Mendime
Idriz Zeqiraj: Si u vranë dhe kush i vrau Gërvallajt e Zeka?
E hene, 07.02.2022, 07:57 PM
SI U VRANË DHE KUSH I VRAU GËRVALLAJT E ZEKA??
NGA IDRIZ
ZEQIRAJ
Për 40 vjetë radhazi vazhdojnë të përsëritën dy pyetjet bazë: Si u vranë
Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka dhe kush i vrau ata, e përjetësuar në këngën
"Kush të vrau Jusuf Gërvalla...", e cila shprehë një dhimbje të
trishtme e skajore?!
Është mjerim se si mistifikohen ngjarje e krime në Kosovën tonë, ndërkohë
që faktet janë relevante, pavarësisht dekadave që na ndajnë, nga koha kur krimi
ka ndodhur. Mungesa e një shteti ligjor, siç është Kosova, ka favorizuar krimin
dhe kriminelët. E themi këtë, sepse në të njëjtën kohë dhe për të njëjtat
motive politike, shteti kroat i pavarësuar nga Federata Jugosllave, ka
insistuar ke pala gjermane për hetimin dhe zbulimin e krimeve të UDB-së, ndaj
eksponentëve nacionalistë kroatë, të aziluar në Gjermani, duke dhënë dënime
drastike, madje të përjetshme për kriminelët.
Vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, u realizua në saje të një
bashkëpunimi koordinues, në mes të UDB-së jugosllave dhe agjentëve të saj
shqiptarë. Nga hetimet e bëra nga organet kompetente gjermane, si dhe analizat
e Familjes Gërvalla, rezulton se disa individë të grupimit politik "Fronti
i Kuq", i kryesuar nga Ibrahim Kelmendi, i përfshirë në rivalitet politik
me dy grupet tjera politike, pra, të Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës,
dyshohet se "ka gisht" në përgaditjen logjistike të atentatimit të
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në Untengruppenbach të Heilbronn-it.
Pyetjet bazë janë: Kush e solli Kadri Zekën nga Zvicra, vetëm 10 ditë pas
martesës me Saime Isufin? Ku qendroi ai në Gjermani? Kush e shoqëroi atë, deri
në natën kobshme, të takimit në banesën e Jusuf Gërvallës? Nga pesë emrat e
lakuar, anëtarë të "Frontit të Kuq", njëri syrësh pranon implikimin
në krim dhe akuzon shefin e grupit se "ai më ka futur në këtë lojë"
dhe ka shfaqur gadishmëri për ballafaqim hetimi, para drejtësisë, me ish-shefin
e tij, për rastin në fjalë. Ndërkohë, njeriu i cituar, si i parë i grupit
politik, Ibrahim Kelmendi, akuzohen, reciprokisht, me Riza Salihun, për vrasjen
e Vëllezëve Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Hysen Gega, anëtar i "Frontit të Kuq", në një intervistë të
realizuar nga "Zëri i Kosovës", fletushkë e LPRK-së, më 2 shkurt
1993, pranon se "Komiteti" "më ngarkoi për ta vrarë Jusufin dhe
Bardhin, por, u pendova dhe nuk e zbatova urdhërin". Ai u kërkon ndjesë
Vëllezërve Gërvalla, dorëzon edhe armën. Pastaj, i njëjti "Komitet",
që nënkupton kryesinë e "Frontit të Kuq", e përcjellë Hysen Gegën për
Kosovë, me një trastë literaturë maksiste-leniniste. Në Kosovë vihet në kurthën
e UDB-së, duke e burgosur më 31 dhjetor 1980 dhe dënohet me 12 vjetë burg.
Ndoshta, "Komiteti", qëllimshëm, u hakmor ndaj Gegës, për mos
kryerjen e atentatit kundër Gërvallajve.
Vëllezërit në jetë, Hysen e Avdyl Gërvalla, përkatësisht, vëllai i madh dhe
i vogli, të heronjve Gërvalla, me një letër publike, në vitet `90-a, shprehin
dyshimin në Ibrahim Kelmendin, për implikimin në vrasjen e vëllezërve të tyre.
Në mes tjerash, në letër renditën 4 katër) fakte-akuzë. Po sjellim vetëm njërin
prej tyre: I dyshuari porositë Saime Isufin, nusen e Kadri Zekës, të informojë,
me telefon, lidhur me rezultatin e bisedimeve të Kadriut me Jusufin, sapo të
këtë mbaruar takimi i tyre!
Jusufi, si kërkues azili, ende nuk kishte të drejtë posedimi të telefonit
të shtëpisë. Djemtë e Kosovës, Jusufi, Kadriu, Bardhi, duhej të shkonin në
kabinën telefonike rrugore të fshatit, ku jetonte Familja Gërvalla. Në momentin
kur dalin nga garazha, me veturë, shënjestrohen për vdekje. Pra, kush dhe pse
këmbënguli për bërjen e asaj telefonate, bash, në natën fatale për djemtë, sot,
Heronj të Kosovës. Ky fakt domëthënës, dëshmon se pjesë e krimit vrastar të
Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, ishin edhe shqiptarët.
Dosja Gërvallajt e Zeka është e hapur, qeveria jonë të
bashkëpunojë me atë gjermane
Përmendem, më lart, kërkesën e bërë nga Kroacia, shtetit gjerman, për
hetimin dhe ndëshkimin e UDB-ashëve, të implikuar në vrasjet e nacionalistëve
kroatë. Dhe, ka funksionuar mrekullisht mirë, kriminelët morën dënime të
merituara e deri maksimale, edhe pse krimet kishin ndodhur disa dekada më parë.
Për policinë gjermane, personat që u intervistuan për rastin Vëllezërit
Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishin të njohur dhe me precedent penal. Por, siç thonë
ata që e kanë përcjellur këtë proces, ka munguar qasja seioze, duke e trajtuar
si "larje hesapësh", mes emigracionit!
E vërteta është se marrëdhëniet gjermano-jugosllave, kanë qenë të
shkëlqyera. Në mes tyre kanë ekzistuar një serë marrëveshjesh bashkëpunimi,
madje, edhe të pabëra publike. Dhe, jugosllavët kanë amortizuar, lehtësisht,
edhe procese, qofshin ato edhe kriminale. Jusuf Gërvalla kishte hetuar
përgjimin që i bëhej, nga njerëz të dyshimtë, bashkëkombas! Andaj, kishte
kërkuar mbrojtjen policore. Por, përgjigja kishte qenë dëshpëruese për atë:
"Ligji gjerman nuk parasheh mbrojtjen e azil-kërkuesëve!"
Pavarësisht rrezikut, Jusuf Gërvalla vendosi të mos tërhiqet nga
veprimtaria atdhetare. Profesioni i gazetarit e kishte favorizuar në thellimin
e analizave politike të kohës. Veprimtaria e Jusufit, me vëllanë Bardhin,
synonte zgjerimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve, bindjen e emigracionit se
duhet menduar dhe punuar më shumë për Atdheun, Kosovën.
Është e drejtë legjitime që Qeveria e Kosovës, të kërkojë informacione nga
Qeveria gjermane, për vrasjen e qytetarëve të saj, më 17 janar 1982, në
Untengruppenbach të Herilbronn-it. Është moto e drejtësisë se - krimit nuk i
skadon afati -. Prandaj, pavarësisht viteve, dekadave të shkuara, dosja e begatë,
për çështjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, ekziston në arkivin e
shtetit gjerman, gjithnjë, si çështje e rëndë penale, ende e pazgjidhur,
rrjedhimisht, e pambyllur!
?
Dikur qeveria jugosllave mohonte çfarëdo implikimi
në krimin e trefishtë, në Unengruppenbach të Heilbronn-it, duke e bartur atë si
"larje hesapesh në mes të emigracionit shqiptar". Por, tani, pas 40
vitësh, e pranojnë vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ish-kuadri i
UDB-së jugosllave, tani njeri i afërt me presidentin Vuçiq, Bozha Spasiq, në
një debat televiziv serb, pranon se UDB-a organizoi vrasjen e Jusuf Gërvallës,
me vëlla e shok.
Ky fakt, fort
domëthënës, bënë që ngulmimi i Qeverisë të Kosovës, për
hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e vrastarëve dhe ndihmësve të tyre, është i
domosdoshëm, duke qenë se ka indikacione të mjaftueshme, se pjesë e krimit të
17 janarit 1982, janë edhe disa shtetas të Kosovës, me punë dhe qendrim në
Gjermani. Andaj, hapja e dosjeve, është domosdoshmëri e kohës.
Në këto dy dekadat e fundit, është dëshmuar se gjykatat e huaja dhe
gjyqëtarët e tyre, kanë dështuar të bëjnë drejtësi në Kosovë. Arrestimet i kanë
pasur të sakta, të bazuara, si kryerës të veprave kriminale, por, hetimi ka
qenë i dobët dhe hiç serioz. Për rrjedhojë, gjykimi dhe masa e ndëshkimit, ka
qenë qesharake e kriminale. Sepse, në vendet e këtyre gjyqëtarëve, kurrë nuk ka
ndodhur, që për disa vrasje, janë dënuar me 4 (katër) e 5 (pesë) vjetë burg,
madje, duke u liruar në gjysmë të vuajtjes së dënimit!!!
Përafërsisht, njëjtë ka ndodhur edhe në Gjykatën e Hagës, për
kriminelët e Kosovës. Andaj, shqiptarët, të cilët, në masën 85 % e tyre, duan
drejtësi dhe ndëshkim për kriminelët, pavarësisht përkatësisë shtetërore,
kombëtare, fetare, pozitës e tjera.
Ndërkohë, krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, ka qenë
i domosdoshëm, sepse sistemi i drejtësisë në Kosovë është kapur, pikërisht, nga
pushtetarët të inkriminuar, aktualisht, në opozitë.
Qeveria Kurti në këtë përvjetor të dyzetë të atentatimit të Vëllezërve
Gërvalla dhe Kadri Zeka, pranoi obligimin dhe premtoi zbardhjen e vrasjes së
trefishtë, në Untengruppenbach të Gjermanisë.
Urojmë të mos zhgënjehemi në sinqeritetin e Kryeministrit tonë! Dhe, më në
fund, drejtësia ta bëjë detyrën e saj e shpenguar, të triumfojë në përballje me
krimin dhe kriminelët!