edhe armiqtë e popullit nuk i honeps dot… Po ky?
Dalngadal filloi ta gërryej ndërgjegja. More, përse e kam këtë armiqësi. Bir
nëne është dhe ky. I kam bërë gjithë ato padrejtësi duke e lënë edhe pa ujë sa
i është tharë buza. E kam lënë edhe pa bërë urinën sa shtërngohej, edhe pa atë
pak ushqim, por asnjëherë nuk m’u ankua. Shumë i duruar. Gjithmonë e kam fyer.
Duke e parë filloi t’i dhimbsej papritur. “Gjynah. Alamet djali. Është rritur
dhe jetim. Nuk ka as familje që ta qajë. Më tha një herë se i vjen keq që nuk
do lerë një pasardhës. Me Dallandyshen e kishin thurur lumturinë, por sipas
tij, ua ka shkatërruar ky . Kryeprokurori. Po sikur të ketë të drejtë. Të jetë ipafajshëm?! Njëzetëeshtatë vjeçari
ku i gjeti armiqtë e Partisë e të pushtetit popullor ky , që të bëhej agjent. E
pamundur” Filloi të ndihej skeptik… I dënuari nuk kishte ku të lëvizte. I
mpirë, u ul prap, u çua përsëri. Shqetësimi i pritjes së orëve të fundit.
Gardiani përpiqte grushtin në pëllëmbë. “Mos është vërtetë ipafajshëm?. Ky që
ka rezistuar në tortura dhe nuk ka pranuar fajin…”
Rreth tre orë pa ardhur
mëngjesi, më në fund, polici pa të zbrisnin shkallët shpirtmarrësit. Ndaluan
para portës me thupra hekuri të trasha. I dënuari ishte në pritje. “Më merrni.
Por dijeni se jam ipafajshëm”. Lesa e hekurt u hap dhe i dënuari zgjati duart.
Deri në dhimbje ja mbërthyen prangat. Ndali pak dhe ju drejtua gardianit. “Më
fal në të kam krijuar shqetësim. Ndërsa ty për sa më ke bërë të kam falur, se i
ke bërë me urdhër. Mirë u pafshim në atë jetën e përtejme. Me kryeprokurorin,
me ty dhe me të tjerët që më torturuan, dhe me këta që do më shuajnë jetën,
aty, sa do të shihemi. Sepse unë do jem lart, ndërsa juve do të përvëloheni në
rrethin e nëntë të Dantes. Me një të shtyrë të rendë, pa pas disa muajsh hënën
gjysmake që po aq dritë i jepte tokës,
dhe me aq pak ju drodhën pak sytë. Gardiani po mendonte rrethin e nëntë të
Dantes. Aq kujtonte. Ky dinte shumë. Mos ishte nga fshati im ai Dantja dhe unë
nuk e di? Më vjen keq se dinte shumë më tepër se kaq”…
Makina ndaloi në një vend,
që i dënuari e njihte mirë. Nuk ishte shumë larg qytetit. Një grykë midis një
kodre të lartë dhe një bregu të ulët në lindje. Një përrua i thatë dhe i
shkurtër që i zbardhnin pllakat e gurëve me gati një çezmë ujë. Në buz të saj,
një gropë e hapur. Rreth pesëdhjetë metra më lartë duke u lëkundur nga gropat
ndaluan. Po aty ndaloi dhe një xhips, ku prej saj zbriti me shume nxitim
prokurori. Me të shtyra e zbritën viktimën dhe e mbërthyen për krahësh dy
persona, të cilet e vendosën pranë gropës. Çdo veprim kryhej me shpejtësi. Një
padurim i kryeprokurorit, ndofta për ta parë viktimën e tij, sa më shpejt të
vdekur.
I dënuari kur nguli këmbët
pranë gropës, hodhi sytë brënda, por nuk dihet se çfar mendoi. Me siguri duhet
të ketë mërmëritur. “Në këtë gropë do më mbulojnë dhe do të kalbem. Do vdes për
pak minuta, por Ipafajshëm”. Djersët e ftohta ja mbuluan ballin kur sytë i
hodhi nga skuadra me pushkët në duar. Do t’i merrej padrejtësisht jeta, dhe
dalngadal u kthye në mermer pa ndjenja. Mbi akull, djersë. Kuptohej që po
dridhej. Me sa lejonte ajo dritë hëne, prokurori urdhëroi komandantin e
skuadrës së pushkatimit të bëheshin gati. Në fakt ishin veprime me sekonta, por
të dënuarit ju fantazua se atje kishta lindur e rritur. I hodhi dhe një here
sytë përbrënda gropës dhe për të mos rënë atje, u largua një hap. Me sa u
kuptua, Për të mos rënë menjëherë, Këmbët i mbajti hapur.
