E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Eranda and the City

E premte, 12.12.2008, 08:28 PM


Eranda Libohova
Me siguri që sapo keni parë në kinema filmin që ka pushtuar botën “Sex and the City”, me katër vajzat e famshme që kushedi se sa herë keni ëndërruar t’u zini vendin.
Ne po ju propozojmë të pestën: quhet Eranda Libohova. Shijon një jetë prej beqareje, ka një shtëpi të vetën dhe një dhomë-gardërobë, i pëlqen të bëjë shopping, të bëjë thashetheme me shoqet dhe ëndërron fustanin ekstravagant të nusërisë ngjyrë panna, por që do ta ndërronte edhe me një kostum të bardhë fare të thjeshtë, nëse ai do t’ia kërkonte

Nga Klaudeta Skënderasi

Epo mirë. Le ta themi për një njëmijtën herë: ne jemi të gjitha njësoj! Kemi çdo mëngjes të njëjtin problem: qahemi para një dollapi të mbushur plot se s’kemi ç’të veshim. Shfletojmë të gjitha literaturat e mundshme dietetike që na bien në dorë dhe jemi përjetësisht në kërkim të linjave perfekte (që duket se janë vetëm pronë e atyre shtrigave, modeleve) dhe një kremi mrekullibërës kundër celulitit. Nuk jemi kurrë me aq fat sa të takojmë atë të famshmin princ të kaltër. Kthejmë gurin e unazës së blerë vetë para ca vitesh nga ana tjetër për të parë se sa na shkon rrethi i martesës. U zbrazim shoqeve të ngushta të gjitha eksperiencat intime (OK: seksuale), ndërkohë që ata (burrat) kujtojnë se jemi pus në këtë pikë. Në mos një herë, një herë tjetër do gjendemi patjetër të tradhtuara duke thënë: “E ç’kishte ajo tjetra më të mirë se unë?!”. Pastaj, pasi kemi mbushur dhjetëra shami me lot, ndenjur për ca ditë me grilat mbyllur pa u ngritur nga shtrati dhe mbuluar me ca korrektor rrathët e nxirë të syve, më në fund jemi gati të zbrazemi (sërish duke fshirë lotët e hundët) tek shoqet e ngushta dhe kthehemi në shtëpi me një thes me shprehje ngushëlluese të tipit: “Oh, zemër, mos u mërzit, ai nuk të meritonte”.

Kush mendon (me siguri ato “lumturisht” të martuarat) se asnjëra prej këtyre nuk është e vërtetë, është e lirë ta lërë me kaq dhe të gjejë ndonjë gjë tjetër për t’u marrë.

Ne të vdekshmet e tjera (beqare) kemi punë. Do përpiqemi t’i mbushim mendjen vetes se edhe ato vajzat e famshme që duket sikur kanë gjithçka (po e lëmë mënjanë faktin se fundja kanë shumë e shumë avantazhe të tjera), në ca pika na ngjajnë aq shumë. Si Eranda Libohova për shembull. E besoni apo jo, është as më shumë e as më pak 39 vjeç. Me siguri po mendoni se nuk duket kurrë për aq. Po sigurisht që nuk duket fare. Ka linjat e një 20-vjeçareje (të gdhendura nga ndonjë gjen estetik), lëkurë të freskët (betohet se ka provuar vetëm një herë të vetme të injektojë botox te rrudhat e syve) dhe një natyrë kaq të shpenguar e gazmore sa, pasi kalojnë pesë minutat e para të prezantimit, të duket se ke një jetë të tërë që e njeh. Të mos flasim pastaj për karrierën e saj të qëndrueshme mbi 20-vjeçare. Nuk mbahet mend qëkur e kemi parë në skenë. Qëkur ka qenë fare e vogël, një çupëlinë e imët, me flokët e krehur me pikë në mes e me fustan të bardhë me pika, teksa këndonte në krah të së motrës, Irmës. Ka ndryshuar aq shumë që atëherë. Nuk është e më dobët si dikur.

Je më mirë që kur i ke shtuar ca kile apo jo?

Po, sigurisht. Të mendosh që deri para të tridhjetave çfarë nuk kam hequr për t’u dukur paksa më e shëndoshë. E çfarë nuk sajoja!

Çfarë sajoje?

Për shembull, kur kam dalë në skenën e festivalit në 1997-ën me këngën “Kthehu për vete, për mua”, kam veshur katër palë geta poshtë që të më dukeshin këmbët më të trasha. Si përfundim, prapë të holla m’u dukën.

Dhe si ia bëre që u shëndoshe?

Pasi të gjitha tentativat shkuan dëm, me kalimin e moshës, fillova të shëndoshem vetvetiu. Aq sa tani tregohem e kujdesshme me ushqimin, pi shumë ujë, nuk ka shumë bukë, edhe pse vdes për bukë të thekur.

Po palestër bën?

Nuk jam shumë e rregullt. Kam edhe disa vegla sportive në shtëpi, por nuk kam shumë vullnet.

Po përsa i përket kujdesit për lëkurën?

Që shumë vite më parë kam vrapuar tek kremrat dhe produktet më të mira, duke hedhur poshtë idenë që ekzistonte shumë kohë më parë se sa më shumë krem të përdorësh, aq më shumë plaket lëkura.

Po plastika ose injeksionet e botox-it, e acideve, nuk të kanë joshur ndonjëherë?

Po, sigurisht që më kanë joshur. Do të doja edhe unë të kisha një hundë të vockël që rri përpjetë e të bën të dukesh shumë herë më e bukur. Ama nuk kam guxuar kurrë ta bëj e as që e kam në plan një gjë të tillë. Kështu që ka ngelur deri tek joshja dhe kaq. I vetmi ndryshim është tatuazhi në vetulla, që i ka bërë të duken më të ngritura se më parë. Sa për buzët, nuk besoj se kanë nevojë për më shumë fryrje. Them se janë mirë kështu si janë. Luaj shpesh me flokët. U ndryshoj ngjyrën, herë të zeza e herë gështenjë, vendos extension dhe provoj modele e prerje. Por jo ndonjë ndryshim të madh. Edhe pse ndodh që rri para pasqyrës dhe them “ta kisha këtë kështu e ta kisha atë ashtu”.

Po për rrudhat?

Kam përdorur para ca kohësh vetëm njëherë botox tek zona përreth syrit. Por pastaj pas gjashtë muajsh efekti përfundoi dhe duhet të shkoja përsëri ta injektoja. E lashë me kaq.

Pse?

Sepse nuk mendoj se e kam të nevojshme. Ishte më shumë për kuriozitet. Fakti që si unë, si Irma, kemi gjithmonë një lëkurë të mirë dhe trup të rregullt, që nuk i tregon vitet, ka lidhje me trashëgiminë. 

Paska dhe nga ato vajza ekrani që nuk e gdhijnë gjithë ditën në palestër e në sallone bukurie. Ja që ka edhe fatlume të tilla. Siç ka edhe fatlume që kanë për vete të gjitha metrat e mundshëm katrorë të shtëpisë, e ç’shtëpie se: një vile trekatëshe si ajo që ka Eranda dhe, përveç katit të parë ku jetojnë prindërit e saj, e gjithë hapësira tjetër që prej dhjetë vjetësh është e saja. Një shtëpi si prej kukulle, me tavan dhe mobilie të drunjta, ku mbizotërojnë ngjyrat e qeta dhe që Eranda është kujdesur vetë për ta mobiluar sipas qejfit të saj. Ato më vanitozet me siguri e kanë pyetjen në majë të gjuhës dhe janë duke imagjinuar një shtëpi të gjithën për vete, ku më kryesorja e më e veçanta nga të gjitha është ajo hapësira ku strehohen rrobat, këpucët, çantat. E kemi pyetur edhe për dhomën-gardërobë. Ndodhet ngjitur me dhomën e gjumit, nuk mungon sigurisht rafti (thesari) i këpucëve, sepse Eranda është e çmendur pas tyre (nejse, kjo s’përbën lajm).

Kujt ia beson imazhin tënd?

Firma ime e preferuar është Denny Rose. Sa herë që më duhet të jem sportive, chic, elegante, i besoj vetëm kësaj marke.

Po kur del në skenë?

Kur bëhet fjalë për skenën, përveç kësaj që thashë më sipër, i kam edhe unë ca nga ato që quhen firma të mëdha.

Për shembull?

Për shembull, kam një ndarje të veçantë te gardëroba ime ku mbaj fustanet firmato, si  Cavalli, Max Mara e ndonjë tjetër. Por më shumë se sa për firma, më pëlqen të shquhem për stil të veçantë.

Të ndodh edhe ty, si shumë vajzave të tjera, që mëngjeseve të mos dish ç’të veshësh?

Po, sigurisht. Përderisa veshja për mua është shumë e rëndësishme, shpesh më zë gjumi në darkë duke menduar se ç’do vesh në mëngjes. Pastaj mëngjesi më gjen duke provuar dhjetë veshje dhe duke mos veshur asnjërën. Kur kam kohë, kuptohet.

Bën shpesh shopping?

Sa herë që më duhet të dal në skenë, sa herë që më kap dëshira për të blerë... dikur më kapte shumë shpesh, tani sikur e kam rralluar pak. Sa herë që ndërrohen stinët dhe më duhet diçka që nuk e kam. Sa herë që shoh diçka të bukur, sa herë që ndodhem jashtë Shqipërisë dhe... sa herë që jam e mërzitur.

Hë, a nuk ju thamë se edhe vajzat e njohura janë si gjithë të tjerat?! Edhe Eranda kur është e mërzitur bën pikë për pikë atë që do bënin të gjitha vajzat e botës. Mbyllet brenda në shtëpi, pi ndonjë gotë verë, rri në shtrat me orë të tëra e, pasi përpiqet mirë që të mos ua injektojë edhe shoqeve mërzitjen, më në fund nuk duron më, çohet dhe zbrazet po tek shoqet. Sepse edhe ajo sigurisht që e ka një grup shoqesh të ngushta me të cilat pi kafe, bisedon, i fton në shtëpi për ëmbëlsira apo bën shopping. E pasi kanë masakruar portofolat, ulen diku me një gotë përpara (që nuk është e thënë të jetë aperitiv me bazë “Cosmopolitan”) dhe ua nisin atyre muhabeteve të ëmbla mes mikeshave. Pastaj, pasi bëjnë ca thashetheme (ç’kuptim do kishte biseda mesh shoqesh pa bërë një çikë thashetheme), i vjen radha edhe ritit të përhershëm: “Burrat janë të gjithë njësoj”, “Si nuk më kuptoi njëherë” etj., etj., që janë argumentet më pikante e sigurisht edhe më zbavitëset për vajzat. Por në këtë pikë, të paktën me ne, Erandës nuk i pëlqen të zbrazet shumë. Nuk ka ndonjë dëshirë të madhe të rrëfehet.

Pse?

Sepse në fund të fundit jetojmë në mes të Tiranës. Sekretet është e vështirë t’i mbash. Të gjithë dinë për të gjithë. Aq më shumë kur je personazh ekrani.

Po atëherë?

Atëherë pse u dashka që unë të dal e të rrëfehem publikisht për jetën time sikur po them ndonjë hata? Nëse do kem ndonjëherë diçka të bukur për ta thënë, sigurisht që do ta them.

E megjithatë nuk është nga ato që bëjnë sikur gjithçka që kanë thënë mediat, dhe jo vetëm, kanë qenë ca thashetheme të tmerrshme. Për një vajzë 39-vjeçare, kjo do ishte e tepërt. Për tipin e shpenguar të Erandës, akoma edhe më e tepërt. Për disa nga lidhjet e saj, gazetat kanë folur gjatë. Ashtu si edhe për ndarjet.

Të ka ndodhur të të braktisin (të kuptohemi, jo në altar)?

Po, edhe ka ndodhur. Para dhjetë vjetësh i dashuri im u largua për në Amerikë për çështje pune. Aty lidhja mori fund me aq. Por më së shumti kam qenë unë ajo që kam braktisur.

Ti je posesivja apo tolerantja?

Jam pak tip i vështirë. Më pëlqen t’i bëj gjërat sipas mënyrës sime. Posesive do të thosha.

Po kur has në rezistencë?

Epo, ka plot mënyra për ta thyer një mashkull. 

Do ta lije shtëpinë tënde për të jetuar nën një çati me partnerin?

Me pak vështirësi, por do ta lija, ashtu siç edhe ka ndodhur. Megjithatë, edhe pse deri vonë i kam mbushur mendjen vetes se bashkëjetesa është një zgjidhje e mirë, tani nuk mendoj më kështu.

Pse?

Sepse vërtet jeton nën një çati, por nuk ndan të njëjtat përgjegjësi, le që as që ndan përgjegjësi fare. Mjafton një sherr i vogël që ti të mbledhësh plaçkat e të ikësh. Kam arritur në përfundimin që martesa është vërtet e rëndësishme.

Do të të pëlqente të martoheshe?

Po, patjetër që do më pëlqente. Do të doja edhe unë të kisha familjen time.

E sigurisht që edhe Eranda e ka ëndërruar atë ditën e martesës, siç bëjnë në fund të fundit të gjitha vajzat pa përjashtim, herë me sy mbyllur e herë me sy hapur. “Si do t’i bëj flokët, grimin, si do jetë fustani, lulet...”. 

Të ka ndodhur ndonjëherë kjo?

Po, madje kur kemi shkuar bashkë me mbesën time në një sallon nusërie për të zgjedhur fustanin e saj të martesës, ajo provonte, unë mendoja veten time.

Ia vure syrin ndonjë fustani?

Po, ishte një shumë i bukur, ngjyrë panna.

Por nëse ai do të të kërkonte që të martoheshit në një ceremoni të thjeshtë dhe ti të vishje një kostum të bardhë, duke hequr dorë nga ai fustani?

Nëse ai do preferonte kështu... në fund do bindesha.

A nuk do bindeshim në fund të gjitha?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora