| E hene, 03.01.2022, 07:54 PM |
NË FOKUS
Krijimtaria
letrare, fenomeni i sfidave krijuese nëpër kohëra dhe pesha e vitit 2021
PUNA E SHKRIMTARIT, ËSHTË
E RËNDË POR E SHENJTË...!
Nga
Sejdi BERISHA
Krijimtaria
letrare dhe krijuesi sikur janë themelet më të vjetra të njerëzimit. Dhe, nëse
është kështu, atëherë pesha, roli dhe rëndësia e këtyre dy faktorëve, jo vetëm
se janë domethënës, por janë ajo pasqyra dhe drita e njerëzimit. Mirëpo, është
karakteristike, se krijuesit në shumë periudha kohore, mbase edhe gjithnjë,
disi si janë përbuzur, andaj edhe ky realitet ua ka rënduar jetën dhe ua ka
bërë plotësisht të veçantë, e të ngarkuar me gjithçka që rrugëtimin krijues e
përcjell. Andaj krijuesi, si i tillë, i cili më shumë është përballur por edhe
përballet me problemet sociale, me përplasjet, me kohërat dhe sistemet, por që
të gjitha këto atë e kanë bërë të qëndrueshëm, problem të cilit i druan shoqëria,
por që ai gjithnjë është promotor i komuniteteve dhe i kombeve në çdo kohë,
situatë dhe periudhë.
Të gjitha këto i theksova, se krijuesi në trojet tona, sikur diku më shumë e
diku më pak, veprën dhe jetën e tij e ka të mbingarkuar me shumë probleme, bile
edhe nder ato më banalet. Ndoshta edhe për këtë arsye, ata janë ose duken se
janë të shkapërderdhur, edhe nganjëherë të ndarë me atë tharmin e inateve, që
krijimtaria letrare, shpirti i krijuesit nuk ishte dashtë ta tolerojë kurrë dhe
në asnjë rast e situatë.
Po kështu ishte edhe krijimtaria e shkrimtarëve në vitin që e lëmë pas. Ky vit,
përkundër lëvizjeve të rënduara shoqërore mbase edhe të vetë dukurive e
problemeve që na i sjellë natyra, edhe pse kanë qenë angazhime të bollshme dhe
pothuaj se kudo, megjithatë, lënë përshtypjen se më shumë u ngjajnë takimeve
kurtuazie dhe sa për t’u takuar miqtë në mes vete, sesa takimeve ku janë
prezantuar vlerat e qëndrueshme dhe ato që i japin begati vulës së historisë
dhe kulturës kombëtare.
Promovimet dhe botimet e shumta, krijojnë njëfarë
kënaqësie edhe për autorët edhe për ata që i përgëzojnë shkrimtarët, por ende
mungon sa duhet organizimi i mirëfilltë dhe cilësor, dhe se aktivitetet e tilla
mund të zbehen dhe të harrohen shumë lehtë...
Është për çdo lëvdatë fenomeni
i “daljes” në skenë të krijuesve të rinj, të cilët i ushqejnë dhe i trimërojnë
shpresat e tyre për t’u bërë krijues të mirëfilltë, por e tërë ky invazion më
shumë ka qenë me libra e botime me vlera që nuk kënaqin, e që njëherësh
ndikojnë jo shëndetshëm edhe në rrugëtimin e krijuesve të gjeneratave të reja,
por edhe në vlerat e qëndrueshme letrare kombëtare.
Promovimet dhe botimet e shumta
gjatë vitit 2020, krijonin njëfarë kënaqësie edhe për autorët edhe për ata që i
përgëzonin shkrimtarët, por që aktivitetet e tilla, pothuaj se menjëherë
harrohen dhe i mbulon pluhuri i harresës, që është reflektim i punës rutinore
apo edhe kuantitative. Në këtë aspekt, po ashtu, kujtoj se edhe në këtë vit
ishte një punë “vetjake”, si e klubeve dhe e shoqatave, por edhe e vetë
krijuesve, e që kjo ndikon negativisht në aspektin e bashkimit të vlerave, për
t’i prezantuar ato në nivelet më të larta, në instancat ku afirmohet edhe fjala
edhe shkruar, edhe krijuesi.
