E shtune, 21.12.2024, 02:56 PM (GMT)

Faleminderit

Gani Qarri: Qerim Arifi apo Migjeni harruar i Kosovës Lindore

E enjte, 10.03.2022, 07:53 PM


Qerim Arifi apo Migjeni harruar i Kosovës Lindore

1946-1990

Në kujtim të mësuesit, profesorit, gazetarit e krijuesit të mirënjohur nga Presheva, me rastin e ditës së mësuesit shqiptar

Nga Gani Qarri

Qerim Arifi u lind më 22 shkurt të vitit 1946, në qytetin e Preshevës ose thënë më mirë në kryeqytetin dhe zemrën e Kosovës Lindore, vatër që në vijimësi nxori intelektual dhe krijues të shquar, me të cilët nderoi veten dhe të gjitha trojet tona etnike, si dhe emra që përjetësisht mbeten në zemrat e shqiptarëve dhe kujtesën e mbarë kombit tonë.

Ai erdhi ne jetë si fëmija i vetëm i dy prindërve të rinj Ramizit e Safetes, të cilit fatkeqësisht kur Qerimi ishte vetëm 3 vjeçar, i vdiq e ëma, ndërsa i ati, si burrë i vetëm në shtëpi, të cilit i duhej të punonte e luftonte për mbijetesë, duke mos pasur mundësi të përkujdesej për një fëmijë të mitur si Qerimi i vogël, atë e morën dajat ta rrisnin dhe për rreth 7 vite me radhë u përkujdes gjyshja (nëna e nënës së poetit), për krijuesin, profesorin dhe gazetarin e ardhshëm sublim Qerim Arifi.

Shkollimin fillor dhe të mesëm Qerimi i kreu ne Preshevë, kurse shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik degën e Gjuhës dhe Letërsisë angleze, në Universitetin e Prishtinës.

Pas përfundimit të fakultetit, i pajisur me dije dhe diplomën e profesorit të ri të gjuhës angleze nga Universiteti i Prishtinës, Qerim Arifi u kthye në vendlindje dhe për disa vite, punoi dhe kontribuoi pa kursim, për edukimin dhe arsimimin profesional të nxënësve semimaturantë shqiptar, në shkollën e mesme-gjimnazin "Skënderbeu" në Preshevë.

Për profesorin e ri, pedagogun dhe intelektualin preshevar me nam, nuk kishte gjë më impresionuese, nder më të veçantë dhe kënaqësi më të madhe se sa kur ai, me sytë e tij shihte përditë, se si rriteshin e arsimoheshin shëndetshëm dhe frymëzoheshin drejtë e ngriheshin kombëtarisht brezat e ri të shqiptarëve autokton, të cilët nga shkolla-gjimnazi ku ai jepte mësim, brez pas brezi dilnin studentë, mësimdhënës dhe drejtues institucionesh e entesh edukative, arsimore, administrative dhe politike jo vetëm në Preshevë e rrethinë por edhe në Kosovë ku bën emër të mirë dhe lanë gjurmë të pashlyeshme.

Ata ishin pasardhësit dhe vijuesit e denjë, të traditave, vizioneve dhe idealeve të larta kombëtare shqiptare, bij të mundit e të djersës së prindërve të molisur për më shumë dritë, barazi e dinjitet dhe të drejta etnike e liri njerëzore, autor të shumëvuajtur të sakrificës së pafund dhe pinjoll të paepur të arsimimit bashkëkohor, fillor, të mesëm e universitar në gjuhën amtare shqipe, siç ishte edhe vet profesori, gazetari dhe poeti e krijuesi i përjetimeve të dhembshme e vetëmohuese Qerim Arifi.

Qerimi ishte ikonë e kohës, i cili jetoi dhe punoi me zell e përkushtim të pafund, si korife dhe përçues sublim i idealit të shenjtë kombëtar, që ishte ideal i gjithë gjeneratave të asaj kohe, si dëshmia më e mirë, se vetëm atdhetarizmi i pastër dhe drita e diturisë autoktone amnore shqipe, do të mund ta ruante gjuhën, traditat e identitetin e shqiptarëve, si dhe bërthamën e kombit në ato troje etnike, të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të Kosovës, ku ishte lindur e rritur edhe vet Qerimi.

Ishte veprimi patriotik i tij, me të cilin u mësoi pa u lodhur dhe mundësoi brezave të rinj të shkolluar nga ai me kolegë, që me dëshirë të lartë dhe vullnet të pashuar, edhe ata të jepnin kontributin e vet personal e kolektiv, për vijimësinë e të jetuarit shqip, si dhe të çonin përpara përpjekjet për liri, të drejta e barazi të plotë kombëtare për shqiptarët e shtypur e të nëpërkëmbur ndër shekuj e dekada në trojet e veta autoktone, nga pushtues dhe regjime të egra antishqiptare, si regjimet pushtuese shoviniste serbe.

Por UDB, duke parë përkushtimin e thellë kombëtar dhe angazhimin vetëmohues didaktik të Qerim Arifit për ti përcjell ndjesitë dhe mbjellë frymëzimin kombëtar edhe te gjeneratat e reja dhe nxënësit e tij, nisi ta shqetësonte prirja patriotike dhe atdhetarizmi i paepur i pedagogut të ri, ndaj dhe do të bënte ç`mos, që profesori dhe gazetari i dalluar nga Presheva shqiptare, të mos arrinte ti jetësonte të gjitha ato, për të cilat ishte shkolluar e përgatitur dhe kishte ëndërruar me shpirt, ti kthente në vepër, për vendin dhe bashkëkombësit e tij.

Kështu që sipas referencave të besueshme nga vendlindja e Qerimit, UDB kishte arritur të infiltrohej, deri në jetën bashkëshortore të poetit dhe këtij atdhetari e kombëdashësi të madh, t`ia shkatërronte ëndrrat, planet e ardhmërinë dhe shkurtonte edhe jetën e tij, duke e quar në vdekje të parakohshme.
Ikja nga Presheva dhe vendosja në Prishtinë

I kërcënuar nga paranoja sllavo-komuniste dhe gjendja e rënduar sociale, që profesorit të ri, i përkeqësohej çdo ditë, Qerim Arifi ishte detyruar, të kërkonte ndihmën e bashkëkombësve në Prishtinë dhe megjithëse në ato kohë të rënda e të vështira për të gjithë shqiptarët, Kosova edhe vet, vuante e rënkonte nën okupimin serb, edhe nën ato kushte e rrethana kritike, me mundësi të kufizuara veprimi, bënte krejt çfarë mundte e arrinte për shqiptarët e mbetur, padrejtësisht dhe pa dëshirën e tyre, jashtë kufijve të Kosovës, veçanërisht për shqiptarët e Prshevës, Bujanocit e Medvegjës, Malit të Zi dhe Iliridës, duke dhënë çdo gjë brenda mundësive dhe kapaciteteve që kishte, për shpëtimin nga më e keqja, mbështetjen, punësimin, shkollimin dhe avancimin në procesin arsimor, profesional dhe administrativ e politik të tyre.

Kështu që, për ta larguar nga atmosfera e rënduar në Preshevë, nga e cila ati i rrezikohej edhe jeta, Qerim Arifi do të këshillohej, ta linte gjimnazin dhe ti mundësohej punësimi në revistën "Zëri", e cila atëbotë ishte revista më e adhuruar në Kosovë, duke iu siguruar edhe banesë e akomodim për një jetë normale në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.

Por i lodhur nga problemet që i kishin lindur me partneren në vendlindje, për shkak të dyshimeve të lidhjes së saj me UDB-në, një kohë Qerimi jetojë i vetëm në Prishtinë, ndërsa pas disa vitesh mori edhe familjen e ngushtë të tij, duke menduar se problemet e lindura në Preshevë, do të mbeteshin kujtime të hidhura të të kaluarës, ashtu siç edhe i ishte premtuar poetit nga "burrat" me mustaqe të fjalës e kuvendit, por që megjithatë, përveçse nuk i doli ashtu siç i ishte thënë, problemet e brendshme u përkeqësuan edhe më tepër, gjë që qoi edhe në vdekje të parakohshme gazetarin e krijuesin e mirënjohur.

Kështu që sipas asaj që tregojnë njerëzit nga rrethi i poetit në Preshevë, në kohën kur në kryeqytet dhe qytetet tjera gjithandej Kosovës dhe jashtë saj, kudo jetonin shqiptarët, vijonin pakënaqësitë dhe zgjeroheshin demonstratat studentore, me kërkesat për avancimin e statusit politik të Kosovës në Republikë, UDB ishte vënë në alarm, për rritjen e përndjekjes së intelektualëve me prirje atdhetare dhe pas një diskutimi sqarues- të brendshëm familjar, për shkak të dyshimeve të poetit, për ri-kooketim të partneres me pjesëtarët e UDB-së, policët serb dhe shqipfolës në shërbim të UDB-së, pa vonuar, do ti futeshin në banesë Qerim Arifit, rrokullisnin atë nga shkallët duke e goditur me shqelma e grushte dhe rrihnin aq shumë, në mes të ditës me diell, duke e goditur qëllimisht, me sa fuqi kishin, në të dy anët e zonës së veshkave, derisa ai ishte alivanosur dhe kishte filluar të nxirrte gjak për hunde e për goje.

Kjo fatkeqësi dhe rrahje skajshmërisht brutale, sipas referencave nga njerëz të afërt të gazetarit e krijuesit dhe koha e pasqyrimit të gjendjes së tij të trishtë shëndetësore, të cilën vet poeti e përshkruan në poezinë e tij të famshme me titull: „Në Dhomën time…..“, barbaria ndaj ti, nga UDB serbo-sllave duhet të ketë ndodhur nga fundi i vitit 1981 apo fillimi i vitit 1982, sulm nga i cili mjerisht trupi i hajthëm i Qerm Arifit, nuk do të rimëkëmbej më kurrë.

Madje për shkak të dëmtimeve të rënda që ai kishte pësuar, nga të cilat nuk mund të ngrihej më në këmbë, dajat e ti me ndihmën e organizatës ku ai punonte,  ishin detyruar ta dërgonin Qerimin për kurim në Strugë, por mjerisht as kjo nuk i kishte ndihmuar gjë, ngase veshkat e tij ishin dëmtuar deri në përmasa të atilla shkatërruese, sa që funksionimi i tyre kishte pushuar tërësisht dhe ai ishte detyruar të hynte në dializë.

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha fatkeqësitë që ai kishte përjetuar, mjerisht as dializa nuk do ta mbante gjatë në jetë poetin, ndaj në momentet që pa se po afrohej me të shpejtë dita, kur ai do të detyrohej ti linte lamtumirën kësaj jete dhe largohej nga kjo botë mëkatare, Qerim Arifi kishte kërkuar ta rikthenin në Prishtinë, në qytetin që e donte aq shumë, aty ku i‘u mundësua të jetonte si njeri dhe shqiptar i pa ndrojtur, ku kishte kolegë e miq me të cilët mund të fliste lirshëm, shqyrtonte gjendje dhe trajtonte situata, si dhe të studionte mundësitë e bënte projekte, se si mund tu ndihmohej edhe shqiptarëve në vendlindjen e tij.

Për fatin e keq të poetit, tanimë ishte bërë vonë për gjithçka dhe pa vonuar, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke vdekur më 1990, në Strugë, prej nga trupi i tij, do të sillej dhe varrosej me nderime të larta të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve në Prishtinë.