Komandanti i skuadrës lëvizi
dorën ta ngrinte lart, në momentin kur në rrugë ndaloi një xhips. Me shpejtësi
prej andej zbritën tre burra. Njëri prej tyre vrapoi duke tundur një letër me
dorën lart. Araniti u gjallërua në moment, dhe në drejtim të atij që po sillte
letrën, zgjati trupin. “Ndonjë lajm pafajsie” Dhe vërtetë, u dëgjua zëri i tij
por i pafuqishëm. “Ndaloni. Është I pafajshëm”. I dënuari në moment u shkri dhe
nga mermer, mori formë. Sa kanë të bëjnë disa sekonta. Sa thonë! Në atë moment
e ndjeu veten si zogu “Feniks” të fluturonte lart. Me një gojë të shkalluar si
e ariut nga e papritura, thirri! “Jam I pafaj…sh…” Prokurori i alarmuar nga sa
dëgjoi, urdhëroi komandantin e skuadrës të hapte zjarr. Dhe ai komandanti, i
bindur si qeni kur e ndërsen i zoti “kape”, uli dorën së bashku me një britmë
si ulërima e ujkut, “zjarr!” Dhe ajo britmë, mbyti zërin e lirisë. “Është
ipafajshëm!” Shpresa ju këput si peri i rrobaqepsit. Ndofta iku me një ndjenjë
lumturie çasti. Ju prenë gjugjët dhe ra pranë gropës. Nuk i dihet në se
komandanti i skuadrës së pushkatimit e dëgjoi lajmëtarin, që të mos e zbatonte
urdhërin e prokurorit. Ndërsa ky, e dëgjoi shumë mirë , por bëri shurdhin, dhe me sy të trembur vrapoi drejt viktimes ti jepte goditjen e tij
ne kokë, por në momentin që ju afrua, një urdhër i rreptë e detyroi të ndalej.
“Kryeprekuror Zafiri, ndalo! Ai ndali si mekanizmë. Diçka e preku në tru dhe me
pistoletën në dorë, ngriu. Po ai i deklaroi rreptë! “Prokuror Zafiri, në emër
të popullit, jeni i arrestuar. Dorëzo pistoletën! Zafiri ngriu si një trung i
zi. Përveç fyryrës dhe duarve, që nga flokët e deri tek mëpucët, i kishte të
zeza. Flokët I shkëlqenin nën dritën e hënës nga bellandrina. Ishte koha e
ndriçimit të bellandrinës, fundi i viteve pesëdhjetë. Njëri ndriçoi me një
elektrik dore. Të gjithë i vërejtën sytë e mëdhenjë , të zinjë si kokrra ulliri
të pjekura që i ishin shqyer jashtë mase. Ishte zverdhur ajo fytyra r tij e
kuqe dhe e majmur. Bulëzat e ftohta të djersës i rrëshqitën nga balli i lartë
faqeve drejt gushes. Buzët e trasha ju happen për të shprehur diçka, dhe u
dalluan dy dhëmbë floriri që thyen rrezet.
Mundi të thoshte vetëm dy
fjalë. “Me çfarë motivacioni!” “Akuzohej për ato vepra që ti akuzove të
ndierin Aranit. Ai është viktima jote.
Përmbi ato akuza u shtua dhe viktima që sajove. Neve e dinim ditën dhe orarin
kur do ta merrnit, ndërsa ti e kishe shpejtuar ekzekutimin. Çfarë të detyroi që
kërkoje ta eleminoje sa më shpejtë?!
Menduam se do arrinim në kohë. Kemi disa
muaj që kemi rënë në gjurmët t`uaja, por donim akoma prova, deri sa arritëm të
kapnim disa ditë më parë korrierin tend. Po të përcjellim të falat nga
“Kaceku”. Me të do takohesh në degën e brendshme! Në atë moment u bë
kryeprokurori mermer. “Dorëzo pistoletën”. Nuk e dimë se çfar mendoi në ato
çaste, Por po të meditosh, mund ta paramendosh. Prokurori i dinte ligjet e
pushtetit popullor. Vetëm me ato tre akuza meritonte atë denim që i dha ai
viktims së tij. Përmbi ato i rëndoi edhe
“guri I Sizifit” që këtë radhë e gjeti në majë të kodrës dhe deshi ta
rrokulliste te binte në fund, por së bashku me të, u rrokullis dhe vetë. Në
fund të kodrës e gjetën nën gur. Prokurori e pësoi më keq. E zuri nënë vete
viktima e tij. Duke e ditur që nuk kishte shpëtim, në vend që t`ua dorëzonte
atyre, e mbështeti tytën e saj në tëmth. Hodhi sytë nga gropa që ishte bosh,
dhe me siguri mendoi! “Në atë gropë që hapa për Aranitin, do të më hedhin mua
si ndonjë qen”. E pa pritur për ata. Ishte tepër vonë. Por mund edhe të
fantazohet, se Zafiri pa familje, vetëm me një nënë të plakur, nuk kishte kush
të dënohej me veprimin që do te kryente,
ka menduar t’i vriste të dy, por në pistoletë kishte vendosur vetëm një
fishek. Tani me atë do të dënonte vetveten. Dëgjoi nga shumë gojë që e
paralajmëruan. “Mos”. “Mos e bëj”. Por nga krahu i majtë plumbi nxorri jashtë
kafkës dhe një pjesë të trurit. Ju thyen gjugjët dhe ra si bie një dem kur i
fusin thikën mbrapa kokës. Si fajtor ju kthye fytyra nga ana e viktimës…
Gardiani e kishte
parashikuar gjakun e Aranitit, por nuk i shkonte kurrë nëpër mend, që pranë tij
do të binte edhe gjaku i kryeprokurorit. Ditën e nesërme kishte shumë për t’i
treguar Dallandyshes…