Kulturë
Shefqet Dibrani: Përcaktues i ndryshimeve të mëdha politike
E diele, 09.01.2022, 03:07 PM
PËRCAKTUES I NDRYSHIMEVE TË MËDHA POLITIKE
Jusuf Buxhovi, “KTHESA HISTORIKE 1”, Vitet e
Gjermanisë dhe epoka e LDK-së, publicistikë historiografike, botoi Sh.B. “FAIK
KONICA”, Prishtinë 2008, faqe 352. ISBN 978-9951-06-225-1
Nga Shefqet
DIBRANI
Jusuf Buxhovi, gazetar, publicist, shkrimtar dhe historian,
është figura më qëndrore për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përveç librave të historiografisë, trilogjia "KTHESA HISTORIKE",
është dokumenti më origjinal, në të cilat janë shpjeguar zhvillimet shoqërore e
politike të viteve të nëntëdhjeta. Kjo lëvizje politike, është organizatë e
papërseritshme kombëtare, që i ndryshoi konceptet ideologjike në vitet e
nëntëdhjeta, në të cilat, Jusuf Buxhovi, bashkë me Elitën
Intelektuale, arritën me sukses të mobilizojnë dhe të emancipojnë spektrin
politik, duke iu dhënë proceseve kahe demokratike, në të cilat shqiptarët e
Kosovës, do të shndërrohen në avangardë të ndryshimeve në tërë kampin e
Lindjes. Shqiptarët e Kosovës, u bënë popull largëpamës, vizionar duke pasur
rolin prijetar në tërë hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi. Kjo lëvizje e
cila mori hov, pa shmangshëm ndikoi edhe në ndryshimet politike në Shqipëri,
vend ky që po dilte nga diktatura e egër komuniste.
Jusuf Buxhovi, në fushën politike dhe në zhvillimin e proceseve
të atyre viteve e ka ndikimin e pashmangshëm. Pikërisht me emrin e tij lidhen
epokat që ndryshuan Kosovën. Ky konstatim nuk është i panjohur, por pse
hezitojmë ta pranojmë është çështje krejtësisht tjetër. Paradoksi i
mentalitetit shqiptarë shkon deri atje, sa intelektuali duhet të vdes dhe të
mos jetojë në mesin tonë, që pastaj për t’ia pranuar meritat. Të paktën Jusuf
Buxhovi, meriton ta përjetojë vlerësimin për angazhimin e tij, nga shoqëria
dhe komuniteti politik, për të gjallë të tij.
Në shkatërrimin e Jugosllavisë,
drejtpërdrejt ka ndikuar Kosova, dhe në ndryshimet e koncepteve politike në
këto hapësira rol themelor, rol specifik, dhe rol të veçantë, pa dyshim ka
luajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse strukturat e tanishme
politike të LDK-së, duhet ta pranojnë, edhe rolin dhe ndikimin e Jusuf
Buxhovit në këto procese, (madje qysh në embrionin e tyre), si ideator e
qoftë si kreator i atyre proceseve, të cilat pashmangshëm ndikuan në të gjitha
zhvillimet e më pastajme në Kosovë dhe përgjithësisht në hapësirën shqiptare në
ish Jugosllavi.
Këto elemente, ku më
shumë e ku më pak, shfaqen në tërë historiografinë krijuese, veçmas në librin e
parë të trilogjisë "KTHESA HISTORIKE", përkatësisht te libri "Vitet
e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së", në të cilin autori sjell argumente
konkrete për zhvillimet e asaj kohe. Pastaj Jusuf Buxhovi, ka vazhduar
me libra studimor nga fusha e historiografisë, dhe në saje të tij, janë
vendosur edhe konturet e shkencës së historisë kosovare.
Nga libri "Vitet
e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së", del në pah roli i madh i autorit, në
krijimin, themelimin dhe zhvillimin e LDK-së, dhe jo vetëm të LDK-së. Këtë
pohim, nuk besoj se mund ta mohojnë as "Kolona e Pestë që ka pushtuar
pa meritueshëm LDK-në?!", të cilët e kanë devijuar angazhimet
historike të LDK-së, madje nuk kanë hezituar për ta shembur edhe "Epokën
e Madhe të LDK-së", epokë për të cilën ka shkruar me kompetencë Jusuf
Buxhovi.
Për fat të mirë, kjo
Kolonë e Pestë, nuk arriti as të tjetërsojë LDK-në në "LIDHJA?!"
Kurse ardhësit me mision, (edhe përmes shantazhit dhe diferencimeve klasike),
kanë arritur për t’i eliminuar tërësisht Themeluesit e LDK-së, dhe
quditërisht kanë fobi edhe kundër gjithë Elitës Intelektuale, të cilëve
nuk ua pranojnë meritat. E gjitha po ndodhë, para syve tanë, para syve të botës
dhe krejtsisht sipas recetave të një kohë tashmë të harruar.
Askush nuk mundet me
mohuar se LDK-ja, ishte strumbullari i lëvizjeve të mëdha ku do t'i bie edhe
merita për shembjen e epokës së errët të komunizmit jugosllav, pra edhe në
hapësirën tonë, përkatësisht LDK-së i bie merita specifike pse e trandi marksizëm
- leninizmin dhe stalinizmin shqiptar, ku pa asnjë mëdyshje, "Epoka
e LDK-së", ishte vendimtare për kahen e Kosovës drejt proceseve
Euro-Amerikane, pa të cilën vendi ynë, Kosova jonë, kurrë nuk do të vinte në të
tashmen e ëndërruar. Ndërsa, Jusuf Buxhovi, i mësuar të bëjë "Epoka
të mira", me studimet në fushën e historiografisë, është bërë
historiani i parë, i cili bëri "Epokën e Historisë Shkencore",
ashtu sikurse në fushën e politikës që mban vulën për Ndryshime të Mëdha
Politike e Strategjike!...
Siç e kemi theksuar
më lartë, Jusuf Buxhovi, për vite të tëra ka jetuar në Gjermaninë
Federale, në cilësinë e korrospondentit të akredituar nga gazeta “RILINDJA”,
prandaj ka pasur fatin e kontakteve me Elitën e Politikës Evropiane dhe
asaj botërore, e cila ka ndikuar në formimin e personalitetit të tij politik,
dhe me kalimin e kohës veprimtaria e tij politike është bërë ndikuese, veçmas
brenda LDK-së, ndërsa krijimtaria letrare e historiografike e pëlqyeshme dhe e
pranueshme edhe më tej!
“Njohja e
meritave”, është kod i demokracisë politike dhe institucionale, prandaj
është edhe obligim i shoqërisë, t’ia njoh meritat dhe ta pranojë kontributin e Jusuf
Buxhovit, në fushën e letërsisë e të historiografisë, shkencës dhe përgjithësisht
në ndryshimet e mëdha politike. Pranimi i meritave “Si ideolog!” është
domosdoshmëri qytetare, pasi ndikimi i tij në ndryshimet e mëdha
gjeostrategjike ishte ndikues dhe përcaktues, sikurse edhe në ndryshimet e
koncepteve ideologjike, për ta orientuar Kosovën drejt vlerave Euro-Atlantike!
Mund të përfundojmë
se të gjitha ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Kosovë, e kanë një datë
historike që lidhet me themelimin e LDK-së, më “23 dhjetor 1989”, por
ajo datë historike mban edhe nënshkrimin e Jusuf Buxhovit!
Pjesa e I
PRELUD
PËR NJË EPOKË TË RE, (ose për barazi, demokraci dhe Perëndim)
Libri "Vitet
e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së", është ndërtuar mbi dy segmente
kohore, ku njëra pa tjetrën nuk mund ta bënin tërësinë e një "Epoke më
të Madhe", të asaj epoke që përshpejtoi rënien e diktaturës komuniste
në Evropën Juglindore, e më pas edhe në krijimin e hartës së re të Evropës
postkomuniste. Dhe pjesa e dytë, ose "Epoka e LDK-së", janë
trajtuar ato nëntë vite të cilat kanë bërë Epokën e Madhe?!...
***
Në pjesën e parë,
aty ku bëhet fjalë për "Vitet e Gjermanisë", do të lexojmë
rrëfime të bukura për ngjarje të rëndësishme, dhe do të njihemi edhe më mirë me
rolin e Gjermanisë, dhe me ndikimin e saj në shpërbërjen e Jugosllavisë, në
njërën anë, dhe në anën tjetër edhe për ndikimin e drejtpërdrejt të Gjermanisë,
tek shqiptarët e Kosovës, për ta marrë përsipër fatin e vet, dhe përgjithësisht
për t'i drejtuar ata dhe Kosovën kah Evropa. "Por, cila do të duhej të
ishte ajo forcë që merrte përsipër këto procese, kur dihej se klasa politike e
Kosovës, të shumtën ishte vetë shpenzuar dhe vetë komprometuar gjatë viteve të
mundimshme të të ashtuquajturit diferencim politik kur Beogradit i ishin bërë
aq shumë koncesione pikërisht në planin politik, madje edhe aty ku ajo kishte
shumë atu të mos bënte kompromise vdekjeprurëse?", (faqe 15). Ky citim
që theksuam më parë më duket se është një pyetje logjike që autori ia ka
shtruar vetës para atyre sfidave. Sfida këto që e kishin vënë atë në sprovë,
bashkë me Elitën Intelektuale të asaj kohe, pra, para një përgjegjësie
kombëtare "të jesh apo të mos jesh"?!
Ishin hezitime apo dilema për Elitën Intelektuale që të
vihej në ballë të proceseve, për të ndërtuar "Epokën" që nuk
do të përsëritet kurrë më. Por, në kohën kur disa i kishte mbuluar letargjia e
robërisë dhe qe besa më shumë nostalgjia e jugosllavizmit për një bashkëjetesë
me serbet siç bënte e vepronte Veton Surroi bashkë me Shkëlzen Maliqin, - Jusuf
Buxhovi, mendonte se ishin "vetëm intelektualët e pavarur,
kryesisht ata që gjatë viteve të fundit kishin marrë përsipër barrën e
kundërvënies propagandës serbe rreth mitit të Kosovës", (faqe 15), ku
do ta dominojnë të drejtën historike në të cilën lidheshin serbet, me të
drejtën faktike, ose siç e thekson autori si "e drejtë jetësore apo
etnike", mbi të cilat mbështetej Elita Intelektuale e Kosovës.
Kjo Elitë Intelektuale, në të cilën rolin e vet të
pashmangshëm e kishte autori i këtyre librave, ishte mbështetur në fillimet e
tija nga publicisti gjerman Horst Wesseler, i cili "do të vijë në
Prishtinë me sugjerimin gjerman për themelimin e një partie politike shqiptare
që do të udhëhiqej nga shkrimtarët, por edhe intelektualët tjerë", (faqe
17), ku padyshim kësaj ideje të publicistit Horst Wesseler, i paraprijnë, ose e
kanë sforcuar edhe gazeta konzervative "Die Welt", radioja "Westdeutsche
Rundfunk" e Köln-it, e sidomos gazetari e analisti i njohur Viktor
Meier, i cili më shumë se kushdo tjetër do të luaj rolin e tij pozitiv në
zhvillimet e asaj kohe në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavi.
Jo vetëm kaq, por edhe politikaj e personalitete të tjera
të Gjermanisë siç ishin: Wili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hrost Emke, Herbert
Verner, Rajner Maria Fasbinder, nobelisti Heinrich Böll, e shkrimtari i madh Günter
Grass, do të luajnë rolin e tyre në ndryshimin e kufijve në Evropë dhe në
Ballkan, dhe kush më shumë e kush më pak do të zgjojnë vetëdijen gjermane se "shqiptarët
kanë një besim historik te gjermanët...", (faqe 35).
S'ka dyshim se gjatë kohës së luftërave të ftohta, ka pas
hamendje e dilema, madje ka ekzistuar një mendim "për një dominim të
Beogradit mbi Shqipërinë", qoftë ky dominim politik, kulturor a
ekonomik, (faqe 44). E, në përpjekje për të zgjedhur një formulë magjike, qoftë
për ta shpëtuar Shqipërinë nga diktatura primitive komuniste, e qoftë për t'i
reformuar e drejtuar shqiptarët kah Evropa, Helmut Schmidt do të mbahet mend si
njëri nga personalitetet e para gjermane që do ta vizitojë Shqipërinë
komuniste, me shpresë se do ta joshte diktatorin Enver Hoxha për reforma në
sistemin politik dhe ekonomik të vendit. Veprimet e Helmut Schmidt, më duken se
kanë pasur ngjashmëri me veprimet e kancelarit gjerman Helmut Kohl i cili ka
qenë i ndikuar nga filozofia udhëheqëse e Konrad Adenauer, i cili gjatë tërë
karrierës së tij udhëheqëse, si kancelar i Gjermanisë menjëherë pas Luftës së
Dytë Botërore, "fitoren e paqes do ta shohë të lidhur ngushtë me
zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik nga brenda dhe në bashkëveprim me Aleancën
Veriatlantike nga jashtë", (faqe 63).
Në këtë prizëm edhe Helmut Kohl si Helmut Schmidt, "e
ka parë Shqipërinë në përputhje me zhvillimet e kohës, gjithnjë duke u
përpjekur ta animoj e edhe ta kthejë, së pari në një interes europerendimorë e
pastaj gjerman", (faqe 64), kurse Wili Brant, "pasi do ta
fitoj postin e kancelarit gjerman, në vitin 1972, do të promovojë doktrinën e
pajtimeve historike me anën e pranimit të realiteteve të vendosura në lindje
pas Luftës së Dytë Botërore", (faqe 63). Shikuar në retrospektivë, e
bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur, do të bindemi se gjermanët vazhdimisht janë
interesuar për shqiptarët, dhe qasja e tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në
përgjithësi ka qenë tejet pozitive. Më duket se edhe njëri nga synimet e
autorit përgjatë këtij libri, ka qenë për të dëshmuar interesimin e madh
gjerman për t'i zhvilluar proceset demokratike në Kosovë, për ta zhvilluar e
demokratizuar Shqipërinë dhe për t'i orientuar përgjithësisht shqiptarët kah
Perëndimi.
Karshi këtyre zhvillimeve dhe ngjarjeve të tjera të
shumta në këtë libër "prelud për hyrje në demokraci" do të
gjejmë edhe "habinë e Vladimir Bakariçit për Kosovën", kurse
qëndrimi i tij parimor për Kosovën, do të rikthehet në kujtesën tonë i freskët
dhe i qartë, sepse Vladimir Bakariç, do të mbetet ndër politikanët e rrallë
kroat që ka pasur një qëndrim konstruktiv për zhvillimet politike në Kosovën,
qysh në vitet e tetëdhjeta të shekullit që para pak vitesh ia kemi kthyer
shpinën, (faqe 80 – 84).
Përmes këtij libri të Jusuf Buxhovit, mund të
kuptojmë më mirë ato kohëra, dhe mund të besojmë se gjermanët ishin faktor
shumë i rëndësishëm për të gjitha zhvillimet politike në Evropë, veçmas për
shthurjen dhe shkatërrimin e Jugosllavisë. Ndoshta, pikërisht këtu qëndron
alibia e "pranimit të realiteteve historike me Gjermaninë
Lindore", siç ka vepruar Wili Brant, ndoshta edhe pse në këto rrëmuja
dhe rrëmete kishte personalitete gjermane që kanë rënë në grackat serbe, si ajo
e Heinrich Böll, në mbrojtje të ultranacionalistit serb Dobrica Qosiq, (faqe
90-111), por gjithsesi zhvillimet e më vonshme do ta kenë davaritur mjegullën
edhe para syve të tij, (është fjala për Heinrich Böll), dhe të shumëkujt
si ai.