Qerimi ishte profesor, gazetar, poet, përkthyes e krijues i gjakut të fisëm, që mbetet vlerë e përjetshme e historisë tonë më të denjë krijuese, arsimore e kombëtare, intelektual i shquar dhe misionar profetik me rrënjë origjinale autoktonie, i lindur dhe rritur në zemrën e Kosovës Lindore, i cili nga ajo ngjarje makabre mbeti i shtrirë në shtrat, deri në çastet kur mbylli sytë përgjithmonë.

Krijues shumëdimensional e atdhedashës i madh, që dha gjithçka nga vetja, për arsimim, kulturë e dinjitet dhe një të ardhme më të mirë të shqiptarëve, duke mos kursyer veten as jetën e tijë, në mënyrë që edhe gjeneratat pasuese të arrinin sa më shumë përparim në procesin e dijes e të shkollimit dhe gëzonin pa kufizime, të drejtat dhe liritë njerëzore e kombëtare, që u takonin në vendlindjet dhe trojet e veta autoktone ku ata jetonin dhe jetojnë edhe sot.

Por përkundër të gjithave sa bëri poeti për vendin dhe njerëzit e kombit e të truallit të vet, mjerisht krijuesi Qerim Arifi vuajti dhe u mundua aq shumë dhe deri në atë shkallë trishtuese, sa që edhe dhembjeve në trupin e tij, u kishte humbur kuptimi.

Dhe pa vonuar ai do të vdiste shumë i ri, si një Migjen i dytë, edhe pse nga një cep tjetër, por jo shumë i largët gjeografikisht i atdheut të përbashkët shqiptar.

Poet mitik, profesor, pedagog e gazetar i dalluar, me të gjitha virtytet e një mësimdhënësi shembullor dhe autori e krijuesi të shquar e të veçantë kombëtar, i cili pasi pësoi dhembje dhe vuajti, shumë më shumë se cilido krijues tjetër, vetëm pse ai ishte një krijues patriot dhe intelektual i shquar shqiptar, padrejtësisht dhe pa fajin e ti, sikur mbeti i harruar nga të gjithë madje edhe nga vet perënditë pagan...

Maratonomak i dënuar me vdekje, jo nga Zoti, por nga njerëzit e këqij e të shfrenuar moralisht dhe armiqtë e kombit, të cilët Qerimin e quan padrejtësisht në një histeri të papërshkrueshme tmerri e trishtimi, i lënë i vetëm në kulmin e mjerimit, shtrirë në errësirë, gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur, pa ndihmën e askujt, katandi ku nuk kishte më, ku të shkonte më keq, sa të mos mund t`ia kërkonte asnjërit, një kafshatë bukë, a një pikë uji, duke përjetuar për gjallje të vet, të 9-të rrathët e ferrit të Dantes, ende pa ikur në amshim.

Të cilit megjithëse Noli i madh te poezia “Marathonomak”, përshkruante vrapimin e mundimshëm të lajmëtarit, që do ta çonte lajmin e gëzuar të fitores në popull, këta dy rreshta të poezisë së tij, me titullin e lartcekur, i shkojnë shumë gjendjes së mjeruar të poetit Qerim Arifi.

Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhe

*******************************

Qerim Arifi ishte martir i viktimizuar qëllimshëm, i cili me gjithë ëndërrimet që të bëhej edhe ai një "maratonomak", që përçon lajme të mira e të mëdha për fitoret e shqiptarëve, të kombit e të atdheut, ai u shkatërrua pamëshirshëm, nga ata që nuk e priste as meritonte dhe nuk kishte më kujt t`ia thonte as tregonte plagët dhe vuajtjet e tij, i torturuar në mënyrën më të trishtë ç ‘njerëzore, që edhe në çastet e fundit të jetës, nuk pati me kënd ta ndante dhembjen që ndjente as shprehte mallin e grumbulluar në shpirt që e mundonte, i përcjellë gjatë gjithë kohës me mallkimet për vdekje, sa më të shpejtë, nga ajo që në fakt, do duhej ti gjendej pranë dhe përkujdesej për te, edhe në vuajtje dhe çastet më të këqija të ti, madje edhe kur krijuesi kalonte qaste të ngjashme si në këta rreshta të poezisë sublime noliane.

