Kulturë
Kadri Tarelli: Kurth, mashtrim apo vetëmashtrim
E premte, 04.02.2022, 07:00 PM
Kadri Tarelli shkruan:
“Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj krijoi nënat”. - Proverb hebraik.
KURTH,
MASHTRIM APO VETËMASHTRIM!
Tregime dhe novella
E çuditshme! Shkrimtarja
dhe studiuesja Vilhelme Vrana-Haxhiraj, ose “Vivra”, “Mjeshtre e Madhe e Penës”
& Akademike, madje do ta quaja befasuese, sepse kjo zonjë me rrënjë të
hershme nga Kanina, pas librit të saj “Kanina
e lashtësisë dhe princi Gjergj Arianiti”. Studim. Nuk vonoi dhe pak më pak
se dy muaj më pas, na solli në dritë librin “KURTH, MASHTRIM APO VETËMASHTRIM! Tregime dhe novela. Ku në ballinë ka një portret të një zonje lozonjare, shumë
bukuroshe, me veshje aristokrate, e cila me qëndrim të shkujdesur, si udhëtare
e përjetshme, duket se nuk pyet për botën që e rrethon, aq sa guxon të na
thotë: “Kjo është bota, me të mirat dhe të këqijat e veta, ndaj mos e merrni
seriozisht, sepse çdo gjë vërtitet rreth kurthit, mashtrimit apo vetëmashtrimit.
Kini durim. Provojeni dhe më besoni”.
Besoj të them, se e njoh një pjesë të
mirë të krijimtarisë së kësaj autoreje, pasi janë rreth 50 libra të botuara
brenda 25-26 viteve në “Demokraci”. Është penë e fuqishme, e vlerësuar edhe nëpër
botë. Unë kam lexuar disa libra artistik, ndërsa kam preferuar studimet me
karakter shkencor-historik, ku shpalos dijet, vullnetin, durimin, këmbënguljen
dhe guximin, për të sjellë në sofrën e dijes, shumë zbulime që i përkasin
vendit dhe kombit tonë, ngjarje e ndodhi të vjetra e të reja, të thëna e të
harruara, të shkruara e të mbuluara, të rrëfyera e të padëgjuara, të zhdukura e
të mbijetuara, të baltosura e të gjakosura, në shumicën e herëve me qëllim e
dashakeqësi vrastare. Në këtë hulli mendim, po përmend librin madhor: “Elitat e
mohuara. Krenari kombëtare”, libër të cilit pata kënaqësinë t’i kushtoj hyrjen,
“Rrugëtimi
filozofik i prof. Dr. Isuf Luzaj”, “Autoktonia e Shqipërisë jugore, enigma e
shekujve”, “Kanina e Lashtësisë dhe
Princi Gjergj Arianiti”. Studim, etj. Çdo libri të lexuar, u kam kushtuar
shkrime vlerësimi dhe kritikë letrare, madje kam komentuar edhe disa nga tregimet
që ndodhen në këtë vepër të re.
Zakonisht nuk jam i prirur
të komentoj përmbajtjen, sepse mendoj se, sado bukur ta them e i saktë të jem,
ka subjektivizëm, ndaj është lexuesi që i vendos “kapelen” veprës, apo
krijimit. Ajo që më befason në këtë botim të ri, “Kurth, mashtrim apo vetëmashtrim”, është
forma e ndërtimit të tregimeve apo të novelave, që nuk e kam hasur më parë,
pavarësisht se e mbaj veten si mjaft të kënduar e me përvojë. Nuk them se i
njoh të gjithë autorët e botes, ku mund të bëj krahasim, ndaj kam përshtypjen
se “Vivra” është e para, që në çdo tregim apo novelë ka shumë “monolog”, (Fjalë
e jashtme), kështu e quaj, sepse në shqip tingëllon më bukur “Kuvend me veten”,
me një fjalë, t’i flasësh vetvetes, të pyesësh dhe të përgjigjesh, të humbasësh
në frymëzim apo analizën logjike të ndodhive, të dridhesh apo të qeshesh nga kënaqësia,
për atë çka përjeton.
Besoj se është bukur,
kur disa gjëra dëshiron t’i mbash vetëm për vete, përfshi edhe ndjesitë, si pasuri
dhe pronë e shpirtit tënd, pa i lënë shteg tjetrit ta cenojë ose ta grabisë buzëqeshjen
apo trishtimin, mallin apo dhimbjen, dashurinë dhe urrejtjen, revoltën ndaj
padrejtësisë, varfërisë dhe tiranisë. Duke shkuar më tej: nderimin dhe përulësinë
ndaj fisnikërisë, diturisë, trimërisë, bujarisë dhe mirësisë, që çuditërisht
jetojnë së bashku, udhëtojnë së bashku. Gjithçka ngjitur si hije, që herë
zgjatet dhe herë shkurtohet, por nuk zhduket, aq sa është bërë pjesë e jona në
çdo hap të jetës.
Nëse do të ishte vetëm
kaq, s’do të kisha ndaluar kaq gjatë, sepse forma sado e bukur qoftë, të kënaq apo
të zhgënjen, zgjat shumë pak. Është përmbajtja që s’të lëshon, të mban lidhur
deri në fjalën dhe faqen e fundit. Dallohet lehtësisht, se çdo “Kuvend me
veten”, ka brenda shumë psikologji dhe njëherazi, shumë filozofi. Mos u
çudisni! Lexoni dhe do të bindeni. Mendoj se është, ndoshta forma më e bukur
dhe më e shkurtër, për të shpalosur idetë që ndërthuren gërshet dhe që, përcjellin
brendinë e tregimit dhe novelës.
Dikush mund të ketë
mendim ndryshe, duke thënë, se idetë duhet të dalin nëpërmjet dialogut, (edhe
kjo fjalë e jashtme), shqip nëpërmjet bashkëbisedimit, ndërmjet heronjve të
pjesës apo ngjarjes. Unë mendoj se kështu autorja na shpalos një dukuri
interesante, që lidhet drejt për drejt me qenien tonë, sepse çdo njëri nga ne,
shpesh kundërshton vetveten disa herë brenda një kohe të shkurtër, aq sa të
qeshë e pas pak të qajë, ose të përkëdhelë dhe të shajë, më keq akoma, kur
vazhdon inatin ta mbajë. Gjykoni këto pak reshta, duke e vënë veten në vatrën e
bisedës: “Tashmë jam i “lirë”. U ktheva
aty ku u linda… Po ç’ gjeta vallë? U gjenda i huaj në truallin e të parëve të
mi. Gjeta një portë të kyçur, pas të cilës qava për herë të parë….”. Më tej
mund të vazhdoni: “Njeriu është vdekatar,
por nëpërmjet librit, do të lerë pas jetën, e cila mbart me vete kulturën,
zhvillimin, dhe përvojën e 21 qytetërimeve”. Pa harruar edhe “Emrin” – do
të shtoja unë. Vini re sa mllef ka grumbulluar në shpirt, gjatë një jete në
vuajtje dhe padrejtësi: “Mjerë ata dhe
mjerë ne! Hija e vdekjes na qëndron mbi kokë si sëpata e Liktorit. Lumturia e
përbindëshit qëndron në fatkeqësinë e të tjerëve, ndaj nuk ndalet, por kërkon
shpagim me gjak”. Nëse do të vazhdoja kështu, më duhet të kopjoj të gjithë
librin.
Brenda këtij “Kurthi”
psikologjik dhe filozofik, autorja shtjellon disa ide me kumt të fuqishëm, si
bie fjala: për dashurinë, për gratë e nënat, cmirrën dh zilinë. Dhe mbi të
gjitha, duke vënë në krye atdhetarinë, etj.
Çuditërisht dhe jo pa qëllim, Vivra ka vendosur pranë e pranë dy novela të shkurtra: “Kurth” dhe “Dashuroni si ne”, mbase për të vënë në provë peshoren e gjithsecilit këndonjës. Në njërën anë, një aventurë që nis me hyjnizimin e bukurisë femërore dhe dëshirën për ta dashuruar marrëzisht, por që përfundon në zhgënjim dhe neveri gjer në përbuzje. Ndaj shprehet: “Një tinëzare që përdor kurthin për të shuar epshet shtazarake me një mashkull të rastit, nuk renditet më në radhën e femrave”.
Ndryshe në novelën
“Dashuroni si ne”, ku dy heronjtë muzikantë, Linda dhe Aleksandri, dashurohen
dashurisht, që kur ishin studentë. Ata vinin
në shkollë të kapur dorë për dore, ndërsa shokët dhe shoqet i kishin zili. Më
pas vazhduan të dashurohen si ditën e parë, edhe pas disa vjetësh martesë, madje
edhe në emigracion në Itali. Ka të drejtë lexuesi, që të mbushet me kënaqësi dhe besim, se suksesi i tyre
vazhdon të mbështetet fort në dashurinë për njëri-tjetrin, duke fituar edhe
admirimin dhe nderimin e qytetarëve të një kombi tjetër: “Kujtimi apo vraga që ngelet nga një fenomen i rrallë apo nga një
ndodhi e jashtë zakonshme, jeton shumë gjatë në botën njerëzore”. Shprehët
autorja në “kuvendin me vetveten”.
Vivra, duke qenë vete
grua, shpreh një adhurim për femrën, si grua dhe si nënë, që krijon dhe përkund
botën. Ajo në të gjitha tregimet e saj, derdh lumenj dashurie dhe adhurimi,
pavarësisht varfërisë dhe mjerimit ku ato ndodhen, por që shpalosin një shpirt
të madh dhe fisnikëri pa kufi. Çdo personazh ka një botë të tërë mbi shpinë, për
ta lindur dhe ushqyer jetën edhe në kushte ekstreme. Çdo kush nga ne do të
ndjejë dhimbje, jo mëshirë, krenari gjer në madhështi, dhe dashuri në përjetësi.
“Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj krijoi nënat”, thonë hebrenjtë. Besoj se nuk ka përkufizim më të
goditur.
Mbase dikush do të derdhë
lot nga pikëllimi dhe trishtimi, nga vuajtja dhe mundimi, nga forca e
karakterit, besës, nderit, durimit, vullnetit dhe vetëmohimit të femrës
shqiptare. Besoj se autorja nuk merr përsipër të krahasojë veten dhe shoqet me
botën, por shembujt që jep me aq çiltërsi, na bindin, se në shpirt u ngre
monumente përjetësie grave dhe nënave tona shqiptare.
Ajo që vëmë re gjatë
leximit, dukshëm ndeshim një dëshirë e synim, që në temat e mësipërme të ketë
shumë ndjenjë, shumë humanizëm, shumë drithërima zemre, aq sa edhe i lejohet ta
teprojë në frymëzim. Po kur vjen fjala për atdhetari, Vivra është gati të
ndeshet edhe me Zotin vetë. Gati në të gjitha pjesët e këtij libri, edhe kur
tema nuk lidhet dhe nuk përqaset, ajo do të gjejë pak vend për të vendosur pak
atdhetari. Është tema më e dashur, më e pëlqye dhe më e rrahur, për këtë
shkrimtare dhe studiuese tashmë të ngritur në majat e letërsisë shqipe.
Asnjeri nuk mund të
çuditet, nëse ka pasur rastin të njihet nga afër me autoren, apo edhe me veprën
e saj, si studiuese. Nervi i saj atdhetar nuk ka sinore dhe pengesa edhe në
këtë vëllim me tregime dhe novela. Diku me fjalët e personazheve, madje edhe të
huajve, diku vetëm me një simbolikë të qëlluar, siç është unaza e martesës,
stolisur me gur diamanti dhe mbi të vendosur simboli ynë Flamuri Kuq e zi, diku
me mllefin e padrejtësive që i janë bërë kombit tonë të coptuar në pesë shtete,
fjala Atdhe do të gjejë pakëz hapësirë. E gjitha, si një porosi dhe amanet i
bekuar për shqiptarët, për ta dashur, nderuar e lartësuar emrin e mëmëdheut dhe
kombit tonë.
Unë nuk çuditem, por
edhe lexuesi nuk duhet të habitet, që kur të ketë mbyllur faqen e fundit dhe të
qetësohet në “Kuvendim me veten’, do të shprehet: bukur, u kënaqa me artin e
fjalës dhe mendimit, mësova shumë mbi të shkuarën dhe të tashmen. Çdo krijim është
një botë më vete. I gjithë vëllimi përshkohet nga ngjyra gri në telajon e pikturës
qiellore. Mjegull e dendur që nuk shkulet. Vjeshtë e dimër i lagësht dhe i
acartë, pa shumë diell e buzëqeshje, me shumë vranësira dhe dhimbje, pa shumë
shpresë e ngadhënjim, pak lule e ngazëllim, ku vetiu lind pyetja që na sfilit
trup e shpirt: -Pse? Pse? Pse..? – Po përgjigja që duam, cila është….?
Pa u çuditur, që në
hyrje të këtij libri, përgjigjen përmbledhtas, do ta gjejmë në fjalët e kritikut
të njohur Fatmir Terziu, të shprehur aq bukur si mendim dhe analizë filozofike.
Ai, duke përgjithësuar njohjen dhe përvojën, na rrëfen, se gjithçka në botë, si
në natyre dhe në marrëdhëniet shoqërore, kushtëzohet nga “Klima si tërësi e
ndodhive në hapësirë”, ku edhe letërsia dhe mendimi qytetar, nuk mund të bëjnë
përjashtim.
Urime
Vivra! Suksese në libra të tjerë, të bindur se do të jenë po kaq të arrirë
artistikisht.
Kadri Tarelli
Janar 2022.