Përjetësi » Ismajli
Nuhi Ismajli: Kriteri fetar, kriza e identitetit dhe heshtja e “të urtëve”
E marte, 04.01.2022, 09:14 PM
Kriteri fetar, kriza e identitetit dhe heshtja e “të urtëve”
Nga
Nuhi Ismajli, 2013
Në
shek. XV-XVI, kur shqiptarët u cenuan ashpër nga pushtimi osman, urtia
shqiptare aktivizoi vetëdijen për besën ose besimin fetar të krishterë të
vendësve, besimin e vjetër të vendit, në raport me besimin tjetër, të
pushtuesve, dhe vetëdijen për vlerën e vendit e të lirisë, si dhe obligimin për
mbrojtjen e jetës e të dinjitetit të popullit dhe të vendit. Urtia shqiptare e
asaj kohe, kundër rrënimeve që sillte pushtimi osman, gjeti e frymëzoi
heroizmin shqiptar, i cili shërben si një shembull i shkëlqyer i heroizmit,
dinjitetit, identitetit e urtisë njerëzore e kombëtare të të gjitha kohërave.
Urtia shqiptare e shek. XV-XVI, rrënimeve të pushtimit osman iu kundërvu edhe
përmes krijimit të veprave monumentale kombëtare, në latinisht, në gjuhën
universale të shkencës e të kulturës së asaj kohe, për të përjetësuar heroizmin
shqiptar të kohës e për ta lënë atë si një mësim të rëndësishëm për brezat, si
dhe për ta bërë të njohur në botë lavdinë shqiptare. Ajo kërkoi e gjeti ato
vlera të nevojshme kombëtare të kohës, si respekti për besën, si quhej atëherë
besimi i krishterë, respekti për heroizmin kombëtar në luftë për lirinë e
vendit e të popullit, si dhe respekti për heronjtë e kryeheroin kombëtar
(Skënderbeun), të cilat i ngriti në
kulte.
Në
rrethanat e mëpastajme të pushtimit osman, urtia shqiptare kërkoi ato vlera, të
cilat synim kishin arritjen e lirisë dhe mënjanimin e pasojave që sillte
robëria. Ajo këmbëngulte në ato vlera, të cilat i kundërviheshin pushtuesit,
prandaj edhe në shek XVI-XVII e tutje, u vazhdua me kultin e besimit të
krishterë, si besim i vjetër, i vendit e si kundërvënie ndaj besimit të
pushtuesit, por edhe si burim i frymëzimit të vlerave të identitetit kombëtar.
Besimi i krishterë, siç dihet, njeh kombet, gjuhët, karakteret, veçantitë e kulturave
dhe mirëpret avancimin e tyre dhe jo nënshtrimin ndaj universales dhe
asimilimin e tyre. Prandaj, të frymëzuar e të edukuar edhe nga pikëpamjet
biblike për gjuhët, filozofët shqiptarë, në atë kohë të rrezikimit të vlerave
të identitetit kombëtar, e ngrenë në kult gjuhën shqipe, shkrimin dhe krijimin
shqip, arsimin kombëtar, çlirimin njerëzor e kombëtar, kultin për heronjtë e
natyrën kombëtare etj. Në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, veçmas në
gjysmën e dytë të shek. XIX, në kohën e zgjimit nga letargjia dhe të
kthjellimit nga dehja e “të mirave” të pushtuesit të një pjese të shqiptarëve,
urtia shqiptare drejtoi shikimin nga e kaluara për të marrë mësimin nga kultet
e së kaluarës e për t’i ringjallur ato, si kultin e lirisë së atdheut, kultin e
heroizmit e të heroit kombëtar, kultin e dashurisë dhe të përkushtimit ndaj
gjuhës kombëtare, kultin e arsimin kombëtar shqip, kultin për natyrën e atdheut
etj., por kërkoi e gjeti edhe vlera të tjera, të cilat i kërkonin rrethanat
kombëtare, ndër të cilat edhe idenë dhe idealin e unitetit të nevojshëm
kombëtar dhe të tejkalimit të ndasive të ndryshme kombëtare, si p.sh. të
ndasive fetare. Kështu, duke parë rrezikun e përçarjes fetare ndërmjet
shqiptarëve, shqipton fuqishëm idenë dhe idealin e unitetit kombëtar. Pas
Luftës së Dytë Botërore, mendimi shqiptar është përqendruar mbi idetë dhe
porositë kombëtare të së kaluarës, veçmas atyre të rilindësve, të cilat i ka
studiuar, interpretuar, vlerësuar dhe
afirmuar si vlerat më të rëndësishme për edukimin kombëtar. Kjo është një vlerë
e madhe kombëtare, pasi përmes saj është afirmuar filozofia kombëtare e
rilindësve, e cila është e vetmja filozofi e denjë për historinë e përjetshme
të shqiptarëve.
Në
kohën tonë jemi në një situatë paradoksale. Ky mendim me taban kombëtar nuk
ndihet i gjallë. Veç tek-tuk, aty-këtu, ndonjë intelektual, ngre zërin sa për
të shprehur habinë për rrezikimin e identitetit kombëtar shqiptar, si dhe për
vështirësitë serioze për t’u marrë me të. Gjendja e identitetit shqiptar sot
është në një situatë tejet absurde, sepse identiteti shqiptar sot nuk është i rrezikuar vetëm nga tendencat
dhe rrethanat e sotme mbizotëruese botërore (globale) dhe nga nevojat
ekzistenciale të shqiptarëve, por edhe nga tendenca antishqiptare brenda vetë
botës shqiptare dhe nga subjekte “shqiptare”, të cilat flasin “si shqiptarë”
dhe në emër të shqiptarëve. Kështu, tani gjithnjë e më shumë individë iu
bashkohen disa “studiuesve” e “krijuesve” të dikurshëm, të cilët mohonin vlerat
e së kaluarës shqiptare, por, ç’është edhe më keq, individëve të tillë sot iu
bashkohen edhe institucione e parti politike, të cilat mohojnë tipare e vlera
qenësore të kombit shqiptar dhe i mveshin atij tipare të cilat e zhbëjnë atë.
Ç’t’i thuhet kësaj situate kur “shqiptarët” duan dhe luftojnë për ndarje të
shqiptarëve në pikëpamje fetare?! Ç’t’i thuhet kësaj situate kur vlera dhe
figura të mëdha kombëtare mohohen e përdhosen për shkak të përkatësisë tjetër
fetare?! Ç’t’i thuhet kësaj situate kur shqiptari, i deklaruar si shqiptar,
vëlla shpall të huajin, kurse të mosdashur dhe jovëlla vëllanë e vet?! Ç’t’i
thuash kësaj situate kur institucionet kryesore të vendit (të Kosovës, po edhe
të Shqipërisë), deklarojnë se kanë strategji të njëjtë me ata që dihet se
synojnë pushtimin e shqiptarit e asimilimin e tij dhe kur, sipas kërkesave të
tyre antishqiptare, duan ta ndryshojnë edhe arsimin kombëtar shqip?! E të
tjera, e të tjera absurditete, ndër më të çuditshmet, të cilat mund t’i bien
mbi kokë vetëm ndonjë mëkatari të madh! Po, shih absurdin mbi absurde! Edhe në
një situatë të tillë mendimi shqiptar po hesht! Po fle! Ka rënë në gjumë! Apo
në komë? Nuk po bëjnë zë as ata që veprat kryesore të tyre ua kanë kushtuar
rilindësve dhe që përplot entuziazëm kanë përhapur idetë dhe idealet e tyre!
Jo! Po heshtin! Kanë ndërruar ideologjinë?!