Kulturë
Gjon Keka: Emigrimi i Donikës dhe Gjonit, pas vdekjes së Skënderbeut
E diele, 06.02.2022, 07:35 PM
Emigrimi i Donikës dhe Gjonit, pas vdekjes së Skënderbeut
Nga
Gjon KEKA*
Vdekja
e Skënderbeut e mbushi Arbërinë dhe Europën në përgjithësi me pasiguri të
madhe, sepse shtylla dhe mbrojtësi i saj tanimë nuk ishte më fizikisht në mesin
e tyre. Boshllëku i madh që ai la u pa edhe nga klithja e vetë Europës, e cila
tanimë kishte humbur mburojën e saj dhe shihte rrezikun e madh turk, i cili
përparonte në pushtimet e tij barbare. Por jo vetëm Europa, vdekjen e
Skënderbeut e përjetuan thellë në fakt arbërorët, ata të cilët mbetën si delet
pa bari, madje atyre nuk u doli më askush në ndihmë që t’i përkrahte në
përpjekjet e tyre për ta përballuar tiraninë e sulltanit barbar, i cili, si një
përbindësh iu vërsul Arbërisë për ta djegur, shkatërruar dhe derdhur gjakun e
pafajshëm arbëror, gjak ky që flet edhe sot si dëshmi e krimeve dhe gjenocidit
turk mbi popullin arbëror, ashtu sikurse flet gjaku i Abelit në botë. Në të
vërtetë, për arbërorët vdekja e Skënderbeut ishte një humbje tepër e madhe:
atyre u kishin humbur sytë, koka dhe dielli, pasi për arbërorët Gjergj
Kastrioti ishte dielli, ishte ai që i priu me sigurinë më të madhe popullit në
udhën e tij drejt të ardhmes. Vdekja e tij i la ata pa udhëheqësin e urtë
vizionar dhe mbrojtësin e madh të tyre, të lirisë dhe pavarësisë së gjithë
Arbërisë.[...]
Pas
vdekjes së Skënderbeut filloi decentralizimi i jetës politike dhe familjet e
mëdha shqiptare dolën përsëri si zotër më vete. Ndërkohë, pozita e Venedikut në
Shqipëri u forcua aq shumë, sa edhe Kruja kaloi nën zotërimin e tij. Më 15 maj
të vitit 1474, ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Rozafës dhe në fillim të
qershorit erdhën forca të tjera, me në krye bejlerbeun e Rumelisë, Sinan
Pashën. Numri i përgjithshëm i ushtrive osmane arriti deri në 80 mijë veta.
Rreth 2 mijë veta (banorë të qytetit të rrethuar, luftëtarë të krahinave të
tjera dhe ushtarë të një garnizoni të vogël venedikas), nën drejtimin e Antoni
Loredanit, qeveritarit venedikas të Shkodrës, mbronin kështjellën e Rozafës, në
të cilën ishin strehuar 1 mijë banorë të paaftë për luftë. Mbrojtësit e
kështjellës ndihmoheshin edhe nga luftëtarë që vepronin në rrethinat e saj dhe
në vise të tjera më të largëta. Gjatë muajit korrik mbrojtësit e kështjellës
zmbrapsën me heroizëm sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane.
Në
fillim të gushtit, pasi lanë me mijëra të vrarë në fushën e luftës, ushtritë
osmane filluan të largoheshin nga tokat e lira shqiptare. Ndërkaq, nuk zgjati
shumë dhe filloi edhe eksodi i arbërorëve, duke mos qenë më në gjendje për ta
duruar dhunën sistematike, masakrat, shkatërrimet e tempujve fetarë dhe
edukativo-arsimorë, djegien e vendit dhe rrënimin e tij, imponimet e plot
mynxyra të tjera. Prandaj, duke dashur që ta ruajnë identitetin arbëror,
traditën dhe besimin e tyre, shumica e tyre mori udhën drejt Italisë për ta
shpëtuar shpirtin dhe trupin nga tirania e pushtuesit turk. Gjatë periudhës së
luftës së shqiptarëve kundër pushtimit otoman, për shkak të dhunës, të
shkatërrimeve dhe për të mos iu nënshtruar sundimit të huaj, në jetën shqiptare
u shfaq dukuria e braktisjes masive të vendit. Masakrat e pushtuesve otomanë
bënë që emigracioni të përfshinte të gjitha shtresat shoqërore. Shqiptarët
emigruan kryesisht në Itali. Valët më të fuqishme të emigracionit të
shqiptarëve gjatë kësaj periudhe ishin në fund të shekullit XIV, gjatë
pushtimeve të para otomane, më 1415-1417, gjatë pushtimit të disa kështjellave
të viseve bregdetare, më 1466-1467, gjatë Rrethimit të Dytë dhe të Tretë të
Krujës, pas vdekjes së Skënderbeut (1468), pas rënies së Krujës, të Shkodrës
(1478-1479) etj. Në mënyrë masive emigruan edhe nga vendbanimet e tyre të
Moresë (Peloponezit), si gjatë atyre viteve ashtu edhe më pas.
Emigrantë
të shumtë shqiptarë u vendosën në të gjitha viset bregdetare lindore të
Gadishullit Apenin, në rajonet e Venedikut e deri në pjesën më jugore të tij.
Numri i tyre arrinte në rreth 200 mijë veta. Shumica e tyre u vendosën në
Mbretërinë e Napolit dhe rreth 100 mijë veta në krahinat e Kalabrisë e të
Sicilisë ku, duke qenë një masë kompakte e ruajtën deri në ditët tona
identitetin e tyre dhe ndjenjën e krenarisë kombëtare për ngjarjet e lavdishme
të shekullit XV dhe bëmat heroike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Valët e kësaj shpërnguljeje eksodi përfshinë edhe njerëzit e kulturës, si Marin Barleti, Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu e shumë të tjerë, të cilët me veprimtarinë e tyre dhanë një ndihmesë të shquar në kulturën shqiptare dhe Italiane të kohës. Disa javë pas humbjes së tij, e shoqja, Donika, dhe i biri Gjoni, u përfshinë në eksodin e madh shqiptar dhe u vendosën në pronat që kishin në Itali. Humbja e Skënderbeut, e këtij gjeniu, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin e jashtëzakonshëm, personalitetin më të lavdishëm të historisë kombëtare që kishte ndikuar fuqishëm në tërë veprimtarinë politike të vendit. Gjer më sot është thënë dhe shkruar se Donika dhe Gjoni janë larguar nga Arbëria vetëm me një anije që kishte ardhur nga Italia për t’i marrë ata dhe për t’i vendosur në vendet që kishte pasur Skënderbeu, sipas një marrëveshjeje të mëparshme me Mbretin e Napolit. Mirëpo, sipas një dokument historik, thuhet se bashkëshortja Donika dhe biri i tij Gjon Kastrioti u larguan me anije bashkë me një të afërmin e tyre, i njohur si Bernard Kastrioti.
Duhet
ditur se nuk ishin arbërorët e parë ata që shkelnin në tokat napolitane dhe të
tjera brenda Italisë, pasi dihet që në kohën e Mbretit Pirro, disa epirotë që e
shoqëronin atë në beteja kishin zënë vend atje në atë kohë, ose një pjesë që
kishte shkuar me të kishin mbetur aty; dhe që nga ajo kohë epirotët apo
arbërorët kanë zënë vend në Itali. Kështu që elementi etnik arbëror në Itali ekziston
qysh nga koha e Pirros dhe më pas e Skënderbeut. Por, pas vdekjes së Gjergj
Kastriot Skënderbeut dhe përpjekjeve të arbërorëve për t’u rezistuar edhe më
tutje barbarëve otomanë, pas disa viteve Arbëria u pushtuar, u dogj, populli u
masakruar, u bë gjenocid i paparë në historinë e njerëzimit. Ata që nuk pranuan
kushtet e sulltanit kishin dy zgjidhje: ose pranimin, ose vdekjen në mënyrë të
pamëshirshme. Ndërsa një pjesë e popullit, e cila ende nuk kishte rënë në duart
e sulltanëve demonë e tiranë, duke parë e dëgjuar këto masakra ndaj popullatës
vendosnin të largoheshin në vendet të ndryshme, vetëm për ta ruajtur
identitetin dhe traditën e lashtë arbërore europiane.
[*Shkëputur nga libri: ”Autoriteti dhe fama e Skënderbeut”, Autor
Gjon Keka, Lena Grafik, Prishtinë, 2019]