Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Çfarë e lidhë Reformacionin protestant me fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe?
E merkure, 05.01.2022, 09:30 PM
Çfarë e lidhë Reformacionin protestant me fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe?
Pse
vetëm nëntë vite pas vdekjes së Martin Luterit, botohet përkthimi i parë në
shqip i shkrimeve të shenjta, Meshari i Gjon Buzukut ( si sot 467 vjet më
parë)?
Teksti në vazhdim është shkruar tre muaj më parë
Nga
Blerim Latifi
1.
E
pranova me kënaqësi ftesën e pastorit dhe mikut tim Femi Cakolli që të marrë
pjesë dhe të mbaj një fjalë të shkurtër në promovimin e librit “Reformacioni
protestant” të autorëve amerikanë James Bell dhe Tracy Macon Sumner.
Është
kënaqësi të shohim se si një libër, që na sjell një pasqyrë të thuktë të
historisë së Reformacionit protestant, më në fund e kemi edhe në gjuhën shqipe.
Mbase
me këtë mund të mbushet sadopak vakumi i madh i njohurive që, tradicionalisht
dhe fatkeqësisht, ekziston në sistemin tonë edukativ mbi lëvizjen e madhe
historike të këtij reformacioni.
Se
cilët janë faktorët që e kanë determinuar këtë vakum dhe këtë mungesë
njohurish, kjo është një çështje e rëndësishme për t’u diskutuar, por sot unë
nuk e gjej të udhës që të ndalem në trajtimin e saj.
Megjithatë
në fund të fjalës time, do t’i kthehem kësaj çështje, në funksion të vlerësimit
të rëndësisë që ka botimi në shqip i këtij libri.
Unë
vij nga fusha e filozofisë dhe e shkencave sociale, kështu që edhe perspektiva
nga e cila unë e gjykoj peshën dhe rëndësinë e botimit të këtij libri në gjuhën
shqipe, është perspektivë e këtyre shkencave.
Ngjarjet
historike të shekullit të 16, të cilat ne sot i përmbledhim nën emrin
“Reformacioni protestant”, kanë një rëndësi tejet të madhe në analizat
shkencore që bëhen në kuadrin e shkencave sociale, shkencave historike, dhe në
debatet themelore të filozofisë moderne.
Në
epiqendër të shkencave sociale është debati shkencor mbi modernitetin, mbi
natyrën dhe karakterin e tij, dhe sigurisht mbi faktorët që e determinuan
shfaqjen e tij.
Ekziston
një bindje, pothuajse konsensuale, midis studiuesve të shkencave sociale dhe
historike se Reformacioni protestant përbën në mos faktorin kryesor, njërin
ndër dy tre faktorët vendimtarë që kushtëzuan shfaqjen e modernitetit, si një
epokë e re në historinë e njerëzimit, epokë gjatë të cilës ndodhën ndryshime
rrënjësore në të gjitha fushat e jetës njerëzore.
Rrjedhimet
e këtyre ndryshimeve përbëjnë botën në të cilën ne sot jetojmë.
Natyrisht,
këto ndryshime nuk do të ishin të munduara pa frymën e emancipimit të shpirtit
njerëzor, të cilin e mundësoi Reformacioni protestant.
Njëra
nga tezat më të famshme në shpjegimet sociologjike të modernitetit është teza e
sociologut të njohur gjerman, Maks Veber, i cili, padyshim, është njëri ndër
shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve në fushën e shkencave sociale.
Veberi
në veprën e tij tanimë klasike “ Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit”,
shtron tezën se kapitalizmi modern, i cili u ka dhënë formë të gjitha
segmenteve tjera të shoqërisë moderne, e ka bazën në etikën protestante të
punës.
Për
shekuj me rradhë puna ka qenë njëra ndër veprimtaritë më të nënçmuara
njerëzore. Ajo është parë si një veprimtari e lidhur me vuajtjen dhe
skllavërinë. Njëlloj mallkimi që bie mbi njeriun.
Nuk
është e rastësishme pse edhe fjala shqipe “punë” e ka këtë konotacion
pezhorativ. Ajo vjen nga fjala e greqishtes së vjetër “ponein”, e që ka kuptim
e vuajtjes, të mundimit, të lodhjes. Edhe sot na ka mbetur shprehia që kur e
shohim dikë duke punuar e pysim : A u lodhe?
Në
etikën protestante, shkruan Veber, ky qëndrim ndaj punës ndryshon radikalisht,
nga një qëndrim për punën si një mallkim, në qëndrimin për punën si një bekim e
virtyt.
Ky
transformim shpie në lindjen e kapitalizmit racional, në të cilin akumulimi i
kapitalit nuk bazohet në format tradicionale të pasurimit, siç kanë qenë lufta,
pushtimi, grabitjet e plaçkitjet, por në veprimtarinë e lirë prodhuese. Në
etikën protestante të punës e vetmja pasuri e ligjshme është ajo që është
produkt i punës. Xhon Loku dhe Adam Smith, njëri themelues i liberalizmit
politik dhe tjetri themelues i liberalizmit ekonomik, pikëpamjet e tyre mbi
shoqërinë moderne i mbështesin pikërisht mbi këtë koncepcion protestant mbi
etikën e punës.
Më
tutje Veber shpjegon se duke hequr ndërmjetësimin sakramental të Kishës midis
Zotit dhe njeriut, Reformacioni protestant hapi shtegun për për dy procese
fundamentale që e karakterizojnë gjithë modernitetin: racionalizimin e botës
dhe sekularizimin e shoqërisë.
Me
racionalizimin e botës i hapet shtegu lulëzimit të diturive dhe shkencave
moderne, falë të cilave njerëzimit sot ka arritur në transformime të tilla
teknologjike, të cilat epokat paramoderne nuk kanë qenë në gjendje as t’i
imagjinojnë.
Ndërkaq,
me sekularizimin e shoqërisë bëhet i mundur zhvillimi i të gjitha
institucioneve politike moderne të bazuara mbi idetë e lirisë dhe të
demokracisë.
Të
gjitha liritë, rreth të cilave diskuton dhe polemizon mendimi modern, e kanë
zanafillën e tyre në lirinë fetare. Dhe kjo liri fetare zanafillën e saj e ka
në Reformacionin protestant. Duke hequr ndërmjetësimin sakramental të Kishës
midis Zotit dhe njeriut, Reformacioni protestant heq njëkohësisht
ndërmjetësimin midis njeriut dhe shkrimeve të shenjta.
Sola
scriptura, është njëra nga parimet e famshme protestante.
Çka
nënkupton ky parim?
Mundësinë
e leximit të lirë të shkrimeve të shenjta. Nuk ka të vërteta të gatshme e
përfundimtare. Nuk ka autoritete që e mbajnë monopolin mbi të vërtetat dhe
leximin e shkrimeve të shenjta.Secili njeri fiton të drejtën t’u qaset atyre në
liri të plotë, pa ndihmën e ndërmjetësuesve.
Kanti,
më shumë se dy shekuj pas Luterit, shkruan se parulla e Iluminizmit është
Sapere aude!, Kij guxim të dish!, Kij guxim të mendosh dhe ta përdorësh arsyen
tënde në mënyrë të pavaur, pa ndihmën e autoriteteve të jashtme!
Sapere
Aude e Kantit në fakt është shprehje filozofike e principit të Sola Scriptura
të protestantizmit, sepse edhe ky princip na fton që të guxojmë ta lexojmë në
mënyrë të pavarur shkrimin e shenjtë, pa ndihmën e ndonjë autoriteti
paternalist.
Por
nëse nuk kemi asnjë autoritet paternalist që na udhëzon se si t’i lexojmë dhe
kuptojmë të vërtetat e shkrimeve të shenjta, atëherë nga çfarë duhet të nisemi?
Në
cilën instancë duhet ta mbështesim përpjekjen dhe kërkimin tonë?
Është
e qartë se na mbetet vetëm një rrugë : arsyeja.
Me
Luterin, shkruan Heinrich Heine, poeti i madh gjerman, inteligjencës njerëzore
i njihet e drejta për t’i shpjeguar dhe interpretuar shkrimet e shenjta. Por jo
vetëm kaq. Arsyeja gradualisht bëhet gjykatësi suprem në të gjitha kontraversat
dhe mosmarrëveshjet religjioze.
Kështu
liria spirituale shndërrohet në liri të mendimit dhe liria e mendimit shërben
si pikënisja e vetë Iluminizmit- revolucionit më të madh intelektual që ka
njohur njerëzimi në historinë e tij.
Pa
e kuptuar thelbin e heqjes së ndërmjetësimit sakramental të kishës, nuk mund ta
kuptojmë as thelbin e vetë filozofisë moderne.
Nga
Bacon dhe Dekarti e deri tek Kanti e Hegeli, filozofia moderne karakterizohet
nga kërkimi i lirë i diturive më të larta dhe i vetë Absolutit. Midis filozofit
dhe Zotit nuk qëndron më asnjë instancë ndërmjetësuese dhe udhëzuese. Rruga për
tek Zoti duhet të gjendet vetë, duke ndjekur vetëm dritën e arsyes.
Heine
argumenton se e gjithë filozofia gjermane, përfshirë pjesën më të rëndësishme
të saj, Idealizmin gjerman, është rrjedhojë e Protestantizmit, ndërsa
revolucioni intelektual të cilin e bën Idealizmi gjerman, është më dramatik se
edhe vetë revolucioni politik i francezëve i vitit 1789.
2.
Principi
i Sola Scriptura ka pasur edhe një rrjedhojë tjetër revolucionare në shoqërinë
moderne.
Cila
është kjo rrjedhojë?
E
drejta e njerëzve për ta lexuar në gjuhën e tyre shkrimin e shenjtë. Dihet se
Luteri i pari i hyri punës për ta përkthyer Biblën në gjuhën gjermane. Me
vendosjen e kësaj të drejte, rrjedhimet tjera janë të mënjehershme : duke e
lexuar në gjuhën e tyre etnike shkrimin e shenjtë, njerëzit nisin t’i japin
formë praktikave kombëtare në ushtrimin e besimit të tyre. Kështu merr jetë e
drejta që secili komb të mund ta ushtrojë besimin në gjuhën e tij. Kështu ne
jemi vetëm një hap larg nga epoka e kombeve.
Kisha
Katolike, e cila në fillim ju kundërvu ashpër Reformacionit protestant, e pa
dobinë praktike të përkthimit të shkrimeve të shenjta në gjuhët etnike të
besimtarëve të saj.
Në
Ballkan, si pasojë e invadimit osman, katolicizmi rrezikohej të zhdukej
krejtësisht, prandaj si një masë mbrojtëse kundër këtij rreziku, Kisha Katolike
nisi përkthimin e shkrimeve të shenjta në gjuhën etnike të katolikëve të
Ballkanit, të cilët në shumicën e tyre ishin shqiptarë etnikë.
Kështu
lindi literatura e parë e shkruar në gjuhën shqipe, e cila do të shërbente më
pas si themel për ngritjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Nuk është e
rastësishme që vetëm nëntë vite pas vdekjes së Martin Luterit, botohet
përkthimi i parë në shqip i shkrimeve të shenjta, Meshari i Gjon Buzukut, i
cili më pas u pasua nga veprat e Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Mazrekut,
Andrea e Pjetër Bogdanit, e shumë të tjerëve.
Po
e theksoj këtë gjë, për të dhënë idenë se literatura e hershme e shkruar në
gjuhën shqipe, nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të ideve të përhapura nga
Reformacioni protestant.
Ne
sot polemizojmë me emocione se kush ka kontribuar më shumë në lëvizjen e
Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shekullit të XIX, shqiptarët muslimanë,
shqiptarët katolikë apo ata ortodoksë.
Dhe
në këto polemika e harrojmë një fakt tejet të rëndësishëm : Protestantët kanë
qenë të parët që kanë nisur iniciativat konkrete në letrarizimin modern të
gjuhës shqipe, letrarizim që përbën fazën e parë në procesin historik të
formimit modern të ndërgjegjës kombëtare shqiptare.
Dhe
këto iniciativa nisin qysh në vitin 1816 kur në Vjenë ndodhi një takim midis
Robert Pinkerton, përfaqësues i British and Foreign Bible Society dhe disa
shqiptarëve që jetonin aty.
Në
këtë takim u hodh ideja e përkthimit në shqip të shkrimeve të shenjta. Në vitet
dhe dekadat në vazhdim kjo ide u materializua konkretisht dhe kështu zuri fill
ideja e madhe kombëtariste shqiptare, baza mbi të cilën qëndron i gjithë
identiteti kombëtar shqiptar : Shqiptarizimi i ushtrimit të besimit fetar. Kjo
ide natyrshëm buron nga principi luterian i leximit të shkrimeve të shenjta në
gjuhën kombëtare.
Në
këtë kontekst, Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk mund të kuptohet pa kontributin
fillestar dhe tejet të rëndësishëm të misionarëve protestantë ( të huaj dhe
shqiptarë). E këtij të kuptuari sigurisht i ndihmon shumë edhe ky libër shumë i
vlefshëm, të cilin po e promovojmë sot.