Të gjitha shkrimet, për "Vitet e
Gjermanisë", mund të lexohen si tregime të mira dhe të pranueshme, por
është meritë e autorit për mënyrën e rrëfimit dhe të trajtimit të ngjarjeve që
janë përfshirë në këtë kapitull.
Pjesa e II
KTHESA HISTORIKE DHE EPOKA E MADHE E LDK-së
Në pjesë e dytë, tek shënimi: "Kapitulli –
Epokë", autori flet për "Rolin e LDK-së" në rrënimin
e infrastrukturës së Lidhjes së Komunistëve të Kosovës që do të ndikoj
drejtpërdrejt edhe në shthurjen e Jugosllavisë. Në këto rrethana përveç lirisë
që kërkonte Kosova, ajo paralelisht duhej që në këtë proces të dëshmonte "pozicionimin
e shqiptarëve kah Evropa", ku, kronologjia e ngjarjeve dhe ndodhitë e
shumta janë jo vetëm një faktor ndikues, por një indikator i procesit
demokratik, që ndikoi në ndryshimin e mentalitetit dhe kthimin e shqiptarëve jo
vetëm kah Evropa, po më shumë kah Amerika e qytetëruar.
Koha e konflikteve intelektuale ose
"Shpallja e luftës nga shkrimtarët serbë", (faqe 125 - 153), në të cilën autori është protagonist
i këtyre ngjarjeve, Jusuf Buxhovi mjaftë qartë i ka shpjeguar konfliktet e asaj
kohe në mes të shkrimtarëve serb dhe shkrimtarëve shqiptar nga Kosova. Për vete
kam lexuar diçka, ashtu të shkëputura a parafrazuara në shtypin e asaj kohe,
edhe zjarrminë e konfliktit të asaj kohe e mbaj mend mirë, por nuk më kujtohet
nëse e kam lexuar fjalimin e poetit serb Millan Komneniq, që paska qenë një
pamflet kaq ultranacionalist, kaq fyes dhe kaq poshtërues nuk ma thoshte as
tashti mendja. Jusuf Buxhovi, ka bërë mirë që i ka sjell fjalimet e
Millan Komneniqit dhe të Aleksandër Petrovit që janë mbajtur kundër 5-6
shkrimtarëve shqiptarë në konferencën e Beogradit, në të cilën pala shqiptare
pat triumfuar plotësisht.
Por një indikacion shqetësues
përmes librit të Jusuf Buxhovit mund të kuptohet kur ai duke dashtë të
jap detaje më konkrete për këto ngjarje dhe "në pamundësi që të siguron
tekstet integrale nga ato që i kishte gjiruar Shoqata e Shkrimtarëve të
Kosovës, ngaqë Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, pas luftës, e dal prej saj nuk
kishte dëshiruar të ruajë kurrfarë trashëgimie dhe dokumentacioni të Shoqatës
së mëparshme dhe për këtë madje ishte mburrur", (faqe 133), dhe nuk dihet nëse dikush nga shkrimtarët
e "dal nga lufta?!", paskan dashur t'i mbrojnë "vëllezërit
shkrimtar nga Serbia", apo këtë gjë e kanë bërë nga mosdija e tyre.
(Por, nuk arrita të kuptoj nga cili mision, nga cila pozitë, a nga cila
vetëdije është nisur Sekretari i Shoqatës Milazim Krasniqi, për t'ua dorëzuar
pa rezistencë Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës atyre të "dal nga
lufta?". Megjithatë sekretari i gjeratëhershëm mr. Milazim Krasniqi,
që deri në prag të luftës shquhej si puthadorë i dr. Ibrahim Rugovës, si askush
tjetër, më pas do të dallohet për mohimin dhe degradimin e çdo veprimi
demokratik të LDK-së, po sidomos të kryetarit të saj dr. Ibrahim Rugova.
Ndoshta kjo është bërë, për t'ia humbur të gjitha gjurmët e rezistencës
intelektuale që bënte atëherë dr. Ibrahim Rugova, apo ky njeri ishte në mision
të shantazhimit të shtetformimit demokratik të Kosovës?!... Gjithsesi,
humbja dhe asgjësimi i dokumenteve me rëndësi të veçantë, është një krim morbid,
që do të duhej të procedohej në gjyqësorin e Kosovës. “vërejtje e sh.d.”)
Pavarësisht nga rrethanat, faktet që i sjell Jusuf Buxhovi, mjaftojnë
për t'i njohur ato rrethana, dhe për t'i kuptuar e dalluar "sivëllazërinë
proletare" të shkrimtarëve nacionalist serb dhe partizanëve analfabet
në Kosovë.
Jusuf Buxhovi, si askush tjetër e ka pranuar publikisht involvimin,
nxitjen dhe ndihmën e pakursyer amerikane për themelimin e LDK-së, duke e
theksuar se pa ndihmën e tyre zor se do të ishte realizuar e masivizuar
koncepti demokratik e properëndimor i kësaj lëvizjeje. Në anën tjetër ndihma
amerikane ka vazhduar për tokë e për ajër, ajo ndihmë nuk ka munguar kurrë,
kurse në vitet e pasluftës, po dëgjojmë refrenin e militantëve të PDK-së se
Kosovën e çliruam NE(?!), kurse në anën tjetër Udhëheqja në Mision e LDK-së
– Kolona e Pestë, duke e parë vetën se më nuk janë partner i besueshëm i
amerikanëve, në vend se ti meremetojnë defektet, ata po i kritikojnë diplomatët
amerikan, për deklarata private e qëndrime individuale, duke e zbehur Rolin e
LDK-së në shtetformimin e Kosovës, dhe kjo ka të bëjë kryesisht pas ardhejs në
krye të LDK-së, të Isa Mustafës, i cili më shumë është promovuar sikur të ishte
Bossi i “Kolonës së Pestë”, me qëllime antiamerikane, aventurë të cilën po e
vazhdojnë të gjithë pasardhësit e tij gjerë më sot?!...
Me <"Apeli 215"
dhe gjakderdhja e marsit>, Beogradi kishte kuptuar se "shkrimtarët
shqiptarë jo vetëm që nuk do të ndiqnin kursin e kreut politik të Kosovës...,
por fjala ishte për një qëndrim të pa kompromis intelektual i cili nuk
përfillte diktatin ditor të politikës", (faqe 154). Mendoj se me këtë temë Jusuf Buxhovi
ua ka hequr maskën "liderëve autonomistë në krye me Azem Vllasin",
(faqe 162), dhe jo vetëm me
Vllasin?!, (vërejtje e imja), por kohëve të fundit e kemi rastin konkret
me “Kolonën e Pestë në LDK”, të cilët po shtiren si engjëj të
demokracisë dhe reformator të pa kompromis?!
Jo vetëm "ideja e
themelimit", por edhe domosdoshmëria e krijimit të një partie politike
ripërsëritet edhe nga publicisti dhe analisti i njohur gjerman Viktor Meier, i
cili ia shpjegonte Jusuf Buxhovit pse është e nevojshme që sa më shpejt
të ndodh kjo, (faqe 166 - 167),
ashtu siç kishte ndikuar më parë edhe Horst Wesseler për themelimin e Këshillit
për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (faqe 168), ndërsa Viktor Meier, (kjo është e
ditur), vjen në Kosovë me sugjerimin e Hans Dietrih Gensher, në atë kohë
Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, i cili do të bëhet ndikuesi dhe diktuesi
kryesor për themelimin e LDK-së, ku Jusuf Buxhovi bashkë me Xhemajl
Mustafën dhe tre devijantët e njohur Mehmet Kraja, Ibrahim Berisha,
e më vonë edhe Milazim Krasnqi, do të bartin barrën e themelimit të
LDK-së. Edhe pse Jusuf Buxhovi, disa emra nuk i përmend e citon, për
lexuesin e kujdesshëm merret vesh se qysh në atë kohë do të shihen hezitimet
dhe dilemat e tyre (faqe 179; f. 226), po sidomos në faqën 210, në pasusin e
fundit shpjegohen mjaftë mirë.
Për pjesën ekonomike që do të futet
në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi do
të konsultohet me Ajri Begun, ekonomist i njohur dhe për shumë vite
ishte Guvernator i Bankës së Kosovës, (faqe 208), (Ajri Begu është bashkëshorti i Flora
Brovinës), të cilën edhe dr. Ibrahim Rugova e ka respektuar, por më vonë
edhe ajo, bashkë me disa themelues të tjerë të LDK-së, do të marrin kahe
devijante në dëm të LDK-së dhe madje edhe të Kosovës.
Se, LDK-ja kishte bërë shtrirje dhe
ushtronte edhe ndikimin e saj në themelimin e partive politike te shqiptarët në
Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë s'ka asnjë dyshim, sepse
programi nacional i LDK-së kishte edhe shumë e shumë vlera të tjera që i kanë
takuar asaj kohe, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk janë implementuar, por
tani përmes këtij libri, për shumë kë, duket si një freskim për trutë e
shpëlara nga shpifjet dhe intrigat e bëra vite e vite me radhë, i plasojnë si
tolorancë dhe demokaci.
Edhe pagëzimi i partisë "Lidhja
Demokratike e Kosovës", vjen nga vet Jusuf Buxhovi, kurse në
çështjet e programit dhe të statutit të partisë kanë punuar akademikët Gazmend
Zajmi dhe Fehmi Agani, kurse versioni final i këtyre dokumenteve
është kontrolluar dhe korrigjuar vazhdimisht nga gjermani Horst Wesseler dhe
përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Beograd, Warren Zimmermann, e ndonjë tjetër, por ripublikimi në libër i versionit
origjinal të "Programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës", (faqe 212 – 216), dhe sqarimi i autorit se këtij
versioni iu paskan imputuar fjalë e anekse të caktuara, qet në pah edhe njëherë
turbulencat dhe komplotet e shumta që i ka sfiduar kjo parti, falë udhëheqësit
të saj vizionar dr. Ibrahim Rugova.
Për vrojtuesit e mirë, ka qenë e
ditur, por tani vet autori si protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve e ka
shpjeguar se barra kryesore për përgatitjen e programit, të statutit dhe
dokumentacionit përcjellës, konsultimeve dhe amputimeve, për të gjitha çështjet
deri në çastin sublim ka qenë vet Autori, i cili e ka dhënë edhe propozimin që "kuvendi
themelues të mbahej të shtunën më 23 dhjetor në lokalet e Shoqatës së
Shkrimtarëve të Kosovës në ora 11:00", (faqe 217). Nuk mund të them gjë, por të shtrojë
pyetje publike gjithësesi mundem: “Përcaktimi i mbajtjes së kuvendit themelues
të LDK-së, ishte rastësi apo u bë qëllimisht në Natën e Krishtlindjeve, tamam
ashtu siç thuhet, se në këtë natë u bë "Rilindja e Jezu Krishtit",
kjo natë do të mbetet e bekuar për "Rilindjen e Kosovës
Evropiane"!...”
Me ngjarjet në "Barakën e
Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës", lidhet e gjithë Historia
Demokratike e Kosovës, sepse në te janë zhvilluar dhe mbajtur kuvendet,
mbledhjet dhe takimet më të rëndësishme politike e diplomatike, nga ku rridhnin
ide e iniciativa për ta shpërbërë Lidhjen Komuniste të Kosovës, dhe për
t'i sfiduar strukturat paralele, forcat ushtarake e paramilitare të Serbisë.
Por, për çudinë e të gjithave, paslufta do ta shpërblej "Shoqatën e
Shkrimtarëve të Kosovës", me zhdukjen e gjurmëve të saj, pastaj u zhbë
edhe gazeta e famshme "RILINDJA" e cila luajti një rol të madh në të
gjitha zhvillimet politike në Kosovë, po ashtu këtë fat të zhbërjes e provoi
edhe Radio Televizioni i Prishtinës (RTP), të cilit ia tjetërsuan dhe
përvetësuan pasurinë, në emër të krijimeve të reja... dhe në kuadër të këtyre
shpërbërjeve ka pësuar e po pëson ndryshim radikal edhe vet LDK-ja, (e cila
tashmë nga “Kolona e Pestë”, të cilës po i prinë pasardhësi i Isa
Mustafës, dr. Lumir Abdixhiku), të cilët LDK-në e kanë tjetërsuar në “LIDHJA”,
sllogan që citohet më me ëndje, dhe duke iu shmangur tërësisht kursit të saj
demokratik të ndjekur për dy dekada me radhë nga vet dr. Ibrahim Rugova dhe
Elita Intelektuale e Kosovës, tashmë veteran e themelues, të harruar dhe të
braktisur.
Deri sa në demokraci çdo gjë
rinovohet për "ti shërbyer të ardhmes, duke ruajtur e konservuar të
kaluarën", komunizmi ka si synim shkatërrimin e të tërës dhe mbi
gërmadhat e së kaluarës për t'u hedhur themelet e reja, për t'u nisur gjithmonë
historia nga zeroja absolute. Si duket ky mallkim komunist, Kosovës, më nuk i
erdhi nga Serbia, ky mallkim erdh nga struktura të caktuara për t'ia humbur
Kosovës traditën institucionale, po më shumë më duket për t'i fshehur gjurmët e
një veprimi kobzi, që si rrufeja ra kudo dhe shkretoi shumëçka në Kosovë.
D.m.th. atë që nuk e arriti Serbia në vitin 1990, e bënë struktura komuniste që
zbritën nga mali bashkë me oportunistët demokrat, dhe strukturat e BIA-s serbe
në udhëheqjen e LDK-së, Kosovën e futën në fusnotë.
Po çka është fusnota dhe ku vihet
ajo, ndoshta mund të pyet dikush? Fusnota zakonisht vendoset te një fjalë a
fjali, te një nocion a koncept, ku sqarohet dilema a dyshimi i ngritur e i
shtruar më sipër. Tani "fusnota politike për Kosovën", nuk
sqaron dilema, por hap dilema, përkitazi me çlirimin, përkitazi me të gjitha
aktet juridike e kushtetuese që i ka marrë Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës. E
kjo është e gjysma e së keqes, kur kuptojmë se ka tendenca që e ardhmja e
Kosovës të kthehet kah Lindja, duke bërë përpjekje për t'ia kthyer shpinën
Perëndimit. Kurse vet programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, fal Jusuf
Buxhovit ishte i bazuar në trilogjinë, përkatësisht në trekëndëshin
strategjik: "Barazi, Demokraci dhe Perëndim".
Po ashtu ngjarjet e Dy Korrikut dhe
Shtatë Shtatorit janë produkt i LDK-së, ngjarje këto për të cilat Jusuf
Buxhovi, jo vetëm që ka sjell argumente, por flet me fakte duke e
argumentuar se ishte meritë e LDK-së. Edhe këtu ka rol të madh ndikimi gjerman
dhe kontrollimi amerikan që do ta bëjnë LDK-në dhe dr. Ibrahim Rugovën
të pagabueshme, që bashkërisht me Elitën Intelektuale do ti qojnë proceset
përpara. Ndonëse, jo pak dr. Ibrahim Rugova është kritikuar e madje edhe
akuzuar për veprime krye më vete, kurse në libër dëshmohet e kundërta,
dëshmohet ajo që e dëshironte dhe i besonte Kosova, se dr. Ibrahim Rugova nuk
punonte e as vepronte pa u konsultuar me amerikanët.
Gjithsesi në të gjitha zhvillimet e
Kosovës, nxitja dhe ndikimi gjerman ka qenë evident, por siç shihet edhe nga
libri, me kalimin e kohës gjermanët sa herë kanë ardhur në Kosovë janë
shoqëruar me amerikanët. Unë nuk dua të spekuloj, pasi autor është gjallë, por
më duket se gjermanët çështjen e Kosovës e kundronin në bashkëpunim të ngushtë
me amerikanët në njërën anë, dhe në anën tjetër sikur edhe ata e dinin se ne
shqiptarët ndjeheshim më të sigurt me prezencën e amerikanëve në përpilimin dhe
hartimin e çdo dokumenti dhe në marrjen e çdo veprimi, politik e diplomatik.
Autori nuk ka folur aq gjatë, por në libër potencohet se me kalimin e kohës, në
zhvillimet politike e diplomatike janë inkuadruar edhe britanikët si partner dhe
aleat të Amerikës.
Ndoshta njëra nga temat më
interesante e cila është trajtuar me mjaftë ngrohtësi e emocione është "Vizita
në SHBA dhe promovimi i Rugovës lider shqiptar", ku secili lexues mund
ta kuptojë ndikimin dhe bashkëpunimin e mirë që kishte dr. Ibrahim Rugova me
amerikanët, dhe do t'i përjetoj ato emocione edhe tashti pas kaq e kaq vitesh.
Refreni i dr. Ibrahim Rugovës, para
ambasadorit amerikan Konak se "Nuk jemi vetëm", (faqe 254), kur e kishte fjalën për listën e
delegacionit kosovarë që do të udhëtonte për në Amerikë, jep për të kuptuar
prizmin e një vizionari i cili dinte të afronte dhe t'i qetësonte kundërshtarët
e papërmirësueshëm në njërën anë, kurse në anën tjetër shihet edhe elementi
human i një lideri popullor, që shikuar nga distanca kohore, në një
retrospektivë për atë kohë, mund të interpretohet:
Për një frymë tolerante dhe mjaftë
demokratike që po e instalonte LDK-ja në atë kohë.
Për përpjekjen gjithëpërfshirëse,
duke mos përjashtuar e anashkaluar asnjë shtresë qytetare.
Për humanizmin e dr. Ibrahim
Rugovës për ta ndarë suksesin edhe me të tjerët.
Ndoshta këtu mund të futet edhe
qëllimi i mirë i Jusuf Buxhovit, (qoftë ky sugjerim i ardhur nga dr.
Ali Aliu), për t'i dal hakut edhe akademik Rexhep Qosjes!
Pasi, shkrimi "Dilema:
Rugova apo Qosja?...", i ka qartësuar edhe shumë dilema të asaj kohë
që për vite të tëra kanë qarkulluar gojë më gojë, edhe në Prishtinë por edhe
kudo në Kosovë, se gjoja LDK-ja e ka refuzuar edhe Rexhep Qosjen, por edhe Adem
Demaçin, përkundrazi në libër del e kundërta.
Jusuf Buxhovi, jo pak ka ditur të
krijoj edhe situata humori dhe sarkazmi, ta zëmë kur e përshkruan udhëtimin e
gjatë me aeroplan përmbi Oqeanin Pacifik, ai shkruan: "Rugova kishte
dremitur në ulësen e shtrirë, por si do të thotë të nesërmen, më shumë ishte
marrë me shqetësimin e asaj që ofronte ky takim, se sa me mundimin e fluturimit
të gjatë që nuk kishte dashur ta pranonte se ju kishte frikësuar bukur
shumë", (faqe 256 – 257).
Sarkazmin që e ka modifikuar Jusuf Buxhovi në këtë pasus, që e cituam më
parë, se Ibrahim Rugova nuk paska dashur ta pranonte se qenka frikësuar nga
udhëtimi i gjatë, është po aq e saktë, aq sa ka qenë frika për vdekjen e tij
reale, që nuk e pat hall kurrë Ibrahim Rugova?! Ai, pra Rugova, e pati hall dhe
shkoi me shqetësimin e madh, pasi e dinte se as LDK-në dhe as Kosovën nuk po i
linte në duar të sigurta. Kjo sarkazëm, (të cilën e interpretova edhe unë me
mënyrën time), ka të bëjë vetëm me të vërtetën për gjendjes reale në
Partinë e tij LDK, dhe në Kosovë.
Trajtimi i Ibrahim Rugovës si
burrështeti, është një segment, madje ndër më të veçantit e atij udhëtimi, i
cili edhe tani mund të përjetohet mirë dhe me emocione, në anën tjetër takimi
me gazetarin e "The New York Time", Dejvid Bajder, lotët e tij
për Ylfete Humollin, janë përshkruar me mjaftë ndjenjë dhe emocione, e ku
autori nuk ka harruar të shpjegojë, në fund të atij rrëfimi, për devijimin e
tij, kur vite më vonë, po ky gazetar, te e njëjta gazetë do ta mbroj "Serbinë
nga trysnia ndërkombëtare?!", gjë që edhe vet Jusuf Buxhovi,
shprehë habinë e tij për këso ndryshimesh radikale, të një personaliteti me
emër e nam siç ishte Dejvid Bajder. Në kuadër të këtij udhëtimi është trajtuar
në mënyrë profesionale edhe "Shou amerikan me përcjelljen e dr. Ibrahim
Rugovës" si dhe "Premtimet dhe kërcënimet e Robert
Dolit", në takimin që kishin pasur në zyrën e tij, Ibrahim Rugova
e Jusuf Buxhovi në njërën anë, dhe Peshkopi serb dhe Dobrica Qosiq nga
pala serbe.
Autori, përkatësisht Jusuf
Buxhovi, nuk ka lënë pa prekur edhe përpjekjet e dr, Ibrahim Rugovës dhe të
Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta demokratizuar Shqipërinë e
udhëhequr nga komunisti Ramiz Alia, si dhe përpjekjet për të mos krijuar hendek
në mes Adem Demaçit dhe LDK-së, i cili jo pak lëvizjes Demokratike në Kosovë i
ka shkaktuar dëme dhe përçarje, ashtu sikurse që flet me kompetencë edhe për
grupet marksiste – leniniste në diasporë që ishin të kontrolluara nga Tirana.
Edhe vet LDK-ja, por edhe vet
autori sikur kanë pasur mëshirë dhe kanë treguar humanizëm të tepruar, ndonëse
as në libër nuk i ka shpëtuar vlerësimi i saktë se kur "LPK të lëshoj
<aleancën> dhe t'i kthehet rrugës së saj të njohur të veprimit, ku vendin
e armikut të saj të deriatëhershëm - Serbisë, dukej se më shumë e kishte zënë
lufta kundër LDK-së dhe autoritetit të saj jashtë dhe brenda", (faqe 315), do të nisin eliminime dhe qërim hesapesh
në mes vete?! Ndoshta ishin këto indikacione për t'i vetëdijesuar politikanët e
rinj, me të cilët në "Kuvendin e parë të LDK-së", do të
kalohet një sfidë e madhe pa u "pushtuar kalaja nga brenda?!",
sepse në listën prej 110 vetave do të kalojnë të gjithë themeluesit e LDK-së,
kurse me t'u kthyer autori i librit në shtëpinë e tij, do ta gjej urimin e
ambasadës amerikane ku thuhej: "Urime edhe për një fitore tuaj të madhe
kundër komunistëve!", (faqe
317). Ndoshta, për shumë kë, ky urim duket absurd, por për njohësit e asaj kohe
mund të përjetohet më dhembshëm, kur dihen sfidat dhe fitorja e LDK-së karshi
kurtheve e intrigave të njëpasnjëshme që i bëheshin Ibrahim Rugovës, për të
dështuar Ai dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Libri mbyllet me shkrimin
emblematik "Rugova midis ikonës dhe realitetit", në të cilin
përshkruhet, jo vetëm një takim i rëndomtë me mikun dhe prijësin e tij
shpirtëror, por nuancat e përjetimit të asaj gjendje shpirtërore që në ato kohë
mund t'i kishte "Ikona e pavarësisë së Kosovës", i cili me të
drejt "druhej nga hakmarrja komuniste", (faqe 346), dhe tentativa e përmbysësve që shpërndahej
gjithandej, në të cilën sikur edhe vet autori kishte rënë, në çastin kur po
largohej nga takimi me të, madje në një përfytyrim halucinacionesh atij "i
dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga
ajo e sojit stalinist, i'u kishin vu pas dhe po e ndiqnin nga të gjitha
anët...", (faqe 347).
PËRFUNDIM:
Jo vetëm për “Trilogjinë
publicistike”, por veçmas për rolin e tij
në Themelimin e LDK-së, Jusuf Buxhovit duhet t'i pranohen
meritat, veçmas për angazhimet në atë kohë, ndërsa puna e tanishme letrare,
publicistike dhe historiografike, kaq produktive dhe kaq voluminoze, është
epitafi më kuptimplotë për Kosovën, dhe pavarësisht nga injorimet(?!) që i
bëhen atij dhe Elitës Intelektuale, vepra e tyre ka pasur peshë historike dhe
do të ketë suksese të mira dhe të paharrueshme.
Rëndësia e trilogjisë "KTHESA
HISTORIKE", edhe nëse nuk është trajtuar aq sa e ka merituar, është tek e
vërteta, se në këtë trilogji është thënë e VËRTETEA E MADHE për LDK-në dhe për
Kosovën. Në anën tjetër, duhet të shpresojmë se fati i veprës së mirë, njihet e
shijohet pas dekadave të tëra, (jo në kohën e autorit), veçmas kur ka
rrëmuja e rrëmete si tek NE, dhe veçmas kur misione të caktuara kanë tendenca
për ti përmbysur të gjitha vlerat që e kanë bërë "Epokën e Vet".
Nga kjo që trajtuam, besoj, më së
paku i ka hije shoqërisë sonë demokratike të sillet me kaq mospërfillje, jo
vetëm me protagonistët e "Epokës së LDK-së", por edhe me Jusuf
Buxhovin, i cili me punën e tij e ka bërë veten të njohur. Jusuf Buxhovi,
është personalitet i cili e ka bërë në disa vëllime edhe "HISTORINË E
KOSOVËS", ashtu siç e ka bërë në kohërat më të errëta "Epokën
e Madhe të LDK-së"!...
23-24 dhjetor 2021.