| E diele, 20.03.2022, 06:28 PM |
Nga Fritz RADOVANI:
Pjesa Nr. 12. Zamak i Flamurit…
IMZOT VINÇENC
PRENNUSHI O.F.M.
IMZOT VINÇENC PRENNUSHI
ARGJIPESHKVI I DURRSIT E TIRANËS
(1885 – 1949)
“E
ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindëj burgu. Si
Krishti n’Udhën e Kalvarit u përpoq tri
herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa
shprehë ankim.” - Prof. Arshi
Pipa
Ka lé në Shkodër me 4 shtator
1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe, asht pagëzue me emnin Kolë.
Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu
kushtue Urdhnit françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë.
Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At
Vinçenc Prennushi O.F.M.
Asht i formuem jo vetëm nga ana
fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët ma në za të
Rilindjës sonë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”,”Lajmtari i Zemrës së
Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem
në gazetën “Ora e Maleve”, mbasi, aty, Ai shfaqë edhe pikëpamjet e veta
atdhetare, politike dhe demokratike.
Ban pjesë në veprimet e
vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe si i tillë, me rastin e ngritjës së
Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914 mban fjalimin kryesor
ku spikat oratoria e At Vinçencit.
Në librin “Ndër lamijet e
demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të
andrruem demokratik të tipit Perëndimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për
kohën e sotme.
Fusha e përkthimëve asht ndër
ma të dashtunat për té, mbasi “Fabiola” dhe “Quo vadis?” janë kenë si oficet e
klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri “Gjeth e lule” mbetët ndër veprat e
letrarit të nivelëve të nalta mbasi ashtu ishte edhe pena e tij. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisjes Letrare Shqipe” në Shkodër ku
u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Imzot
Prennushi ishte një ndër themeluesit kryesor të grupit ma të rëndësishëm të
Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletorën e tyre “Ora e Maleve”, ku Ai ishte ndër penat e rëndësishme dhe ma të njohuna të kohës.
At Vinçenci asht kenë
Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor’i
Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial ka provue mendimin se Ai dinte me
drejtue, prandej në vitin 1936 At Vinçenci, shugurohet Ipeshkëv i Sapës
(Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të
Durrësit.
Kur asht Metropolitan i
Durrësit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana, përfshihej në
Dioçezin e tij (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e Shqipnisë
kalonte nën drejtimin e Imzot Prennushit.
Asht e vërtetë se aso kohe ai
ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohuna
të Klerit Katolik edhe si politikan i shquem, që ka lanë emnin e vet të paharruem
në çastët ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet
harrue se ishte edhe Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën
Kurti, përsonalitete që kanë lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranës një
“epokë”, ku spikatën me punën e tyne këta kolosë të atdhetarizmës dhe të
kulturës sonë.
Fatkeqësisht gjendja e keqe
shëndetësore e Imz. Bumçit, ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por
fatmirësisht Imzot Prennushi, jo vetëm, kreu me ndër detyrën e klerikut të
divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike
pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist
italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo - komunist jugosllav e rus, të
vitit 1944.Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po
kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni për françeskanët e Shqipnisë dhe
për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit
Çiano, ku shprehët kjartë e sakt pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe
Katolikët e Shqipnisë. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve i përkiste
edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: “Kam marrë një medalje nderi për
shka, nuk e dij – Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin”. (Dosja 1245 Arkivi i
M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue, fatkeqësisht aty
asht shkrue se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem
mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini
(atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij: “4. se nuk ia kam dhanë
kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue
mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë
t’Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet
konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të
pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve
civile, ushtarake e fetare të vendit tonë.” (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).
Si Imzot Prennushi, si Imzot
Frano Gjini, deklarojnë se, “na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo,
para okupacionit të Shqipnisë nga Italia.”
“Nuk i kam ba fashizmit asnjë
shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund.
Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta, mbasi vëprimet e tija diheshin
publikisht.
Në vitin 1945 Enver Hoxha, i
kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë
prezent edhe Imz. Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë.
Kur erdhi Enver Hoxha në
Shkodër në vitin 1949 dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit
të Prefekturës, ku, edhe i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore
të Shkodrës”, “shokut të dashur” Tuk Jakova, kujtoj si tashti, se kur foli për
takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, dhe
shprehu si zakonisht “konsideratën” e tij për Klerin Katolik si agjenturë e
Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga
Papa.
Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi
arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në hetuesi tregon
karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot
Vinçenc Prennushi asht i parapergatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si
shprehët për té At Gjolaj: “Letra që Imzot Frano Gjini u ka dërgue Misjonëve të
hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe
Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Pjeter
Meshkalla.
