E enjte, 26.12.2024, 09:57 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Lufta e Dytë Botërore ishte qërim hesapesh midis fuqive të mëdha

E diele, 13.02.2022, 07:44 PM


Blerim Latifi:

Lufta e Dytë Botërore ishte qërim hesapesh midis fuqive të mëdha. Ishte luftë për ndarjen e botës midis tyre. Gjermania, Italia dhe Japonia në njërën anë, Amerika, Britania e Madhe e Bashkimi Sovjetik në anën tjetër. Në këtë qërim hesapesh askush nuk i pyeste shtetet e popujt e vegjël se çfarë duhej bërë. Secila nga palët thjesht përpiqej t'i përdorte ata për qëllimet e veta të luftës. Fashistët i përdornin nacionalistët duke i joshur me njohjen e aspiratave të tyre kombëtare, Stalini i përdorte komunistët e Europës duke u premtuar revolucionin pas përfundimit të luftës, ndërsa anglo-amerikanët përpiqeshin t'i përdornin të dy krahët, si nacionalistët ashtu edhe komunistët.

Në prag të përfundimit të luftës, pala që po e fitonte atë, u mblodh në Jaltë dhe vendosi hartën e re të botës. Në Ballkan Shqipëria, Bullgaria e Rumania u caktuan në zonën sovjetike të influencës, Greqia dhe Turqia në zonën perëndimore, Jugosllavia, ndërkaq, u përkufizua si zonë e influencës së përbashkët. Kur më pas Stalini deshti ta ndryshoj këtë marrëveshje për Jugosllavinë, Tito u prish me të dhe u afrua me Perëndimin, por pa guxuar të shkëputej krejtësisht nga blloku komunist.

Kur plasi lufta në Jugosllavi në fillim të viteve '90, diplomatët e huaj ua bënë me dije palëve ndërluftuese: Ju mund ta masakroni njëra tjetrën, por kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk guxoni t'i prekni. Pse? Sepse prekej Jalta.

Me 2008 kur e shpallëm pavarësinë e Kosovës, ndërkombëtarët nxituan ta fusin një nen në Kushtetutën e Kosovës, me të cilin i ndalohej asaj bashkimi me ndonjë shtet tjetër. Qartësisht neni ishte futur për të ndaluar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Harta e Jaltës 1945, me pak ndryshime, ende sot është harta kryesore e gjepolitikës botërore.

Kështu, popujt e vegjël, para se t'i tregojnë mitet dhe historitë e tyre mburravece, bëjnë mirë t'i lexojnë traktatet e fuqive të mëdha gjatë historisë, sepse aty e gjejnë gjithë të vërtetën për fatin e tyre. Aty, e jo në mitet e bukura historike që sajojnë për veten.

_________

Kur një zyrtar i lartë i shtetit mediat dhe gazetarët i kualifikon si "ndërmarrje e përbashkët kriminale", atëherë, logjikisht dhe juridikisht, i bie që prokuroria dhe policia të shfaqen në ndërtesat e mediave dhe në banesat private të gazetarëve për t'i dërguar të gjithë në burg.

Kjo gjuhë e zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve dhe mosdurimi i tyre agresiv ndaj kritikës publike janë shumë të rrezikshme.

Sot ne jemi larg situatës me të cilën përballen gazetarët në regjimet të tilla si ai i Putinit e i Erdoganit, por nuk duhet injoruar fakti se autoritarizmi fillon nga gjuha e kriminalizimit të zërave kritikë dhe mbjellja e frikës. Sepse, siç argumenton bindshëm Monteskje, diktaturat lindin dhe ushqehen nga frika. Kosova sot qëndron më mirë se të gjithë të tjerët në rajon në indeksin e lirisë së mediave dhe secili nga ne, që beson në demokraci, duhet të angazhohemi në ruajtjen e këtij avantazhi.

Duhet ta fusim njëherë e mirë në kokë faktin se ky vend nuk ka luftuar vetëm për ta hequr qafe sundimin serb, por edhe për të mos lejuar që në mesin tonë, nga vetë veprimet tona, të lindin trajta tjera të sundimit.

Dhe për fund një këshillë, të cilën e kam mësuar nga përvoja ime e shkurtër në institucionet e shtetit: ata që qeverisin përfitimet më të mëdha mund t'i kenë nga zërat kritikë dhe dëmet më të mëdha nga puthadorët dhe lajkatarët që u vijnë rrotull! Qofshin ata edhe burra e gra të atyre që qeverisin.

_________

Kur pas luftës në Kosovë u vendos UNMIK, burokratët e tij e gjetën veten në një vend të shkatërruar tërësisht. Këta burokratë, me të përfunduar java e punës, merrnin valixhet dhe vikendet i kalonin në vendet e rajonit, kryesisht nëpër hotelet e Maqedonisë, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi, e ndonjëherë edhe në ato të Shqipërisë. Pastaj, po të njëjtit, e shpikën një praktikë tjetër: një pjesë të punëve të tyre i zhvendosnin në këto vende, të tilla si punëtoritë e trajnimet e ndryshme të stafeve vendore, tryezat e konferencat e ndryshme. Kështu lindi turizmi i burokratëve ndërkombëtarë, të cilët punën që duhej ta kryenin në Kosovë e zhvendosnin në komoditetin e hoteleve të rajonit. Burokratët vendorë ranë menjëherë në dashuri me këtë lloj turizmi dhe e vazhduan atë edhe pas largimit të UNMIK-ut. Ndër vite Kosova ka humbur, mbase, miliona euro në këtë praktikë të shëmtuar korruptive, ndërsa rezultatet e saj pozitive vështirë se mund të shihen diku. Sigurisht edhe në këtë rast ne jemi sui generis, sepse veç ndër shqiptarë mund të gjesh praktika të tilla ku institucionet zëvendesohen nga hotelet. Kjo mbase është edhe arsyeja pse na janë ngatërruar gjërat dhe luksin e hoteleve e kërkojmë edhe në institucione.

_________

Krejt ata që flisnin e bërtisnin për Shqipni të Madhe, për Bashkim Kombëtar, për Luftë kundër komunistëve, kur erdhi çasti i betejës finale me komunistët ia mbathën ku sytë këmbët, përfshi këtu edhe shumë të përfolurin e këtyre ditëve, Xhafer Devën. Veç ky burrë nuk lujti vendit, qëndroi këtu për të treguar edhe njëherë se si mbrohet atdheu, se si vdiset për nderin dhe lirinë e tij. Ai quhet Shaban Polluzha. Lavdia u takon atyre që qëndrojnë, jo atyre që ikin për të shpëtuar kokën e tyre!

_________

Në këtë fotografi shihen kryeministri britanik Neville Chamberlain dhe Hitleri gjatë një takimi të tyre.

Hitleri kishte filluar së zbatuari politikën e tij të ndryshimit me forcë të rendit botëror. Britanikët kishin zgjedhur politikën e zbutjes së tij, duke i ofruar lëshime politike e territoriale Hitlerit. Kështu, mendonin ata, Hitleri do të qetësohej dhe lufta në Europë do të shmangej. Hitleri, nga ana e tij, taktikën britanike të zbutjes përmes lëshimeve, e lexoi si shenjë e pafuqisë britanike për t'iu kundërvënë atij dhe kjo e bëri edhe më agresiv dhe më kërkues. Se çfarë ndodhi më pas dihet nga të gjithë.

Konflikti i sotëm midis Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën është pothuajse situatë e ngjashme. Putini po do që me gjuhën e forcës ta ristrukturojë rendin botëror. Perëndimi ndërkaq ndodhet midis dy alternativave: alternativës për t'i bërë lëshime Putinit, si Chamberlain dikur Hitlerit, dhe alternativës për ta ndaluar Putinin para se të jetë bërë vonë. Është bërë klishe thënia se kush nuk mëson nga gabimet e historisë detyrohet t'i përsëris ato, por edhe pse klishe, e vërteta e kësaj thënie konfirmohet vazhdimisht.

Tolerimi i autoritarizmit është gabim që kushton njëqind herë më shumë se frenimi i tij qysh në fillim.

_________

Marie Shllaku, studente e filozofisë në Romë, sekretare personale e Xhafer Devës, anëtare e Shtabit në Brigadën e Shaban Polluzhës, luftëtare në çetën e Sadik Lutanit.E plagosur rëndë në njërën nga betejat e kësaj çete, ajo u zu rob nga OZNA dhe u dënua me vdekje në Prizren nga gjykatës shqiptarë të Rankoviqit. Sot ende emrin e njërit prej këtyre gjykatësve e mbajnë shumë rrugë e institucione kulturore në Kosovë.

_________

Me t'u bërë publik lajmi se Gjermania mori vendim për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës, shpërtheu gara për rrëmbimin e meritave. Ka diçka esencialisht fëmijnore në politikën tonë: kur diskutohet për meritat, të gjithë janë aty, e kur diskutohet përgjegjësia për gjërat e mbrapshta, të gjithë ikin.

Kjo gara për rrëmbim meritash është poaq e neveritshme sa edhe vjedhja e shtetit përmes naftës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora