E enjte, 26.12.2024, 02:12 PM (GMT)

Mendime

Bajram (Gjergj) Kabashi: Dëshmoj për tragjedinë e Kosovës

E shtune, 13.12.2008, 07:05 PM


Bajram (Gjergj) Kabashi
Intervistë e gazetarit të njohur të Kosovës, tani me banim në Norvegji, Bajram (Gjergj) Kabashi, autor i librit “Rilindja-përkushtim e trishtim”, dhënë botuesit të Illyria-s, Vehbi Bajrami

- Libri juaj i fundit titullohet: ‘Rilindja - përkushtim e trishtim’ Cili ka qenë përkushtimi juaj e cili trishtimi gjatë punës në gazetën Rilindja?

- Ndoshta pa e dhënë shpjegimin e hollësishëm, titulli i librit në një mënyrë na e sugjeron domethënien që e ngërthen në vete. Në Rilindje kam punuar që nga 1 dhjetori i vitit 1982, d.m.th. pak pasi i kisha mbaruar studimet në letërsi, e deri kur u desh ta braktisja Kosovën me 1 prill të vitit 1999, kur forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe na dëbuan nga Atdheu ynë e na shndërruan në refugjatë lufte. Atëherë, së bashku me familjen time e qindra mijëra shqiptarë të tjerë, fëmijë, të rinj, të moshuar, pleq e plaka, na drejtuan “korridoreve” të parapërgatitura për zbrazjen e Kosovës. Ne si familje për një muaj mbetëm në baltën e Bllacës e të Stenkovecit në Maqedoni, ku sa vinte shtohej masa e pafund e atij populli të mjerë që me tesha e kotesha detyrohej ta braktiste vendin nga Serbia e Slobodan Milosevic-it. Gjatë gjithë atyre viteve, unë - sikurse gjithë ai popull - kemi jetuar në rrethana robërie. Dëshmitar i atyre ngjarjeve të bujshme e trishtuese njëherit ke qenë edhe vetë ti, Vehbi Bajrami, qoftë si student i sapoardhur nga Presheva jonë, për të studiuar letërsi në Prishtinë, qoftë edhe si gazetar e redaktor i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, ‘Bota e re’. Fundja, një kohë patëm banuar së bashku me ty e Emin Azemin në lagjen Kodra e Diellit, kur ishim dëshmitarë se i gjithë populli ishte në këmbë për ta luftuar padrejtësinë e shërbëtorëve të pushtuesit e të Serbisë që rikthehej për të satën herë si pushtuese. Punën në gazetën Rilindja e kisha në zemër, pata punuar me sinqeritet dhe dashuri profesionale, me përkushtim të shtuar çfarë e kërkonte situata e popullit që kishim obligim njerëzor e profesional ta informonim, pra si shumë idealistë të tjerë edhe unë dhashë për Kosovën krejt çka munda në ditët, në javët, në muajt e vitet më të dhimbshme të jetës sime; kur një ngjarje e rëndë e mbulonte ngjarjen tjetër sa çel e mbyll sytë; kur pikëllimi e trishtimi hetoheshin gjithkah: në gjuhën trupore të njerëzve, në sytë e prindërve, të rinjve e të rejave, të fëmijëve të uritur; në atmosferën e rëndë të shkollave ku punohej pa kushtet elementare për mbajtjen e procesit mësimor etj. Pra, si shumë e shumë të tjerë, kisha vendosur të isha në Kosovë gjatë atyre viteve, të jepja ndihmesën time si gazetar i së përditshmes së vetme në Kosovën e atëhershme, çfarë ishte gazeta ‘Rilindja’ për një kohë të gjatë…

- Keni një përvojë të gjatë në profesionin e gazetarit duke qenë edhe dëshmitar i shumë ngjarjeve dramatike që kanë ndodhur në Kosovë e Shqipëri. Cilat ngjarje do t’i veçonit gjatë punës suaj?

- Ka shumë ngjarje e kujtime për të cilat do të mund të flisja gjerë e gjatë, por t’i veçoj e kam të vështirë sepse secila ngjarje ishte dramatike e heroike në mënyrën e vet, e pikëlluar dhe e zymtë në mënyrën e vet, tragjike, po ashtu, në mënyrën e vet… Ngjarjet kanë qenë të mëdha për nga përmasat, porositë e qëndresa dhe ato ndodhnin pothuaj pajada, ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj. Ndërsa për çdo vit zhvilloheshin protesta të mëdha, kishte rrahje e kacafytje të papërshkrueshme me policinë e organet e ndjekjes së Serbisë. Rezistenca më e madhe është bërë për kthimin e shkollave të pushtuara, atyre të mesme dhe të Universitetit të Prishtinës. Për çdo fillimviti derdhej gjaku i të rinjve e i popullit për shkollën shqipe dhe të drejat e mohuara në përgjithësi, për çdo vit kishte vrasje të tmerrshme, masakrime të njerëzve, burgosje që nuk merrnin fund. Ashtu siç e thekson edhe ti, kam qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve, kam parë me sytë e mi vuajtje të shumta, njerëz të vrarë e të plagosur… Kam parë lotët e të afërmve dhe qëndresën e paimagjinueshme të shqiptarëve para fëmijës së vrarë, vajzës apo djalit… Diçka prej ngjarjeve të përjetuara i kam përshkruar në librin ‘Rilindja - përkushtim e trishtim’ që është një autobiografi e dyfishtë: e rrugës sime profesionale që u ndërpre dhunshëm nga Serbia e “serbët” tanë dhe një “autobiografi” e Kosovës, e parë nga sytë e mi gjatë atyre viteve. Përderisa punoja e angazhohesha si shumë gazetarë të tjerë të Rilindjes e të Kosovës, si pengesë në punën time më kishin dalë disa “gazetarë të mëdhenj” të kësaj gazete që punuan për qyqarët shqiptarë të Dërzhavna Bezbednostit, (Sigurim Shtetëror i krahinës së Kosovës), pasi së bashku kishin dështuar të luftonin kundër asaj ndaj së cilës duhej treguar dhëmbët, Serbisë, kështu që kompleksin e inferioritetit të tyre të thellë e zbraznin ndaj të vetëve, në rastin konkret edhe ndaj meje! Siç thashë kam shumë për të thënë, por nga e gjithë ajo jetë e trishtuar njerëzore e profesionale do ta veçoja rastin tragjik të një fëmije 11-vjeçar me mbiemrin Shorra nga Kaçaniku që në fund të viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar e kishte plagosur rëndë një snajperist i njësive speciale të Serbisë duke e goditur në organet gjenitale… Isha dëshmitar i gjithë asaj dhimbjeje të atij fëmije në repartin kirurgjik të Fakultetit të Mjeksisë së UPsë e pastaj edhe gjatë procesit të shërimit të tij që shënonte rezultate pozitive por për jetën e ardhshme të atij fëmije linte pasoja të pariparueshme pasi sipas mjekëve ai fëmijë do të mund të mbetej i paaftë për të krijuar familje… Nëse asgjë tjetër britmat e tmerrshme të atij fëmije nga dhimbjet e shkaktuara para e pas kurrë nuk do të më hiqen nga mendja…

- Edhe në rastin specifik të Rilindjes, siç rrëfen në shumë pjesë të librit Tuaj, kishte “shtresa” ti quajmë shfrytëzuesish dhe të shfrytëzuarish…

- Është mëse e vërtetë. Në krye të atyre që, po t’i quash hajna është pak sepse ata nuk kan vjedhur por kanë marrë e shfrytëzuar pasurinë e të tjerëve ditëmdrekë, është Mehmet Emërllahu i cili edhe tash e ka një pasuri të ish-gazetës Rilindja në emrin e vet që e kalon shifrën e mbi 3 milion eurove në Tiranë e gjetiu… As sot askush nuk ka ngritur kallëzim penal ndaj tij dhe për çudi askush deri sot nuk e ka njoftuar Njësinë për Krime të Rënda Ekonomike të SHPKsë për veprimtarinë e tij tejet të dënueshme! Unë, së bashku me kolegët Zeqir Bekollin e Behar Zogianin, e patëm bërë të njohur këtë veprimtari kriminale para pothuaj 15 vitesh por në atë kohë s’kishte organe legale shtetërore.

-Gazeta ”Rilindja” tashmë është e shuar, apo jo?

-Gazetën e parë të përditshme të Kosovës e shkatërruan të gjithë udhëheqësit e saj, kush më shumë e kush më pak, duke filluar nga Maksut Shehu i ndjerë e deri tek Behlul Jashari,-ndoshta si më i pafajshmi ndër ta, i cili në mënyrë naive vazhdon ta ”udhëheq” gazetën që nuk del më dhe të ”kujdeset” për pasurinë e saj që ia morën të tjerët duke ia lënë atij këmbët e ariut në dorë… Disa herë gjatë këtyre viteve kam biseduar me Behlulin dhe i kam sugjeruar ta kryente detyrën e vet dhe obligimin njerëzor e profesional ndaj Rilindjes dhe punëtorëve të vërtetë të saj,kolegëve të tij pra, por nuk dëshiron të dëgjojë! Jo vetëm une por edhe gazetarë të tjerë presim pashtyshëm nga ai që të ngre kallëzim penal në Prishtinë e Tiranë ndaj Mehmet Emërllahut e disa të tjerëve, që ta njohtojë Njësinë për krime të Rënda Ekonomike të Shërbimit Policor të Kosovës për ”heroizmat” e këtij gazetaruci, por më kot… Tashmë kur Kosova është shtet ai përfundimisht është i obliguar që ta kryejë detyrën që i takon me ligj, përndryshe do të na detyron që ne të tjerët,- të shkelur e poshtëruar aq mizorishtë nga ”udhëheqësit” e ndryshëm, të sjellë deri në shkopin e lypsit për shkak të atyre banditëve,të ngremë padi penale edhe ndaj tij…

