| E shtune, 29.01.2022, 07:59 PM |
FAMILJE NË POEZI…
Nga
Visar Zhiti
E
shtunë me borën e janarit në rrethinat e Çikagos. Ndjenim ndërkaq dhe një
bardhësi tjetër, që s’dihej nga vinte. Do të takoheshim me vajzen e poetit Zef
Zorba, Luçien, dhe familjen e saj në “Dino’s Cafe”. Mbase s’ishte thjesht
rastësi lokali italian, por një dëshirë, se poeti Zef Zorba ishte i mbrujtur me
poezinë italiane, përkthyes i shkëlqyer i
hermetikëve të saj të mëdhenj, me kulturë të gjerë europiane. Por Zef
Zorba mbetet dhe poeti i shkëlqyer i hermetizmit shqiptar, i krijuar në vetminë
e tij të shenjtë, kur në vendin tonë sundonte Realizmi Socialist dhe ai porsa
kishte dalë nga burgu politik. Fitimtarët, me të marrë pushtet, e burgosën me
të parët Zef Zorbën dhe tê dashurën e tij, Terezinën. Merreshin me teatër në
qytetin e tyre në Shkodër, kishin venë në skenë dramat “Juda Makabè” të At’
Gjergj Fishtês, “Armiku i popullit” të Ibsenit, vepra të rrezikshme për
regjimin e ri. Mbas burgut Zefi dhe Terezina, që kishin pritur me përdëllim
njëri-tjetrin, martohen, do të lindnin dhe dy vajza-yje dhe do të bënin jetën e
vështirë të familjeve të perndjekura, por me dashurinë e madhe midis tyre. Zefi
shkruante fshehurazi, mbushte fletoret, pa e shpresuar dhe pa e dashur botimin
e tyre.
Por
vajzat, ah, vajzat, pasi ra perandoria komuniste dhe në Shqipëri ndërroi
sistemi, botuan postume librin e atit. Dhe Luçia na dhuron botimin e tretë të
poezive, gjithmonë të plotësuara.
E
shfletojmë aty, nuk durojmë. “Princi” kishte punuar mrekullisht. Poezitë, edhe
variantet e tyre në dy diakektet, edhe në italisht, përkthyer nga vetë Zorba,
po edhe hermetikët italianë, Ungaretti, Quasimodo, Montale… nobelistë dy të
fundit e poetë të tjerë. Foto bardhë-e-zi si fati.
Është
mallengjyes çasti kur Luçia fillon të na thotë përmendësh vargje të të atit, i
shoqi i saj, z. Kalaj tregon ndonjë episod nga jeta, djali i tyre më me pasion
kujton gjyshin. Edhe Eda ime tregon për gjyshin e saj, që ka qenë i burgosur
bashkë me Zef Zorbën në kënetën e vdekjes, atë të Maliqit.
Shfletoj
librin. Shoh parathenien e studiuesit, Prof. Ardian Ndreca, esenë e Kadaresë,
studimin e Sabri Hamitit, shkrimin emocional të Stefan Çapalikut, që e ka
njohur autorin, ka një foto me të dhe ai na e paraqiti së pari këtë poet “Me
buzë të ngrira në gaz”. Bashkohem dhe unë si lexues me vlerësimet e tyre me
mënçuri dhe ndjenjë.
Diçka
kam thënë në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”, pak, shumë pak, aq sa
ç’kisha informacion.
Zef
Zorba është poet i veçantë, ai diti të shkruajë heshtjen folëse në kohën e
zhurmave të mëdha, të padurueshme e shpesh të tmerrshme, ai sfidoi me poezinë e
thellë brenda krahërorit hermetik të tij, kur jashtë të gjithë librat dhe
gazetat ishin me poezi për Partinë dhe rendin dhunues që kishte vendosur ajo.
Metafora e Zorbës është dhimbje e thellë që kërkon dritë. Poezitë e tij janë
brilantë që ndriçojnë më mirë në errësirë…
Kur
dolëm, edhe pse larg, ne e ndjemë, ishim me poetin tonë Zef Zorba…