| E marte, 22.03.2022, 08:01 PM |
SHQIPËRIA TË DISTANCOHET NGA KLYSHËT E RUSISË
Të hiqet dorë nga
“Ballkani i Hapur”
Nga
Frank Shkreli
Në një deklaratë
të ditëve të fundit, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shprehet se
Ukraina ka nevojë për mbështetje të palëkundur. Absolutisht e vërtetë dhe jam
dakort plotësisht me thirrjen e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Në deklaratën e KASH theksohet nevoja, që “Në
Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s të 24 marsit, Amerika e Veriut dhe Evropa
kanë një shans historik për të treguar vendosmërinë dhe guximin e tyre të
palëkundur për të mbështetur vlerat dhe parimet e përbashkëta që qëndrojnë në
themelet e aleancës së vendeve të lira dhe demokratike”. Ukraina ka nevojë për mbështetje të palëkundur.
(albanianambassadors.al)
Ç’prej fillimit të
agresionit rus mbi Ukrainën, Shqipëria, në përputhje me qendrimet e vendeve të
tjera të NATO-s si edhe nepërmjet
deklaratave të përfaqësuesit të saj dinjitoz në OKB -- Ambasadorit të
saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Z. Ferit
Hoxha – Shqipëria, publikisht, ka bërë dhe ka thënë gjërat që duhen, në
bashkpunim me aleatët perëndimorë, për të ndaluar barbarizmat e Rusisë
putiniste në Ukrainë. Ashtu si
Perendimi, edhe Shqipëria gjëndet përball një momenti, në mos historik, atëherë
të rëndësishëm për të hequr dorë njëherë e mirë nga flirtimet e rrezikshme me
Serbinë putiniste, për nisma siç janë “Ballkani i hapur” dhe “minishengeni
ballkanik”.
Shqipëria duhet të
hedhë një hap jetik, në këtë mes, si nismëtare – së bashku me Serbinë dhe
Maqedoninë e Veriut – e të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”. Ky projekt, ashtu si ai para tij,
“minishengeni ballkanik”, më është dukur gjithmonë si një projekt – i pamenduar
dhe i pa studiuar mirë -- kundër
interesave kombëtare të Shqipërisë dhe
shqiptarëve, përfshir Kosovën. Definitivisht, e kam pa si një vegël në interes
të Serbisë dhe nepërmjet saj në interes të përhapjes së influencës së Rusisë
putiniste në Ballkanin Perëndimor.
Prandaj, sidomos duke pasur parsyshë gjëndjen në Ukrainë dhe qendrimin
serb ndaj okupimit të atij vendi nga Rusia, si një detyrim moral dhe kombëtar,
Tirana zyrtare -- publikisht dhe diplomatikisht -- duhet të tërhiqet menjëherë
nga projekti “ballkani perëndimor”, ashtuqë
të hiqet dorë prej saj si një ide dhe si praktikë dhe kembë e krye të
hidhet në shportën eskperimentale të plehrave të historisë ballkanike që,
historikisht, i kanë kushtuar shumë interesave të shqiptarëve në trojet e
veta. Madje, Shqipëria duhet të shkojë
një hap më tej dhe t’i bejë thirrje, drejt për drejt, Serbisë, që të bashkohet
me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – në përputhje me BE-në dhe NATO-n –
ndër të tjera, duke vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë putiniste për
barabarizmat që po kryen ndaj popullësisë civile të pafajshme në Ukrainë.
Në të vërtetë,
duke mos u tërhequr nga nisma serbo-ruse, “ballkani i hapur” dhe duke mos i
kërkuar Serbisë – i vetmi vend evropian së bashku me Bjellorusinë që refuzon
sanksionet-- që të distancohet nga Rusia --Tirana zyrtare nuk është në
përputhje as me thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian
drejtuar Serbisë që të bashkohet me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, si
një ndëshkim për invadimin e një shteti sovran e demokratik evropian nga Moska.