-Duket insistim kokëfortë…

-Jo,jo, une nuk jam fare kokëfortë por jam tejet i vendosur kur kam të drejtë… Po të mos insitoja në të drejtat e mija që më takojnë une nuk do të isha njeri i ndërgjegjshëm, por një naiv i mashtruar nga palacot ”udhëheqës” të kësaj tashmë ish-gazete. Natyrisht nuk më kanë shkelur e poshtëruar vetëm mua e familjen time por edhe shumë gazetarë të tjerë mjaftë të mirë të gazetës, por në rastin tim është dicka edhe më e zezë,më e kobshme,sepse dikush nga ta që i ka takuar rrjetit udbash të Kosovës,- me vetëdije a pa vetëdije kjo s’është me rëndësi,ka pasur për qëllim që në vazhdimësi të ma dërgonte mesazhin ogurzi të cilin e kam regjistruar me kujdes e pahetueshëm që nga fillimi i punës sime në gazetë, sipas të cilit e gjithë përpjekja ime, gjithë mundi im, gjithë ajo që e kam ëndërruar, është e kotë… Nuk ua fali vrasjen e ëndërres! Do të thotë për motive që une nuk mund t’i kuptojë ata më kishin shpalluar luftë!Përse? Dikush duhet me kallxue që ta kuptojë e gjithë Kosova motivin e kësaj shtypje të pashembulltë. Nuk më dhimset aq shumë vetja, por familja ime që e pata bërë të vuajtur… Atëherë, pasi me aq vendosmëri më kishin shpallur një luftë të tillë të cuditshme,shpirtkeqe,cinike,qyqare e të fshehtë; detyrohem t’u them, atëherë ose m’i ktheni të drejtat që më takojnë, ose duhet të mbaheni se as une nuk u lëshoj pa luftë,pa luftë profesionale…

-Ka disa vite që jetoni në Norvegji.Vazhdoni të merreni me gazetari?

-Qëkur shkela në tokën norvegjeza ka përfunduar marrja ime aktive me gazetari, por jo edhe ajo pasive. Profesionit nuk ia kam kthyer shpinën asnjëherë. Përkundrazi. Këtu kam lexuar më shumë se kurrë ndonjëherë më parë libra të shumtë nga fusha e gazetarisë etj., të tillë që, për fatin tonë të keq, ndoshta duhet të kalojnë decenie derisa do të jenë pranishme për lexuesit shqiptarë në përgjithësi. Se vazhdoj të merrem me gazetari tregon edhe fakti se këtu e shkrova librin tim ‘Rilindja - përkushtim e trishtim’ dhe këtu kam shkruar shumë e shumë shkrime e analiza të tjera për gazetarinë zbuluese etj., të cilat në një kohë më të volitshme për mua do t’i botoj si libra të veçantë.

- Çfarë është roli i gazetarit në shoqërinë e sotshme shqiptare? A është gazetaria në nivelin që duhet të jetë ajo në një shoqëri demokratike?

- Roli i gazetarisë dihet se cili do të duhej me qenë në shoqërinë e sotme shqiptare në përgjithësi si gjithkund në botë, por çështja është se si realizohet detyra e përcaktimi profesional i secilit gazetar veç e veç. Gazetaria shqiptare në përgjithësi në një mënyrë është prijëse e proceseve për demokratizimin e shoqërisë shqiptare por ajo nuk mund të bëjë më shumë për shkak të mungesës së theksuar të traditës demokratike në shoqërinë shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetiu, si dhe për shkak të defekteve të theksuara të politikës shqiptare gjithandej. Në një mënyrë edhe gazetaria është e plagosur për shkak të jetës në këto “moçale” të trashëguara nga e kaluara e hidhur e popullit. Vërejtja ime është se ka më shumë “analistë” që shesin mend në profesionin i gazetarisë duke e kundruar jetën nga zyrat e redaksive a luksi i shtëpive e banesave, e më pak gazetari që është e duhet të jetë më shumë e pranishme në jetë, në rrugë, qytet, fshat gjithkund ku zhvillohet jeta. Është shumë e çuditshme që në Kosovë e Shqipëri ma merr mendja ka më së shumti analistë në botë për kokë banori, ndërsa jemi një vend e popull kaq i vogël e kaq mbrapa ekonomikisht! Megjithatë, kam një bindje se gazetaria në Shqipëri është në një hap më përpara drejt profesionalizmit e modernizimit. Kjo mund të vërehet përditë në shtypin e shkruar dhe atë radio-televiziv. Por, duke pasur parasysh problemet e mëdha që gëlojnë në trupin e shoqërisë shqiptare, kjo ende nuk është e mjaftueshme. Gazetaria në Kosovë ka ngecje të shumta për shkak se janë të pakta ato gazeta gjë që reflektohet në mungesën e formimit të botëkuptimeve kritike në opinionin publik. Këtu mund të bëjnë përjashtim ‘Koha Ditore’ e ‘Expressi’ që janë deri diku më të hapura për rrjedhat e gazetarisë bashkëkohore. Por, në gjithë këtë gjendje duhet parë edhe kushtet e rënda të punës për shumicën e gazetarëve jo vetëm në Kosovë por gjithkund në shqiptari. Kjo reflektohet pastaj padyshim edhe në shkrimet e tyre etj. Është e ditur tashmë botërisht se ka diferenca të theksuara sociale në mesin e gazetarëve nëpër redaksi, ku një shtresë është e privilegjuar e tjetra, pjesa më e madhe ballafaqohet me mungesat e padurueshme të përditshmërisë së rëndë sociale…

- Si ishte e mundur që deri në atë masë ishte dehumanizuar jeta në mjediset gazetare, siç e përshkruan atmosferën edhe në librin Rilindja…

- Shiko, në gazetën Rilindja ka pasur njerëz të mirë, shumica kanë qenë të tillë, natyrisht, por një pjesë e tyre e tyre kanë qenë siç thotë ajo fraza popullore ”as sherri i turkut a hajri i shkaut”. Një pjesë tjetër kanë qenë çanaklëpirës që kanë luftuar ’nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar’ gjatë gjithë jetës së tyre në mënyrë shembullore dhe në këtë mënyrë kanë zënë pozita udhëheqëse në gazetë dhe janë pasuruar. Këta na kanë marrë në qafë edhe ne si kolegë të tyre, edhe kanë bërë shumë dëm lëvizjes për liri në Kosovë duke krijuar përçarje e propagandë të tmerrshme antishqiptare. Ata gjithmonë ia arritën të mbeten mbi sipërfaqe me gjithë ndërrimin e regjimeve, kohëve e partive të ndryshme. Një pjesë e madhe e tyre edhe sot janë nëpër poste dhe njerëzit nuk e dinë se sa dëm kanë sjellë dhe do të sjellin këta në jetën tonë kombëtare. Ndoshta në të ardhmen është mirë të ribotohen artikujt e secilit prej gazetarëve të dikurshëm në një uebfaqe - sepse është mëkat të harxhohet letër për ta - që të shihet se kush kanë qenë secili prej tyre. Kjo dosje e tyre do të pjesë e procesit të hapjes së dosjeve në shoqëritë komuniste.

Një grup prej nesh që e dinim rëndësinë e punës sonë si gazetarë dhe misionin që kishim për lirinë e popullit tonë ishim gjithë kohën në terren dhe bënim shkrime që i jepnin një drejtim lëvizjes gjithpopullore për liri. Dua të them se gazetaria është profesion specifik që nuk mund ta ushtrojë gjithkush sado që mund të thotë: ”Unë jam gazetar” etj. Unë, Zeqir Bekolli,Behar Zogiani e disa të tjerë ishim solidarë me njëri-tjetrin por ishim pak dhe nuk kishim ndikim me ndryshue rrjedhën e gjërave mbarë e mirë… Por, e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj për solodaritetin e jashtëzakonshëm njerëzor e profesional kolegët jashtë gazetës, Agim Morinën, Musa Sabedinin, Fadil Gashin etj., me të cilët kam kaluar ditët më të vështrira në Kosovë e Shqipëri. Dhe në veçanti të shpreh mirënjohjen time të përjetshme ndaj gazetarit të madh të ’Gazetës Shqiptare’ në Tiranë, Ali Ukës, që u vra në lulen e rinisë në Tiranë në fund të korrikut 1997, vrasje që edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet shumë enigmatike. Vrasja e tij më ka vrarë thellë në shpirt edhe mua dhe të gjitha ata që kanë punuar për lirinë e Kosovës dhe për shqiptarinë. Shpresoj që një ditë emri dhe vepra e Ali Ukës do të ndriçohet dhe do të lartësohet emri i tij. Kjo do të jetë koha kur shqiptarët do të punojnë dhe do të vlerësojnë drejt personalitetet e tyre kombëtare!

- Si i vlerësoni zhvillimet politike në Kosovë pas pavarësisë? Cilat janë sukseset dhe të metat e politikës kosovare?

- Zhvillimet politike janë deri diku pozitive por është evidente se Kosova ka probleme jo të vogla me minoritetin e instrumentalizuar serb i cili nuk do të drejta por do territore të Kosovës, sidomos tashti kur kësaj pakice të instrumentalizuar për qëllime serbomëdha i ka dështuar plani i hershëm për ta pasur e mbajtur gjithë territorin e Kosovës si pjesë të Serbisë pushtuese. Kujtoj se edhe me Planin Ahtisari është dëmtuar rëndë kompaktësia territoriale e Kosovës e të mos flasim për ambiciet e tjera të shtetit serb për të imponuar të drejta shtesë që jo vetëm e cënojnë atë plan në bazë të cilit u shpall Kosova e pavarur, por bukur direkt po krijohet “Republika Srpska Kosove i Metohije!” Oreksin e pashuar serbomadh duhet penguar tashmë, se janë tejkaluar të gjitha ”vijat e kuqe” të durimit. Unë e kuptoj se një politikë që nuk ka pasur kapacitete apo mundësi për ta çliruar vendin e vet me forca vetjake e ka të pamundur të diktojë kushte e të mbrojë qëndrime. Megjithatë konsideroj se edhe me Planin Ahtisari janë përmbushur shumë orekse që Serbia as që ka mundur ti paramendonte në vitin 1999 pasi NATOja e çliroi Kosovën. Thjesht, politika e Kosovës vazhdon të jetë e paemancipuar, politikisht e pangritur, me mungesë arsimi krahasuar me Serbinë e kjo ne vazhdimisht e historikisht po na vë në pozitë inferiore me fqinjin tonë. Serbia qysh para vitit 1912/1913 i ka përgatitur kuadrot që kanë udhëhequr me shtetin në vende të ndryshme evropiane, ata kanë qenë njerëz me dije të mëdha për marrëdhëniet ndërkombëtare etj, ndërsa ne as sot në vitin 2008 nuk i kemi kuadrot e duhura në vendet e duhura. E them me bindje të plotë se po të mos ishte Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, punët do të ishin edhe më zi se që janë në të vërtetë. Sidoqoftë, sukses i madh është vetë kjo pavarësi e arritur me të mirat e të metat e saj, por gjeneratave të shqiptarëve të Kosovës u mbetet punë e madhe për t’i përmirësuar disa gabime të deritashme në dëm të Kosovës.

- Ju keni falur tokën në Kosovë për themelimin e Qendrës Kulturore Arbnore ”Papa Klementi”. Cili është misioni i kësaj qendre?

- E falenderoj Zotin që për herë të parë në jetën time u bëra i zoti me falë diçka e këtë ma mundësoj jeta në këtë vend të bekuar që quhet Norvegji. Edhe pse ky akt i familjes sime nuk ka arritur të kuptohet drejt nga të gjithë. Kjo për shkak të ekstremizmave që kanë mbirë edhe në shoqërinë shqiptare në Kosovë pas vitit 2000. Vetëm përmendja e ndërtimit të Qendrës Kulturore Arbnore ”Papa Klementi” i ka shqetësuar tejmase disa qarqe islamiste politike të cilët Kosova i fitoi si dhuratë danajsh pas çlirimit në qershorin 1999! Edhe nën pushtim Kosova ka pasur njerëz të vetëdijshëm për misionin tonë si komb ndërsa tash iu shtuan edhe këta anti-shqiptarë që synim e kanë krijimin e njëfarë ”ummeti musliman” në mes të Shqipërisë. Si hap i parë që e ndërmorën ata ishte krijimi i një ndërgjegjeje të re muslimane, një preokupimi politik panislam. Këta e bënë edhe xhamizimin e Kosovës, më të madhin në historinë e këtij vendi shqiptar, duke i tejkaluar në planifikim e precizitet edhe pushtimet e gjata të periudhës osmane. Disa imamë e myezinë të Kosovës e kanë ngritur kryet më lart se dishepujt e tyre kur ishin jeniçerë e suvarinj të dikurshëm që thernin e masakronin shqiptarë, pra ushtarë besnikë gjakpirës të ”babës mret” prej Stambolli. Për mua shpërdorimi i këtillë i ndjenjave fetare është i trishtueshëm. Them me bindje të plotë se po rrezikohet shqiptarësia e vendit, ndërgjegja kombëtare shqiptare. Thjesht, disa rryma panislamiste me idetë e tyre politike dhe jo fetare, janë krejtësisht antishqiptare. Ato jo që po e mbjellin ”Lindjen” në ”Perëndim” - nuk duhet të mbillet as Lindja në Perëndim e as Perëndimi në Lindje - por me dehjen e tyre të qëllimshme edhe njëherë po na vënë në konflikt me botën përreth nesh dhe ne me veten tonë, duke mos dashur ta shohin madje edhe faktin se vetë populli shqiptar nuk mund ta ketë asnjë fe ”mbizotëruese” ngaqë përbëhet prej katër fesh dominante, pra është një popull shumëfetar. Ne nuk mund të ndërtojmë projekte islamike, as ortodokse, as katolike sepse ende nuk kemi arritur të ndërtojmë as projektin tonë themelor: bashkim tonë kombëtar. Prandaj, politizimi i cilësdo fe ndër shqiptarë çon drejt dobësimit të idesë sonë kombëtare.

Idenë për ngritjen e kësaj qendre e kam menduar gjatë dhe kjo ma shumë lidhet në raport me historinë e vërtetë të kombit, atë të fshehurën të cilën duhet ta vëmë në pah si pjesë të integritetit tonë të vërtet kombëtar, andaj erdhëm në përfundim se ajo duhet quajtur Qendra Kulturore Arbnore ”Papa Albani”. Papa Kelmendi XI me shembullin e tij ishte dhe mbetet një nga personalitetet më shembullore në historinë e atdhetarizmit shqiptar. Ai ka qenë, siç dihet, nismëtar i drejtpërdrejtë i Koncilit apo Kuvendit të Arbënit (1703), një kuvend që synonte ringjalljen shpirtërore shqiptare, pasi kërkonte jo vetëm riorganizimin e administrimit kishtar por edhe organizimin e mësimit të gjuhës shqipe, d.m.th. kërkonte ringjalljen kombëtare shqiptare. Në kohën e tij dhe ndikimin e tij Francesko da Lecce-ja hartoi dhe botoi edhe Gramatikën e Gjuhës Shqipe (1716) dhe shkroi fjalorin e gjuhës shqipe, i cili ka mbetur i pabotuar deri në ditët e sotme. Po ky Papë bëri edhe ndërmarrjen më të jashtëzakonshme, të papërsëritshme do të thosha, duke nisur përmbledhjen e të gjitha dokumenteve që lidhen me Ilirinë e lashtë, përmbledhjen në 11 vëllime të Ilirisë së Shenjtë (Illyricum Sacrum). Ai është siç kemi theksuar në arsyetimin e faljes së tokës sonë për ndërtimin e qendrës që duhet ta mbajë emrin e tij, biri i këtij kombi që e shpëtoi popullin tonë nga harresa, andaj as ne, secili prej nesh, nuk guxojmë ta harrojmë atë… Mos harroni, të gjitha këto u bënë në kohën kur hoxhallarët, myezinët osmanë ndalonin çdo gjë shqiptare, gjuhën, shkrimin qenësinë tonë kombëtare. Dënonin me vdekje, burg e internime vetëm për një germë shqipe. Thjesht, në epokën osmane ne ishim në zhdukje e sipër si komb. Shpëtuam mrekullisht në bazë të përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve të të gjitha feve prej dhunës dhe asimilimit osman duke gjetur mirëkuptim. Në ç’gjë gjetëm mirëkuptim? Në idenë se kombi është mbi të gjitha. Kur kjo kuptohet drejt atëherë problemet tjera tejkalohen pa u ndier fare. Merreni me mend nëse Ismail Qemali, i cili ishte nëpunës i lartë në qeveritë osmane dhe musliman, apo Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri etj. të cilët për nga feja ishin muslimanë të synonin ndërtimin e ’umetit islamik’ dhe jo shtetin shqiptar ku do të ishin ne sot? Ku do të ishim ne nëse këta atdhetarë s’do ta luftonin shtetin e kalbur osman i cili shtyllë e kishte fenë islame? Sot kjo vetëdije është duke u luftuar dhe po ngallmohet ideja tjetër se kinse pushtimi osman nuk ishte i dëmshëm. Bile, kinse ajo edhe na paska shpëtuar! Ku ka në historinë njerëzore pushtues që ka shpëtuar të pushtuarin?! Edhe zogjtë, po edhe gomarët e dinë se pushteti osman desh i rroposi vetë turqit. Po të mos dilte një njeri që pushtetin fetar osman e shkallmoi, si Mustafa Qemali – Ataturku, i cili është me prejardhje shqiptare, sot vështirë se do të kishte këso Turqie siç është sot apo edhe nuk do të ishte fare.

Po të kishim mbetur në mëshirën e shteteve islamike, d.m.th. në ’umetin islamik’ serbët do të na shfarosnin. Këto shtete dinkardashësh jo vetëm që nuk do ta luanin as gishtin e vogël për të na ndihmuar – kuptohet pos në ndërtimin e xhamive – por këto shtete nuk janë në gjendje as sot, kaq muaj pas shpalljes së pavarësisë të pranojnë pavarësinë e Kosovës e cila është fakt i kryer. Ku mbet solidariteti islamik athua? Ku mbeti vëllazëria muslimane? Jo, këta të ashtuquajtur ’vëllezër’ janë më të lidhur me pushtetarët e Milosevic-it, me regjime më kriminale antishqiptare. Pra, kjo është e vërteta. E hidhur. Por e vërtetë. Të krishterët na shpëtuan duke e bombarduar Serbinë me rrezikun e një lufte të re botërore ndërsa muslimanët s’janë në gjendje as të na pranojnë. Të bëjnë një akt të thjeshtë deklarimi. Hajde ’vëllazëri’ hajde.

Ndër ne, në fushën e arsimit, roli i klerit katolik është i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm. Ishin ata të parët që shkruan shqip edhe në kushte të kërcënimit me vdekje. Ishin ata që botuan shqip, që predikuan shqip nëpër kisha, që bënë luftë edhe kundër klerit të huaj në tokat shqiptare! Paramendoni vetëm një fakt të thjeshtë në këtë 100-vjetor të alfabetit të shqipes: hoxhallarët që kundërshtonin vendimet e Kongresit të Manastirit kërkonin që alfabet i gjuhës shqipe të ishte me shkronja arabe! Ndërsa vetë turqit pas 15 vjetësh e kthyen alfabetin arab të gjuhës së tyre në atë latin! Po të ishte pranuar kjo, pra alfabeti arab për shqipen, vetëm mund të paramendohet se si do të na shihte bota sot! Si një fis të humbur arab në mes të Europës!

Prandaj, kjo Qendër është e një rëndësie të veçantë. Ajo do të merrej kryesisht me hulumtimin, botimin dhe editimin e të dhënave të shekujve që janë lënë në harresë deri në ditët e sotme. Përpos përkrahjes që e patëm për nismën tonë, nga disa qarqe intelektuale pati edhe përbuzje të aktit tonë, duke e përshkruar këtë akt si krekosje e marrëzira të tjera nga një mendësi e barbarizuar. Por e mira është që fjalët i merr era, qentë lehin dhe karvani ecën. Ne si familje aq patëm mundësi të bënim dhe këtë e bëmë me sinqeritet njerëzor e kombëtar, ndërsa ngritjen e saj shpresoj se do ta bëjnë të tjerët, pasi ne tani për tani nuk kemi mundësi të bëjmë më shumë.

Legjenda nën foton e pagëzimit tonë eshte kjo: Bajram Kabashi, Gjergji, me gruan e tij Anën dhe vajzën Driadën me qirinj në dorë, ditën e pagëzimit në Kishën Shën Gjon Pagëzuesi në Zallkuq, (Zllakuqan) të Komunës së Klinës më 27 Korrik 2008, në prani të priftit Don Pren Kola dhe disa të tjerëve nga komuna e istogut, që u pagëzuan një javë më vonë.
- Në shtypin e Kosovës janë botuar disa shkrime mbi ”konvertimin” e shqiptarëve në fenë katolike. Njëri prej tyre jeni edhe ju. Cilat janë arsyet që e ndërmorët një hap të tillë që u prit me shumë reagime në Kosovë?