Arësyeja që e shkruen këte
letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi
Imzot Vinçenc Prennushi e kishte dorzue
këte letër erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim aty në
oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:
-Bijt’e mijë, ishe tek
përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin
dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né. I
tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjegj: -Ecelenza, i
dijmë të gjitha shka ke thanë e shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se
ju, prandej duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë
ma. Ju jeni të përfunduem se për 40
vjet, komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!
Unë ika.
Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé
pesimist!
Imzot Prennushi, ashtu i ambël
dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist por keni me pa e ndoshta
ma parë tek unë se shka do t’iu gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt.
Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue.”
Kur, Imzot Prennushi pyetët për
shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam
shkue për kryeshndosh për Rusveltin. Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi
diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe
ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një
memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ua kam
çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.” (Dosja 1245).
Imzot Prennushi shpjegon për
një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë:
“Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën
Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se
çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin
e Misionit anglez ku më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli
në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto
flamuj t’i banin rrobe me veshë fukaratë!
Nuk u shpreh mirë për qeverinë,
por u tregue i ftoftë.”(po në atë dosje).
Për vuejtjet dhe torturat e
bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot
Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4
shtator 1947:
“Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té
dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të
cilët, né na luftojnë deri në zhdukje”.
Me datën 18 dhjetor 1947,
Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi,
anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten
Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:
1. Monsinjor Vinçenc Gjon
Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i
Drandës, lindur në Shkodër.
1. Monsinjor Vinçenc Prennushi,
vjeç 63, dënohet me 20 vjet burg.
Vëndimi i Gjykatës së Durrësit
përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion
të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (1 dhetor 1947), në të kam
shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:
Gjykata e Naltë Ushtarake
Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni,
kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt
1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve.”refuzon kërkesen e tyre”.
***
Arësyeja e refuzimit nuk ka
nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë: Janë kundërshtarë
koshient të Pushtetit Popullor.
Vinçenc
Prennushi deklaron se lufta ime ishte
kundër komunistave e Partisë Komuniste që ajo të mos egzistonte, kur të
formohej Pushteti që mendonim
me zbarkimin e amerikanëve.” (Dosja 1245, po aty).
Prof. Arshi Pipa, në “In
memoriam”, për Imzot Prennushin tregon: “Kur gjyqi ushtarak që u zhvillue në
nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes
qe: “Nuk i kam dashtë kujt të keqën.
Jam mundue me ba mirë”.
Dosja mbyllët me
Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948,
nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës:
Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në
burgun e Durrësit me 19 mars 1949.
Kishe me thanë, se, Dosja 1245
asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka
vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit.
Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit,
vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm
nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi
komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e madje ma shpesh, ma shumë me të
vdekun se me të gjallë.
Kur pashë shprehjën e Imzot
Vinçenc Prennushit: “Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste
që të mos egzistonte”, mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: “Jam kenë gjithmonë kundër
komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e
zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje.” (Dosja
Monsinjor Ernesto Çoba me grupin). Edhe Imzot Çoba dha Shpirt ndër birucat e
Sigurimit famkeq të Tiranës.
***
Tue lexue kujtimet e Imzot
Vinçenc Prennushit, në revistën “Zani i Shna Ndout”, kallnuer 1930, me titull
“Nji e stigmatizueme e ditve tona”, u ndalova një çast në takimin që Imzot
Prennushi kishte pasë me Teresa NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte
thanë disa vite perpara:
?“Do të keshë nji aksident
rrugor,
Do të bahësh
Ipeshkëv dhe,
Mbas 13
vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË”.
Dhe, me të vërtetë në atë prag
pranvere, nësa lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saja ndër degët e
çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë, në të
mekun: “ PAK DRITË ! – MEHR LICHT !”
Jo, jo !
Imzot!
Shumë dritë i
dha Shpirti i Yt Imzot Prennushi, Fesë, Atdheut e kulturës sonë perparmtare, me
19 Mars 1949.
***
Një pjesë e vogel nga
krijimtaria e Tij:
Ka ra hana ndër
bajama,
Bijen e vet e pvet
e ama:
Ç'ke moj bijë që prap po kjanë,
Kjanë e fshanë e
vetllat vranë?
Kjava shumë mori lum nana,
Tu'j qendisë më
ra gjylpana,
M'ra gjylpana nën
balkue
E jam ulë me e
kerkue.
Po çka kje qi lotët t'i nxori,
Ku kje dhima, ku
kje zori?
Jam tu'j drashtë
mos m'je harlisë,
Qysh se kjan-o
tu'j qendisë.
Nuk asht gja, moj nanë, s'asht gja
Por as kot un'
sot s'jam vra,
Kjo dashni që
m'ka pengu'
Asht e dej' o nanë
për mu'.
Melbourne, 19 Mars 2022