Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Jeta po largohet përgjithmonë nga vendlindja ime
E hene, 20.12.2021, 08:37 PM
JETA PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME
Nga Frank Shkreli
Unë
vij, siç e dinë shumë kolegë, miqë e dashamirë të mi – nga një fshat i quajtur
Amull-Fraskanjel të rrethit të Ulqinit, ndonëse me origjinë familja ime rrjedhë
nga Shkreli i mbi-Shkodrës, në Malësinë e Madhe. Unë, si dhe shumë bashkvendas
të mi jemi larguar nga vendlindja jonë, dikush më heret dikush më vonë, por
kryesisht, duke filluar aty nga viti 1970, ndonjë edhe pak më heret, ndoshta.
Por, viti 1970, në përgjithësi, konsiderohet si viti kur fshtatrat e rrethit të
Ulqinit, të banuara pothuaj 100% me shqiptarë, filluan të zbrazeshin,
gradualisht, nga emigrimi për në Perëndimin demokratik, shumica në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Kjo
zbrazje e trojeve shekullore shqiptare nën Mal të Zi ka vazhduar për dekada,
duke mos pasur të ndalur as në ditët e sotëme. Kjo fatkeqësi mbarëkombëtare –
pothuaj e karakterit biblik – të largimit të shqiptarëve nga tokat arbërore në
Ballkan – pasqyrohet ndoshta më së miri, me çfarë ka ndodhur gjatë 50-viteve të
fundit e që vazhdon deri në ditët tona, në Ulqinin shqiptar mija vjeçar
iliro-arbëror. Mos harroni qytetin e 365 kishave të Shasit -- Frank SHKRELI/ Vidhet historia e qytetit ilir të Shasit | Gazeta Telegraf.
Dikur
fajësohet diktatura komuniste për largimin e shumë shqiptarëve liridashës nga
zgjedha sllavo-komuniste, për në Perendim.
Po sot, me dy shtete “demokratike” në Ballkan -- Shqipëri e Kosovë --
kush e ka fajin, kush duhet të jetë përgjegjës për largimin masiv të
shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe trojet e tjera shekullore shqiptare,
siç është Ulqini dhe fshatrat për rreth!?
Një
pasqyrim të kësaj gjëndjeje tragjike të zbrasjes së tokave shqiptare sot në
fshatrat e rrethit të Ulqinit nën Mal të Zi, siç është fshati i vendlindjes time
Amull/Fraskanjel, e përshkruan dhimshëm kolegu im, autori, gazetari dhe
analisti i njohur nga Ulqini, Z. Gjekë Gjonaj, shkrimin e të cilit po e ndaj me
ju të nderuar kolegë, lexues të dashur dhe me të gjithë ata që zbrasjen e
trojeve shqiptare duhet ta shikojnë si një dukuri emergjente kombëtare. Pothuaj për çdo ditë lexojmë në median
shqiptare, se si anë e mbanë trojeve tona, po zvogëlohet numri i nxënsve në
shkollat fillore, të mesme e të tjera, pikërisht për arsye të largimit masiv të
familjeve shqiptare. Por tregimi – ditët e fundit i botuar në portalin
Ulqinionline --Dy “shoqet” e vetme të pandara në shkollën e Fraskanjelit – Ulqini Online (ulqini-online.com) -- i
kolegut tim Gjekë Gjonaj nënvijon shumë dhimshëm një rast të pashembullt në
fshatin ku kam lindur unë Amull/Fraskanjel: një shkollë funksionale, me një
mësuese dhe me një nxënëse -- ndoshta e paraqet problemin e zbrasjes së trojeve
tona, në një mënyrën dramatike për vëmendjen që meriton ky problem
mbarëkombëtar – me qëllim për të sensibilizuar sado pak publikun e gjërë
shqiptarë se ç’po ndodh anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan – me mbylljen
e shkollave për mungesë nxënsish, si pasojë e largimit të familjeve shqiptare
nga trojet e stërgjyshërve të tyre.
Falënderoj Z. Gjekë Gjonaj që na solli këtë tregim shumë
të dhimbshëm, me të cilin duhet të njihet publiku i gjërë shqiptar dhe sidomos
liderët shqiptarë kudo. Është një tregim që më solli – solli lotët në sy, një
rast që vërtetë dramatizon këtë, emeergjencë kombëtare në këtë periudhë
historike të kombit shqiptar. Të lumtë dora, i dashtun Gjekë! Bravo edhe
mësueses që e bën gjithë atë rrugë për një nxënëse të vetme. Është një tregim i dhimmshëm për faktin se ku
kanë arritur gjërat në ato troje dhe njëkohësisht është edhe një shënjë
vendosmërie nga mësuesja Ardita Cekaj dhe nxënsja Elidona Shkreli dhe familja e
saj për t’iu përshtatur situatave të paparashikueshme, për të mësuar dhe për të
mbijetuar.
JU FTOJ TË LEXONI MË POSHT SHKRIMIN E PLOTË TË Z. GJEKË
GJONAJ PËR KËTË RAST UNIK NË TROJET SHQIPTARE, E NDOSHTA EDHE MË GJERË -- një
shkollë, një mësuese dhe një nxënëse e vetme!
Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës,
që mund ti lexoni në fund të artikullit që pason, në këtë 150-vjetor të lindjes
së tij – por edhe realizimin e hidhët personal se me boshatisjen e fshatit tim
nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR
DIKUR -- PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.
Frank Shkreli
----------------------------
DY “SHOQET” E VETME TË PANDARA
NË SHKOLLËN E FRASKANJELIT
Nga Gjekë
Gjonaj
Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Bedri
Elezaga” në fshatin Fraskanjel – Anë të Malit, falë mirëkuptimit të Ministrisë
së Arsimit, edhe këtë vit shkollor vazhdon të funksionojë me vetëm një
nxënës. Në një klasë shumë të rrënuar, që nxjerr frymën e disa kohëve të
shkuara, mësuesja Ardita Ceka mësimin e zhvillon me vetëm një
nxënëse. Ajo quhet Elidona Shkreli, nxënëse e klasës së dytë, të cilën
mësuesja e saj e sjell dhe e merr çdo mëngjes nga fshati i afërt Amull,
rreth tre kilometra larg shkollës.
Në këtë shkollë katërklasëshe të lënë pas dore me vite,
në të cilën në vitin shkollor 1972/73 kanë qenë 20 nxënës, nuk bie zilja e
shkollës, sepse nuk ka fëmijë për të thirrur. Në këtë vatër edukative –
arsimore mësuesja e re e arsimuar Ardita është edhe mësimdhënëse, edhe
edukatore edhe “shoqe” e bankës dhe “partnere” për edukatën
fizike, muzikore …
Që nga viti i kaluar shkollor, mësuesja Ardita udhëton
nga fshati i saj Brajshë në Fraskanjel dhe rregullisht vjen në shkollë në
kohë, së bashku me nxënësen e saj, për të mos humbur procesin
mësimor. Ajo me mjaft emocion flet për fillimet e saj në këtë vatër të
dijes.
“Mbaj mend si sot ditën e parë, në tetor të vitit 2020,
kur fillova punën në këtë shkollë dhe kur në derë trokiti nxënësja ime e
parë dhe e vetme -Elidona Shkreli, të cilën e shoqëronte babai i saj,
Tomë Shkreli nga fshati Amull. Elidona ishte e gëzuar dhe e
emocionuar sepse po vinte për herë të parë në shkollë. Ishte një
nxënëse shumë e sjellshme dhe e dashur dhe shkollën e kishte shumë
dëshirë. Mirëpo, ajo ishte shumë e lidhur me prindërit të cilët nuk kishin
arritur ta çonin në kopsht. Kjo ndikoi që Elidona e kishte shumë
problem të qëndronte vetëm me mësuesen në shkollë, dhe duhej gjithsesi prania
në shkollë e njërit prindër ose e motrës. Ishte e mbyllur në
vetvete dhe e kishte të vështirë të shoqërohej me njerëz të tjerë jashtë
familjes. Vetë fakti që ajo ishte nxënësja e vetme në këtë shkollë dhe
nuk kishte shokë apo shoqe, ndikoi edhe më keq që ajo të ambientohej dhe të
mësohej që të qëndronte në shkollë pa praninë e njërit nga familjarët. Kështu
në fillim u desh të kalonin 2-3 javë derisa ajo arriti të ambientohej dhe të
bëheshim “shoqe”. Pra nga dita kur filluam të bëheshim ’’shoqe’’e në vazhdim ne
kemi krijuar një marrëdhënie jo vetëm mësuese-nxënëse por edhe shoqe-shoqe,
pasi ajo më tregon gjithçka rreth vetes, është e lirshme dhe ju përgjigjet çdo
pyetjeje që unë i bëj”, thotë Ceka.
Ajo s tutje shprehet se të punosh me një nxënës është e
pazakontë, dhe se nuk ndjehet mirë për shkak se
nxënësja e saj nuk ka shokë e shoqe të shkollës që të luajnë bashkë
gjatë gjithë vitit shkollor. Mirëpo, mësuesja Ardita ka
krijuar me të raporte të veçanta afërsie saqë e konsideron atë jo vetëm
si nxënëse por si “ shoqe”, apo “ motër” të vogël . Siç tregon
mësuesja Ardita para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të
Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një
tortë në shkollë dhe u gëzuan së bashku.
Para se të vijnë në shkollë, gjatë udhëtimit së bashku,
fillimisht bisedojnë për shumëçka. Elidona i tregon mësueses se çfarë
ka bërë një ditë më parë, me kë ka luajtur dhe të ngjashme. Dhe vetëm kur klasa
fillon të ngrohet, ato fillojnë mësimin.
“Ne të dyja e bëjmë bashkë rrugën nga shtëpia në shkollë
dhe nga shkolla në shtëpi Mua pasi nisem në mëngjes në shkollë Elidona më
pret tek rruga e shtëpisë së saj dhe nga aty shkojmë dhe kthehemi nga shkolla
së bashku. Mësimdhënia me një nxënëse është e pazakontë, por jo e vështirë.
Secilin mësim në çdo lëndë ia shpjegoj disa herë vetëm
derisa ajo ta kuptojë, duke përdorur metoda e mënyra të ndryshme.
Megjithatë mësimi me një nxënëse ka dhe anët e veta negative.
Kur në klasë ke vetëm një nxënëse ajo natyrshëm ndjehet e vetmuar
dhe jo aq e motivuar për të mësuar më shumë apo për të parë se
si mësojnë e përgjigjen nxënësit e tjerë. Mësimi me vetëm një
nxënës, për dallim nga mësimi me shumë nxënës, komunikimi
zhvillohet vetëm mes mësueses dhe nxënësit”, pohon Ceka.
Pavarësisht vështirësive që kanë pasur mësuesja
Ardita me nxënësen e saj të vetme Elidonën ato kanë kaluar kohë të
këndshme në praninë e njëra-tjetrës. Përveç mësimit janë shoqëruar,
kanë luajtur dhe janë zbavitur aq sa kanë pasur mundësi.
Kështu para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me
prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë në shkollë
dhe u gëzuan së bashku.
Gjendja e krijuar e gjithmbarshme në botë, pra edhe në
vendin tonë, si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, vendosi një
rregullim të ri të gjallimit në pothuajse në çdo lëmi të frymimit shoqëror,
duke përfshirë edhe atë në sferën e arsimimit në të gjitha nivelet. Mësimi në
distancë, respektivisht përmes platformave online që erdhi
papritur për shkak të përhapjes së koronavirusit, paraqiti sfida të
mëdha edhe për mësuesen Ardita Ceka dhe nxënësen e saj Elidona Shkreli.
“Nxënësja ime ishte në klasën e parë. Ajo kishte nevoja e
pyetje të ndryshme të cilat ishte shumë vështirë t’ia sqaroj në këtë
mënyrë. Por, u përpoqa që në kushte të jashtëzakonshme të
bëj me pasion më të mirën e mundshme, duke ruajtur mbi të gjithë
atë më shenjtoren- shëndetin tim dhe të nxënëses e pastaj edhe
të realizoj planprogramin mësimor. Ishte kjo një përvojë
shumë interesante për mua e cila do të mbetet gjithmonë në kujtesën time
si diçka e pazakontë por e bukur”, thekson Ceka.
Si e vetmja, Elidona modeste është edhe nxënësja më
e mirë e kësaj shkolle, edhe pse nuk mund të mburret me nota të shkëlqyera.
Pyetja e madhe është nëse shkolla në Fraskanjel do të funksionojë vitin e
ardhshëm shkollor dhe, siç theksojnë vendasit, nëse shkolla mbyllet kjo do të
thotë se jeta është larguar përgjithmonë nga ky fshat.
Gjekë Gjonaj
Dy Heroina shqiptare të rrethit të
Ulqinit
Mësuesja Ardita Ceka me nxënsën e saj të vetme Elidona
Shkreli/Shkolla në Fraskanjel, rrethi i Ulqinit
* BOTUAR NË ULQINIONLINE, ME
17 DHJETOR, 2021
Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At
Gjergj Fishtës, si më posht, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe
realizimin e hidhët perosnal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR -- PO LARGOHET
PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.
At Gjergj Fishta: LAMTUMIRË VËNDET E MIJA
Lamtumire vëndet e mija,
Që po m'zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka valë mbi valë.
Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill unë tash do t'veta
Lamtumirë atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!
Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me më nda?
Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t'shkretit
Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…
Vëndin tëm ma skam me pa…
Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s'dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!
Lamtumirë ju mriza e stane!
Lamtumirë ju "shkurre e mreta"!
Lamtumirë ju o armt e t'parve
Lamtumirë për sa t'jetë jeta.