- U bë një zhurmë artificiale e nxitur kryesisht nga qarqe të caktuara të Bashkësisë Islame të Kosovës, e disa islamistë politikë që nga ”nëntoka” e nxitën një fushatë kundër nesh, duke e zbuluar kështu se e drejta e besimit nuk është e lirë siç duhet të jetë në Kosovë. Po, ka pasur shkrime të shumta mbi “konvertimin” tonë në katolicizëm siç e vë me të drejtë nën thonjëza në pyetjen e bërë. Në të vërtetë jemi pagëzuar mbi gjithsej 20 veta nga familja ime, disa familje Mehaj nga Prigoda e Istogut dhe një i ri i familjes Maksutaj nga Banja e Pejës. Dhe, jo vetëm ne, por janë të gatshëm të pagëzohen edhe qindra e mijëra të tjerë por në mungesë të lirive fetare dhe poshtërimit të nxitur nga rrethe të caktuara, njerëzit po hezitojnë. Sidoqoftë, kjo çështje ka marrë frymë dhe nuk mund të pengohet më. Aktin tonë ne e bëmë publikisht pa u fshehur dhe kjo është vlerësuar si një sfidim i vërtetë i islamizmit politik në Kosovë, dhe është shpjeguar si një provokim i çuditshëm nga ana e BIK-ut të Kosovës, e cila çështjen religjioze e kishte pasur si punë të kryer, çështje që ka marrë fund që nga koha e viteve të fundit të pushtimit osman, të cilin ata, në të vërtetë, e konsiderojnë si ’çlirim’!? Ndjenjat tona fetare sikurse ajo e pjesës më të madhe të popullit të Kosovës, e posaçërisht e banorëve shqiptarë të Rrafshit të Dukagjinit mund të cilësohen si një laramanizëm i zbehur, apo më saktë si një indiferencë fetare. Është e qartë se një pjesë e madhe e banorëve tradicionalisht me myslimanizmin e kanë lidhur vetëm sheqerkat e festave fetare myslimane, bajramit. Asgjë tjetër! Kështu ka qenë gjendja së paku deri sa filloi lufta nacionalçlirimtare kundër Serbisë, pra përderisa u fitua kjo luftë nga NATO-ja në fillim të qershorit 1999. Pastaj ndodhi një dukuri e çuditshme si rezultat i hapjes së Kosovës ndaj botës depërtuan llojlloj ”bamirësish” nga jashtë, sidomos nga vendet arabo-islamike të cilët i hapën ”zemrat për vëllezërit muslimanë” të Kosovës dhe e prishën dhe e çoroditën myslimanizmin tradicional shqiptar, butësinë e tij të njohur ndaj vlerave të botës Perëndimore dhe lidhjen e tij me interesat e kombit. Në këtë infektim e prishje të myslimanizmit tradicional shqiptar që është praktikuar me shekuj nga një pjesë e popullit, ndikim negativ ka pasur edhe Bashkësia Islame e Kosovës si një ”ministri e jashtme” që i gjeti e lidhi do interesa me panislamistë të botës… Kjo pastaj u shpreh me hartimin e politikës së fshehur fillimisht për xhamizimin e Kosovës, akt ky i shëmtuar që u krye nën mbikqyrjen e tyre, me pare arabe e arkitektë të ardhur nga Turqia. Thjesht, u instalua e u mboll një kulturë jovendëse, e huaj nga çdo aspekt që ta shikosh në vendin tonë. Objektet e reja të ”kultit” u ndërtuan e po ndërtohen në vende më strategjike, për të rënë në sy. Në një mënyrë panislamistët sikur shtyhen me strategjinë pushtuese serbo-ortodokse serbe e cila, në të njëjtën mënyrë, para se Kosova të çlirohej nga NATO-ja, ngriti objektet e veta të ”kultit” për ta forcuar imazhin panortodoks serb të ”zemrës së Serbisë”, e këta, ”shqiptarët” tanë po ia kthejnë pushtuesit që në një mënyrë është larguar nga Kosova, forcimin e tezës së kobshme antishqiptare për ”qendrën” e ”muslimanllëkut” në këtë pjesë të botës!

E, Anastasios Janullatos-i, në anën tjetër, në një pjesë të madhe të Shqipërisë, vazhdon ta përmbyllë fazën e shkatërrimit të KOASh-it në emër të ringjalljes së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, por fillimisht si filialë e aspiratave të shovinizmit grek…

Asgjë për tu befasuar! Anastasios Janullatos është nënkryetar i Kishës Ortodokse Botërore! Naim Tërnava,- kryemyftiu i Kosovës së sotme, para ca vitesh qe zgjedhur në Stamboll nënkryetar i Xhamisë Botërore!

Çështja e ‘konvertimit’ u bë pa nevojë kinse punë e madhe. Kjo u bë me qëllim shumë të qartë që të ndalet zgjedhja që njerëzit në Kosovë dëshirojnë dhe mund të bëjnë. Zgjedhja e fesë është një nga të drejtat themelore njerëzore dhe këtë nuk mund ta tjetërsojë askush. Në rastin tonë nuk ka ndodhur as kjo. Ne të gjithë e dimë se kemi qenë të krishterë. Qoftë me përdhunë, qoftë për t’i ikur taksave të rënda qoftë për shkak të zgjedhjes këta të krishterë në nji çast vendosën të islamizohen dhe ky ishte një proces. Pjesa më e madhe e shqiptarëve një kohë të gjatë kanë qenë laramanë. Ajo ku shqiptarët nuk kanë qenë laramanë ka qenë përcaktimi i tyre kombëtar. Ata, që të gjithë padallim, kanë qenë e kanë mbetur shqiptarë.

Më kujtohen shënimet e një udhëtari francez apo anglez i cili duke kaluar nëpër Gadishullin Ilirik shkruan se këdo që kishte pyetur se çfarë është ishin përgjegjur se janë katolikë, ortodoksë apo muslimanë. Por kur ka hyrë në tokat shqiptare pyetjes se çfarë janë gjithkush ishte përgjegjur: Shqiptar! Edhe udhëpërshkruesi nuk mund ta fshihte admirimin për këtë qëndrim të shqiptarëve.

Në këtë kuptim, çështja e fesë është çështje e përcaktimit tim shpirtëror personal e familjar. Unë e di se familja jonë në të kaluarën ishte laramane, e di stërgjyshin tim katolik, ashtu qysh e dinë të gjithë shqiptarët padallim dhe për mua është vetëm një rigjetje, ritakim me të parët e mi. Cili shqiptar nuk ishte i krishterë? Prandaj, turri anti-krishterë, nëse kudoqoftë ka njëfarë arsyetimi, ndër shqiptarë është çmenduri. Është njësoj si ta fyesh, ta sulmosh gjyshin e stërgjyshin tënd!

- Për çka ndjeni më shumë nevojë në mërgim? Çfarë janë lidhjet tuaja me vendlindjen?

- Kur ke kaluar aq shumë vite të jetës në gazetari aktive, duke qenë njëfarë hulumtuesi i palodhshëm në profesion, e një ditë detyrohesh ta ndërpresh dhunshëm jetën profesionale, ndjen një pikëllim kur mendon se si mundi të ndodhte kjo, pra, që të mos e vazhdoja punën time në gazetari edhe pas lirisë së Kosovës… Por, tashti e kam shumë të qartë se gjërat kishin qenë të planifikuara shumë mirë nga nëntoka e zezë shqiptare e Kosovës, e udhëhequr nga ata që janë kriminelët e vetëm më të mëdhenj të Kosovës, përfaqësuesit famëzinj të Slluzhbës së Dërzhavna Bezbednostit, të ashtuquajturit Sigurim Shtetëror të Kosovës. Ata i kanë burgosur të gjithë ata që kanë vdekur apo që jetojnë e njihen si të burgosur të dikurshëm të ndërgjegjes në burgjet serbo-sllave dhe njëherit i kanë ngatërruar aq shumë e me perfiditet mizor sa që asnjë prej atyne ”viktimave” për shkak se i kanë kompleksuar e marrosur me ngatërresa të ndryshme nuk guxon ta ngrejë gishtin në drejtim të xhelatëve të tyre, madje edhe nëse ngjiten në majat më të ndjeshme të pushtetit…

Mua nuk arritën të më burgosnin por ma nxinë e bënë të vështirë jetën duke më sulmuar pandërprerë me të ashtuquajturit ”gazetarë” të tyre!

Në mërgim, natyrisht, më mungon Kosova, familja e gjerë, nëna ime plakë, shokët e mi të profesionit e miq të shumtë… Më mungon Kosova e posaçliruar, ditët e para të lirisë, gëzimi gjithëpopullor për lirinë e ardhur dhe më trishton fakti se nuk kisha asnjë mundësi të isha edhe unë pjesë e atij gëzimi, pasi edhe vetë kisha bërë mjaft për atë ditë pa fituar asgjë për mundin, djersën e gjakun e derdhur. E di se kjo është padrejtësi e madhe e bërë nga Serbia me veglat e tyre ”shqiptare”! Unë mesazhin e dhënë e kam kuptuar edhe më mirë se që mendojnë këta antishqiptarë… Lidhjet e mia me vendlindjen janë jo aq të mira për shkak të largësisë por, megjithatë, gjatë gjithë këtyre dhjetë viteve kam menduar të kthehem e të vazhdoj ”aty ku e kam lënë!”…

Më duhet të them se puna ime e gjatë në terren nëpër të gjitha trojet shqiptare ka bërë që ta ndiej se si merr frymë kombi im. Çdo veprim imi në jetë ka qenë, është dhe do të jetë në këtë vijë: të bashkërendojë me të ardhmen më të ndritur të këtij kombi të shumëvuajtur e krenar.

- Sa shqiptarë jetojnë sot në Norvegji dhe për çfarë dallohen ata?

- Numri zyrtar është diku mbi 10 mijë veta por supozohet se ka dikund rreth 15 mijë shqiptarë nga e gjithë hapësira shqiptare e Ballkanit. Pjesa ma e madhe e këtyre shqiptarëve erdhën gjatë luftës 1998 sidomos 1999. Meqenëse shumica e tyre kanë ardhur të varfër këtu është e qartë se preokupimi i tyre ka qenë se si ta mposhtin mallkimin e të qenit të varfër. Disa kanë punuar e fituar me nder e një pjesë e vogël përfliten për vepra kriminale. Kohëve të fundit gjeneratat më të reja sjellin një freskim me etjen për tu shkolluar e qenë pjesë e integruar e shoqërisë norvegjeze. Kjo frymë e re më gëzon sepse përveç faktit që ata përparojnë individualisht ata e përmirësojnë gradualisht edhe imazhin negativ që aty-këtu e kanë norvegjezët për shkak të disa shqiptarëve të mbrapshtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora