Mendime
Ramiz Selimi: Integrimi i shqiptarëve në mërgim
E premte, 04.02.2022, 07:39 PM
Integrimi i shqiptarëve në mërgim
Nga
Ramiz Selimi
Gjatë tri shkrimeve të
mëparshme e pamë strukturën e qytetarëve që emigruan. Ajo ishte identike me ata
që mbetën në vendlindje. Po të vështrosh me vëmendje në retrospektivë do ta
vëresh se në mungesë të kuadrit, në sistemin paralel u punësuan edhe gjysmë të
shkolluarit, të cilët tek në vitin 2010 u diplomuan. Pati të ikur politik,
ekonomik, pati punëtorë krahu, por edhe intelektual. Kishin emigruar njerëz nga
të gjitha nivelet shoqërore. Prandaj gazetarët e sojit të Valon Sylës që kanë
paragjykime dhe analistët spekulantë të cilët për problemet e shoqërisë na i
shpalosin mendimet e ”The Guardian-it” dhe
“The New York Time-sit” pasi të vetat nuk kanë, duhet t’ia hedhin një sy
këtyre shkrimeve për të parë nga afër sesi vërtet jetuakan bashkatdhetarët
jashtë dhe sa janë të integruar në shoqëritë ku jetojnë, por edhe cila është e
ardhmja e tyre.
Të përfshirë në një vorbull
vështirësish dhe fenomenesh pasi ikën në vendet pritëse, atyre papritur iu
përzien letrat përsëri. Mundësitë u bënë pothuajse për të gjithë njëlloj. Nuk
kishte më të favorizuar, gjithkush fillonte nga zeroja. Tani gjuha e vendit ku
jetonin ishte çelësi i zgjidhjes së gjitha problemeve, si të punësimit ashtu
dhe integrimit. Për emigrantët shqiptarë në vitet e 90-ta pati një mbështetje
të jashtëzakonshme nga vendet pritëse, mbështetje e cila pas lufte filloi të
zbehet.
Atëkohë rrallë herë diplomat
bënin punë. Kështu që gazetarë, policë, mësues,....etj, kur u punësuan në
ndërtimtari dhe fabrika u vetëkënaqën. Ata nuk e bënë përpjekjen ma të vogël
për ngritjen e tyre dhe nostrifikimin e diplomave. U ngopen nga të ardhurat dhe
nuk lëvizën vendi, aty mbeten gjithë kohën. Një numër i tyre menjëherë pas lufte
u riatdhesuan. Kurse një pjesë tjetër e emigrantëve që nuk patën respektin e
duhur në vendlindje arritën të evoluonin, jo vetëm duke themeluar ndonjë
ndërmarrje, por ca prej tyre krahas punës vazhduan edhe shkollimin më tutje.
Madje kishte raste kur personi që e kishte përbuzur “të pashkolluarin” në
vendlindje tani e kishte gjetur rehatinë tek ndërmarrësi i tij. Për këtë grup
të njerëzve shpeshherë në vendlindje kishte paragjykime nga më të ndryshmet, jo
vetëm nga farefisi, por edhe nga miqtë, sepse nuk mund ta merrnin me mend
ngritjen dhe zhvillimin e tyre.
Mërgimtarët gradualisht po
merrnin frytet e punës. Filluan të nxjerrin figura të njohura botërore në boten
e sportit dhe të muzikës. Vendi i origjinës duke parë rezultatet e fëmijëve të
mërgimtarëve u organizua edhe më tepër duke themeluar një ministri të veçantë
për ta. Kërkohej forcimi i lidhjeve dhe absorbimi i kualitetit atje. Duhet
potencuar se nga të gjitha qeveritë, është Ministria e Diasporës që e udhëhoqi
Ibrahim Makolli , ajo e cila e bëri një punë të jashtëzakonshme. Punë të cilën
Shqipëria për 100 vjet nuk e kishte arritur. Vendosi lidhje të reja, hapi
qendra kulturore, biblioteka, organizoi
tubime me bashkatdhetarët. Ky njeri meriton çdo respekt dhe mirënjohje, sepse
zgjoi interesimin edhe të mërgimtarëve të hershëm. Por, të kthehemi përsëri të
integrimi i tyre.
Për ta parë nga afër dhe më
saktë, sesi vërtet është e organizuar jeta e shqiptarëve në mërgim dhe sa ju
kanë përshtat jetës, unë ju kam bashkangjitur dy studenteve, Egesta Qershina
dhe Thea Zufall gjatë punimit të një teme diplome në intervistimin e të
përzgjedhurve. Me temën:
Integrimi
i emigrantëve shqiptarë në shoqërinë gjermane, austriake dhe zvicerane.
Nga vajzat u mendua që të
kenë përqasje sa më të volitshme në studim, prandaj ato përzgjodhën të
intervistonin 100 kandidatë nga zyrat përkatëse të regjistrit civil. Madje u
telefonua nga disa qytete të këtyre tri shteteve. Meqenëse disa kandidat nuk
pranuan të përgjigjen, ishte e nevojshme të kontaktohen me tepër persona. Metoda
e përzgjedhjes u bë me short elektronik dhe në bashkëpunim me organet
përkatëse. Për këtë studim ne morëm mendimet e 60 personave nga Gjermania, 20
nga Austria dhe 20 nga Zvicra. Për të siguruar këto intervista u nevojiten 738
telefonata.
Pyetjet ishin formuluar
kështu: Pjesëmarrja në aktivitetet e vendasve dhe ku? Shoqërimi i familjeve të
mërgimtarëve me vendas? Vizitë teatrit,
kinos, koncerteve dhe organizimeve verore e dimërore bashkë me vendasit? A janë
aktiv në klubet sportive, kulturore dhe politike? Çfarë gjuhe flasin në shtëpi?
A mund ta paramendojnë kthimin në vendin e origjinës? Shikon TV-n gjermanisht
apo shqip? Për cilin vend ju rreh zemra? Çfarë ju pëlqen në vendlindje dhe
çfarë nuk do të donit? Ndihesh shqiptarë apo gjerman? Ku e paramendojnë të
ardhmen për fëmijët e tyre? Dërgimi i fëmijëve në shkollën shqipe? Intervistat
u bënë me prezencë fizike dhe prodhuan
këtë rezultat:
Grupi 1: 6 % e
mërgimtarëve gjendet në proces asimilimi!
1. Në proces asimilimi
gjenden 6 %, 2. Të integruar mirë në shoqëritë pritëse janë 23 % , 3. Të grupi i tretë kishte paqartësi. Anëtarët e
familjes kishin mendime të ndryshme. Gjinia mashkullore mendonte se ishin mirë
të integruar, kurse gjinia femërore pa prezencën e burrave tregonin se më tepër
ndiheshin të izoluara, ky numër shkonte në 60 %, 4. Të pa integruar që jetonin
të izoluar, ishin 11 %. Nëse i reduktojmë në 10 familje i bie kështu: 6 familje
të paqarta, pjesërisht të integruara, 2 familje e gjysmë janë të integruara
mirë, 1 familje është tërësisht e izoluara nga jeta e vendasve dhe gjysmë
familje gjendet në proces asimilimi. Nga organet vendase mendohet se shifrat e
prodhuara nuk janë reale, pasi rreth 70 % e shqiptarëve në mërgim janë
pjesërisht të integruar. Kurse numri i qytetarëve të integruar mirë mendohet se
është më i vogël. Për secilin grup veç e veç do të paraqesim faktet e mbledhura
në teren.
Në grupin e parë të
familjeve me 6 % bëjnë pjesë familjet që tani më gjenden në procesin e
asimilimit. Vetëm një familje nga ky grup i përkiste gjeneratës së parë. Ato
kanë shkëputur të gjitha lidhjet, jo vetëm më vendin e origjinës, por edhe me
bashkatdhetarët në mërgim. Marrin pjesë vetëm në organizimet e vendasve. Kurrë
nuk do ta lejonin fëmijën të shoqërohej me shqiptarë.
Ata thoshin se rrënjët e tyre
edhe pse ishin shqiptare, me zemër ndiheshin gjerman, austriak ose zviceran.
Nuk ju pëlqente aspak mentaliteti shqiptarë, sidomos ai kosovarë, pasi mendonin
se prezantimi “fake” ishte shkaktari i humbjes së besimit tek evropianët.
Mendonin se kush paraqitet i rremë para mikut, ai mund të jetë edhe mashtrues,
hajn e kriminel. Madje e kishin një çikë urrejtje për mënyrën e jetesës në
vendin e origjinës dhe flisnin pa respekt ndaj këtyre njerëzve. Edhe pse akoma
e flisnin shqipen, dëshira e tyre ishte të komunikonin me ne në gjuhën
gjermane.
Këta qytetarë tregonin se
vinin nga familje ku prindërit e tyre i kishin izoluar dhe keqtrajtuar me vite
të tëra. Kur kishin arrit moshën madhore në çastin e parë të mundshëm ishin
ndarë nga familja dhe ishin martuar me partner të komuniteteve tjera. Këta me
dëshirë kurrë nuk do ta lejonin fëmijën e tyre ta mësonte gjuhën shqipe.
Konvertimi në gjerman mendonin se do t’i bënte të ndiheshin gjithmonë të lumtur
dhe më të sigurt për të ardhmen. Nga ato 6 familje të intervistuara, 4 prej
tyre kishin marrë mbiemra gjerman, Gruber, Katzinger, Müller, Reiter, 2 tjerë
gjendeshin në proces të ndryshimit. Përderisa emrin e vet e mbanin akoma në
shqip.
Nuk preferojnë, jo të
kthehen në vendin e prindërve, por nuk kanë dëshirë as ta vizitojnë ndonjëherë.
Nuk ju interesojnë zhvillimet politike në Kosovë dhe nuk ju pëlqen asgjë nga
vendlindja e prindërve....,Vijon, 60 % e mërgimtarëve, as mish, as peshk!