Gryka si gjyryk të ç ‘fryn
Prej Vullkani flakë e tym
Se ç ‘vëngon e se ç ‘gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon

******************************
Mbahu, or Marathonomak, do të shprehej Noli i madh!

Por poetin dhe krijuesin tonë të shquar Qerim Arifi, nuk kishte as kush ta ngushëllonte, ti thonte mbahu e bëhu burrë i fortë, as ta ushqente me frymëzim e dashamirësi, madje në vend të ndihmës dhe ngushëllimit, ai merrte mallkime për vdekje, siç vë në pah edhe vet poeti, në poezinë e ti të trishtë me titull "Në dhomën time....", ku shpreh në hollësi rrëqethëse gjendjen e tmerrshme të para-amshimit, derisa lëshonte rënkimet nga vuajtja dhe grahmat e frymëmarrjes së vështirësuar e të mundimshme të tij, duke u sfilitur edhe më keq nga përgjigja ç ‘njerëzore: “Ende s`ke cofur imzot.....?!:  
Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin

***************************************************************

Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët

Me gjak. Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt

Por, askush nuk vjen t’i heqë. Në dhomën time të blasfemuar

Nuk dëshiron të hyje askush. Më thotë: “a ende s’ke cofur imzot!"

Me një fjalë, Migjeni harruar i Preshevës dhe gjithë Kosovës, që ishte betuar edhe para ferrit të të gjitha vështirësive dhe jetës plot vuajte që kaloi, të shihte vetëm ëndrra me diell dhe dritë të dëlirë për atdheun, vendlindjen e ti Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Shqipërinë etnike dhe mbar kombin shqiptar.

Ikona e intelektualit të paepur, pedagogut dhe krijuesit të dalluar shqiptar, që pas vuajtjesh e mundimesh të stërmëdha, vdiq i ri dhe në kohën kur ai mund të ofronte shumë më shumë krijime, me përmbajtje edhe më të pjekura e më afirmative se kurrë më parë, duke i mbetur ëndrrat përgjysmë dhe lënë parakohshëm lamtumirën kësaj bote të "rrejshme" në moshën vetëm 44 vjeçare, gjë që e bënë edhe më të dhembshme shuarjen e tij të hershme e të mundimshme.

Profesor i mirënjohur i gjuhës angleze, krijues i shquar e poet shembullor, dhe gazetar i dinjitetshëm, i lindur mu në zemrën e Kosovës Lindore, që punoi e vuajti aq shumë, të cilit mjerisht, vuajtja i ishte bërë pjesë e pandashme e jetës, sëmundje ngjitëse, dhe dergjë që nuk iu shkoq asnjëherë, deri në minutat e fundit.

Qerim Arifi mbeti jo vetëm njëri nga të "pagjumët" e përhershëm për gjallje të vet, por edhe i përvuajturi i përjetshëm i kësaj treve etnike shqiptare, pothuajse i harruar nga të gjithë, sidomos pas shkuarjes së ti në amshim, i cili njohu më mirë se kushdo tjetër, plagët e robërisë, vuajtjet e bashkëkombësve dhe vajet e gjithë tokës së okupuar arbërore, duke ndjerë fort në zemër dhe përjetuar thellë në shpirt, zjarrin e dhembjes së shqiptarit të shtypur nën okupim.

Madje megjithëse gjendja e tij jetësore mbeti gjithmonë e rëndë dhe nga më të vështirat për një krijues produktiv e të talentuar si ai edhe në momentet më kritike për jetën e vështirë që kaloi, nuk doli kush ta vriste heshtjen dhe mundësonte mbijetesën e poetit ikonë, që të mos vdiste aq i ri, apo që emri i tij, të kumbonte edhe pas vdekjes si kushtrim i pavdekësisë kombëtare.

Qerimi ishte bërë pjesa më e nëpërkëmbur e këtyre dhembjeve dhe viktima më e pafajshme e virusit okupues që shuante intelektualët dhe patriotët më të mirë të kombit nga këto treva autoktone shqiptare, i cili megjithëse u përpoq deri në fund që të mos u nënshtrohej urrejtësve paranoik dhe fatit të keq, që goditën padrejtësisht jetën e tij, atë e mundën imoralët, bashkëpunëtorët e okupatorit dhe shpirtrat kriminel, madje thuhet se njëri nga policët që e rrahën për vdekje, iu bërë poetit edhe ortak, post-mortum në bashkëshortësi.....

Katrahura që jetën e krijuesit e kthyen në tmerr, një jetë të kaluar si në botën e krimit e të terrorit, të përshkruar vetëm në ferrin e Dante Aligherit, ku ishte katandisur poeti, si qenie e urryer, e përbuzur dhe shndërruar në gjysmë-kufomë të përdhunuar deri në kufijtë e ç`njerëzimit dhe katastrofës ekzistenciale, kur edhe kërkesës për të njomur fytin e tharë nga sëmundja që e digjte, me një pikë uji, i vinte përgjigja torturues; ende s`ke cofur imzot?!

Sipas Testamentit të Ri biblik, ferri kishte 7 rrathë por sikur mos të mjaftonin vuajtjet e "parashkruara" në "Testament" për njeriun, Aristoteli e rriti numrin e rrathëve, nga shtatë, në nëntë dhe ideja e tij, u mor më pas edhe nga mendimtari e shkrimtari italian Dante Alighieri, sikur ta dinte edhe ai, se përmes këtyre rrathëve tragjik, ishte dënuar të kalonte edhe shpirti i pafajshëm i krijuesit tonë të shquar e të pavdekshëm kombëtar Qerim Arifi.

Por megjithëse Qerimi mbetet profesori, gazetari, poeti e intelektuali më i martirizuar nga Presheva dhe Kosova Lindore, për jetën e mundimshme dhe vdekjen e tmerrshme, makabre e të parakohshme të tij, është shkruar më së paku, për të mos thënë fare.

Madje, Migjeni i shumëvuajtur preshevar dhe "personazhi" më real i poemave migjeniane të mjerimit, nga kjo trevë autoktone shqiptare, angazhimet pedagogjike, gazetareske, poetike, letrare e patriotike të të cilit, mbetën vetëm cikle ëndrrash e dëshirash të parealizuara deri në fund, në shpirtin e vrarë të Qerim Arifit, prej të cilave iu bë jeta pelin, sikur mos të mjaftonte, që ai u shua parakohshëm dhe në mënyrën më të dhembshme të mundshme të një intelektuali të pa fat, mjerisht ai mbeti i harruar edhe nga vendësit dhe bashkëkombësit e tij.

Për aq më tepër edhe shkrimet e pakta dhe tejet të cekëta, për jetën dhe veprën e Qerim Arifit, duket se janë bërë qëllimshëm, shumë të shkurtra dhe tepër të mangëta, në mënyrë që ndoshta ai edhe pas vdekjes, të mbetet i dënuar nga të gjallët dhe fajtor kujdestar, pa asnjë faj, edhe në amshim, duke harruar se Qerimi u mund nga fati i keq, dhe mbytë parakohshëm nga njerëzit e shitur e të degjeneruar, në mënyrë që idealet kombëtare e krijuese të tij, të mos shkonin deri në fund dhe as të realizoheshin në tërësi, për të mbytur edhe ndjesitë shpirtërore të profesorit, gazetarit dhe përkthyesit e krijuesit të ndritshëm preshevar, para kohe.

Sado që për jetën dhe veprën e krijuesit Qerim Atrifi, nuk jepen shpjegime të mjaftueshme, thuhet se me poezi, ai ka filluar të merret nga rinia e hershme, ndërsa botimet e para të Qerimit datojnë nga fillimi i viteve të 70-ta, me librin mbresëlënës "Kujtime", krijimet e të cilit, përmendet të jenë përfshi në disa antologji dhe libra me biografi të shkrimtarëve, kurse shkrimet e këtij krijuesi magjeps, janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.
Qerim Arifi, megjithëse pas mbarimit të shkollimit sipëror, për disa vite ka punuar profesor në gjimnazin "Skënderbeu" në vendlindjen e tij në Preshevë, pjesën më të madhe të punës dhe të jetës së vet të shkurtër, i ka kaluar si gazetar në revistën "Zëri" në Prishtinë, që aso kohe, ishte një nga revistat më të dashura në Kosovë.

Profesori, gazetari dhe krijuesi e poeti Qerim Arifi është marrë edhe me përkthime nga gjuha shqipe në atë angleze dhe anasjelltas, duke mos e pushuar veprimtarinë e tij të denjë krijuese, derisa vdiq i shkallmuar, më 1990 dhe u varros ne Prishtinë.  
Veprat më të njohura të Qerim Arifit janë:  

1.“Kujtime” botuar më 1970

2.“Nokturno” botuar më 1983

3.“Fatamorganë” botuar më 1984

4.“Mbyllur në urnë” më 1987

5.“Rekuiem për kalanë”- Preshevë, më 1988

Përkthimet:  “Katër kuartetet” e Eliotit

Vepra e përkthyer në gjuhën shqipe nga Qerimi Arifi, është poema e famshme e nobelistit të shquar britanik, Thomas Stears Eliotit „Katër Kuartetet“, e cila ndryshe njihet edhe me titullin "Shtëpia e djegur", dhe është e ndarë në 4 tituj: (Burnt Norton, East Coker, The Dry Salvages, e Little Giding).

Ndërsa për të bashkë-ndjerë dhe kuptuar më mirë, kalvarin e vuajtjeve që ky poet i pafat përjetoi, po vendos këtu, një nga poezitë më prekëse të Qerim Arifit, në të cilën përshkruhet në mënyrën më të prekshme, se në ç ‘kushte makabre i kaloi ai vitet e fundit të sëmundjes që ishin edhe sekuencat më të rëndat të jetës së tij.

Në Dhomën time s`ka as Pastërti as Shëndet!
Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin

Të lutem shoku mjek, cili do të jesh intravenoz se më muskujt
Më janë shterruar e tash më duket sikur gjarpri është duke më
Kafshuar e jo duke marrë injeksione. E ato nuk përfundojnë...
Po, përpos juve mjekeve, infermiereve dhe aromës së alkoolit
Në dhomën time nuk hyn tjetër kush. Mbetet te numëroj yjet në
Netët e pafund te qiellit të zi, kështu e masë vogëlsisë time
Imzot! Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët
Me gjak. Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt
Por, askush nuk vjen t'i heqë. Në dhomën time të blasfemuar
Nuk dëshiron të hyje askush. Më thot: "a ende s'ke cofur imzot!"

(Kodra e Diellit, 1983)
Në nderim të profesorit, poetit dhe krijuesit të paharruar preshevar, thuhet se është formuar çmimi "Qerim Arifi", mbahen manifestime kulturore dhe janë krijuar shoqata e grupe letrare të titulluara me emrin e tij, por ajo që pashmangshëm bie në sy dhe lë shumë për të dëshiruar, është fakti se është shkruar shumë pak, për të mos thënë fare, për jetën e dhembshme dhe krijimet e bujshme e veprën e denjë të tij.

Madje megjithëse sot ka poet, shkrimtar, gazetar etj, që marrin çmime, mirënjohje e dekorata, përfshi edhe çmimin që mbanë emrin e Qerim Arifit, tash e mbi 32 vite nga vdekja e poetit, jetëshkrimi dhe biografia e këtij krijuesi të ndritshëm kombëtar, u lanë për mjerim, me përmbajtje aq të tkurrur dhe tmerrësisht të mangët, sa që të vete mendja se çdo gjë bëhet qëllimshëm dhe me porosi, për neglizhimin e punës dhe veprës madhore të Qerim Arifit edhe mbi 3 dekada pas vdekjes së këtij krijuesi të përvuajtur migjenian?!

Dhe për rrjedhojë, shprehur në mënyrën më të butë, krijohet përshtypja, për të mos thënë edhe bindja, se edhe ata që krijuan çmimin "Qerim Arifi, duket se këtë e bënë, më tepër për ta dekoruar njëri tjetrin, se sa për ta ngritur e nderuar emrin dhe veprën e krijuesit edhe me shkrime pë te, pasi që deri më tani, nuk publikuan qoftë edhe disa rreshta të vetëm, për punën e krijimtarinë e çmuar, vitet e mundimshme e as mënyrën e vdekjes makabre të poet Qerimit, që ishte kthyer në përditshmëri të hidhur e të rëndë jetese, për patriotët dhe atdhedashësit më të denjë, gjithandej trojeve shqiptare nën okupim.

Kështu që, për fund, medoemos lind pyetja e patejkalueshme, se athua vallë, vërtetë, këto ishin shkrimet e vetme të ikonës krijuese të Preshevës dhe Kosovës Lindore Qerim Arifit, pas ikjes në amshim, apo tekstet e prozës dhe poezive që ai mund të ketë lënë në dorëshkrim, si dhe librat e shumtë, që ai thuhet se kishte në bibliotekën e tij personale, të gjitha përfunduan atje ku nuk do duhej, ku nuk e kishin vendin dhe as nuk e meritonin një masakrim të atillë.
Kujtim të përjetshëm dhe respekt të pafund jetës dhe veprës së mësuesit, profesorit, gazetarit e krijuesit të shquar preshevarë, atdhetarit e bashkëkombësit tonë të paharruar Qerim Arifi!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gani Qarri: Përjetësia e Heroizmit Biblik të Familjes Jashari Mevlud Buci: Luftëtari dhe qëndrestari dibran Bajram Bardulla Jahja Drançolli: 91-vjetori i tragjedisë së quajtur Milan Šufflay Tahir Bezhani: Prof. Dr. Salih Ahmeti, hero i ditëve tona Lekë Mrijaj: Imzot Mark Sopi, Dishepull i vertetë Gjekë Gjonaj: Rënia e dëshmorit Dedë Prëlë Nikollaj, frymëzim për brezat e rinj Ibrahim Kabili: Pavarësia e Shqipërisë mban vulën e Ismail Qemalit Gjekë Gjonaj: Nikë Micakaj, trieshjani 32-vjeçar, viktimë e regjimit komunist Albert Vataj: Kurt Kola, simboli i kalvarit, një jetë që sfidoi Gulagun komunist me zë, zemër dhe penë Eduard Frrokaj: Heroi i Kosovës Gasper Karaqi Albert Vataj: Sot në Ditëlindjen e Shkrimtarit Jahja Drançolli: Si sot, të vitit 1997, Madeleine Albright mori detyrën e Sekretares së Shtetit Enver Bytyçi: Eshte viti i 16-te qe kjo date na vjen pa Doktor Rugoven Gjekë Gjonaj: 110 vjetori i vrasjes së At Andrea Gjekaj nga turqit (2) Ibrahim Kabili: Skënderbeu, simbol i bashkimit të shqiptarëve... Xhafer Leci: Në përkujtim të 40 vjetorit të Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla Gjekë Gjonaj: 110 vjetori i vrasjes së At Andrea Gjekaj nga turqit Lekë Mrijaj: Përjetësohet busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshit Klajd Kapinova: Studenti me Medalje të Artë, që njihte 8 gjuhë të huaja, ishte politikani dhe nacionalisti Qazim Mulleti (1893–1956) Selman Etemi: Dijetari dhe plaku i urtë Muzli Isuf Sahiti

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora