| E marte, 07.12.2021, 08:14 PM |
Blerim Latifi:
Ishte
viti 1990. Një vit më parë Serbia me tankse kishte hequr autonominë e Kosovës
të vitit 1974. Gjatë dimrit të atij viti rrugët e Kosovës ishin përgjakur nga
dhjetëra shqiptarë të vrarë nga policia që ishte urdhëruar t'i shtypte me dhunë
demonstratat e tyre. Mijëra e mijëra punëtorë ishin përzënë nga vendet e tyre
të punës. Një helmim masiv i nxënësve në shkollat e Kosovës kishte ndodhur në
ndërkohë. Sigurisht, si një ndër format e terrorizimit të shqiptarëve nga
regjimi i Millosheviqit. Serbia në sy të republikave të tjera jugosllave dhe në
sy të gjithë botës kishte vendosur sistemin e terrorit shtetëror mbi popullin
shqiptar në Kosovë. Dhe askush nuk i kishte reaguar, përjashto Shqipërinë,
zërin e të cilës askush nuk e dëgjonte prej kohësh, krejt për fajin e saj.
Kështu një dëshpërim i madh kolektiv kishte rënë mbi ne. Nuk donim të
nënshtroheshim, por kishim frikë se nuk do të kishim askënd në krahun tonë. Sa
e sa herë kjo gjë na kishte ndodhur gjatë historisë.
Në
gushtin e atij viti një dritë shprese ngrohu zemrat tona. Në Prishtinë kishte
ardhur një delegacion senatorësh amerikanë, në krye me Bob Dolin. Vetëm ata që
e kanë jetuar atë kohë, e kuptojnë gëzimin e madh të asaj dite. Ishte gëzimi i
ndjenjës se nuk ishim të vetmuar e të braktisur përballë terrorit serb.Atë ditë
filluam të besojmë se bota kishte filluar të merrte vesh për vuajtjen tonë. Bob
Doli foli hapur në mes të Prishtinës duke denoncuar represionin shtetëror. Ne
kemi jetuar gjatë me pamjen dhe fjalët e tij të asaj dite gushti të vitit 1990.
Besimi ynë në Amerikën i ka rrënjët në ato fjalë. Me to fillon
ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.
Miqtë
më të mëdhenj të një populli janë ata që i gjenden pranë në orët më të liga të
tij. Bob Doli bën pjesë në kategorinë e miqve të tillë të Kosovës. Si i tillë
ai do të mbetet monument i përjetshëm në memorien tonë historike.
__________
Kur
javën e shkuar Papa shkoi për vizitë në Greqi, sapo zbriti në tokën greke ai u
prit nga thirrjet e një prifti ortodoks, i cili quajti Papën heretik. Papë, ti
je heretik, u dëgjua disa herë të thërriste prifti, derisa nuk u largua nga
njerëzit e sigurimit.
Prej
vitit 1054, kur krishterimi përfundimisht u nda në dy degë të mëdha, katolikët
dhe ortodoksët e kanë akuzuar njëri tjetrin për herezi, pra për devijim nga
doktrina e vërtetë kristiane. Prej asaj kohe asnjëherë nuk kanë pasur sukses
përpjekjet për pajtimin e dy kishave. Ndarja doktrinore e tyre ishte shndërruar
më pas edhe në ndarje territoriale dhe kufiri midis dy kishave ishte vendosur
m’u në territoret e banuara me shqiptarë. Kjo bëri që shqiptarët të ndaheshin
në të krishterë ortodoksë dhe krishterë katolikë. Pikërisht në atë kohë ka
lindur edhe emri “shkije”, i cili është modifikim fonologjik në shqip i fjalës
greke “skizma”, që do të thotë ndarje. Kisha Katolike i quante skizmatikë të
gjithë ortodoksët. Më pas, si pasojë e ndryshimit semantik, në të folurën e
shqiptarëve emri skizmatikë, shkije, u përdor për të shenjuar sllavët
ortodoksë. Dhe këtë më se miri e tregon fakti se ky emërtim ka mbijetuar vetëm
në Shqipërinë e veriut, në Kosovë dhe trevat shqiptare në Mal të Zi.
__________
Kur
me 1909 u hap Normalja e Elbasanit, shkolla e parë e mesme në gjuhën shqipe, në
trevat shqiptare funksiononin qindra shkolla në gjuhë të huaja. Secila prej
tyre mbante shenja të këtyre gjuhëve, simbole dhe uniforma osmane, greke,
sllave, e të tjera. Që ta vinin në dukje karakterin shqiptar të Normales së
Elbasanit, themeluesit e saj vendosën që nxënësit e saj ta kishin të
detyrueshme mbajtjen e plisit të bardhë gjatë orëve mësimore. Kjo praktikë
pastaj vazhdoi deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur u zhduk nga
komunistët, andej dhe këndej kufirit.
__________
Amaneti i nanës i
lëkundë edhe malet
Imanuel
Kant, njëri ndër mendimtarët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit, u lind në
një familje të varfër. Babai i tij ishte analfabet dhe mezi e mbante familjen
duke prodhuar shala të kuajve. Nana e Kantit kishte mësuar shkrim dhe lexim dhe
kur gjente pak kohë mundohej t'i ushqente fëmijët e saj me dashurinë për shkollën.
Por kushtet e vështira të jetës sollën tragjedi në familjen e tyre. Nga nëntë
fëmijët e tyre, pesë djem vdiqën njëri pas tjetrit. Vetëm Imanueli dhe motrat
jetuan. E shkatërruar nga mjerimi, nana e tij vdiq në moshën dyzet vjeçare,
duke e lënë atë në moshën 13 vjeçare. Dëshira e saj e fundit ishte që Imanueli
të vazhdonte shkollën, të bëhej i ditur, dhe ai e plotësoi vullnetin e saj duke
arritë majat e filozofisë botërore. Nuk thuhet rastësisht qysh nga kohët e
lashta: Amaneti i nanës i lëkundë edhe malet!
__________
Midis
një populli që pëlqen përrallat e "Përputhen" e "Big
Brother" dhe një populli që pëlqen përrallat për fundin e afërt
apokaliptik të botës, unë do të zgjedhja të parin, padiskutim. Për një arsye:
populli i parë çmon kultin e jetës e të krijimit, ndërsa i dyti kultin e
vdekjes e të shkatërrimit.