Ndërsa, duke u nisur nga e tërë kjo që theksova, por edhe nga problemet e
natyrave të shumta që i solli pandemia, respektivisht, COVID-19, dhe jo vetëm
pandemia, viti 2021 ishte një ecje me "paterica" në të gjitha fushat,
pra, edhe në atë të krijimtarisë letrare. Megjithatë, krijuesit kurrë nuk janë
dorëzuar dhe as nuk janë zhgënjyer nga asnjë luftë, nga asnjë e papritur, nga
asnjë shtrëngesë e pengesë. Përkundrazi, të gjitha këto kanë shërbyer për
begatimin e inspirimit edhe më të thuktë, edhe më të sertë, edhe më filozofik
të tyre...
Ikja e shkrimtarëve është e rëndë e prekëse dhe të dhembshme që e dridh,…e
trondit edhe tokën...!
Mirëpo është edhe një dukuri, së shoqërinë por edhe krijuesin e zë ngushtë
për shumë gjëra që shpirtin ia ndrydhin, e një prej tyre është edhe “ikja” e
shkrimtarëve! Bile, ikja tek ne, çfarëdo ikje qoftë, çuditërisht është si diçka
e zakonshme(!), që nuk na bën përshtypje edhe kur prej nesh ikën ajo që të
tjerët do ta lakmonin dhe do ta prisnin me decenie e me decenie, atë që do ta
kultivonin dhe respektonin deri në fund të fundit. Pse është kështu?!
Arsyetimet janë ose nuk janë nga shumë kënde dhe të shumëllojshme, bile edhe të
pamatura e shpesh edhe tejet sipërfaqësore e të papërgjegjshme, qesharake.
Mendime që shpesh ua vënë disa vula të zverdhura, apo shenja për të treguar se
ne i braktisim gjurmët, ua vëmë pluhurin pikërisht me ikjen dhe me harresën e
qëllimshme apo të paqëllimshme të shkrimtarit.
Njerëzit, pra, edhe
shkrimtarët, për kombin janë ushqim ashtu siç është gjaku për trupin. E,
shkrimtarët ikin në mënyra të ndryshme. Ata i kanë muzat e tyre që u flasin, u
shushuritin dhe ua përkujtojnë gjërat. Pikërisht për këtë, ata janë shumë
delikatë dhe shpesh tretën duke kënduar, venitën duke medituar,… Ata, shpesh
pëlcasin nga parakumtët, nga pafuqia e zërit, nga rrënimet e ngritjet. Janë
naksa, shkrimtarët! Shpesh ndodh që ikjet e tyre janë të shumëfishta, të pa
kthim, të rënda e prekëse dhe të dhembshme që e dridhin,…e tronditin tokën. Për
këtë, ata nuk e dëshirojnë ikjen në çfarëdo mënyre, sepse janë të lidhur me
tokën, bile shpesh edhe përtojnë të ikin edhe në mënyrën-ikje përgjithmonë, pa
i thënë të gjitha ato që ua dedikon mendja e tyre, që ua dedikojnë muzat e
tyre, pa ia çmuar e vlerësuar shoqëria.
Por,… edhe ikjet e tyre janë të
çuditshme, e që kjo temë do të shpenzonte mijëra faqe e fletë fletoresh dhe
sërish do t’u mbetnim borxh këtyre kasnecëve kryeneçë, të cilët shpesh nuk
pajtohen as me vetveten. E dinë ata vetë për çfarë arsye...!
Sikur të na tregonin arsyen, do
të na rëndohej jeta me mungesën e respektit, me nënçmimet, me urinë dhe etjen e
tyre?!... Andaj, nuk do t’ia dilnim dot kësaj teme, por ikja,… ikja është
gjithnjë trishtuese...!
Në këtë kontekst, më kujtohet Faik Konica i "ikur",…edhe amaneti i
tij për dy metra tokë në atdhe! Pra, ikja si ikje, ikja si kthim,… kthimi si
ikje, athua a duan studim dhe koment?!
Dhe, për fund, kujtoj rrugëtimi
i shkrimtarit është i rëndë dhe i dhembshëm, sepse, në penën e tij përherë mund
thahet ngjyra, dhe kështu shkrimin e lë të pakryer.
Po ashtu, është e padrejtë që
shkrimtari të vdes në dhe të huaj,… Për këtë le të mendojë kush si të dojë...
Kjo është e vërtetë e cila lë
hapësirë për komentim dhe për qortim...!
Këtë shkrim, m’u duk e arsyeshme që ta përfundoj me mendimin e dijetarit nga
Kina Ming Çu: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh
ata, është njësoj sikur t’i thërrasësh ata në gosti dhe t’ua mbyllësh portën
për të mos i lënë për të hyrë brenda”...!
(©S. B.)