Bile, është bërë thirrje për ndëshkimin e Serbisë në lidhje me këtë çeshtje
ndërsa disa deputetë të Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje që të ndalohen,
përkohësisht, bisedimet me Serbinë si dhe të ndërpriten ndihmat financiare për
aleatin e ngushtë të Rusisë në Ballkan, Serbinë, për derisa ai vend nuk ndjek
dhe nuk zbaton qëndrimet e BE-së në lidhje me Rusinë.
Serbia i ka hedhur
poshtë thirrjet e perëndimorëve për t’iu bashkuar sanksisoneve kundër Rusisë,
me justifikimin, sipas Presidentit serb, Vuçiq, se vendimi i Serbisë kundër
sanksioneve ishte i drejtë, “për arsye se Rusia mbështet përpjekjet e Serbisë
kundër Kosovës dhe pretendimet (e Boegradit) mbi Kosovën”. Deklarata e Vuçiqit është e qartë. Qendrimet dhe lidhjet e Serbisë me Rusinë
kanë qenë, historikisht, dhe janë aktualisht, qartësisht dhe vendosmërisht,
antishqitare. Unë nuk e kuptoj se kush shqiptar mund të presi ndonjë të mirë
nga Beogradi për interesat shqiptare!
Unë nuk e dij se çfarë arsyeje tjetër kërkon Tirana zyrtare, që nuk
largohet menjëherë nga nisma “ballkani i hapur”, me Serbinë. Deklarata të tilla si kjo e Vuçiqit, duhej ta
kishin distancuar me kohë Shqipërinë nga Serbia dhe jo ta afronin më ngusht
duke lenë jashtë gjysmën e Kombin.
Në një kohë kur
nuk ishte në “modë” -- ka nja 10-15 vjetë -- që me modesti kam paralajmëruar
mbi influencat e huaja, (ruse, kineze dhe turke) në Ballkanin Perëndimor e
sidomos në trojet shqiptare. Madje edhe
më kanë kritikuar se, “ora jote ka ngelur në luftën e ftohtë”.
Sidoqoftë, sot çdo
gjë është e qartë. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumë të tjerëve. Nuk
është diçka sekrete tani se Rusia putiniste me agresionin e saj kundër Ukrainës
e ka ndërmend të shkojë përtej kësaj zone gjeografike, përfshur Ballkanin,
(politika ‘near abroad’ e Rusisë që u referohet ish-shteteve anëtare të
Bashkimit Sovjetik) me “diplomacinë e saj mashtruese”, siç është shprehur kohët
e fundit edhe ish-Ministri i Jashtëm i Rusisë, Andrey Kozyrev, për të përhapur
influencën e saj – politike, ekonomike dhe ushtarake -- përfshir Ballkanin
Perëndimor.
Shqipëria sot,
nëqoftse dëshiron të jetë e besueshme, serioze dhe e vendosur për ato që thotë
në entet ndërkombëtare, përfshir Kombet e Bashkuara, në lidhje me agresionin
rus në Ukrainë, atëherë Tirana zyrtare duhet të distancohet pa vonesë nga
“ballkani i hapur”, por edhe duke i bërë thirrje Serbisë tu bashkohet
sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Vetëm një hap i tillë i bën deklaratat e
Shqipërisë, në mbështetje të Ukrainës, të jenë në përputhje me vlerat e
shteteve aleate perëndimore.
Të parët tanë na
kanë paralajmëruar më shumë se një shekull më parë: Kujdes klyshët e Rusisë! Ka
ardhë koha që Kombi shqiptar të zgjohet, përfundimisht, nga gjumi shekullor dhe
të distancohet, njëherë e mirë, nga majtizmi sllavo-bolshevik ndërkombëtar dhe
nga bolshevizmi liberal i brendshëm.
Distancohuni nga klyshët e Rusisë para se të jetë tepër vonë. Ku tjetër
po ringjallet Stalini veçse në Rusinë bolsheviko-fashiste dhe në Shqipërinë
bolsheviko-liberale!? Shqipëria në “Ballkanin e Hapur” po fle me djallin.
Distancohuni nga e keqja!
Frank Shkreli: Ndërsa Stalini i ri në Moskë pushton Ukrainën, Stalini i vjetër ripushton Tiranën | Gazeta Telegraf